Shkruan Flori Bruqi
Vepra “Kosova e pavarur ose dështimi i kryqëzatës ruso-serbe” i doktorit të shkencave politike i diplomatit Prof.dr. Islam Lauka ka hyrë në fondet e Bibliotekës së Kongresit amerikan në Washington D.C.
Ambasador Islam Lauka ka botuar disa vepra shkencore: “Evolucioni i çështjes së Kosovës dhe gjendja e tij aktuale” (1994, shqip e rusisht); “Kosova: Rast Universal apo Sui Generis”, (2007, shqip, anglisht, arabisht, persisht) dhe “Shkëputja e Kosovës nga Rusia” (shqip, anglisht, serbisht).
Dr. Islam Lauka është bashkautor i dy librave: “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse” (2006, me prof. dr. Eshref Ymeri) ) dhe “Antologjia e kryqëzimit: qëndrimi rus ndaj çështjes shqiptare, 1878-2012”(me prof. dr. Eshref Ymeri, 2012), si dhe ka botuar e shkruar parathëniet e veprave: “Toni Bler për shqiptarët" (Ramiz Lushaj, 2005),“Marrëdhëniet shqiptaro-hebraike” (Haxhi Bajraktari, 2009),“Medlin Ollbrajt- misionarja e Kosovës (Fatbardha Lauka, 2011).
Kryevepra shkencore e dr. Islam Laukajt: “Kosova: Rast Universal apo Sui Generis”(2007) vlerësohet nga drejtori i Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike në Amerikë, Janusz Bugajski: “Nisur nga konteksti strategjik i luftës për Kosovën, si për analistët ashtu dhe për politikëbërësit është e rëndësishme që të kuptojnë si unikalitetin historik, ashtu dhe rëndësinë strategjike të këtij territori.
Monografia e dr. Laukës shënon një pikë thelbësore të fillimit të këtij procesi”. I nderuari Noel Malkolm, për këtë kryevepër monografike të Laukajt , thekson se “Ky është një studim i vlefshëm dhe i rëndësishëm. Me qartësi dhe koncizitet mbresëlënës, Islam Lauka, analizon një sërë pretendimesh të ngritura, në mënyrë të veçantë nga publicistët dhe politikanët rusë, rreth implikimeve që mund të sjellë Pavarësia e Kosovës dhe me zotësi nxjerrë në dritë dobësitë dhe kundërthëniet e tyre. Pa dyshim, është një libër, i cili duhet lexuar nga çdonjëri që është i përfshirë në debatin mbi të ardhmen e Kosovës”.
Njëherash, po i cek vlerësimet e dy personaliteteve të tjera paneuropane. Prof. dr. Nina Smirvova, komenton: “Është e domosdoshme të theksohet se trajtimi i problemit të Kosovës nga Islam Lauka ndryshon rrënjësisht nga ai që takohet në replikat e pakontrolluara të disa historianëve e politologëve rusë, që e trajtojnë atë nga pozita proserbe”. Prof. dr. Valeri Modestov vlerëson: “Islam Lauka ka analizuar me kujdes dhe në mënyrë kritike gjithçka është shkruar para tij për çështjen e Kososvës, nga specialistë shqiptarë dhe të huaj.Konkluzionet dhe rekomandimet e tij janë plotësisht shkencore”.
Vetë dr. Islam Lauka, politolog e diplomat, shpesh herë shprehet se “Dhurata më e çmuar e jetës së tij është Pavarësia e Kosovës...”. Ndaj, gjejmë rast të theksojmë se dr. Islam Lauka, kur ishte në Ministrinë e Jashtme në Tiranë apo ambasador ose pedagog në Prishtinë, ende jeton e punon me të gjitha energjitë e mendjes e të zemrës, me të gjitha shqisat e në çdo kohë për Pavarësinë e shtetësinë e Kosovës, duke shkruar, botuar e dhuruar vepra shkencore me interes panshqiptar e rajonal, euro-atlantik, ndërplanetar, si monografia “Kosova e pavarur ose dështimi i kryqëzatës ruso-serbe”, që ka hyrë në fondet e Librarisë së Kongresit amerikan.
Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse libër nga Islam Lauka (përg.) dhe Eshref Ymeri (përg. e red.). Botuar në Tiranë nga "Toena", në vitin 2006. Faqe 372. ISBN 99943-1-119-0