2023-02-11

Erozioni në bregdet dhe shqetësimi mjedisor, rasti i grykëderdhjes së lumit Erzen

SHKRUAR NGA DR. ADRIATIK BALLA Erozioni në bregdet dhe shqetësimi mjedisor, rasti i A është Shqipëria e përgatitur për t’i bërë ballë erozionit në bregdet? Kjo pyetje duket e dalë jashtë mode, por në të vërtetë Shqipëria ka probleme adekuate në këtë drejtim, pasi vija bregdetare e saj është e kërcënuar seriozisht si pasojë e tërheqjes alarmante të saj që shkon nga disa centimetër në disa metër në vit në bregdetin e ulët të Adriatikut. Sot pyetja shtrohet: Sa është ritmi vjetor i gërryerjeve në bregdetin shqiptar dhe cilat janë tendencat e abrazionit në bregdetin nga Buna në Vlorë? Natyrisht, ky ritëm është i ndryshëm në sektorë të ndryshëm. Duke krahasuar hartat topografike dhe imazhet satelitore, ne dalim në konkluzionin që sektorë të gjerë të bregdetit shqiptar po gërryhen me shpejtësi, duke sjellë një situatë alarmante për bizneset, për inxhinierët e ndërtimeve, për kompanitë turistike etj, e padyshim abrazioni është sot një shqetësim serioz kombëtar. Në këto dy imazhe satelitore, të vitit 2003 dhe 2022, për grykëderdhjen e Erzenit, duke përdorur jo vetëm distancat që i siguron vetë imazhi, por edhe koordinatat gjeografike për gjerësitë mesatare ku ndodhet Shqipëria, dallojmë qartë se grykëderdhja e Erzenit është “spostuar” në linjën JP-VL, ngjashëm me drejtimin e erozionit për afro 500 m, ndërsa gërryerjet shkojnë nga 70 deri në 180 m pingul me bregun. Tashmë, sektori ku ndodhet meandrimi i fundit ka shumë gjasë që këtë dimër (gjatë prurjeve maksimale) të këputet përfundimisht (kaptim lumor) e grykëderdhja e Erzenit të përfundojë më në veri për 500 metra të tjerë. Ritmi mesatar i gërryerjeve, për këtë sektor është 5-6 m/vit. Për të folur për shkaqet duhen faqe të tëra, pasi faktorët që ndikojnë janë të shumtë, sa natyrorë aq dhe antropogjenë. Për më tepër në këtë sektor të bregdetit, kur dihet që gjiri i Lalëzit ka vlerat më të larta të baticës në vendin tonë. Gjithsesi, ka faktorë natyrorë, por ka dhe faktorë antropogjenë. Ndër faktorët natyrore që ndikojnë në dinamikën e vijës bregdetare është rritja e përbotshme e nivelit të detit, tektonika aktive e strukturave gjeologjike të Albanideve, ndryshimet klimatike etj, por në dinamikën e vijës bregdetare të Shqipërisë më shumë ndikojnë faktorët antropogjenë, që kanë të bëjnë me ndërhyrjet në pellgjet ujëmbledhës të lumenjve, marrjen e rërës në vijën bregdetare për qëllime të ndryshme, shmangien e grykëderdhjeve në mënyrë artificiale, ndërtimet kaotike dhe jashtë kritereve përkatëse infrastrukturore, pengimin që u bëjnë digat e hidrocentraleve sedimenteve të lumenjve etj. Thënë ndryshe, për bregdetin shqiptar më shumë ndikojnë faktorët humanë që kanë të bëjnë me ndërhyrjen e pastudiuar të njeriut. Kështu, për Erzenin (dhe jo vetëm), erozioni në deltën e një lumi e në vetë grykëderdhjen e tij është dëshmi se ky fenomen në ditët e sotme është shqetësues. Rrezikohen të kthehen kënetat masive në Ultësirën Perëndimore dhe fatkeqësisht për mbrojtjen nga erozioni detar vendi ynë është krejtësisht i papërgatitur. Në momentin që flasim, kriza e plazheve në Shqipëri është evidente më së shumti në sektorë të gjerë të Semanit të vjetër, në skajin jugor të gjirit të Durrësit (Karpenit), në jug të gjirit të Lalzit, e më së shumti në gjirin e Drinit, konkretisht në grykëderdhjen e lumit Mat, në Tale, Kune-Vain, si dhe disa sektorë në Velipojë. Kuptohet, kjo është një temë mjaft e gjerë dhe e vështirë për t’u administruar në terren, për shkak të faktorëve të shumtë që hyjnë në veprim, por vende të ndryshme zbatojnë praktika të ndryshme të mbrojtjes nga erozioni. Pengesat me mure betoni dhe lëvizje të tilla kanë rezultuar të gabuara, ndërsa më efikase janë brezat e pishave, gjë që në bregdetin tonë janë dëmtuar së tepërmi. Sistemi rrënjor i bimëve nxit akumulimin e rërës dhe stabilitetin e vijës bregdetare, e në mjaft sektorë mbathjen e tij e avancimin në perëndim të vijës bregdetare. Në bregdetin shqiptar janë aplikuar pengesa pingule me vijës bregdetare por jo gjithmonë kanë qenë efikase. Problemi kryesor, siç e thamë më lart, dhe shkaktari themelor për ritmin e lartë të gërryerjeve në bregdet lidhet me marrjen e inerteve përgjatë shtretërve të lumenjve, ku si pasojë e zvogëlimit të masës akumulative përgjatë shtratit, prishen ekuilibrat natyrorë dhe materiali shkon për të kompensuar gropat që krijohen në prerjen gjatësore e tërthore të shtratit, rrjedhimisht veprimtarisë së valëve në bregdet i mungon ushqimi. Shqipëria duhet të mendojë, sa nuk është vonë, për këtë problem serioz, pasi vija e saj bregdetare po tërhiqet me shpejtësi në shumë sektorë të Adriatikut.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...