2019-02-12

Tom Kuka : Hide mbi kalldrëm

Rezultate imazhesh për tom kuka


Një rrëfim mbi dyzimin e shoqërisë shqiptare: nga njëra anë, e sunduar nga intrigat, tradhtitë e abuzimet e të fortëve e nga ana tjetër, e drobitur nga skamja, verbëria e bestytnitë e të dobëtve.
Janë vitet ‘30. Vitet e një Shqipërie që më në fund ka një emër, një qeveri dhe një kryeqytet. Dhe ç’kryeqytet! Tirana na shpaloset me tonalitetet e një fotografie bardhezi, në të cilën, falë një rrëfimi mjeshtëror, ndiejmë kutërbimin e kanalizimeve në qiell të hapur, të djersës së mëditësve, të qenve që rrëmojnë rrugëve, por edhe erën e sapunit të rrobave, të gatimeve në shtëpitë përdhese dhe të frutave që rëndojnë në pemët e oborreve të tyre. Pluhuri i bardhë i allçisë dhe i rrugëve na mahis sytë dhe gëlimi i zhurmshëm i vegjëlisë në pazar na vret veshin. E në këtë zallahi zërash e personazhesh, Di Hima, kryehetuesi i Tiranës, një burrë i mençur, me karakter tërheqës dhe ende i pamartuar, heton mbi vrasjen e Andon grekut, duke zbuluar një botë sekretesh e shantazhesh, nga e cila mund ta shpëtojë vetëm një dashuri e thjeshtë dhe e paqtë. Autori shpalos një tablo groteske e njëkohësisht mallëngjyese të një Shqipërie të skamur, të uritur e të nëpërkëmbur, ku jeta e njeriut nuk vlen asnjë dyshkë e ku nderi është vetëm një fasadë për sytë e botës. Në fakt, asgjë nuk ka ndryshuar… pothuajse një shekull më parë, ajo që ishte Tirana mbetet ende Tirana.
Ky është romani i parë i autorit që shkruan me pseudonimin Tom Kuka. Identiteti i tij i vërtetë nuk njihet. “Jam një njeri që, ma merr mendja, më njohin mjaftueshëm. Natyrisht, nuk kam bërë punë të zeza, që të kem frikë të paraqitem me emrin tim. […]





Kush është Tom Kuka, autori misterioz që po çmend shqiptarët?


Disa  vite më parë, a thua se e kishim parandjerë, në prag të Panairit të Librit, jo më kot ju sugjeruam librin “Hide mbi kalldrëm”, të shkrimtarit Tom Kuka; një libër për Shqipërinë e viteve ’30, që më në fund pati një emër, një qeveri dhe një kryeqytet, i cili shpalosej përmes një rrëfimi mjeshtëror, ku ndihej kutërbimi i kanalizimeve në qiell të hapur, i djersës, ndiheshin qentë që rrëmonin rrugëve, ndihej era e sapunit dhe gatimeve në shtëpitë përdhese.

Tom Kuka, që shpalosi tek “Hide mbi kalldrëm” një tablo groteske e njëkohësisht mallëngjyese të një Shqipërie të skamur, të uritur dhe të nëpërkëmbur, është pseudonim, pasi identiteti i vërtetë nuk njihet. Misteri është akoma më i madh, pasi në një intervistë në 2016-n, Tom Kuka tha për “pasqyrë.al” se publiku e njeh, mirëpo ai ka zgjedhur të mos e zbulojë emrin duke u shprehur se “dëshiron që njerëzit ta lexojnë librin, sepse e pëlqejnë, pa u nisur nga emri që ka në media, politikë, sipërmarrje apo kudo.”
Pas librit të parë që bëri bujë, i pyetur se kur do të ishte gati trilli i radhës, përgjigjja ishte e thukët: “Është dimër përpara, shporreti ka nevojë për zjarr. A e mendon sa letra duhen djegur për ta ndezur?”. Mesa duket, Tomës i janë dashur plot 2 vite, pasi romani i dytë ka vetëm pak ditë që është botuar.



 Ngjarjet e romanit “Hide mbi kalldrëm” vendosen në Tiranën e viteve ’30. Ngjarja mund të zhvillohej kudo në Shqipëri, por në ato vite, pak qytete meritonin të quheshin të tilla. Qytete si Korça, Gjirokastra, Shkodra ishin shumë sqimatare për të ushqyer historinë e Tom Kukës, ndërsa Tirana, kryeqyteti i vendit, ishte bash ambienti i duhur.

Nga mënyra se si e ka përshkruar Tironën, Tom Kuka ose nuk është tirons, ose dëshiron ta vendosë gishtin në krenarinë e kryeqytetasve për prejardhjen e tyre. Një qytet që ecën me një ritëm të ngadaltë, ku dita nis me nge me një kupë raki e kafe të pjekur fortë, ku Perandoria Osmane ka lënë shenjën e vet, thellë në mishin e tij dhe banorët duken më turq se vetë Orhan Turku.

Ndërsa përpiqet të zbulojë vrasjen e tregtarit grek, Andonit, që kishte qëlluar të qe edhe qejfli djemsh të njomë, hetuesi Di Hima zbulon se si pas avllive e shtëpive prej qerpiçi qëndron pezull një eros i pushtetshëm, që jo rrallëherë i kalon kufijtë drejt perversitetit. Prindër që çojnë vajzat në dyert e pasunarëve, dajallarë që çojnë nipërit e mitur nëpër shtëpi publike, tutorë të pashpirt, qehajaj kafshë, kushërinj handikapë që përdhunojnë kushërirat e para… kur përshkruan të tilla ngjarje apo skena, Tom Kuka nuk ka qime në gjuhë.

Fjalori i tij është i çliruar nga zgjedha e “turpit”, por veshur me të folmen dhe zakonet e Tiranës, i jep ngjyresa deri diku folklorike, që nuk ta bën të pështirë leximin. Më shumë se të zbulojë vrasësin e Andon grekut, autori ka dëshirë të zbulojë qytetin dhe bashkë me të edhe Shqipërinë, e cila edhe pas gati një shekulli nuk është pa vese, madje i ka me shumicë.

Si sot dhe atëherë gjen të njëjtat allishverishe, korrupsion, shitje-blerje, të njëjtin raport mes gruas dhe burrit, dyzimin mes asaj të do dhe asaj që duhet, fenomeni i zgjedhjes mes një gruaje seksi dhe të lehtë e një tjetre të zgjuar e të shkolluar.

Nuk dihet nëse, pas panairit, Tom Kuka do bëhet i gjallë, por e sigurt është se ka bërë jo pak kureshtarë ndër lexues.





Quhet “Gurët e vetmisë” dhe është i ndërtuar duke gërshetuar të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, të cilat rrjedhin lirshëm me njëra-tjetrën, në një kohë të pakohë.


Subjekti i romanit ndërtohet mbi masakrën e Paramithisë, në të cilën 72 burra të ndershëm të familjeve më të njohura çame u thirrën nga mitropoliti grek kinse për të vendosur paqen mes tyre. Asgjë nuk ndodhi, ata u prenë në besë dhe u vranë në përroin e Selanit. Armiku ka vetëm një qëllim – të kërkojë zhdukjen e tyre, të ndërrojnë gjuhën, emrin, të asimilohen deri në atë pikë sa t’u shuhet fara.

Një rrëfenjë epike për gjithë ç’ndodhi një shekull më parë në tokat shqiptare. Megjithatë, sigurisht që nuk mungon tipari i universalizimit, pasi historia mund të jetë historia e çdokujt, e çdo kombi të tradhtuar e të braktisur.


Drejtuesja e shtëpisë botuese “Pegi”, që thekson se nuk e ka zakon të rekomandojë libra, pasi shijet janë të ndryshme, shprehet se “Gurët e vetmisë” është një ndër librat më të mirë që ka botuar ndonjëherë, sidomos në lidhje me letërsinë shqipe.


“Është një rrëfim që të mbërthen, në një peizazh shqiptar, me një aromë të fortë jugu, ullinjtë, gatimesh shqiptare, në një fshat ku të vdekur e të gjallë sillen bashkë mes ngjarjesh të trishta e gazmore, mes traditave dhe bestytnive, dashurive… Pa u bërë patriotik, pa marrë përsipër asgjë, pa i zënë, madje as emrin në gojë, autori rrëfen për një dramë të madhe: maskarën e Çamërisë,” shkruan ajo në Instagram.


Ashtu si po themi Erion Veliaj, që përmes një postimi në Twitter tha se udhëtimet e gjata shijojnë më së miri duke lexuar faqet e “Gurët e vetmisë”, edhe ju mund të bëni të njëjtën gjë. Një libër i mirë është gjithmonë zgjedhja e duhur.


Dhe diçka në fund – nëse ndiheni “të mashtruar” që ende nuk e zbuluat se kush është Tom Kuka në të vërtetë – referuar fjalëve të autorit, letërsia është një ishull i qashtër, ku nuk ka pse futen njerëz që kërkojnë namin e mirë të spektaklit!




Gurët e vetmisë nga Tom Kuka



Kjo është një përrallë nga e kaluara, me djem gjaknxhehtë e vajza lozonjare, me valle ndjellëse e shtjella kumtesh, që nxijnë lulet e lotojnë gjak. Këtu nuk ka prijës të shquar e fjalëmëdhenj, por ka vetëm njerëz shpirtmirë: qeflinj, sedërlinj e besëplotë, që ngulmojnë për paqe.


Historia e personazheve plekset me mite e legjenda, të cilat janë jo vetëm pjesë e një përditshmërie të shtruar e të thjeshtë, por pjesë e thelbit të këtij populli të vogël e të harruar. Këta njerëz me rrënjë të thella, të ndërthurura në gëzime e hidhërime të moçme, jetojnë të zhytur në një fatalizëm që është njëherazi shpëtimtari dhe përndjekësi i tyre më i ashpër. Autori i romanit, Tom Kuka është pseudonimi i një emri të njohur në gazetarinë shqiptare. Ai është Enkel Demi, i cili këtë vjeshtë erdhi me romanin e tij te dytë “Gurët e vetmisë” pas të parit vitin e kaluar “Hide mbi kalldrëm”.



Ky është një roman i shkruar në një gjuhë dialektore, me një shqipe tipike toske. Autori shpjegon se kjo nuk është hera e parë që shkruan në këtë lloj stili. Sepse pavarësisht gjuhës standarte sipas tij, asaj zyrtare, vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit, dialektet vetëm mund ta pasurojnë gjuhën. Ato mund të japin lirinë e të shprehurit që në krijmtari, është shumë e nevojshme.

Kjo është një rrëfenjë epike për atë që ka ndodhur një shekull më parë në tokat shqiptare. E megjithatë kjo mund të ishte historia e shumë të tjerëve, e çdo kombi të nëpërkëmbur, të tradhtuar e të braktisur. Kjo është një histori e përbotshme sepse kjo nuk u ka ndodhur vetëm shqiptarëve. Kjo tragjedi u ka ndodhur edhe popujve të tjerë. Një tragjedi e tillë së fundmi i ka ndodhur edhe popullit sirian. Dhe fati në këtë rast është i përbashkët sepse askush nuk mund të detyrojë askënd, të largojë njeriun nga shtëpia e tij.


Fragment nga libri

Nën gjethet e mëdha të atij rrapi kalonin mbrëmjen të rinjtë, që thurnin ëndrra për vashëzat e pagjuma që shtynin netët nën hënë, në kopshtijet e rrethuara me avlli. Pleqtë qëndronin si të ksehasur poshtë degëve të tij të ngërthyera si udhë me njëra – tjetrën.

Prandaj dhe ata humbisnin rrugën, mbeteshin pa gojë e dëgjonin klithmat që vinin nga poshtë, nga ai lumë që nuk dinte të ndalej. Shpirtrat vuanin në ato udhë të vështira, të kapërthyera nyje, të cilat askush nuk mund t’i zgjidhte dot.

As varkëtari me përvojën e lashtësisë nuk e gjente dot më portën e duhur për t’i përcjellë ata shpirtra të bërë kapicë në lundrën e tij të lodhur nga shekujt. Rrapi i fliste lehtas sa herë frynte erë dhe mundohej ta ndihte, meqë rrugët i shihte nga andej lart, por varkëtari ishte shurdh, plak njeri, me një rrobë të grisur nga motet që rridhnin.


Imazh i ngjashëm

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...