Ky botim ka për qëllim të shërbejë si një udhërrëfyes për temat kryesore që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve në media, përfshirë mediat tradicionale, por edhe ato online dhe rrjetet sociale e praninë në internet. Duke pasur parasysh rëndësinë gjithnë e më të madhe të medias online dhe internetit në përgjithësi për jetën e fëmijëve, është e pamundur të shpërfillet kjo temë. Temat kryesore të shtjelluara në botim përfshijnë parimet ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve në media dhe mënyra si përkthehen ato në legjislaconin vendas si dhe rregullat e hartuara për profesionalizmin e medias kundrejt fëmijëve. Një kapitull i veçantë i kushtohet edukimit për median dhe informacionin për fëmijët, duke përmbledhur situatën e politikave në vend, por edhe rekomandime për rëndësinë që ka ky edukim për fëmijët dhe qasjet e ndryshme që mund të përfshihen. Po kështu, një pjesë e rëndësishme e botimit janë dhe çështjet që prekin fëmijët dhe sigurinë online, pornografia, bullizmi, etj. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është përdorimi i rrjeteve sociale, anët pozitive dhe negative të përfshirjes së fëmijëve në botën online, si dhe rëndësia e aksesit dhe përdorimit të drejtë të mundësive që ofron bota online.Botimi u bazua dhe te materialet e hartuara gjatë konferencës me temë “Media dhe Fëmijët,” e organizuar me rastin e 20-vjetorit të autoritetit rregullator të medias elektronike. Botimi, i mbështetur financiarisht nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, ka për qëllim t’u shërbejë një game të gjerë aktorësh, si gazetarëve, eskpertëve të medias, organizatave të të drejtave të fëmijëve, etj.
Legjislacioni për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve në media Shqipëria ka ratifikuar një sërë konventash ndërkombëtare në lidhje me të drejtat e fëmijëve. Një nga më të rëndësishmet përsa i përket të drejtave të të miturve, përfshirë edhe mënyrën se si ata mbulohen në media, është Konventa e Kombeve të Bashkuara për Të Drejtat e Fëmijëve (KKBDF.) Ajo përcakton se çfarë duhet të bëjnë qeveritë dhe individët për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat njerëzore të pandashme të të gjithë fëmijëve. Ratifikimi i Konventës i angazhon qeveritë të sigurojnë që fëmijët mund të rriten në kushte të sigurta dhe mbështetëse, me akses ndaj arsimit dhe kujdesit shëndetësor me cilësi të lartë, si edhe ndaj një standardi të mirë jetese. Duke nënshkruar KKBDF, qeveritë bien dakort të mbrojnë fëmijët nga diskriminimi, shfrytëzimi seksual dhe tregtar dhe dhuna, si dhe të tregojnë kujdes të posaçëm për jetimët dhe refugjatët e rinj. Ato gjithashtu pranojnë që fëmijët kanë të drejtën: • të shprehin opinione, sidomos mbi vendime që ndikojnë tek ata; • e lirisë së mendimit, shprehjes, ndërgjegjes dhe fesë; • për një jetë private dhe të drejtën për të luajtur;• të formojnë klubet dhe organizatat e tyre; • të kenë akses ndaj informacionit – sidomos atij nga shteti dhe media; • t’i bëjnë vetë të ditura idetë dhe informacionet. KKBDF ofron një piketë me të cilën mund të maten përpjekjet e secilës qeveri për të përmirësuar jetët e fëmijëve. Çdo pesë vjet, qeveritë duhet të raportojnë mbi përparimin e bërë pranë Komitetit të OKB-së për Të Drejtat e Fëmijëve. Komiteti takohet me përfaqësues të qeverive dhe dëgjon pikëpamjet e organizatave joqeveritare (OJQ) përpara se të bëjë rekomandime mbi hapa të mëtejshme që duhet të ndërmarrë çdo vend për të përmbushur detyrimet e veta. Përsa i përket legjislacionit vendas për pasqyrimin e fëmijëve në media, rregullimi kryesor bëhet nëpërmjet Ligjit Nr. 97/2013 Për Mediat Audiovizive1 në Republikën e Shqipërisë, si dhe Kodit të Transmetimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, të miratuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Ligji për mediat audiovizive i klasifikon të miturit te grupet që duhen mbrojtur nga efekte të dëmshme që mund të vijnë nga përmbajtja mediatike, por edhe si një grup i cili duhet të ketë programacion të posaçëm, edukues, zbavitës, dhe të përshtatshëm për moshën. Në veçanti ligji vendos rregulla për reklamat që mund të konsiderohen të dëmshme për të miturit, ndalimin apo kufizimin e reklamave për alkool, ushqime të dëmshme, apo përmbajtje që mund të konsiderohet se ndikon negativisht te mbarëvajtja e fëmijëve. Po kështu, ligji kërkon që mediat të përfshijnë në strukturën programore të tyre edhe parashikimet se sa hapësirë do u lihet programeve për fëmijë dhe llojet e tyre, si dhe në përgjithësi të ruajnë një standard moral dhe mbrojtje të përshtatshme për këtë grupmoshë të brishtë. Për të plotësuar legjislacionin, Kodi i Transmetimit për Mediat Audiovizive2 i kushton një sektor të posaçëm mënyrës se si mediat duhet të trajtojnë fëmijët. Ky kod thekson se parimet bazë në këtë aspekt janë “garantimi i mbrojtjes së fëmijëve, e drejta absolute e fëmijës për privatësi, luftimi i paragjykimeve, diskriminimit dhe stereotipeve në shoqëri, vërtetësia dhe saktësia e konfirmuar e raportimit të ngjarjeve që lidhen me fëmijët, e drejta e pjesëmarrjes së fëmijëve, si dhe parimi shumë i rëndësishëm që e vendos median në shërbim të fëmijëve.” Më konkretisht, Kodi vendos rregulla të mirëpërcaktuara për mënyrën se si media duhet të kontaktojë dhe pasqyrojë fëmijët gjatë punës, por edhe për përmbajtjen që duhet të ketë parasysh për këtë grupmoshë. Kodi përcakton rregulla në lidhje me identifikimin e fëmijës, me modalitetin e intervistimit, si dhe i përmbahet dhe zgjeron rregullat e reklamës të përcaktuara në ligj. Për më tepër, Kodi udhëzon për emisionet e përshtatshme për këtë grupmoshë, duke pasur parasysh oraret, përmbajtjen, anën etike, dhe në përgjithësi mbarëvajtjen fizike dhe mendore të fëmijëve në kontekstin e ndikimit të këtij grupi nga përmbajtja mediatike. Po kështu, Kodi përcakton dhe detyrime për media në lidhje me vendosjen e shenjave paralajmëruese për emisionet me fëmijë. Në respektimin e këtij Kodi, përveç rolit monitorues të AMA, një përgjegjësi po aq e madhe është ajo e Këshillit të Ankesave, i cili funksionon pranë AMA, duke reaguar ndaj kërkesave, pyetjeve, apo ankesave të publikut. Këshilli i Ankesave pranë AMA-së shqyrton çdo ankesë, lidhur me transmetimin e lajmeve, respektimin e të drejtave të njeriut, rregullat e etikës, fshehtësinë e jetës private dhe mostransmetimin e programeve pornografike pa siguruar mbrojtjen e fëmijëve. Megjithatë, nuk duket se publiku ka një rol aktiv në këtë aspekt: sipas të dhënave të buletinit të fundit, Buletini Nr.53 i Këshillit të Ankesave, gjatë vitit 2018 kishte patur katër ankesa në lidhje me pasqyrimin e të miturve në televizion. Këshilli kishte vendosur të tërhiqte vëmendjen e televizioneve në të gjitha rastet. Po kështu, ankesat vinin nga Këshilli i Ankesave dhe nga Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e Të Drejtave të Fëmijëve, pra nga organizata dhe institucione, dhe në këtë rast qytetarët vetë nuk kishin përfshirje të drejtpërdrejtë.RREGULLA PROFESIONALE BAZË4 “PËR NJË PASQYRIM ETIK TË FËMIJËVE NË MEDIA” Fëmijët në Shqipëri përbëjnë mbi 40 përqind të popullsisë dhe ata përfaqësojnë një nga grupet më të mëdha shoqërore në vend. Sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së (të ratifikuar nga Shqipëria në Shkurt 1992), çdo fëmijë gëzon të drejtën e marrjes së një informacioni të përshtatshëm, si dhe të drejtën e fjalës, të shprehjes së mendimit dhe të marrjes në konsideratë si një individ me të drejta të patjetërsueshme. Mass-media në të gjitha shoqëritë luan një rol të rëndësishëm në informimin e publikut si dhe në krijimin dhe respektimin e një imazhi pozitiv të qenies njerëzore, përfshirë edhe fëmijët. Duke patur parasysh këtë rol, mass-medias i del për detyrë, që jo vetëm të pasqyrojë me vërtetësi dhe paanshmëri çështjet që shqetësojnë fëmijët, por njëkohësisht të marrë në 4 Këto rregulla u hartuan nga një grup pune i ngritur nga Instituti Shqiptar i Medias, me mbështetjen e UNICEF, duke u mbështetur te përvoja e BBC dhe kodeve të sjelljes së medias në lidhje me fëmijët në vende të ndryshme. 12 Manual për gazetarët: Media dhe fëmijët konsideratë edhe respektimin e të drejtave të fëmijëve, nëpërmjet zbatimit të një etike dhe rregullash që vendosin në qendër fëmijën. 3.1 PARIMET BAZË Fëmijë konsiderohet çdo person nën 18 vjeç. Interesi më i lartë i fëmijës! Gazetarët duhet të kenë parasysh që kur raportojnë për çështje që kanë të bëjnë me fëmijët dhe të drejtat e tyre, në çdo rast interesat e fëmijës, janë mbi çdo interes tjetër. Fëmijët shpesh gjenden në situata të vështira në jetën e tyre dhe raportim ose/dhe bërja publike e identitetit të tyre, ose raportimi i padrejtë ose i gabuar mund ta vendosë në rrezik apo të ndikojë negativisht në të ardhmen e fëmijës. Në rastet kur botimi dhe transmetimi i lajmit shfaq një rrezikshmëri të tillë, lajmi të mos botohet, ose të ndryshohet paraqitja dhe formulimi i tij (psh të mos flitet për një rast fëmije konkret por të parashtrohet si problem i përgjithshëm i situatës së të drejtave të fëmijëve ne vend). Fëmijët kanë të drejtë absolute për privatësi. Ndërhyrjet në këtë të drejtë, si nga media ashtu edhe nga institucione të tjera lejohen vetëm në rastet kur ato i shërbejnë mbrojtjes dhe interesit më të lartë të fëmijës në situatën konkrete. Ndërhyrje të tilla nuk mund të justifikohen mbi të drejtën e informimit të publikut të gjerë. Për çdo ndërhyrje të tillë duhet të informohet dhe merret pëlqimi i fëmijës si dhe kujdestarit të tij ligjor
Luftimi i paragjykimeve. Media ka një rol të rëndësishëm dhe në parandalimin e luftimin e paragjykimeve dhe steriotipeve në shoqëri. Në asnjë rast, raportimi i ngjarjeve ku përfshihen fëmijët nuk duhet të transmetojë një mesazh diskriminues për fëmijët dhe familjet e tyre që i përkasin grupeve të ndryshme etnike, gjuhësore, kulturore apo shoqërore. Gjithashtu, raportimi i medias nuk duhet të çojë në krijimin e steriotipeve për fëmijëve. Kujdes i veçante duhet pasur për të evituar krijimin e steriotipeve për fëmijët që i përkasin pakicave (raportimi i ngjarjes sikur këta fëmijë të jenë viktima të komunitetit që i përkasin). Raportimi profesional, i plotë dhe i saktë i ngjarjes. Ndërkohë që mbrohet identiteti dhe interesi i fëmijës, ngjarjet ku përfshihen fëmijët duhet të raportohet në kontekstin real ku ato kanë ndodhur, duke i kushtuar rëndësi analizës së plotë të shkaqeve dhe vërtetësisë së çdo elementi të tyre. Gazetari duhet të mbështetet në të paktën 2 burime të ndryshme informacioni, për profesionalitetin e te cilave gazetari ka marrë garanci. Megjithatë kontrolli i informacionit nëpërmjet burimeve te ndryshme nuk duhet të rrezikojë fëmijën e përfshirë në ngjarje. Media në shërbim të fëmijëve. Media me produktet e saj duhet t’i shërbejë mirëqenies dhe zhvillimit te fëmijëve si aktorë të përgjegjshëm në një shoqëri demokratike. Në botimin dhe transmetimin e çdo materiali, media përkatëse duhet të ketë parasysh nëse materiali mundet dhe duhet të aksesohet nga fëmijët dhe ç’pasoja mund të ketë ky material në zhvillim e fëmijëve. Të mbështetet botimi dhe transmetimi ne media i materialeve që përcjellin shembuj pozitive te fëmijët, ndërsa raportimi i veprave penale të pasqyrohet duke i shërbyer një interesi publik dhe jo për hir te sensacionalizmit. Mediat shqiptare duhet te shikojnë mundësitë për realizimin e emisioneve dhe programe si dhe botimin e rubrikave për fëmijë në gjuhët e minoriteteve etnike dhe kulturore që jetojnë në Shqipëri. TVSH duhet të ketë gjatë javës çdo ditë nga një emision për fëmijë ne gjuhët e këtyre minoriteteve. Pjesëmarrja e fëmijës është një tjetër parim i rëndësishëm. Media duhet t’i krijojë fëmijëve hapësirën e duhur dhe të përshtatshme që ata të shprehin lirisht mendimin e tyre, pa e deformuar atë. Media duhet të reflektojë mendimet dhe opinionet e fëmijëve lidhur me zhvillimet në vend që ndikojnë në rritjen, mirëqenien dhe zhvillimin e tyre. Nëpërmjet medias, fëmijët duhet të bëhen pjesë e debatit publik mbi çështje te tilla si arsimi, shëndetësia, mjedisi, zhvillimet urbane, etj. Në të njëjtën kohë media duhet të shikojë me prioritet që programet apo rubrikat për fëmijët, të përgatiten nga vetë fëmijët ose në bashkëpunim me ta. Mediat shqiptare duhet të punojnë në drejtim të rritjes së sasisë dhe cilësisë së programeve për fëmijë.
3.2 IDENTIFIKIMI I FËMIJËS a) Duhet shmangur çdo raportim, botim, transmetim, apo fotografim që çon direkt apo indirekt në identifikimin me pamje dhe zë, me gjeneralitete, adresë apo përshkrues të çdo fëmije që mund të jetë ose është viktimë, dëshmitar, i hetuar, akuzuar apo cilësuar fajtor për kryerjen e një vepre penale. b) Duhet shmangur çdo raportim, botim, transmetim, apo fotografim që çon direkt apo indirekt në identifikimin me gjeneralitete, pamor, vizual, fonik, adrese apo përshkrues të çdo fëmije që mund të jetë ose është përfshirë në një ngjarje të rëndë familjare. c) Në të dyja rastet e mësipërme duhen përdorur teknologji që mundësojnë fshehjen e identitetit me pamje ose zë te fëmijës. d) Kujdes duhet treguar edhe me raportimin, botimin, transmetimin, apo fotografimin e palëve të treta jo-fëmijë, kur kjo mund te çojë ne identifikimin direkt ose indirekt te fëmijës sipas rasteve a dhe b te sipër-përmendura. e) Fotot apo imazhet e fëmijëve duhen marrë në mënyrë të ndershme dhe të sinqertë dhe kurdo që është e mundur, ato duhen marrë me dijeninë dhe pëlqimin e vetë fëmijës, prindërve të tij ose kujdestarit ligjor të fëmijës, pasi t’ju jete shpjeguar qëllimi.f) Duhet shmangur botimi dhe transmetimi i fotove dhe imazheve degraduese të fëmijëve dhe në vend të tyre duhet stimuluar botimi dhe transmetimi i fotove dhe imazheve pozitive të fëmijëve. g) Duhet shmangur botimi dhe transmetimi i çdo fotoje dhe imazhi fëmijë me nuance seksuale apo që paraqet fëmijën në pozicione të papërshtatshme. h) Fotografimi dhe filmimi i fëmijëve duhet kryer ne ambiente publike ose ne prezencën e përfaqësuesit ligjor të fëmijës ose një personi të ngarkuar prej tij. i) Duhen evituar seancat e gjata të fotografimit dhe filmimit të fëmijëve dhe duhen marrë masa që ambienti të jetë i përshtatshëm për fëmijën (për çdo seancë që zgjat në kohë, fëmija të ketë ujë dhe ushqim në dispozicion). j) Mediat duhet të kenë rregulla të forta për arkivimin dhe shpërndarjen e fotografive dhe filmave me fëmijë duke kufizuar dhe parandaluar mundësitë e abuzimit me këto materiale.
3.3 INTERVISTIMI Intervistimi i fëmijëve duhet të bëhet me praninë ose të paktën me dijeninë e përfaqësuesit te tij ligjor ose një personi të caktuar prej tij;Fëmijës si dhe përfaqësuesit ligjor duhet t’i shpjegohet paraprakisht qëllimi i intervistës, si dhe përdorimi i mundshëm i saj. Si fëmijës ashtu edhe përfaqësuesit ligjor duhet t’i respektohet e drejta për të mos pranuar të intervistohet. Në rast se përfaqësuesi ligjor refuzon intervistimin e fëmijës, intervistimi mund të kryhet vetëm nëse fëmija insiston të intervistohet dhe gazetari ka një arsye konkrete të mendojë që intervistimi i shërben interesit te fëmijës. Në asnjë rast gazetari nuk ushtron presion, bën premtime apo jep dhurata fëmijës apo përfaqësuesit të tij ligjor me qëllim mundësimin e intervistimit. Në rast se gjatë dëshmisë së fëmijës mbi një ngjarje a fakt që ai ka dijeni fëmija emocionohet ose shfaqet i ngarkuar psikologjikisht, intervista duhet të ndërpritet deri sa kjo situate të kapërcehet. Kur shikon se situata vazhdon të jetë e njëjtë, ose mund të rishfaqet, gazetari heq dorë nga realizimi i intervistës. Në të dyja rastet e sipër-përmendura (c dhe e) gazetari mund të kërkojë asistencën e një psikologu apo punonjësi social të specializuar gjatë intervistimit të fëmijës. Intervista duhet të zhvillohet në një ambient të përshtatshëm ku fëmija të ndihet i lirë dhe jo nën presion.Duhen të shmangen intervistimet dhe filmimet e gjata që lodhin dhe ndikojnë negativisht te fëmijët, si dhe përsëritja pa arsye të forta e intervistimit dhe filmimit të të njëjtit fëmijë.Ambienti dhe kohëzgjatja e intervistimit si dhe pyetjet e drejtuara fëmijës duhet të jenë në përputhje me moshën dhe nivelin e pjekurisë së fëmijës. Për të mundësuar këtë duhet jo vetëm trajnim i gazetarëve që punojnë me fëmijët, por duhet edhe që këta gazetarë, para intervistimit të investojnë në vlerësimin dhe kuptimin e fëmijës. Pyetjet duhet të jenë të qarta dhe të drejtpërdrejta dhe nuk duhet t’i sugjerojnë përgjigjen fëmijës (Mos përdor pyetje sugjestionuese ose pyetje që e drejtojnë fëmijën drejt atij fakti apo fenomeni mbi të cilin jeni të interesuar). Shmang pyetjet ose komentet paragjykuese, të rrezikshme për fëmijën, ose ato që i sjellin ndërmend ngjarje traumatike. Fëmijët nuk duhet të detyrohen të sillen sipas udhëzimeve të dhëna nga gazetari ose media, ata duhen nxitur vetëm të jenë vetvetja. Nëse gjatë intervistimit gazetari vihet në dijeni për një vepër penale të kryer ndaj fëmijës apo që rrezikon fëmijën, gazetari duhet të njoftojë menjëherë organet përkatëse. Në rast se gjatë intervistimit gazetari vihet në dijeni për fakte, bërja publike e të cilave mund të rrezikojnë jetën, shëndetin apo mirëqenien e fëmijës, intervista apo kjo pjesë e saj duhet të mos botohet/transmetohet.
Fëmijët dhe media: Disa këshilla për gazetarët që pasqyrojnë problematikat e fëmijëve në media Vizitoni shkolla / klube rinore për të folur me fëmijët mbi punën tuaj. Pyesni nëse ata kanë të njëjtat mendime si fëmijët anembanë botës që nuk u pëlqen mënyra si paraqiten në media dhe prej medias: Flisni me fëmijë nga grupe të ndryshme shoqërore dhe etnike. Mund të jenë burime të shkëlqyera për raportime dhe ofrojnë vështrime të freskëta mbi tema që i prekin ata drejtpërdrejt: arsimi, shëndeti, loja, kultura, politika, rënia në qafë dhe forma të tjera abuzimi. Monitoroni veprimtaritë e Ministrisë/Avokatit të Fëmijëve që merren me çështje të fëmijëve. A ndjejnë fëmijët se këta i përfaqësojnë në mënyrë të mjaftueshme? Kontaktoni organizata joqeveritare që mund të jenë në gjendje t’ju vënë në kontakt me të rinj që kanë histori interesante për të treguar – por kujtoni që të gjitha këto lloj organizatash kanë axhendat e tyre që duan të promovojnë. 20 Manual për gazetarët: Media dhe fëmijët Investigoni përdorimin nga fëmijët të fotografive dhe teknologjisë së informacionit, internetit, dhomave chat, celularëve, etj. A e dinë si ta mbrojnë veten nga materialet e dëmshme? A kanë përjetuar ndonjëherë përqasje të papërshtatshme prej të rriturve apo organizatave komerciale. ¬ Profesionistët e medias kanë një detyrim për të respektuar të drejtat e njeriut të fëmijëve, në mënyrën se si punojnë dhe se si përfaqësojnë fëmijët. A i qëndron kontrollit puna juaj e përfunduar, si dhe mënyra se si e keni mbledhur informacionin ¬ A iu përqasët raportit tuaj me një pikëpamje të përcaktuar se si donit që fëmijët të përgjigjeshin? A jeni treguar të drejtë ndaj asaj që fëmijët kanë thënë në fakt – do ta njohin veten në atë që keni botuar, apo mos idetë e tyre janë riinterpretuar nga këndvështrimi i një të rrituri? Disa pyetje që gazetarët duhet t’i bëjnë vetes para trajtimit të problematikës së fëmijëve: Kur kryet intervista me fëmijë: ¬ a u siguruat që ata të ishin të lirshëm dhe jo nën trysni? ¬ a lejuat kohë të mjaftueshme për të shpjeguar qëllimet tuaja? ¬ a morët pëlqimin e tyre për të përdorur emrat e tyre dhe për të nxjerrë dhe botuar imazhin e tyre?a u siguruat që ata të dinë si t’ju kontaktojnë dhe të marrin një kopje të materialit të përfunduar? ¬ a e keni vlerësuar rrezikun që ka për fëmijën përdorimi i emrit apo imazhit të tij/saj dhe a e keni diskutuar këtë me fëmijën, prindërit apo kujdestarin e fëmijës, si dhe me kolegë të redaksisë? ¬ a keni aplikuar të njëjtat procedura kontrolli si ç’do bënit me informuesit e rritur, përpara se të botoni pretendime apo pohime që ju janë bërë nga fëmijët? ¬ a është marrë botimi/programi juaj me ofrimin e mbështetjes apo këshillave të besueshme/konfidenciale për fëmijët që iu përgjigjen çështjeve që kanë të bëjnë me shëndetin personal, abuzimin fizik apo seksual, shfrytëzimin komercial, apo forma të tjera veprimtarie kriminale?