Dëshmitari kryesor i rastit të 53 milionëve e ka përmbyllur dëshminë e tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Avdi Kamerolli ka thënë se ka përjetuar presion të madh nga Eset Berisha, që ishte këshilltar i ish-ministrit Pal Lekaj, për ta lëshuar një opinion ligjor. Me të ishte injoruar raporti i kompanisë amerikane për mbikëqyrjen e punëve, që i vlerësonte punët shtesë vetëm 14 milionë euro.
Dëshmitari kryesor në rastin e 53 milionëve e ka dhënë dëshminë e tij para Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në këtë rast akuzohet ish-ministri Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarë tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës - Nebih Shatri, Eset Berisha e Besim Tahiri, dyshohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Dëshmitari Avdi Kamerolli, ish-drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës, ka thënë se ka qenë nën presionin e kabinetit të Lekajt dhe konkretisht të të akuzuarit Eset Berisha, ish-këshilltar i Lekajt, për ta hequr raportin e “Hillit” nga vlerësimi i tij.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarëve dëshmitari Kamerolli ka thënë se punimet shtesë mund të mbylleshin me 14 milionë euro. Ka thënë se në ato rrethana s’do të kishte proces penal për këtë çështje.
“Këqyre, po të ishte paguar shuma që kompania mbikëqyrëse ja ka përcaktuar: 14 milionë euro dhe qysh doli pastaj, në atë shumë unë besoj se kurrfarë….besoj që ky gjyq këtu s’do të mbahej për shkak se kompania mbikëqyrëse, e thash këtë edhe të premten e po e them edhe sot, kompanisë mbikëqyrëse i janë dhënë përmbi 8 milionë euro. E a e din pse i janë dhënë ato gjyqtar? Sepse ka pasur mungesë të kapacitetit të brendshme për ta mbikëqyrur atë proces”, tha Kamerolli.
Pyetje parashtroi edhe i akuzuari Berisha, i cili dëshmitarin e pyeti për opinionin ligjor, porse atij iu tërhoq vërejtja mbi tri herë për përsëritjen e tyre.
“Pas sa kohe je suspenduar ti nga momenti kur e ke nënshkruar opinionin?” – ka pyetur Berisha.
E Kamerolli tha: “Pas tetorit, kah tetori, atëherë kah fundi i vitit, menjëherë veprimet e para që i kanë marrë masa ndaj meje pa kurrëfarë baze ndaj meje dhe e keni mendimin e këshillit të pavarur mbikëqyrës. Merre vendimin e këshillit mbikëqyrës dhe këqyre”.
Seanca e radhës është caktuar për datën 9 shkurt, ku do të dëgjohet vetëm një dëshmitar për shkak të temperaturave të ulëta në gjykatoret e Pallatit të Drejtësisë. Në të pritet të dëgjohet dëshmitari Ramë Qupeva.