2019-02-12

“Ylli i Shkrimtarit” I Ndriçim Kullës hedh dritë mbi raportet e Kadaresë me Enver Hoxhën



Nga Flori Bruqi

Ndriçim Kulla është lindur në fshatin Vergo të rrethit të Delvinës me 19.08.1954. Ka mbaruar studimet universitare në Fakultetin e Gjuhë–Letërsisë në Universitetin e Tiranës.

Ka ushtruar profesione të ndryshme si minator, profesion të cilin e ka ushtruar deri në vitin 1988, mësues, gazetar dhe pedagog në Akademinë e Arteve. Që prej vitit 1993 ka punuar si një ndër botuesit e parë privat në Shqipëri, si fillim në pozicionin e Drejtorit në Shtëpinë Botuese “Phoenix” dhe më vonë Drejtor i Shtëpisë Botuese “Plejad”. Si intelektual aktiv, është i pranishëm në opinionin publik me ide, të cilat botohen në shypin e ditës. Ka botuar rreth 25 libra në cilësinë e autorit, që i përkasin gjinive të ndryshme si studime, biografi, politologji, albanologji dhe albume, të cilat janë vlerësuar publikisht.

Ka bashkëorganizuar dhe drejtuar me qendra studimore dhe institucione qendrore konferenca shkencore mbarëkombetare. Në rolin e anëtarit të “Këshillit Kombëtar të Librit”, të cilin e ushtron prej 12-vitesh, ka dhënë kontributin e tij të vlefshëm për të ndihmuar zhvillimin e librit shqip. Eshtë iniciator me kontribute të veçanta i rivlerësimit të elitës së ndaluar shqiptare dhe i mendimit shqiptar duke i dhënë një ndihmesë të madhe kulturës dhe arsimit shqip me hulumtimin, botimin, por edhe promovimin e kësaj literature të ndaluar.

Ka drejtuar punën akademike, kërkimore, përgatitëse dhe botuese të gjithë serisë prej 32 vëllimesh voluminoze të veprës së albanologut dhe albanofilit me famë qartësisht ndërkombëtare At Giuseppe (Zef ) Valentinit. Ka redaktuar mjaft libra të suksesshëm me karakter filozofik, historik dhe albanologjik. Ka ideuar dhe drejtuar kolanën e njohur të “Mendimit shqiptar” dhe “Mendimit albanologjik”, të cilin po e vazhdon më tej me shumë vepra të tjera të panjohura nga publiku.

Pas një pune afërsisht dyvjeçare si Ndihmës i Presidentit të Republikës aktualisht ai punon si Këshilltar për Kulturën.

Z. Ndriçim Kulla është dekoruar me titullin e lartë “Mjeshtër i madh”.







“Ylli i Shkrimtarit” është një biografi mbi shkrimtarin e shquar Ismail Kadare, e shkruar nga studiuesi dhe publicisti Ndriçim Kulla.


I lindur në Gjirokastër në një familje me tradita, që i jepte krahë fantazisë, me një lidhje fisnore me ish-diktatorin Enver Hoxha, për të cilën nuk flisnin të dyja palët, me një gjeni krijuese që do spikaste shumë herët, Kadare do të “shkruante” librin e jetës së tij si askush tjetër. Ai na zbulohet përmes biografisë “Ylli i shkrimtarit”, me autor studiuesin Ndriçim Kulla. Një nga momentet që do të shënjonte qysh herët jetën e Kadaresë, vetëm 12-vjeçar, ishte arrestimi i tij si “falsifikues monedhash”. Në dukje një marrëzi, por që në fakt ishte e mirëkalkuluar, për të goditur gjeneralin Tahir Kadare, të martuar me një grua hebreje. Goditja e tij i vinte për shtat Enver Hoxhës, që nuk kishte ndonjë simpati për të dhe nga ana tjetër do t’i bënte qejfin Stalinit, që kishte nisur fushata kundër hebrenjve. Në biografinë për shkrimtarin Ismail Kadare të autorit Ndriçim Kulla, “Ylli i shkrimtarit”, del një detaj interesant: familjet e Ismail Kadaresë dhe Enver Hoxhës kishin farefisni, por asnjëra palë nuk e përmendte këtë, përpos rasteve kur ishin të tretët ata që e përmendnin këtë fakt. Në libër Kulla është ndalur gjatë në këtë fakt, duke zbërthyer arsyet pse i ati, Haliti, ia kishte mohuar të birit, Ismailit fëmijë, faktin se kishin të bënin me diktatorin. Dy ishin këto arsye: E para qe frika nga një goditje e mundshme, të cilën Enver Hoxha dëshmoi me vepra se nuk ua kurseu as njerëzve të tij më të afërt, në krye kunatit Bahri Omari. Ky e kishte ndihmuar me të gjitha mënyrat, për shkollimin, paratë, mbrojtjen nga fashistët etj. Arsyeja e dytë e mohimit të afërsisë familjare ishte çështje rangu e qibre. Siç thotë vetë Kadare, Hoxhatëve në Gjirokastër u thoshin “psefto”, pra pseudo qytetarë dhe jo ndonjë derë e madhe.


Pjesë e kolanës së veprave të shkruar për Ismail Kadarenë është edhe libri i studiuesit dhe publicistit Ndriçim Kulla, “Ylli i Shkrimtarit”. Kjo qasje rreket të na ballafaqojë me disa të vërteta të panjohura rreth Kadaresë që nga koha e diktaturës e sot.I lindur në Gjirokastër në një familje me tradita, që i jepte krahë fantazisë, me një lidhje të përfolura fisnore me ish-diktatorin Enver Hoxha, për të cilën nuk flisnin të dyja palët, me një gjeni krijuese që do spikaste shumë herët, Kadare do të “shkruante” librin e jetës së tij si askush tjetër. Ai na zbulohet përmes biografisë voluminoze “Ylli i shkrimtarit”, me autor studiuesin Kulla. Një nga momentet më të rëndësishme të këtij libri është raporti i tij me diktatorin Enver Hoxha, disidenca e përfolur dhe mjaftë e debatuar e Ismail Kadaresë, fëmijëria e tij dhe ndikimi i kësaj periudhe në veprat e tij të famshme, qyteti i lindjes, Gjirokastra si dhe jeta e tij nën diktaturë.

Kur lexuesi merr në dorë një biografi të Ismail Kadaresë, ai mendon se bëhet fjalë ose për një libër që i thur lavde shkrimtarit, ose për një libër ku ai anatemohet. Në cilën anë e gjen veten ky botim?

Ky libër, mendoj, nuk i përket asnjërit prej këtyre llojeve. Për Kadarenë është shkruar shumë në të dy mënyrat, kështu që tjetër libër i tillë nuk do të sillte ndonjë gjë të re. Unë e di se shumë lexues do të kërkojnë që në parathënie të gjejnë se nga anon autori i librit, pra për të parë çfarë është ai: ithtar i Kadaresë apo kundërshtar i tij. Si biograf unë nuk mund t’ia lejoj vetes një qëndrim të tillë. Kjo do të thotë se libri duhet shkruar në atë mënyrë që të ndihet se ka marrë në konsideratë argumentet pro dhe kundër Kadaresë, si akuzat e kundërshtarëve të tij, ashtu dhe përgjigjet e këtij të fundit. Gjithsesi, unë si shkrues i këtij libri jam i vetëdijshëm se në rastin e shkrimtarit ka një tjetër gjykues suprem që është koha. Këtij gjykimi suprem do t’i nënshtrohet edhe libri im “Ylli i shkrimtarit”. Gjatë gjithë këtij libri unë jam munduar ta kem ndërmend edhe këtë gjykatë supreme që është koha.

Për Kadarenë janë shkruar libra nga shumë të huaj, spanjollë, francezë, holandezë, anglezë (kjo e fundit nga Peter Morgan, botim i Oksford-it), por jo nga shqiptarë. A është ky një avantazh?

Për këto libra të shkruar nga të huajt duhet thënë se ato kanë të gjitha dy të meta serioze të përbashkëta, për të huajt që shkruajnë për Shqipërinë e kohës së komunizmit. Duke mos qenë njohës të gjuhës shqipe, autorët e këtyre librave nuk kanë mundur të shfrytëzojnë shumë hollësi nga ato që janë shkruar për shkrimtarin në atë kohë. E meta tjetër është se autorëve të këtyre librave u mungon njohja e plotë e atmosferës në të cilën ndodhnin gjërat për të cilat ata shkruajnë dhe që nuk mund ta kuptojë një njeri që nuk ka jetuar në Shqipërinë e asaj kohe, sado studiues i aftë që të jetë. Por unë kam pasur dhe një avantazh tjetër. Avantazhin tim të veçantë personal. E kam ndjekur Kadarenë në të gjitha veprat e tij si lexues, në të gjitha fazat e moshës time, duke filluar që nga fëminia ime, kur lexova për herë të parë poemën e tij për fëmijë “Princesha Argjiro”. Madje, në këtë drejtim kam krijuar kalendarin tim në lidhje me ato që mendoja se mund të shkruaja për shkrimtarin. Duke gjykuar për të qenë më objektiv nuk u përfshiva kurrë në debatet që u bënë mbi Kadarenë në këto 26 vjet, pro ose kundra tij, por i kam ndjekur sistematikisht me një ndjeshmëri të lartë, duke u përpjekur të fitoj një gjykim sa më racional mbi to.

Po për autorët shqiptarë?

Përsa u përket autorëve shqiptarë, me thënë të drejtën, e kam pritur që ta shkruajnë më së shumti kundërshtarët se sa ithtarët e tij, sepse kundërshtarët me këmbëngulje të palodhur ia kanë shqyrtuar jetën me mikroskop, kështu që duhej pritur që ndonjëri prej tyre t’ i përmblidhte në një libër të gjitha “zbulimet” e bëra. Ndërsa për ata qe mund të thonë se është dhënë që në fillim një shenjë sesi do të jetë ky libër, shpresoj që të zhgënjehen pas leximit të tij. Ky libër nuk është një apologji për Kadarenë. Madje, një nga gjërat që nuk është anashkaluar është pikërisht këndvështrimi i kundërshtarëve. Shprehimisht çështja qëndron kështu: Kadare kishte mundësi të zgjidhte midis të qenit një shkrimtar disident dhe të qenit një shkrimtar siç do t’ i pëlqente regjimit komunist. Me fjalë të tjera të zgjidhte midis “kurorës me gjemba” dhe “kurorës me dafina” të shkrimtarit zyrtar. Vetë shkrimtari ka pohuar se nuk ka mbajtur asnjërën prej tyre. Po të flitet për kurorë, ai ka mbajtur një kurorë të tretë, atë të artit.

Njëra nga pikat më të debatueshme të jetës dhe veprës së Kadaresë është disidenca e tij? Si trajtohet ky problem në biografinë shkrimtarit?

Diskutimi për disidencën ose jo të Kadaresë vazhdon jo vetëm në Shqipëri, por edhe në planin ndërkombëtar, kryesisht në rrethe majtiste. Për opinionin e gjerë publik shqiptar ai ka qenë disident në mos me akte publike, që ishin të pamundura në Shqipëri, me shumicën e veprave të tij. A nuk është një vepër thellësisht disidente “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, poemthi “Laokonti”? Nuk do të thotë të mbash anën e Kadaresë që ta konstatosh faktin se kundërshtarët e shkrimtarit janë një minorancë në Shqipëri dhe më gjerë në krahasim me ithtarët e tij. Edhe kundërshtarët e shkrimtarit e pranojnë këtë gjë si nën zë dhe ia lenë fajin për këtë të ashtuquajturit glorifikim të Kadaresë që nga koha e regjimit komunist. Natyrisht se, me këtë tezë nuk mund të shpjegohet vlerësimi për Kadarenë në botë. Në shtypin anglosakson sidomos ka një qëndrim të përhapur që shkon edhe më larg, duke e shtruar çështjen se disident ose jo, Kadareja është ai që është, një nga më të mëdhenjtë shkrimtarë të kohës dhe, si i tillë, s’ ka nevojë për klishetë e lartpërmendura. Cila është e vërteta? Kjo është një prej pyetjeve që unë jam munduar t’i jap përgjigje në këtë libër. Disa gjëra janë të pamohueshme dhe s’ mund të anashkalohen në asnjë biografi të Kadaresë. Ky shkrimtar është ai që është kritikuar më tepër se cilido shkrimtar tjetër në Shqipëri në kohën e komunizmit. Kritikat për të zënë fill që nga mosha shtatëmbëdhjetëvjeçare. Një gjë tjetër është e pamohueshme për atë që studion dokumentet: Këmbëngulja e këtij shkrimtari për të vazhduar të bëjë po ato “gabime” për të cilat është kritikuar. Këto janë fakte. Kur një biograf i pasqyron ato në librin e tij, nuk do të thotë se ai është pro Kadaresë. Do të thotë thjesht se ai i vendos faktet në bazë të librit të vet.

Megjithëse në këtë libër janë trajtuar shumë çështje të jetës së shkrimtarit, që nuk kanë të bëjnë me raportin e tij me Enver Hoxhën, për nga pesha që ka kjo marrëdhënie në ecurinë e jetës së shkrimtarit. Boshti i librit duhet të jetë raporti shkrimtar-diktator. A mund të na e shpjegoni këndvështrimin tuaj mbi këtë?

Ndryshe nga shumë shkrimtarë të shquar rusë, të cilët ishin shkrimtarë disi të njohur që para se Stalini, madje edhe Lenini të vinin në pushtet, Kadareja, për shkaqe natyrore (koha kur lindi), nisi të shkruajë dhe të botojë në kohën kur Enver Hoxha ishte ndërkaq në fuqi. Por edhe pas rënies së regjimit komunist, kur duhej menduar se jeta dhe vepra e shkrimtarit do të çlirohej më në fund nga komplikimi që i kishte sjellë diktatori komunist, ka ndodhur një fenomen i çuditshëm. Kundërshtarët e shkrimtarit çuditërisht u bënë aleatë me diktatorin e vdekur duke e tërhequr, nuk mund të them pa sukses, shkrimtarin në kurthin e të harxhuarit të pjesës më të madhe të kohës së tij dhe të shkrimeve të tija, për të shpjeguar pozicionin e vet. Ishte kjo një mënyrë shumë djallëzore për të përjetësuar praninë imponuese të diktatorit në jetën dhe veprën e shkrimtarit. Pa dyshim, diktatori do të ishte një nga temat e rëndësishme të rrëfimeve të Kadaresë në intervistat dhe veprën e tij letrare, por kundërshtarët e shkrimtarit ia dolën që ta kushtëzojnë angazhimin e shkrimtarit në liri duke i marrë atij një pjesë të kohës që mund të ishte përdorur për vepra të tjera. Me pak fjalë ia dolën të gjenerojnë diktaturën për shkrimtarin.

Por megjithatë loja e kundërshtarëve të Kadaresë u kthye në boomerang për ta, se ata u bënë shkak njëfarësoj që diktatori komunist Enver Hoxha të zinte më shumë vend në veprën e Kadaresë pas vitit 1990 se në atë para vitit 1990. Kjo është një temë që kundërshtarët e shkrimtarit nuk duan ta prekin se e ndjejnë se në ç’ konkluzione mund të çojë.

Ç’mendon autori i “Ylli i Shkrimtarit” për vlerësimin e Ismail Kadare me çmimin “Nobel”?

Juria e çmimit “Nobel” duhet të ketë një ndjenjë faji ndaj Kadaresë që ky shkrimtar është ndëshkuar prej saj me pa të drejtë për shkak të angazhimit të tij për një çështje të drejtë dhe thellësisht humanitare si ajo e Kosovës. Që nga çasti që Kadare nisi të shkruajë dhe të botojë, ai, ndërsa jetonte në diktaturë, ka parë se si çmimin “Nobel” në letërsi e kanë fituar shumë shkrimtarë, të cilët duke jetuar në vende të lira refuzuan lirinë dhe u bërë himnizues të totalitarizmit me veprën e tyre. Mes tyre kishte jo pak shkrimtarë komunistë, madje stalinistë. Refuzimi i lirisë ishte një zgjedhje e tyre e lirë. Ndërsa Kadare, i cili jetonte në diktaturë, nuk pati mundësi të zgjidhte lirisht nëse do të jetonte në liri apo në tirani. Ai refuzoi tiraninë dhe kërkoi lirinë, me aq sa ishte e mundur për një shkrimtar që jetonte në diktaturë. Akordimi i “Nobel”-it për Kadarenë do të ishte një gjest emancipues për vetë jurinë e “Nobel”-it, e cila me këtë do të çlirohej nga prangat e refuzuesve të lirisë që i ka vënë vetes, duke i nderuar ata me shumicë me çmimin e lartë. Unë besoj shumë se kam shkruar biografinë e një nobelisti të ardhshëm dhe se kjo gjë do të vërtetohet në vitet që do të vijnë. Megjithatë si do që të ndodhë, Kadare mund të qëndrojë shumë mirë edhe në grupin e atyre shkrimtarëve të mëdhenj që nuk e morën kurrë çmimin “Nobel”, siç ishte Leon Tolstoi, por dhe shumë të tjerë gjenial, aq më shumë kur tashmë është bërë e dukshme se, mjaft çmime të tilla që janë dhënë nga kjo juri janë larg, shumë larg kalibrit letrar të Ismail Kadaresë.


Intervistoi: Albert Vataj


*****






Ndriçim Kulla studiues dhe krijues shqiptar. Është lindur në Delvinë. Ka mbaruar shkollën e lartë, Universitetin e Tiranës (dega gjuhë letërsi shqipe). Ka ushtruar profesione të ndryshme, punëtor në minierën e Valiasit në Tiranē rreth shtatē vjet me radhë, mësues në shkollën e mesme të përgjithshme, gazetar, pedagog në Akademinë e Arteve, dhe botues privat. Aktualisht është drejtor i shtëpisë botuese Phoenix.

Vepra


Dritëhije Shqiptaro - Greke - 2000


Dritëhije shqiptaro-greke : 10 vjet më pas - 2008


Ylli i Shkrimtarit – 2013


Enciklopedi antologjike e mendimit shqiptar 1807 – 1957, vëllimi I - 2014


Enciklopedi antologjike e mendimit shqiptar 1807 – 1957, vëllimi II - 2014


Enciklopedi antologjike e mendimit shqiptar 1807 – 1957, vëllimi III - 2014


Kush jemi ne shqiptarët : individi gjithëpërfshirës shqiptar - 2015


Floripres(Flori Bruqi)


***


 Ndriçim Kulla sjell në anglisht librin biografik për Kadarenë, “Ylli i Shkrimtarit”

Rezultate imazhesh për albert vataj
Nga Albert Vataj 

Katër vite më parë, Ndriçim Kulla botoi librin, “Ylli i Shkrimtarit” – një biografi për shkrimtarin Ismail Kadare nga koha e diktaturës deri më sot”. Në këtë libër i bëhet një vështrim i themeltë dhe i paanshëm i marrëdhënieve që Kadare kishte me diktaturën, atë formë diktati nga më të sofistikuar dhe më çnjerëzoret e Evropës. Ky rrugëtim biografik na tregon se cila ishte ajo marrëdhënie, që konsiderohet nga më të ndërlikuarat që një bard i mendimit të lirë mund të ketë ndërtuar me një despot komunist. Marrëdhënia e Ismail Kadaresë me diktatorin Enver Hoxha në vetvete ishin një lloj kompromisi, që në Romën e Lashtë i ngjan marrëdhënies së Senekës – senator dhe fiolozof me Perandorin mizor Neron, qartëson Kulla.

Njëri kishte pushtetin ushtarak, juridik dhe politik, që shtypte me zjarr dhe hekur këdo që e sfidonte dhe tjetri kishte pushtetin e fjalës, që vazhdonte t’iu jepte ushqim shpirtëror njerëzve të vet. Të dy e urrenin njeri tjetrin për vdekje, të dy e shikonin me frikë njëri-tjetrin dhe të dy e respektonin njëri-tjetrin.

Enver Hoxha kishte një iluzion që rezultoi katërcipërisht i rremë për popullin e vet, ndërsa i dyti do ta përjetonte me një letërsi me një imazh po aq të rremë.

Në qendër të këtij libri, tregon Kulla është një marrëdhënie njerëzore, që i mundësoi Kadaresë të ishte i lirë në pjesën më të madhe të veprave për të na dhuruar ato perla botërore që njohim sot , por nga ana tjetër i shkaktoi disa nga plagët më të dhimbshme shpirtërore në jetë.

Kjo qasje rreket të na ballafaqojë me disa të vërteta të panjohura rreth Kadaresë që nga koha e diktaturës e sot.I lindur në Gjirokastër në një familje me tradita, që i jepte krahë fantazisë, me një lidhje të përfolura fisnore me ish-diktatorin Enver Hoxha, për të cilën nuk flisnin të dyja palët, me një gjeni krijuese që do spikaste shumë herët, Kadare do të “shkruante” librin e jetës së tij si askush tjetër. Ai na zbulohet përmes biografisë voluminoze “Ylli i shkrimtarit”, me autor studiuesin Kulla. Një nga momentet më të rëndësishme të këtij libri është raporti i tij me diktatorin Enver Hoxha, disidenca e përfolur dhe mjaftë e debatuar e Ismail Kadaresë, fëmijëria e tij dhe ndikimi i kësaj periudhe në veprat e tij të famshme, qyteti i lindjes, Gjirokastra si dhe jeta e tij nën diktaturë.

Duke folur për realizimin e kësaj sfide, Ndriçim Kulla tregon se në librin “Ylli i Shkrimtarit “, mbas një pune gati 30 vjeçare besoj se ja kam arritur të plotësoj me sukses atmosferën që shoqëron shkrimtarin në çdo hap të moshës, përjetimet që ai ndjen para çdo vepre të madhe që nxorri pena e tij letrare, për të mundësuar kështu fotografimin historik të gjithë jetës së këtij krijuesi.

Mënyra e të rrëfyerit të këtij libri është një gjini e veçantë, diçka midis disertacionit të vërtetë shkencor dhe esse-së së gjatë narrative.

Ky libër biografik për Kadarenë, për një nga personalitetet më të mëdha të letrave shqipe ndonse nuk është promovuar shumë, ndoshta edhe për fajin autorit, të cilit i mjafton puna, vepra që bën, i cili nuk rend dot studiove televizive, ka patur fatin e tij të mirë të ishte një nga librat e vlerësuar.

Botimi i tij ka patur lexues të shumtë dhe është ribotuar heshturazi disa herë.

Mjaft të huaj që lexojnë shqip, duke përfshirë edhe ish-ambasadorin amerikan në Tiranë z. Donald Lu që kishte arritur të lexonte shqip më kanë shprehur habi për informacionin që kanë marrë mbi Shqipërinë komuniste nëpërmjet këtij libri, tregon Kulla.

Shumë herë kërkesa të përsëritura kanë ardhur në adresën time, nga miq të mi shqiptarë konfidencialë në Shqipëri si dhe Evropë, Shtetet e Bashkuara por edhe të tjerë për mundësinë e botimit të tij në gjuhë të huaj, ka shtuar ai.

I kam ndjekur me kureshtje dhe shumë interes, sidomos kur këto kanë ardhur nëpërmjet pikave të shitjes, që mbajnë edhe literaturë të huaj, si në Rinas, Tiranë apo pika të tjera dhe kam menduar seriozisht për botimin në gjuhë të huaj.

Për fat të mirë, bashkëpunëtori im Shpëtim Lezi të cilin e falënderoj publikisht, një përkthyes me një CV interesante, i cili duke qenë ndërkohë edhe lexues i apasionuar i Kadaresë, mbas 3 vitesh pune e përktheu këtë libër në anglisht, duke e konsultuar paralelisht edhe me profesionistë, të cilët e vlerësojnë përkthimin e tij, përfundon, publicisti, studjuesi, shkrimtari dhe botuesi, Ndriçim Kulla. Ardhja e kësaj vepre në anglisht është jo vetë një vlerësim që autori i ka bërë të huajve, të cilët kanë shfaqur interes për këtë libër, por edhe një vlerë e shtuar e vetë vlerës që bart Ismail Kadare në historinë e letërsisë shqipe.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...