Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar autorizimin për të dërguar trupa të FSK-së në operacion ndërkombëtar humanitar në Turqi, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Turqia është goditur nga tërmete të fuqishme të hënën, përfshirë një 7.8 ballë Rihter. Ky tërmet shkaktoi vdekjen e mbi 2300 personave në Turqi e Siri.
Tërmeti goditi në mëngjesin e të hënës në Gaziantep. Ndërsa pati edhe tërmete tjera të fuqishme.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme. Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Të hënën Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike ka miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së, sipas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm në Turqi.
“Republika dhe populli i Kosovës i qëndrojnë pranë Turqisë dhe popullit të saj në këto kohë të vështira”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi ka thënë për KOHËN se janë 30 trupa të FSK-së që sonte do të shkojnë në Turqi.
Edhe Shqipëria ka nisur mjekë e specialistë për në Turqi në mision humanitar.