Skandali me gjyqtarin ilustron nivelin e ulët të gjykatave
“Në një rast në Gjilan gjykatësi i thotë një viktime të dhunimit se fakti se ke hyrë në taksi natën do të thotë se ke qenë e gatshme për aventura seksuale. Pra, ky mentalitet bën çfarëdo të relativizojë dhunën ndaj edhe vajzave më të reja, duke i etiketuar me thënien se ato vetë e kanë ditur se çka po kërkojnë”, thotë Ariana Qosaj-Mustafa .
Për momentin mbetet një mister se sa raste i ka dënuar drejtësia kosovare për abuzime seksuale. Ndërkaq, ajo që dihet, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, është fakti se për dy vjet, më 2017 dhe 2018, kanë qenë 103 raste keqpërdorimi seksual të personave nën moshën 16 vjeç.
Nuk ka të dhëna të sakta se sa guxojnë ta lajmërojnë krimin seksual vajzat e gratë në Kosovë, sidomos ato që punojnë në zyra shtetërore apo edhe private, ku thuhet se ndodhin favore dhe shantazhe seksuale.
Në një përgjigje të Policisë së Kosovës ,,thuhet se Policia të gjitha rastet i evidenton sipas Kodit Penal të RKS-së, prandaj edhe rastet që kanë të bëjnë me integritetin seksual, ku përfshihen fëmijët apo personat nën 16 vjet trajtohen duke u bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe ndërmerren veprime të nevojshme në bashkëpunim edhe me autoritetet e tjera të drejtësisë për vendime të tjera dhe kompletim sa më profesional të këtyre rasteve.
“Policia merr veprimet e nevojshme ligjore, duke përfshirë edhe arrestimin e të dyshuarve, pavarësisht rolit dhe funksionit që kanë kryerësit, pra kur ka elemente se kanë kryer vepër penale ata arrestohen, dhe në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente dhe prokurorinë rastet procedohen në gjykatat kompetente për vendime të mëtejme.
Duke iu referuar të dhënave të PK-së, në vijim po paraqesim të dhënat për veprat penale nga KPRK për nenet 235, 236, 237, 237 për periudhën kohore 2017,2018. Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet, në vitin 2017 kanë qenë 62 raste, ndërsa në vitin 2018 kanë qenë 61.
Ndërsa raste të nxitje së akteve seksuale, prekjes apo aktiviteteve nga personat nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet, në vitin 2017 nuk ka qenë asnjë rast, kurse në vitin 2018 kanë qenë 3 raste.
Kurse te rastet e natyrë së keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi, në vitin 2017 kanë qenë 6 raste, kurse në vitin 2018 kanë qenë 7 raste. Derisa, sipas PK-së, në vitin 2017 dhe 2018 nuk është evidentuar asnjë rast e i ofrimit të materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet”, ka thënë Policia.
Drejtësia injoron abuzimet
Përfaqësuesja e shoqërisë civile, Ariana Qosaj-Mustafa, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se abuzimet seksuale besoj se mbesin si temë më së paku e mbuluar e sistemit të drejtësisë në Kosovë pos kur na dalin këso raste të guximshme të disa viktimave që flasin nën një kontroll të tillë nga pushteti apo kur raportohen në medie rastet që përfundojnë tragjikisht.
“Në një studim të fundit që ka ndërmarrë KIPRED-i në analizën e trekëndëshit polici, prokurori dhe gjykata është vërejtur se viktimat e dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale kalojnë nëpër sistemin e drejtësisë pa u marrë seriozisht, sepse vonohet marrja e provave forenzike, mbrojtësit e caktuar me ligj rrallë i marrin seriozisht viktimat dhe vazhdon mentaliteti i fajësimit të viktimave.
Në një rast në Gjilan gjykatësi i thotë një viktime të dhunimit se fakti se ke hyrë në taksi natën do të thotë se ke qenë e gatshme për aventura seksuale. Pra, ky mentalitet bën çfarëdo të relativizojë dhunën ndaj edhe vajzave më të reja, duke i etiketuar me thënien se ato vetë e kanë ditur se çka po kërkojnë.
Edhe sot vazhdon kjo qasje dhe ka komente të natyrës se një vajze "15- vjeçare ka shikuar të martohet me një burrë 50- vjeçar,"si është në rastin e fundit të raportuar në medie”, u shpreh ajo.
Ndërsa njohësi i rrethanave politike në vend Ali Hertica, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se abuzimi seksual mbetet forma më e rëndë e abuzimit.
“Ministria e Arsimit duhet të angazhojë inspektorët e arsimit, në mënyrë që të jenë me aktivë në terren për identifikimin dhe parandalimin e fenomenit të ngacmimit, sulmit dhe abuzimeve seksuale dhe shantazheve duke marrë edhe favore nga matrapazët e të gjitha institucioneve”, u shpreh ai.
Rasti tragjik
Analisti Gani Qarri, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se rasti tragjik i vajzës nga Drenasi është kthyer në tragjedi të vërtetë kombëtare, jo vetëm për dështimin institucional që është bërë i përditshëm në Kosovë,por veçanërisht për vetë faktin e pjesëmarrjes aktive në krim të së paku katër shtyllave kryesore dhe më të rëndësishme të shtetit,si: Arsimi, Policia,Drejtësia dhe Mjekësia, nëse jo edhe më shumë e më gjerë. “Fatkeqësisht, sidomos pas rastit të bërë së fundmi publik në Drenicë, ku që të gjithë pa dallim kishin abuzuar në mënyrë zinxhirore dhe format më makabër me një vajzë minorene, që nga profesori, polici, prokurori e deri te vetë mjeku, vajzat dhe gratë në Kosovë edhe në moshën madhore, as që kanë më guxim ta lajmërojnë cilindo rast të krimit seksual, veçanërisht kur bëhet fjalë për ato që punojnë në zyra shtetërore apo edhe private, ku përflitet se në përditshmëri ndodhin abuzime dhe shantazhe të pareshtura ndaj tyre.
Nuk ka më se çfarë të fshihet as mbulohet dhe duhet bërë të ditur publikisht për të gjithë qytetarët e këtij vendi se rastet e abuzimit seksual kanë zënë fill dhe po rriten e zgjerohen dita- ditës, veçanërisht që prej momentit kur ligji kaloi në duart e zyrtarëve vendorë, madje problemi më i madh në Kosove është se nga zyrtarët kosovarë,po ky ligj zbatohet vetëm sipas ‘shijes’ së shefave abuzues e të inkriminuar deri në fyt, të cilët nuk guxon kush as t’i dënojë”, tha Qarri.
Ngacmimet, të përhapura
Analisti Shefik Shkodra , thotë se ngacmimet dhe dhunimet seksuale në sferën e shoqërisë shqiptare, përkatësisht kosovare, janë të theksuara në çdo sektor. “Në shkolla, në universitete, në administratë dhe në institucione të tjera.
Çdo kund gjenden njerëz të paformuar e pa kurrfarë ndjenjash. Çdo femër përpiqen që ta përvetësojnë. Madje, nuk e mendojnë fare për pasojat që mund t'i shkaktojnë.
Femrat më së vështiri e kanë në sektorin privat. Lloj-lloj bashibozuku ka themeluar ndonjë ndërmarrje private. Qëllimi i dikujt parësor është se si mund t'i përvetësojnë femrat.
Ato dëshirojnë të punësohen diku kudo vetëm e vetëm që të mbajnë veten. Madje, ka të tilla që janë të detyruara të mbajnë edhe familjet e tyre.
Shefi i punës i pranon, por mund që në fillim t'i kushtëzojë, mundet edhe pasi ta inkuadrojë. Me shumë perfiditet, ta ngacmojë dhe në fillim t'i premtojë, derisa ta shfrytëzojë dhe pastaj, nëse nuk dakordohet me të ose për arsye të tjera, e largon nga puna.
E kërcënon se do ta njoftojë opinionin publik me fotot, me incizimet që do t'i bëjë, etj. Kjo nuk është vetëm në sektorin privat. Edhe në administratën publike e në institucionet të tjera ndodhin jo rrallë të njëjtat provokime e ngacmime.
Ndodhin edhe largime nga puna pa e ditur opinioni publik arsyen objektive”, ka vlerësuar Shkodra.
Gjysma e viktimave nuk e lajmërojnë rastin
Analisti Ibrahim Kelmendi, , thotë se fatkeqësisht gjithandej, edhe në shtete më të emancipuara, ndodhin abuzime seksuale.
“Por, kur në ato shtete ndodhin të zbulohen, atëherë nuk ndodhin kompromise, sepse institucionet e drejtësisë nuk u tremben qeveritarëve, biznesmenëve, priftërinjve, hoxhallarëve, mësuesve e kujtdo që abuzon”, vlerësoi ai.
Qytetarët e anketuar dyshojnë se po lajmërohen rastet e krimit seksual në Kosovë.
Prandaj, sipas tyre, gjysma e tyre nga vajzat e gratë nuk guxojnë që ta lajmërojnë krimin seksual në Kosovë, sidomos ato që punojnë në zyra shtetërore apo edhe private, ku thuhet se ndodhin favore dhe shantazhe seksuale.
Problemi më i madh në Kosovë është se ligji ndodhet në duart e zyrtarëve kosovarë dhe zbatohet vetëm sipas "shijes" së shefave abuzues e të inkriminuar.
Qytetari Ismajl Jakupaj nga Skivjani i Gjakovës, , thotë se këso rastesh ka pasur gjithmonë edhe më herët, por jo sa flitet në opinion.
“ Edhe ato raste që ndodhin duhet të paraqiten në organet e drejtësisë dhe në media, kurse keqpërdoruesit duhet që ta marrin dënimin e tyre”, u shpreh ai.
Ndërsa, qytetari Hamit Gashi nga Prishtina, thotë se kjo është një dukuri shoqërore që është prezente në mbarë botën dhe kjo është e sanksionuar me ligj.
“Konsideroj se ka raste shumë më tepër sesa regjistrohen e gjykohen, sepse 50 për qind e rasteve nuk lajmërohen para organeve të drejtësisë, policisë e prokurorisë”, u shpreh ai.
(Kosova Sot)
No comments:
Post a Comment