2019-02-12

“LETËRSIA TË NDIHMON TË KAPËSH MOMENTIN, ÇASTIN QË IKËN”

Rezultate imazhesh për Enton Palushi
nga Enton Palushi


Miti i kalimtares në metropol, i çastit të rrëshqitshëm ku kërkon jetëgjatësinë në romanin eksperimental “Çast; një kolazh me histori urbane, që ka sjellë sërish në Tiranë, poeten Lindita Arapi me romanin e saj të dytë, këtë herë pa asnjë notë autobiografike, por me ngjarjen e saj, mbi rezistencën si shkrimtare, në identifikimin e egos kur ekziston një ushtri e tërë shkrimtarësh në botë, që bëjnë një luftë të vazhdueshme për vëmendje, për lexues. Ajo e njeh mirë këtë shkrimtar.

…Ata u ndeshën me njëri-tjetrin, por pa u parë vërtet, thjesht u anashkaluan në një qytet të madh, ku përditë njerëzit ndeshen e vazhdojnë rrugën e tyre, pa e vrarë mendjen as edhe një sekondë më shumë për të panjohurin përballë, një “ignotus” pa identitet, e pastaj gjithsekush vazhdon të ecë duke tërhequr barrën e vet, që sigurisht për atë që e bart është më e rënda në botë…



Adrian Dani, shkurt Adi, një mesoburrë kaçurrels, meso i gjatë, dhe meso i talentuar, që sapo i kishte kaluar të dyzetat, po si një femër sqimatare nuk i numëronte me qejf vitet, jo për rrudhat e shtuara, por se i kujtonin malin me ëndrra të mbetura shterpë…Ai është shkrimtar, emigrant në një nga metropolet e Evropës. Për këtë personazh është e shqetësuar së fundi, shkrimtarja Lindita Arapi, duke vendosur fatin e letërsisë si përgjithësuese, dhe të autorit si fakti, urbania, ngjarja – njeriu kalimtar, konkret.

Adi, është personazhi i romanit të ri “Çaste”, (kolazhe metropolis) i autores Lindita Arapi, botimi i dytë në prozë, që më së shumti ka anën e poezisë. Romani është hedhur në treg që në fillim të këtij viti (muajin prill), kur autorja ishte prezent në Tiranë. Ndonëse prej vitesh ajo është vendosur, e jeton në Gjermani, dhe krahas letërsisë, jeta e saj e përditshme është gazetaria, moderne një emision televiziv për Europën në DË (Deutsche Ëelle).

Romani është promovuar në një mjedis miqsh, që do të thotë letrare, shkrimtarë e njerëz që e njohin letërsinë e vendit, dhe përpiqen të mbajnë frymën dhe ta bëjnë zhurmën urbane edhe pse heshtja i mbyt, si ky rast i Linditës, dhe pse ka privilegjin ta çlirojë “izolimin”e saj nga gjuha gjermane, vetëm në shqip, një vend që prapë letërsinë e ndjek heshtja, e kufinjtë mentalë, pa mundur të jetë në mes të Evropës, ku jeton. Ky rikthim këtë sens ka, këtë fatalitet për Linditën dhe pse e mbron “Shqipëria e saj e vogël”, kur shkruan shqip, si një lloj sinergjie për të jetuar me shkrimin, letërsinë.

Si duket, pas asnjë notë biografike, në romanin “Çaste” Arapi vërtet nuk është personazhi, por ndryshe nga ç’pritet nga një letërsi “femërore”, ajo, jeta e saj tashmë ka prodhuar ngjarjen. “Ky mozaik tregimesh të vogla që lindin nga dy figura kryesore është një poetikë urbane. Gjithmonë më ka bërë përshtypje anonimiteti, vetmia – këto momentet kaq fluide dhe të rrëshqitshme të metropolit. Duket sikur ka një lloj performance urbane shumë të rrëshqitshme. Më kujtohet një moment nga poezia e Bodlerit “Lulet e së Keqes”. Më duket se ajo poezi e evokon këtë atamosferë. Ka një moment ku autorit i shfaqet një femër, dikur e panjohur për të. I duket si vetëtimë, kur ajo femër largohet. Ai është një moment i fuqishëm që zgjon një intimitet të fortë. Në këtë tekst, është një figurë kryesore që lëviz, vëzhgon në autobus njerëz të panjohur, dëgjon histori, dhe i ndjek këta personazhe me sy, të cilët, si duket secili ka dramën e tij. Ne të përfshirë në egon, dëshirën tonë të fatit, e injorojmë fatin e tjetrit”.

Lindita vendos kështu në ngjarjen dhe personazhin e saj, mitin e kalimtares në metropol, i atij çastit të rrëshqitshëm që kërkon jetëgjatësinë në romanin e saj eksperimental.

“Janë dy të panjohur, të huaj me jetën e vet, pas një vërtitje vetimtare e shkëmbimeve flurore në përditshmërinë anonime urbane duke u përpjekur për t’i shpëtuar tëhuajëzimit gërryes, duke iu dorëzuar ndjenjës më triviale e më të fuqishme. Kështu fluidja hedh rrënjë, çasti bëhet frymëgjatë dhe fragmentet bashkohen”, është shënimi i botuesit “Dudaj”.

Shkrimtari Agron Tufa nga të rrallët që ndjek letërsinë e Arapit, janë bashkudhëtarë të letërsisë së pas ’90-ës, në promovimin e librit, tha se leximin e librit e ka nisur qysh në embrion, në vitin 2014, dhe ka parë gjithë procesin e tij, se është ndryshuar ndjeshëm duke rritur gamën e shkrimit poetik. “Poetika e romanit fillon e ngjitet, dhe tani sigurisht metamorfoza e tij është e fuqishme, një krijim i paparashikuar, dhe gjithmonë autori është në dyshim, por në momentin përfundimtar, kur romani botohet ndërpritet çdo gjë, dhe shpëton nga çasti fatlum, që udhëheq shkrimtarin në procesin shkruaj/fshij. Në fakt kjo është shenjë shumë e mirë”. Për Tufën të kërkosh embrione autobiografike në një roman, që na jepet në trajtën e një imazhi, kjo ndërton një diskurs. Sipas tij dy protagonistët që përbëjnë romanin mund të ishin takuar kushedi se sa herë, por kjo është rastësia, ku përfshihet edhe koncepti i rastësisë, që në këtë rast mund të merret si diskurs më vete.

Për shkrimtarin ishujt metafizikë që shoqërojnë fatin e personazheve në roman, e bëjnë edhe më intensive ankthin e tyre, edhe pse serioziteti i tyre shkon deri në sarkazmë, në përpjekje për t’i dhënë kuptim jetës së tyre.

Lindita që jeton (ndoshta ashtu si personazhi, dhe pse është një burrë), në dy botë: shqiptare dhe gjermane, thotë se ekziston një ushtri e tërë shkrimtarësh në botë që bëjnë një luftë të vazhdueshme për vëmendje, për lexues. Ajo e njeh mirë këtë shkrimtar.

“Ky është libri i parë ku unë kam lozur me gjuhën. Është i gjithë një fiction. Ajo që më gëzon si figurë, është vetëm ajo çka është tipike për një ushtri të tërë shkrimtarësh në botë, ku bëj pjesë edhe unë. Adriani simbolizon figurën e shkrimtarit, edhe i mirë, por ende nuk e ka gjetur rrugën e suksesit, por janë miliona, si ai, që shkruajnë…Është një ushtri e tërë që duan të shkruajnë, por ky në përpjekjen e vet, të heroizmit për të mbijetuar me letërsinë, kthehet në një lloj mizantropi, pa dëshirë, që duket sikur i ka varrosur disa elementë dashurie. Por në fund të librit zgjohet dhe e kupton se ka brenda vetes atë elementin e dashurisë, vetëm se e ka fshehur”

Mes këtyre dy botëve, që shkrimtarja e zhvendos mes konteksteve të saj sidomos në këtë kolazh urban të romanit të ri, thotë se Shqipëria e bën të reflektojë herë pas herë, mbi unin tonë, të ekzistencës dhe pse vazhdon, ashtu si kolegë të saj të ketë dilemën e shkrimit, të bërit letërsi në kohën e sotme. “Shikoj këtu lajmet kryesore ku janë pak të reflektuara çfarë ndodh në botë, sikur ajo rotullohet vetëm rreth nesh. Vetëm këtu këndvështrimi është i vogël. Në një kohë të tillë kur ka një alert, një atentat në Londër, në Stokohlm, kur Evropa është shumë e tronditur vërtet në rrënjët e saj, a duhet letërsia?! Më kujtohet grupi 47 në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore, ata shtruan këtë pyetje: A duhet më poezia, a duhet letërsia në këto kohë? Ndoshta ne jemi të pandreqshëm, për këtë, ose lexuesi na kursen duke mos e thënë, ose sigurisht letërsia dhe artet kërkojnë të kapin kohën, të fiksojnë diçka, të gjejnë një ekuilibër në kohë të tilla”.

Violeta Murati

Mesoburrë dhe meso i talentuar!

Adrian Dani, shkurt Adi, një mesoburrë kaçurrels, meso i gjatë, dhe meso i talentuar, që sapo i kishte kaluar të dyzetat, po si një femër sqimatare, nuk i numëronte me qejf vitet, jo për rrudhat e shtuara, por se i kujtonin malin me ëndrra të mbetura shterpë, përfytyroi se si do të kërciste dera e apartamentit të tij kur ai ta përplaste e të dilte jashtë si rrallëherë për një shëtitje të hershme mëngjesi.

Po në të njëjtin moment diku tjetër në këtë qytet u hap një derë apartamenti, Ann Furst, një femër fjalëpakë, vetanake, që ende nuk e kish mbyllur me veten moshën e flirtit, e ambientuar, por asnjëherë e ngrohur me këtë qytet rrëmujë, hyri brenda në shtëpi për të fjetur. Ishte e lodhur, jo nga udhëtimi me tren, një udhëtim pak më shumë se një orë, por nga gjurmët e natës së kalaur në hotel, që kishin lënë si kujtim zbehjen në fytyrë. Brenda katër mureve askush nuk e shqetësonte më, bota e marrë me vete nga jashtë skërmiste pak minuta dhëmbët, por në fund zbutej dhe si një qen i bindur ulur në cep, strukej dhe priste e heshtur momentin e hapjes së derës për të dalë që aty. Sot Ann, nuk kishte ndërmend ta hapte më derën, do të flinte njëherë, pastaj do të gatiste çajin, pa devijuar as edhe një grimë nga ceremonia e natës së kaluar. Një pikëpjekje disa orëshe me të panjohurin, që kish braktisur familjen pas lindjes së fëmijës së tretë, djalë me sindromin daun. I panjohur kish gjetur qetësinë më në fund pa e pasur më parasysh djalin, kështu kish thënë ai me atë lloj toni që e kishte bërë Ann ta besonte vërtet se ai tani ishte i qetë, madje aq i qetë sa mund të shijonte aventura pa u bezdisur nga pamja e djalit të sëmurë, vetëm se djali i braktisur nuk i hiqej nga mendja, asaj, Ann Furst.

Adrian Dani dhe Ann Furst janë dy të panjohur që duan më shumë librat e i druhen njerëzve, dy beqarë të vetmuar në një metropol. E në këtë fazë vetmie të jetës, me bollëk brenda flluskës të stërmadhe ku nanuritet të kundrojë papushim botën, por sidomos të grindet me kërthizën e vet. Edhe Adrian Dani edhe Ann Furst grindeshin ca si shpesh, në mungesë të një pasardhësi që do t’ua kishte kthyer përmbys jo vetëm rehatinë e rregullit, por edhe atë egoizmin aq të ëmbël e të dashur, mikun pëshpëritës në kohë vetmie.

Adrian Dani veshur me të njëjtat pantallona xhins prej vitesh, me gjyslyke rrumbullake me xham të trashë që ia fisnikëronin dështimin e ëndrrës për t’u bërë shkrimtar i madh vazhdoi të ecë me hap të shpejtë, i mbërthyer nga ndjesia se sot, po pikërisht sot do të ishte dita, kur ai do të ndeshte mrekullinë, atë lloj që do t’i ndryshonte jetën, do t’i sillte idetë, zellin me vete për t’i jetësuar ato, fundja ç’i mungonte atij, pse të mos ishte ai i përzgjedhuri, si ata që papritur fitonin miliona në lloto dhe nuk dinin nga të strukeshin nga kaq shumë fat në lojë a në jetë, njësoj ishte.

Përditë përmbytej nga një përmallim i pakuptueshëm, në pritje të asaj diçkaje trandëse, të ëndërruar fshehtazi prej kohësh. A nuk e kishte pasur këtë ndjesi teksa shkruante nekrologjinë për veten, një shkrepje që i ishte dukur e çmendur për momentin, por që iu ngulit si gjilpërë në kokë, derisa i hodhi disa rreshta në letër. Ishte nga ato ndjesi që nuk e kishin gënjyer ndonjëherë, duke ia ndezur edhe më kuriozitetin, ende asgjë nuk kishte ndodhur, asgjë që t’i dukej e përafërt me përfytyrimin e tij për atë që priste. Të kuptohemi drejt, Adrian Dani, nuk donte të fitonte në lloto, ai thjesht donte shkundjen deri në rrënjë, donte ta ndjente diçkanë t’i depërtonte deri në palcë, nganjëherë kishte frikë prej saj, dinte vetëm se e gjithë qënia e tij thërriste pas kësaj të panjohure, sikur aty të fshihej shpëtimi i tij.

Ishte lodhur. Asgjë nuk ndryshonte në jetën e tij, ajo lëvizte ngadalë, mezi shtyhej, vetja i dukej si një ligavec i përjargur, pa muskuj (Ardian Dani nuk bënte pjesë tek burrat që vizitonin palestrat) një ligavec i ngadalshëm. Kur e pikaste ligavecin përtokë, e në këtë vend ku jetonte ata shtriqeshin bordurave të trotuareve apo monopateve në pyll si të kishte plasur ndonjë epidemic ligavecësh, Adi zbutej edhe më, qëndronte një hop, ulej në gjunjë sikur donte ta përshendeste mikun e vet, qëndronte ashtu derisa ligaveci riniste zvarritjen. Shikonte jargët që ai linte pas, a nuk ishin ato vazhda e jetës që thahej aq shpejt, e çdo gjë mbulohej paskëtaj nga harrimi? Por sigurisht, që këto pikëpjekje me ligavecin të kurorëzoheshin me një lëvizje të jargësit, duhej durim. E Adrian Dani nuk shquhej shumë për durimin, e kuptohet që edhe ato momente kur mund të lindte shkëndija e një lidhjeje mes tij dhe ligavecit ishin të rralla.

(Fragment)



Arapi: Ka një ushtri të tërë shkrimtarësh që duan rrugën e suksesit…

“Ky është libri i parë ku unë kam lozur me gjuhën. Është i gjithë një fiction. Ajo që më gëzon si figurë, është vetëm ajo çka është tipike për një ushtri të tërë shkrimtarësh në botë, ku bëj pjesë edhe unë. Adriani simbolizon figurën e shkrimtarit, edhe i mirë, por ende nuk e ka gjetur rrugën e suksesit, por janë miliona, si ai, që shkruajnë…Është një ushtri e tërë që duan të shkruajnë, por ky në përpjekjen e vet, të heroizmit për të mbijetuar me letërsinë, kthehet në një lloj mizantropi, pa dëshirë, që duket sikur i ka varrosur disa elementë dashurie. Por në fund të librit zgjohet dhe e kupton se ka brenda vetes atë elementin e dashurisë, vetëm se e ka fshehur”

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...