Interviste me themeluesin e TAU
Akademik Prof.Dibran Fylli, "Hamez Jashari" te UÇK-së, e themeluar tash 20 vjet
Floripress: Si ka funksionuar Trupa Artistike e UCK-së?
Dibran Fylli: Trupa Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” e UÇK-së , (shkurtesa TAU), është themeluar në fillim të muajit shkurt 1999 në Likofc dhe ka funksionuar si sektor i kulturës në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa emërtimin e Trupës, me emrin e heroit Hamëz Jashari, e ka miratuar po i njëjti Institucion ushtarak më 18 shkurt 1999. Ideja ishte e imja, kurse kësaj ideje iu bashkëngjitën edhe shokët tjerë si; Latif Zariqi, Shaban Shala, Eprorë i SHP të UÇK-së, Sherif Krasniqi, Nusret Kadriu e Naim Krasniqi.
Floripress: Kush ishin pjesëtarët e kësaj trupe?
- Pjesë e TAU-së “Hamëz Jashari” kanë qenë aktor, regjisor, këngëtar, instrumentist që njëherit kanë qenë edhe pjesëtarë të UÇK-së, të cilët përveç angazhimeve në aktivitetet e Trupës Artistike Ushtarake, të gjithë kanë qenë të angazhuar me detyra ushtarake nëpër Brigadat e Zonave Operative të UÇK-së.
Floripress: Çfarë funksioni ka pasur TAU?
- Qëllimi kryesor ishte që ne kuadër të Ushtrisë së lavdishme çlirimtare të funksionoi edhe sektori i kulturës, gjë që ishte dhe është e nevojshme për çdo ushtri. Në kuadër të TAU-së ka funksionuar Teatri ushtarak, seksioni i muzikës dhe i recitatorëve.
Trupa kishte udhëheqjen e saj; Shef i TAU-së unë, Latif Zariqi, udhëheqës i Teatrit, Nusret Kadriu, udhëheqës artistik si dhe funksione tjera të nevojshme për funksionimin e Trupës.
Floripress: Ku ishte e vendosur TAU “Hamez Jashari”?
-Trupa Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” e UÇK-së, fillimisht ishte vendosur në një lokal afër godinës së SHP në Likofc, aty ku edhe ka filluar punën përgatitore për Manifestimin e parë përkujtimor që do të mbahej më 6 mars 1999. Zyre të përhershme nuk ka pas për arsye të situatës të rënd, sepse asaj kohe forcat ushtarake e policore serbe po sulmonin në drejtim të Likofcit, por gjithsesi Trupa, në ato lokale të improvizuara bëri përgatitjet e duhura për Manifestim.
Floripress: A na përshkruani aktivitetet e kësaj trupe?
-Veprat artistike të TAU-së kanë filluar rrugëtimin nëpër flakë të luftës dhe kanë vazhduar deri edhe në ditët e lirisë me programin artistik “Ai është i gjallë”. Në fund të shkurtit 1999, para Këshillit Artistik paraqita skenarin për ditën e Manifestimit Përkujtimor, në shenj nderimi për ditën e rënies heroike të Kryekomandantit Adem Jashari dhe të Jasharajve, në Betejën e 5, 6 e 7 Marsit. Në skenar ishte paraparë; Rreshtimi i njësiteve ushtarake, Ngritja e flamurit, Dhënia e raportit, Pjesa foljore, Pjesa muzikore e recitative dhe në fund Pjesa skenike “Ai është i gjallë”. Skenari u pranua dhe u vendos që Manifestimi të mbahet më 6 Mars 1999, si dhe emërtimi i Manifestimit të jetë sipas emrit të pjesës skenike “Ai është i gjallë”.
Përkushtimi ynë dhe provat intensive, bënë që programi artistik të jetë gati me kohë dhe në nivel të lartë profesional. Pritej dita dhe ora e fillimit të programit me padurim.
Vendi ishte caktuar që Manifestimi të mbahej në Prekaz, në një largësi jo të madhe nga forcat serbe të stacionuara afër lagjes Jasharaj dhe për rreth Fabrikës së Municionit në Skënderaj.
Floripress: Sa ka arritur të ngrisë moralin e njerëzve në luftë përmes veprave artistike?
-Sa i përket pyetjes suaj për ngritjen e moralit të njerëzve në kohën kur ka funksionuar Trupa, dua të përmendi rastin e ditës së Manifestimit përkujtimor në Prekaz. Dita e 06 marsit 1999, mbeti e pa harruar dhe me rëndësi të veçanet për mua dhe për TAU-në, por edhe për numrin e mijëra pjesëmarrësve në këtë Manifestim Përkujtimor. Rendi dhe qetësia ishin në nivel të duhur. Kur para tyre u paraqit Figura e Kryekomandantit Adem Jashari dhe zëri i tij që mbërrinte kupën e qiellit duke iu drejtuar popullit me fjalët: “Kush ma vret popullin tim, cili bajloz ma kërkon mejdanin?... Mua me keni kudo, kudo, kudo...”, plasi masa dhe nga çdo kush dëgjohej të thoshte e të pëshpëriste, “More a po e sheh së, Ai qenka gjallë”..., kurse Manifestimin e nderuan me pjesëmarrje: Sylejman Selimi, Komandant i SHP te UÇK-së, Jakup Krasniqi, Zëdhënës i UÇK-së, Komandanti i ZO të Drenicës Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Nuredin Lushtaku, Zenë Prokshi, Sahit e Musë Jashari, Fadil Kodra, Zenun Kodra e shumë të tjerë. Manifestimin e incizuan shumë media kombëtare e ndërkombëtare...
Floripress: Cila ka qenë detyra juaj ?
-Unë përveq obligimeve ushtarake, fillimisht në Njësitin “Shkoza” e më pas në Brigadën 113 të ZO të Drenicës, kam drejtuar edhe Trupën Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” të UÇK-së gjatë luftës si dhe të njëjtën pas lufte në TMK për tri vite, derisa mosinteresimi apo neglizhenca e disa komandantëve bënë që kjo Trupë e themeluar nëpër flakën e luftës të shuhej.
Floripress: Sa është vlerësuar kontributi i kësaj trupe pas luftës?
-Kontributi i Trupës as nuk mund humbet e as nuk mund përvetësohet nga askush, pavarësisht rrethanave të vështira që po kalon shoqëria.
Sesa është vlerësuar e sa po vlerësohet, nuk mund të përgjigjem, sepse sot as që po përmendën kjo Trupë e as kontributi i saj, por unë do t’i përmendi disa nga aktivitetet e TAU-së që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare, edhe sot po mbahen e do të mbahen mend për gjithë kohën sa të ekzistoj njerëzimi;
-Në janar të vitit 2000, SHP i TMK-së, e kishte pranuar propozimin tim në emër të TAU-së dhe kishte vendosur që 5, 6 dhe 7 marsi të shënohen me një Manifestim të madh gjithëkombëtar dhe këtë obligim me urdhëresë ushtarake ia kishte lënë në barrë Trupës Artistike Ushtarake dhe udhëheqësit të saj. Në fillim u shkrua skenari dhe u miratua. Së pari manifestimi u emërtua “Ditët e Përndritjës”.
1. Dita e parë, 5 marsi, të jetë një program artistik që do të titullohet “Ai është i gjallë”.
Në vitin e ardhshëm do të jetë programi qendror dhe do t’i shtohet edhe parakalimi i ushtarëve të të gjitha Zonave dhe njësive vartëse të SHP të TMK-së, para Komandantit të Përgjithshëm do të epej raporti dhe do të vazhdonte me programin artistik.
2. Dita e dytë 6 marsi, në Prishtinë do të mbahet Akademi
Përkujtimore kushtuar figurës së Kryekomandantit Legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të UÇK-së. (Për këtë ditë u propozua që në një të ardhme të afërt, data e 6 marsit të shënohet si dita e dëshmorëve të UÇK-së).
3. Dita e tretë, 7 marsi-Nata e Zjarreve, do të mbahet në Prekaz duke filluar nga ora 20:00, me ndezjen e zjarreve dhe programi do të vazhdonte deri në orët e mëngjesit, me këngë e valle, recitime e recitale etj. Mbrëmja do të quhet “Nata e zjarreve” dhe do ta këtë karakteristikën e veçantë, me ndezjen e zjarreve, në të njëjtin vend ku kishte shkrepur flaka e lirisë dy vite më parë. Këto propozime u miratuan nga SHP i TMK-së.
Manifestimi, me gjithë vështirësitë që u paraqiten në grumbullimin e mjeteve financiare, kaloi pa pengesa, derisa për dështime as që bëhej fjalë.
Për sukseset e arritura kanë folur dhe shkruan mediat e shumta që e kishin përcjellë me vëmendje dhe interesim të shtuar manifestimin dhe punën përgatitore, kurse për arritjet tjera, flet fakti së edhe sot e asaj dite ky manifestim po mbahet me të njëjtin skenar dhe formë të organizimit, pa shtuar as munguar gjë.
Vetëm një vit më vonë, saktësisht në janar të vitit 2001, me vendimin e SHP të TMK-së, i ndërrohet emri Manifestimit nga “Ditët e Përndritjes” në “Epopeja e UÇK-së” (ndoshta këtu i ka fillet hajdutllëku i autorësive dhe ideve të të tjerëve).
Prapë së prapë, Manifestimi mbeti me të njëjtën fizionomi. Puna dhe organizimi kryesor i ngarkohet prapë TAU-së.
Floripress: Për fund
-Historiku i Trupës Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” të UÇK-së dhe i Programit Artistik “Ai është i gjallë”, tash “Epopeja e UCK-së” është ky që është, edhe pse deri me tash shumë pak është thënë për Trupën Artistike Ushtarake dhe për Manifestimin “Ai është i gjallë”.
Kjo Trupë dhe ky Manifestim, rrënjët i ka në flakë të luftës së lavdishme të UÇK-së. Është ideuar, ndërtuar, themeluar e organizuar gjatë ofensivave serbe. Është një emër i ri në historinë e kulturës shqiptare e deshën e së deshën të tjerët....
Anëtarët e TAU “Hamëz Jashari” të UÇK-së
(12.02.1999-19.09.1999)
1.Dibran Fylli,
2. Latif Zariqi
3.Sherif Krasniqi
4.Nysret Kadriu
5. Naim Krasniqi
6.Ramadan Kaqkini
7.Muharrem Xhemajli
8.Qazim Bekaj
9.Hamide Xhemajli
10.Bajram Jakupi
11.Xhavit Ferizi
12.Elfije Hasani
13.Teuta Krelani
14.Ganimet Bytyqi
15.Mexhide Kurtaj
16.Kujtim Geci
17.Lirie Istogu
18.Anton Kadishani
19Sami Ferizi
20.Bilall Koci
21.Halit Gashi
22.Violetë Kukaj
23.Ilir Shaqiri
24.Remzi Jakupi
25.Ardita Bejta
26.Ismet Kadishani
27.Ardita Dervishi
28.Shaqir Bejta
29.Mevlude Hoxha
30.Gani Halilaj
31.Nezir Feka
Floripress- Editori: Flori Bruqi
Prishtinë,19.02.2019.
Prishtinë,19.02.2019.
No comments:
Post a Comment