2019-02-18

PIRRO I EPIRIT LEGJENDA ME ORIGJINE ILIRE

 Nga Prof Dr Resmi Osmani


Para do kohësh,në një veprimtari të Akademisë së Shkencave,takova mikun tim Pandeli Pasko. Më tha se romanin “Mbretërimi i Pirros së Epirit” e kishte lexuar dhe i kishte pëlqyer. Shtoi se kisha depërtuar thellë te rrënjët kistorike të Ilirisë dhe pasi u mendua pak, vijoi : ” Përse ne në Tiranë nuk kemi një shesh me emrin e mbretit Pirro? 

Piro i Epirit


Përse në Sarandë, nuk kemi një monument të tij?”. Nuk i ktheva përgjigje. Mendimi i Pandit, ishte i përafërt me vlerësimet kritke që iu bënë romanit nga shkrimtari dhe poeti Shpend Topollaj1 dhe studjuesi Illo Foto. Topollaj, në esenë e tij kritike “Madhështia e Pirros së Epirit” ndër të tjera shkruan: Është për të ardhur keq që nuk gjejmë, në ashjë nga qytetet tona, një përmendore kushtuar atij a diçka të ngjashme që të na kujtojë atë që u mbiquajt “Pirro Burri” dhe “Shqiponja e Epirit”. Më tej ai bën pyetjen: Po sikur ky udhëheqës i rrallë të ishte grek a sërb, a mendoni sesi do të shpalosej dhe nderohej para njerëzimit? Me të do të krenoheshin ata popuj në sytë e gjithë botës siç bëjnë me të gjithë heronjktë dhe historinë e tyre”. Si shembull për këtë konstatim të drejtë, do të mjaftonte fakti që sllavo-maqedonasit, kanë ngritur në Shkup shtatoret madhështore të Aleksandrit të Madh dhe mbretit Filip, të cilët nuk i përkasin asfare historikisht dhe etnikisht atij kombi.
Studjuesi Illo Foto, kur flet për figurën e mbretit Pirro vë ne dukje se: ”….Mbreti Pirro zotëroi Epirin si princ trashëgimtar i ligjshëm. Fiset Molose, Thesprote, Kaone, nën drejtimin e tyre të shquar, Shqiponjës së Epirit, për 25 vite rresht bënë historinë e Mesdheut. Mposhtën armiqtë shekullore, grekët dhe maqedonasit, ju imponuan gadishullit ballkanik. Zhvilluan gjashtë vite luftime në Gadishullin Apenin dhe u gjendën në portat e Afrikës. Kjo është historia e shkruar e zeza mbi të bardhë….”
Pas disa ditësh, dëgjova në lajmet, se një renegat himariot, Pirro Dhima(alias Pirros Dhimas) që ha në çanakun grek, kishte bërë deklarime për “Vorioepirin” (Për çudi, shteti ynë këtë person nuk e shpall non grata). Grekët, edhe në hallin që I ka zënë, kur po shesin ishuj të territorit të tyre, nuk heqin dorë nga ëndrra e vjetër e megalidesë! Duket se për ta është një sëmundje pa shërim. Për ironi të gjërave,ky person I vogël bukëshkalë, ka emrin e të madhit mbretit Pirro. Kur këta flasin,ne nuk duhet të heshtim, paçka se për qeverinë, që na ka rënë në pjesë, mardhëniet me Greqinë janë “Të shkëlqyera!”
PËRSE NJË ROMAN PËR MBRETIN PIRRO?
Këtë pyetje ma kanë bërë shumë nga lexuesit e mi. Si në çdo krijim letrar, ca më shumë për një roman, që është një ndërmarrje tepër serioze, duhet një shtysë e brendshme, duhet një shkak i fortë i vetëdijshëm dhe krijimi i disa rrethanave që ngjizin atë klimë të nevojshme për lindjen e një krijimi të tillë letrar. Aty nga mesviti 2007, në shtyp dhe media kishte kohë që bëhej zhurmë për deklarimet e një gjakprishuri Z.Bollano, që jo vetëm e ndjente dhe e shpallte veten të kombësisë greke, por si të tillë konsideronte tërë bregdetin e Himarës dhe të ashtuquajturit “Vorioepir”. Kësaj i shtohej edhe “Mosegzistenca e çështjes çame” Natyrisht që të tilla deklarime nuk mungonin as në shtypin mediat madje edhe në parlamentin grek. Reagimet nga ana e qeverisë dhe mediave tona ishin të vakta, për të mos thënë të paqena. Për mua, si qytetar, intelektual dhe me përkatësi nga krahina e Çamërisë , ishte një gjendje vërtet revoltuese.
Secili lufton me armët e veta. Zgjodha letërsinë, që me mjetet e artit t’u paraqisja bashkëkombasve historinë e vërtetë të mbretit Pirro, që ishte mbreti i të parëve tanë dhe shtetit të Epirit, pjesë e të cilit ishte edhe Çamëria. Për ti kthyer vendit dhe popullit tim përkatësinë e atyre personaliteteve dhe vlerave të qënësishme historike që të tjerët duan t’ua përvetësojnë . Të gjithë, por veçanërisht brezi i ri duhet të dijë rrënjët e tij, të dijë historinë, të dijë nga vjen dhe kujt i përket, të njohë personalitetet e shquara që kanë luajtur rol në historinë mesdhetare dhe atë evropiane e që janë pjesë e krenarisë kombëtare. Pa këtë njohje, nuk mund ta dimë kush jemi dhe ku duhet të mbrrijmë . Ky ishte ngacmimi dhe motivimi atdhetar e kombëtar për t’ia hyrë shkrimit të romanit. U deshën muaj të tërë për hulumtime e studime të burimeve historike dhe historisë, politikës, ekonomisë dhe civilizimit të botës mesdhetare, stadit të zhvillimit të Ilirisë, Greqisë , Maqedonisë dhe Romës, ndërthurjes së interesave dhe kundërshtive në shekullin e tretë para erës së re. Nuk ishte e lehtë që personazhe,ngjarje dhe zhvillime historike të visheshin me petkun letrar duke ruajtur barazpeshën midis histories dhe letërsisë. Romani u përfundua më 2009 dhe u botua në vitin 2010. Lexuesit e pritën mire.
KU QËNDRON MADHËSHTIA E MBRETIT PIRRO
Pirrua(318-272 e.v.),pas rrëzimit nga froni i të atit,mbretit Ajakid, pas intrigave maqedonase,(ishte dy vjeç) u rrit në oborrin e mbretit ilir të taulantëve,Glaukias, nën kujdesin e mbretëreshës Beroia e cila ishte princeshë molose. Deri në moshën dymbëdhjetë vjeçare ai u pais me edukatën, zakonet, traditat dhe shpirtin luftarak ilir dhe fliste ilirisht. Me ndihmën e Glaukut,në vitin 307 p.e.r.,kur ishte dymbëdhjetë vjeç, ai u vendos në fronin e mbretërisë atërore, por pesë vjet më pas, kur shkoi në dasmën e djalit të Glaukut, me një grusht pallati u shfronësua dhe në fron hipi Neoptolemi, djali i Aleksandër Molosit. Për Pirron e ri, nisin vitet e vështira. Vihet si oficer në shërbim të kunatit, mbretit të Maqedonisë, i cili e dorëzon si peng te mbreti Ptoleme në Egjypt. Këtu, pasi rrëfen trimëri e mënçuri, martohet me thjeshtrën e Ptolemeut , Antigonën dhe me ndihmën e Ptolemeut, më 297 p.e.r. në moshën njëzet vjeçare rimerr fronin mbretëror, për të qenë njëzet e pesë vjet mbret i Epirit.
Pirrua, si edhe mbretërit e tjerë të kohës ishte një mbret luftëtar, që luftoi për pavarësinë dhe fuqizimin e shtetit të trashëguar, Epirit, të rrezikuar nga Maqedonia dhe fqinjët grekë, por i ndryshëm prej tyre, që veç të tjerash, lavdinë e kërkonte në fitoren e fushbetejave. Modeli dhe idhulli i tij ishte i kushëriri, Aleksandri i Madh. Trim, i mençur, i talentuar, guximtar, strateg dhe takticien ai luftoi dhe fitoi kundër mbretërve maqedonas dhe u shpall edhe mbret i Maqedonisë. Ushtarët e tij e quajtën “Shqiponja e Epirit”, ai u përgjegj se ishte ngritur aq lart në fluturim në sajë të krahëve të tyre. Epirotët e quajtën “Pirro Burri”. Ndryshe nga Aleksandri, që e kërkoi lavdinë në lindje,Pirrua I drejtoi sytë nga perndimi, u hodh në Gadishullin Italik, ku gjatë gjashtë viteve bëri beteja të përgjakshme.
Në fushatat e tij luftarake ai nuk humbi asnjë betejë. Edhe e famshmja që ka hyrë në histori si “Fitorja e Pirros”, pavarësisht nga humbjet njerzore e materiale, ishte një fitore. Për herë të parë, në teatrin evropian të luftimeve ai futi në luftë elefantët.
Pirrua ishte një mbret reformator. Riorganizoi Lidhjen Epirote si një mbretëri federative me tre krahina: Molosinë,Thesprotinë dhe Kaoninë, me të drejta të barabarta, që qeveriseshin nga Asambleja dhe Këshilli i Përfaqësuesve. Të drejtën e mbretërimit e kishte Molosia. Secili nga antarët e federatës kishte asamblenë e vet dhe nxirte e miratonte ligjet në bazë të interesave të shtetasve të vet. Njësoi monedhën në tërë mbretërinë, vuri kontrollin mbi tregëtinë e jashtme dhe doganat e monopolet. Mallrat epirote eksportoheshin në vende të tjera. Mishi i të leshtave dhe djathi gëzonin nam të madh në Romë. Në kantieret e anijeve ai ndërtoi flotën me të cilën më von u hodh përtej Adriatikut. Sesa e qëndrueshme dhe funksionale ishte kjo formë qeverisje u vërtetua pas mungesës së tij të gjatë në fushatën italiane. Nga historianët,nuk ka të dhëna që ai të ketë luftuar kundër mbretërve ilirë të kohës. Pas vdekjes së gruas së pare, Antigonës nga tre martesa që bëri,me dy prej tyre u lidh në miqësi me mbretërite Ilire të Paionëve dheTaulantëve. Kjo nuk është pa domethënie.
Pirrua e fuqizoi dhe e zgjeroi shtetin e vet. Pas luftërave me Maqedoninë dhe grekët, ai I ktheu Epirit rajonet e banuara nga ilirët: Tymfein, Parauejin dhe Dolopinë, mori gjysmën e Maqedonisë dhe kufirin e vendosi në lumin Aksios(Vardar), i bashkoi mbretërisë së tij një pjesë të Tesalisë dhe Etolo-Akarnaninë. Kufiri i qëndrueshëm i shtetit të Epirit ishte: Në veri krahu i majtë i Vjosës, në perëndim gjithë bregdeti jonian, në jug gjiri i Ambrakisë dhe Etolo-Akarnania, malet e Pindit e ndanin nga Maqedonia.
Për hir të fuqisë ushtarake dhe ekonomike, Epiri u bë faktor politik i gjithë zhvillimeve mesdhetare dhe botës greke. Pirrua kishte ambasadorë dhe të dërguar në gjithë vendet e rajonit. Si diplomat dhe politikan ai ndiqte zhvillimet dhe dinte të përfitonte nga dobësimi apo kontradiktat e kundërshtarëve, duke hyrë në veprime kur duhej dhe në vendin që duhej, duke përdorur befasinë. Dinte të sulmonte e të fitonte, por kur e donte puna edhe të tërhiqej me nder.
Nën sundimin dhe qeverisjen e Pirros, si rezultat i luftrave që fitoi, grabitjes, dhe plaçkitjes së vendeve të mundura( gjë e zakonshme në luftërat e asaj kohe), skllevërve dhe haraçeve, Epiri u pasurua shumë. Këtë pasuri, Pirrua e vuri në shërbim të zhvillimit të vendit. Transferoi kryeqytetin nga Pasaroni malor në Ambraki (Arta e sotme), e cila u bë një kryeqendër e lulzuar. Më vonë pas pushtimit romak, nga ambrakia u grabitën mbi 1000 statuja! Pirrua ndërtoi qytete të reja: Në gjirin e Ambrakisë, në siujdhesë, u ndërtua qyteti i Berenises(Preveza e sotme) i quajtur kështu për nder të së vjehrrës. Në Lunxheri të gjirokastrës ngriti qytetin e Antigonesë (me emrin e së shoqes) ndërsa në Gjirokastër ndërtoi fortifikimet që u quajtën Pyrrikastra dhe që shërbeu si bërthamë e qytetit të sotëm të Gjirokastrës. Ndërtoi rrugë të brendshme që lidhnin Kaoninë me Eurimenin (Janinën) e shumë e shumë punime të tjera, përfshi edhe murin rrethues të orakullit të Dodonës dhe amfiteatrin e saj me afro tridhjet mijë vende që ruhet edhe ne ditët tona.
Pirron,veç trimërisë e karakterizonte edhe fisnikëria, bujaria dhe burrëria në trajtimin e kundërshtarit. Është i njohur rasti, kur pas betejës me romakët ai zuri robër shumë legjionarë. Konsulli romak për lirimin e tyre vuri në dispozicion shumë flori, por Pirrua i tha se ne nuk luftojmë për flori, se luftën e bëjmë me hekur, me trimëri zemër dhe krahët tanë! Dhe i liroi pa shpërblesë 1800 robërit dhe varrosi me nderime të rënët. Këtë rast human, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, në vitin 1952, e mori si shembull që duhet ndjekur edhe sot e kësaj dite nga fuqitë ndërluftuese. Historiani i lashtësisë (Plutarku) na thotë se mbreti Pirro ishte edhe teoricien ushtarak,se ai kishte shkruar disa traktate për strategjinë dhe taktikën luftarake,por që me kalimin e shekujve kjo trashëgimi ka humbur.
Pirrua kishte dhe një të metë: dëshirën e pafashitur për të luftuar, për të siguruar, fuqizuar dhe pasuruar shtetin e vet. Zgjodhi të bënte një jetë heroike. Në kurorën e mbretërimit të tij, çdo vit shkëlqen si një margaritar i veçantë nga gjenia krijuese, mençuria, trimëria, guximi, këmbëngulja, vullneti I papërkulur për fitore dhe lavdia me të cilën mbuloi emrin e tij dhe Epirin. Kjo etje e pashuar për beteja dhe fitore i solli edhe vdekjen e parakohëshme. Vdekjen, edhe pse e mendonte,nuk mund ta zgjidhte dot. Fati dhe rasti I ruajtën një fund të trishtueshëm. Për vdekjen e tij vlejnë si epitaf, ajo që ai tha për të birin, Ptolemeun ”Vdiq më vonë sesa pritej”. Guximi, trimëria dhe kurajo për t’u përballur me çdo rrezik mund të kishin qenë për të, në çdo rast një mundësi vdekjeje. Gjithnjë ka një fund, por ndërsa njeriu ikën, vepra mbetet, nuk vdes. Gjithë sa u tha,lexuesi, do ti gjejw të paraqitura në krerët përkatës të romanit,”Mbretërimi I Pirros së Epirit” që përmblidhen në 254 faqe.

EPIRI DHE TRASHËGIMIA HISTORIKE.


Për Epirin dhe tre krahinat përbërëse të tij:Molosinë,Thesprotinë dhe Kaoninë, është folur e shkruar shumë, por do të flitet dhe do të shkruhet ende shumë për shkak të interpretimeve dhe pretendimeve greke për këtë trevë thjesht pellazgo-Iliro- shqiptare, që asnjëherë, e theksojmë: Asnjëherë nuk ka qenë tokë apo popullatë greke. Këtë pjesë toke në veri të Greqisë, historianët grekë e quajtën “Epir”, stere. Ndërsa banorët e saj i konsideruan barbarë, që ka kuptimin jogrek. Thesprotinë dhe mbretin e saj Fedon e përmend Homeri që në shekullin e IX p.e.r. Homeri përmend edhe orakullin e famshëm të Dodonës dhe lumin Akeron që përcillte të vdekurit në botën e nëndheshme(Had). Të mos harrojmë se këto vende mitike janë në Çamërinë e sotme. Këto treva janë burim i miteve,i valles së famshme çame dhe fustanellës, i folklorit dhe trashëgimisë gojore mahnitëse.
Në gjithë historinë e tij, Epiri dhe Thesprotia janë shquar si vendlindje e burrave të zotë, të vyrtytshëm, bujarë dhe të zgjuar. Por Pirrua mbetet më I shndritshmi ndër ta, Ai rrezatoi me ndriçimin e tij çdo skaj të botës. Edhe sot e kësaj dite, ajo kumton para kujtdo se në këto troje të lashta kanë jetuar njerëz krenarë, njerëz që kanë lindur e rritur figura të përmasave proverbial si ajo e Pirros.2 Edhe pas vdekjes së Pirros, trashëgimtarët e tij sunduan në këtë shtet deri sa ndodhi pushtimi romak. Edhe më vonë në mesjetën e hershme, këtu vazhduan të banonin fiset vendes si ai i Mazarekëve, që luftuan kundër Karl Tokos, lindën trima të shquar e luftëtarë si princi Gjin Bua Spata apo Depe Zenebishi, të cilët gjenin shembull dhe frymëzim te figura e Pirro Burrit. Por,shembullin dhe frymëzimin më të madh prej tij e mori heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili trashëgoi cilsitë e tij prej burri shteti, strategjinë dhe taktikën e tij, jo vetëm përdori emblemën me shqiponjë, përkrenaren me brirë dhie, zhvilloi fushata në Itali si ai, por për rastësi, mbretëroi me të njëjtën madhështi si ai plot njëzet e pesë vjet!
Tradita luftarake, kryengritëse dhe liridashëse vazhdoi në shekuj, për të kulmuar në kryengritjet antiosmane dhe ato mbrojtëse nga agresioni megalideist pas formimit të shtetit grek. U shquan kapedanët e çamërisë dhe te labërisë si kapedanët e Sulit, Çaparejtë e Luaratit,Prronjot dhe Dinejtë e Paramithisë, Husajt e Marglliçit, që bashkuan dhe vllazëruan armët me Çelo Picarin, Zylyftar Podën , Halit Frashërin, luftë që më pas e vazhdoi kapedani legjendari Çamërisë Muharrem Rushiti. Shqipëria ishte një dhe shqiptarët të bashkuar, të besëlidhur e vllazëruar. Epiri dhe Çamëria, deri para vitit 1913, asnjëherë nuk kanë qënë domen grek, atje nuk kanë banuar grekët por shqiptarët. Fataliteti historik i vitit 1913, interest e fuqive të mëdha dhe lakmitë gllabëruese të fqinjëve i ndanë . Është një padrejtësi historike e cila duhet të vihet në vend. Shekulli i XXI pas pavarsimit të Kosovës, është shekulli që punon për shqiptarët, për bashkimin dhe njësimin në një shtet të vetëm kombëtar. Ky është mesazhi që na vjen nga trashëgimi historik dhe amaneti i rilandasve tanë të ndritur.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...