Libri “Kërkimet albanologjike në trevat Opojë dhe Gorë” (studime, materiale folklorike, gjuhësore etimologjike, historike dhe etnologjike) është paraqitur sot nga autori Ismet Lecaj në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Lecaj tha se ky libër është rezultat i punës 40-vjeçare. “I kemi bartur shkrimet nga revista ‘Sharri’ të cilën e kryeredakton Bedri Halimi dhe ka rezultuar ky libër i veçantë”.





“Lirikat popullore, sidomos ajo e dashurisë, janë perla të veçanta”, tha ai.

I pyetur se sa është i pasur ky regjion me shprehje dhe çfarë e dallon atë nga regjionet e tjera, ai tha se me krahinat afër saj e folmja dallon, kurse lojërat fëmijërore dhe për të rritur i kanë të njëjta.

Që nga viti 1991, kur filloi të botohej revista ‘Buletini’, që më vonë mori emrin ‘Sharri’, Ismet Lecaj pothuajse në çdo numër ka publikuar shkrime të natyrës letrare, të etnokulturës, historisë, etnologjisë e veçmas të gjuhësisë.

Ai ka botuar disa libra studimorë voluminozë kryesisht për historinë e Opojës, folklorin e saj, gjuhën, enologjinë dhe kulturën e saj.

Punimet e Lecajt, të përmbledhura në këtë libër, ndonëse janë botuar në revistën “Sharri”, paraqesin një rëndësi të veçantë për lexues dhe studiues të albanologjisë, nga fushat: histori, folklor, etnologji, gjuhësi, kulturë etj.