Pagat e sektorit publik në Kosovë janë të rregulluara me ligj, ku baza kryesore e këtij rregullimi është koeficienti i përcaktuar. Çdo rritje e pagave duhet të bëhet përmes rritjes së koeficientit, pasi kjo është mënyra e duhur për të ruajtur funksionin dhe qëllimin e rregullimit të pagave në sektorin publik. Rritjet e pagave që nuk respektojnë koeficientët e përcaktuar shkelin këtë parim dhe dëmtojnë sistemin e pagave në sektorin publik.
Problemi me koeficientët ka filluar që nga momenti kur është proceduar ligji për rregullimin e koeficienteve. Kur ky ligj është proceduar, ka pasur një pranueshmëri të ngushtë për koeficientët e përcaktuar, e cila nuk ka mundur të sigurojë një dakordësi të gjerë shoqërore. Pranueshmëria e gjerë mund të arrihet vetëm nëpërmjet një diskutimi të hapur dhe gjithëpërfshirës, ku të gjithë aktorët shoqërorë të kontribuojnë me argumente të qëndrueshme. Ky lloj diskutimi ka munguar plotësisht, dhe si pasojë, kemi një papajtueshmëri të gjerë për koeficientët që janë përcaktuar.
Rritjet e pagave nga ana e qeverisë, të cilat shpërfillin koeficientët, po e dëshmojnë gjithashtu se edhe qeveria vetë nuk ka një pranueshmëri për këta koeficientë, që është shumë shqetësuese. Kjo krijon pasiguri dhe çon në një humbje të besimit në sistemin e pagave të sektorit publik.
Gjithë kjo situatë rreth rregullimit të pagave të sektorit publik nuk është rastësore. Kosova po përballet me një aktivitet të fuqishëm të rrjetit serbo-rus, i cili ka një shtrirje horizontale në të gjitha institucionet e Kosovës dhe një shtrirje vertikale që arrin deri në nivelet më të larta të partive politike. Me një shtrirje të tillë, krijimi i kaosit dhe konfuzionit bëhet shumë i mundshëm. Krijimi i tensioneve, konflikteve dhe mospranueshmërisë është një program i Serbisë për Kosovën, i zbatuar nga ky rrjet serbo-rus në territorin e Kosovës.
Diskutimet e sinqerta, pranueshmëria e gjerë dhe rregullimi i qëndrueshëm dhe funksional i pagave në sektorin publik janë themelet mbi të cilat duhet të ndërtohet shteti i Kosovës. Por ky proces është bllokuar dhe penguar nga ndikimet e jashtme dhe ndërhyrjet e këtij rrjeti serbo-rus, që po vepron në Kosovë.