2012-05-28

NA RA SERBI NË TË KATËR ANË


Mr.sci.Kadri Rexha


Çarmatimi i shqiptarëve, si masë dhune e pushtetit serbo-malazez, ka gjetur pasqyrim të denjë në shumë këngë të epikës historike. Realisht aksionet për çarmatosjen e shqiptarëve paraqesin njërën nga metodat kryesore të planit strategjik të politikës shfarosëse të shtetit serb. Si masa dhune, të pakufizuara në kohë dhe në hapësirë, këto aksione vazhdimisht u shoqëruan me bastisje individuale dhe kolektive, me maltretime, me arrestime, me burgosje, me internime dhe me pushkatime, qoftë kur gjendej e qoftë kur nuk gjendej arma e kërkuar. Për ndërmarrjen e këtyre aksioneve, paraprakisht, pushteti hartonte lista për të pabindurit, për luftëtarët dhe për familjet e shquara atdhetare, mirëpo, në këtë drejtim, njësitet ndëshkuese qoftë me uniformë e qoftë pa të, ishin të lirë të vepronin sipas rastit deri të kurdisja dhe montimi i situatave nga më të ndryshmet. Në mesin e mjeteve ndëshkuese gjatë këtyre operacioneve u përdorën: thika, konopi, ngufatja, huri, shkopi, zjarri, pusi, lumi e deri te armët e zjarrit si revolja, pushka, topi, etj. Me gjithë masat e egra të gjenocidit të vazhdueshëm populli shqiptar nuk u nënshtrua asnjëherë, prandaj edhe në këto raste gjeti forcë për jetë dhe qëndresë. Njëra nga krijimet epike historike që trajton këtë temë, në interpretim të rapsodit Dervish Shaqa, është edhe kënga antologjike “Na ra serbi në të katër anë”.



Ngjarja e këngës “Na ra serbi në të katër anë” zhvillohet në një fshat të Drenicës, pikërisht në Prekazin kryengritës dhe heroik. Është muaj janar i vitit 1913. Serbia dhe Mali i Zi me ushtritë e tyre namzeza kanë pushtuar gjysmën e Shqipërisë. Dhuna dhe terrori shtetëror bëjnë kërdi mbi popullin duarthatë. Ngjashëm si dikur në Sanxhakun e Nishit, me çdo kusht synohet shpërngulja dhe shfarosja e shqiptarëve. Ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë hyrë në çdo fshat, në çdo lagje. Por edhe në këto rrethana shqiptarët nuk pajtohen me situatën. Nuk rrinë duarkryq. Herë individualisht e herë në mënyrë të organizuar sulmeve u përgjigjen me kundërsulme dhe me mjetet e vetme mbrojtëse që posedojnë.
Që në vargjet e para të këngës jepet kumti për zezonën që ka pllakosur Kosovën. Tragjedia dhe zia kombëtare në këngë shprehet e përsëritur dy herë përmes pasthirrmës vajtuese “hajmedet”. Serbia dhe Mali i Zi kanë pushtuar gjysmën e Atdheut. Kënga me pak vargje shpalosë programin e qeverisë serbe për çarmatosje dhe gjenocid ndaj shqiptarëve. Çarmatosja, dhuna, plaçkitja dhe vrasja në oborret shqiptare bëhen skena të përditshme trishtimi:

Hajmedet çka koka kanë
Na ra serbi n’katër anë
N’katër anët o hajmedet
Thojshin hallku det e m’det
Tana armët po na i hjek
Na i hjek armet hiç pa çare
N’oborr t’vet na ban batare
Na ban batare he i plaçin sytë
Po i mbledh serbtë po i shkrun çetnikë
Me na vra o me na plaçkitë

Në vazhdim të thurjes së ngjarjes objektivi e këngës përqendrohet në Prekaz. Çetnikët kanë vërshuar fshatrat shqiptare. Të trimëruar pas mbledhjes së armëve nga pushteti ata lëshohen lagjeve si ujqërit e tërbuar. Trembëdhjetë çetnikë serbë kanë hyrë për të bastisur dhe plaçkitur Prekazin shtëpi për shtëpi. Duke plaçkitur dhe duke dhunuar arrijnë në shtëpinë e Halilit, fqinj i Ahmet Delisë (1850-1913), atdhetar dhe luftëtar i njohur i kryengritjeve të Kosovës që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit:

Kokan da nji rrem çetnikë
Se n’Prekaz o kokan hi
Hallakatin dy a tri shpi
Te Halili janë vojtë janë hi
Te Halili janë hi komita
Piskasin robtë bërtasin fmija
Oh po ndin Ahmet Delia


Me të dëgjuar britmën e fëmijëve dhe grave Ahmet Delia i bën zë të birit:

Ai Ahmeti në divanhane
Thrret Murselin djalë ç’u bane
Çou Mursel binaj sakicat
Te Halili kanë hi komita
Kadal babë mos u ngut
Sa ta marr sakicën te drutë
Kur nuk des babë për ket kojshi
Tybe n’zotin des për ty



Këto vargje në vete mbrujnë filozofinë dhe etnopsikologjinë që e ka mbajtur gjallë shqiptarin shekuj me radhë. Ndjenja e solidaritetit dhe e flijimit për fqinjët, për personat në ngushticë dhe në rrezik është një kod i pashkruar që e ka shoqëruar shqiptarin nga brezi në brez. Ky moral, ky kod, fare natyrshëm, përcillet nga i ati tek i biri... Murseli, pa hezitim, i merr sakicat (sëpatat) dhe së bashku me të atin dalin në rrugë, në sokak, ku takohen me Ramë Islamin, bashkëfshatar por që ishin në hasmëri.6) Me okupimin serbo-malazez hasmëritë e ndërsjella ishin falë dhe ishte lidhur besa për luftë kundër armikut. Ahmet Delia e fton edhe Ramë Islamin në ndihmë:

A e kem besën si e kem pasë
Ramë Islami mirë po flet
Hajt Ahmet mos ki dert
S’jam pishman as vetë me dekë

Të vendosur për të vdekur në mbrojtje të fqinjëve që të tretë vazhdojnë rrugën në drejtim të shtëpisë së Halilit. Kur arrin te dyert e Halilit takohen me çetnikun roje. Tashti ngjarja arrin kulmin. Situata gjithnjë e më shumë merr përmasat e dramës. Pas një dialogu domethënës, të ngjashëm me dialogun e Gjergj Elez Alisë me Bajlozin e detit, roja asgjësohet dhe me çetnikët fillon përleshja fyt për fyt:

N’derë t’Halilit kur janë hi
Janë zatet n’atë nebetxhi
“Stoj”, Ahmet ku don me hi
Çka asht “stoj” i ka thanë atij
Unë serbishten hiç s’e di
Te shqiptartë kush t’ka thanë me hi
Me i nmerue robë e fëmi
A e din ktu që i thonë Shqipni
Sull n’sakicë i ra mbi sy
Sull n’sakicë i ka ra në ballë
Tana trutë ia la në shkallë
Ahmet Delia po e ba ‘i piskamë
Thrret Murselin, Mursel bre djalë
Nxanjau derën mos na i le me dal



Lufta është e pa barabartë në çdo aspekt. Në përleshje e sipër Murseli ua rrëmben çetnikëve një pushkë. Siç thuhet në këngë, ai lufton si kreshnik. Arrin t’i vrasin dymbëdhjetë çetnikë. Por edhe Ahmet Delia plagoset për vdekje. Një vdekje heroike që do të përjetësohet në këngë, në histori. I trembëdhjeti, Jovani, i plagosur, merr ikën. Ramë Islami plak, i armatosur me hu gardhi, i sulet prapa:

Ban Jovani kuku për mue
Prej t’trmbdhetëve veç unë kam pshtue
S’po e di rrugën kah me shkue
Ikë Jovani okolla gardhi
Hu po e ndjek ai Ramë Islami

Kënga ka një përfundim interesant. Ahmet Delia në agoni të vdekjes e fton Ramë Islamin që ta lë të lirë Jovanin. Jovani si dëshmitar i gjallë i ngjarjes lirohet për të rrëfyer të vërtetën:

Ahmet Delia hala po flet
Hajde Ramë mos e mbyt krejt
Leje gjallë e për gazep
T’i kallxojë krajlit në Serb...

Motivin e zënies rob, turpërimit dhe lirimit të armikut e ndeshim edhe në disa këngë tjera epike. Ky motiv është i realizuar bukur sidomos në rapsodinë arbëreshe “Skënderbeu dhe Ballabani”, ku pas dyluftimit, Skënderbeu ia pret veshin Ballaban tradhtarit dhe e liron atë të turpëruar për t’i treguar sulltanit të vërtetën.
Kënga “Na ra shkau në t’katër anë” ka një strukturë të thjeshtë ndërtimi. Dhe mu në këtë thjeshtësi spikatë madhështia e këngës. Në pak vargje është dhënë botëkuptimi, filozofia dhe veprimi i agresorit si dhe ajo e të pushtuarit të panënshtruar. Mesazhi i këngës është i qartë: ai që lakmon mallin dhe tokën e huaj gjënë vdekjen e sigurt. Mesazh që e mbajten gjallë brezat, deri te Tahir Meha, deri te Adem Jashari...

3.
Pos tatimeve të papërballueshme, rrëmbimit me dhunë të tokës, çarmatimit, kolonizimit, plaçkitjeve, vrasjeve, burgosjeve, masakrave, okupatori serbo-malazez mbi popullatën e Kosovës me vise si masë gjenocidi aplikoi edhe ndërrimin me dhunë të emrave, të kombit dhe të fesë. Natyrisht, ndërrimi me dhunë i emrave dhe i fesë për shqiptarët paraqiste jo vetëm një detyrim të rëndë e të pa pranuar por edhe një kujtim të hidhur që vinte nga Mesjeta e largët. Dënimi mesjetar i Car Dushanit me patkua të skuqur për të gjithë ata që kundërshtonin konvertimin tashti në rrethana të reja nga pinjojtë e ri çetnik po pasurohej me metoda hala më bashkëkohore. Ndërrimi i fesë tashti organizohej në krahina dhe në rajone të tëra në formë fushate dhe në skenën ndërkombëtare nga pushtuesi paraqitej si “dëshirë” dhe “vullnet” i popullit. Për të pabindurit dhe për kundërshtarët shteti dhe kisha kishte aplikuar dënime të rënda që shkonin nga vrasja individuale deri te vrasjet kolektive paraprakisht duke i detyruar viktimat që t’i hapin varrezat e veta. Ekzekutimet bëheshin me thika, me armë zjarri, me djegie rreth mullarëve me sanë apo brenda me gjithë shtëpi e katandi, me nxjerrje sysh, me shëmtime shqisash, me prerje kokash, me copëtime të gjymtyrëve të trupit dhe me masakra tjera nga më barbaret:

Po pëvet njaj mbreti i ri
Çfarë krajlie a hi n’Shqypni
Karadaki me Serbi
Te kanë vjerrë e te kanë gri
Te i kanë therë me singi
Po donë n’kishë robt me i çue
Po don fenë me ia u ndrrue
N’oborr t’kishës kur kanë shkue
Tanë jenë gri kokan coptue
Porsi trima kanë qindrue
Asnjanit fenë s’kanë mujt’ me ia ndrrue
Tanë i kanë therë me singi
U kanë marrë mallin kimetli


Në krye të konvertimeve me dhunë printe grigja e popëve ortodoks, zemra dhe rroba e shtetit të ri pushtues, të cilët, me kryqe në njërën dorë dhe me thika në dorën tjetër, me afsh deri në ekstazë, aq sa mallkonin gjuhën dhe traditat shqiptare po aq bekonin krimet e reja mbi popullin duarthatë. Sidomos Kisha e Deçanit dhe Patrikana e Pejës për popullatën shqiptare ishin kthyer në emra tmerri dhe në vatra ferri. Lumi prej njerëzve, që zvarritej para pushkëve e bajonetave të ushtrisë së rregullt, zbrazej i lodhur dhe i trishtuar në oborret e kishave dhe priste në radhë para dyerve të tempullit të zotit sllav.. Nën urdhrat e “shenjtorëve” të rinj meshkujt ishin të detyruar ta hedhin për tokë plisin e bardhë shqiptar, ta shkelin atë me këmbë dhe, në vend të tij, ta vënin kapicën në kokë. Duke u kryqëzuar para shenjtorëve në ikona, e tërë masa, burra e gra, fëmijë e pleq, të rënë në gjunjë para kryqit, duke e puthur Krishtin në ikonë, duhej ta mohonte emrin e vërtetë dhe ta pranonte emrin e ri sllav... Konvertime të përgjakshme kisha organizoi në trevat e Gjakovës, të Deçanit, të Pejës, të Plavës, të Gucisë...

Një ngjarje të këtillë tronditëse gjeniu popullor e përjetësoi edhe në këngën “Hajmedet për Lug të Baranit”. Këtë këngë rapsodi Dervish Shaqa me interpretimin e tij në një nivel të lartë artistik e ngriti në një monument qëndrese kushtuar rezistencës së shtresave të gjëra të popullit në mbrojtje të emrit dhe të kombit. Në të njëjtën kohë këtë këngë popullore ai e shndërroi në një akuzë të rëndë kundër vendimeve të padrejta të Fuqive të Mëdha të vitit 1913 në Londër. Në këngë muza popullore pasqyron aksionin namzi për konvertimin e rreth 40.000 shqiptarëve të rajonit të Pejës të udhëhequr nga komandanti i xhandarmërisë malazeze Sava Llazareviq, perfekti i Pejës Dushan Jagoviç, majori Jovan Plemenac dhe vojvoda Lekiç. Kronologjikisht në këtë këngë përshkruhet dhuna, vrasjet dhe masakrat që e shoqëruan aksionin e ndërrimit të fesë në popullatën e Lugut të Baranit. Më 13 mars 1913, të rrethuara nga bajonetat e tytat e mitralozave të ushtrisë që udhëhiqej nga Sava Llazareviq, i quajtur Batarja, të përcjella nga fotoaparatet e konsullatave evropiane, masat e gjëra të popullit, burra, gra, pleq e fëmijë, kush në qerre e kush këmbë, ecnin rëndë-rëndë në drejtim të patrikanës së Pejës, që “vullnetarisht” të ndërrojnë emër, komb e fe. Këtë karvan të pikëlluar Kisha po e priste me padurim. Popët ortodoksë, me enë të mbushura me “ujë të bekuar”, prisnin t’i pagëzojnë popullatën e viktimizuar. Për çdo familje “të pagëzuar” ishte caktuar kumbara serb nga Bellopoja, Gorazhdeci, Peja, etj.7). Por, para se të niseshin për në Pejë, në marrëveshje me bajraktarin e Vranocit, Sali Bajraktarin, populli kishte lidhur besën dhe ishte betuar:


Domë me u gri, domë me u coptue
Fe as emën s’domë me ndërrue,
T’parëve vorret me jau turpnue...

Në të dalë në Urë të Gurit në Pejë, Sali Bajraktari, Arif Halili, Zenel Binaku, Selim Gërvalla, etj. tregojnë urtësi e guxim të rrallë si prijës popullorë. Megjithëse duarthatë, e bëjnë copë e grimë flamurin e urryer të pushtuesit dhe në vend të tij e ngitin Flamurin kombëtar me shkabën e zezë dy krenare, i cili kohë më parë kishte rilindur në Vlorë dhe valonte i lirë në shtetin e pavarur shqiptar. Rezistencës së prijësve dhe të popullit ushtria iu përgjigj me armë zjarri:

Krisi pushka dhe dajaku,
Rrugët e shehrit i mloi gjaku
Vaj e gjamë Peja ka marrë
Me t’u dridhë toka nën kambë...

Atë ditë fotoreporterët serbo-malazezë e francezë, në vend të buzëqeshjeve dhe haresë së një populli të “egër” që “vullnetarisht po hynte në gjirin e një populli të qytetëruar”, po fiksonin mllefin, pezmin dhe revoltën e popullit shqiptar, grushtet e ngritur të fëmijëve dhe gjakun që derdhej në ujët e Lumbardhit. Në shenjë hakmarrjeje lidhur me këtë rast qeveria e krajl Nikollës më 3 prill 1913 masakroi 1.300 shqiptarë.8)
Kënga është e gjatë dhe ka strukturë klasike të ndërtimit. Ajo u bën jehonë të fuqishme idealeve kombëtare. Në fakt kënga pasqyron në mënyrë besnike ndjenjat, mendimet dhe idealet e kohës, por që, si të tilla, luajtën një rol të rëndësishëm njohës, edukues dhe mobilizues edhe për gjeneratat e reja. Me temën e qëndresës si dhe me emocionet e shfaqura natyrshëm, në rrethanat e rënda të terrorit serb, kjo këngë iu bënte jehonë idealeve të lëvizjes atdhetare dhe përjetohej si kushtrim i vërtetë. Po ashtu, me artin e saj, kënga jepte këtë mesazh bindës: atë që nuk e kishin bërë shekujt, s’kishte si ta bënte viti.

4.
Një masë tjetër e vazhdueshme e gjenocidit serbo-malazez për shfarosjen e shqiptarëve qe edhe likuidimi fizik i përfaqësuesve përparimtar dhe i prijësve të shquar të popullit shqiptar. Me këto akte të shëmtuara kriminele Serbia provoi ta shuante çdo shkëndijë zgjimi, organizimi, rebelimi dhe kryengritjeje shqiptare. Likuidimi i prijësve shqiptarë organizohej nga shërbime speciale të shtetit ndërsa ekzekutimi i tyre bëhej nga xhandarmëria, ushtria apo agjentët e shitur shqipfolës. Si mjet për zënien e gjallë apo likuidimin e personave të shënuar nga pushteti shfrytëzohej tradhtia dhe shumë rrallë lufta ballë për ballë. Për të mos u dënuar në qarqet e ndryshme ndërkombëtare, vrasjen e prijësve shqiptar, qeveria serbe e shpallte si ngatërresa për pronë dhe moral, si hakmarrje tradicionale gjaku dhe si qërim hesapesh mes grupesh politike. Shumë raste dëshmojnë për likuidime speciale të elementit të pabindur dhe të rrezikshëm për shtetin: personat e ftuar veç e veç, i gruponin në stacionet e xhandarmërisë, ku i maltretonin, i torturonin i mbysnin dru, pastaj i bartnin në mal, ua vënin pushkët në krah ose mbi trupat e vdekur dhe kështu të fotografuar në grup nëpërmjet mjeteve të informimit para bote i shpallnin anëtarë çetash kaçake terroriste.Vrasja e prijësve shqiptar aq sa ishte masë hakmarrjeje e shtetit po aq ishte masë frike, demoralizimi dhe shuarjeje e çdo shprese të popullit për të jetuar në vatrat shekullore. Me një fjalë terrori shtetëror serb synonte shpërnguljen e domosdoshme të shqiptarëve nga trojet e veta. Tradita e vrasjes së personaliteteve të shquara shqiptare në praktikën e shtetit serb është e hershme, është e pasur, është e gjatë mbi një shekull e gjysmë dhe si e këtillë popullit shqiptar i ka kushtuar shumë, madje, në të gjitha sferat e jetës: të paktë janë ata prijës shqiptarë që kanë vdekur natyrshëm, me trup në shtrat e me kokë në jastëk.
Aktet e burgosjes, maltretimit, vrasjes dhe likuidimit të prijësve dhe bijve të tij më të mirë populli shqiptar i mbajti prore në kujtesë dhe nëpërmjet këngës i bëri të pa vdekshme. Ndër qindra shembujt e vrasjeve të prijësve të shquar shqiptar nga dora terroriste serbo-malazeze muza popullore e qau me lot dhembjeje dhe krenarie edhe vrasjen e pabesë të atdhetarit Isa Boletini (1864-1916), personalitetit qendror të Rilindjes kombëtare, organizatorit dhe udhëheqësit të kryengritjeve të mëdha antiosmane për çlirim e bashkim kombëtar, organizatorit të forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, anëtarit të delegacionit shqiptar, që shkoi në Londër për të protestuar kundër vendimeve të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, organizatorit dhe udhëheqësit të qëndresës shqiptare kundër pushtimit serbo-malazez gjatë Luftërave Ballkanike e më vonë.
Si personalitet që tërë jetën e kalon në përpjekje dhe luftëra për lirinë, për bashkimin e trojeve dhe për pavarësinë e Shqipërisë, me kohë, Isa Boletini fiton admirimin, respektin, dashurinë e popullit dhe njërin ndër vendet qendrore të figurave të merituara të epikës popullore historike. Figurë tipike e burrit shqiptar, gjithmonë i veshur me kostume të bukura kombëtare që i japin një hijeshi të pashoqe, luftëtar që kurrë nuk i largoi armët nga trupi, gojëtar i urtë dhe trim me orë, gjenerali Isa Boletini, u bë frymëzim i muzës popullore, si në kronika gazete, nga beteja në betejë e deri në momentin e vrasjes. Në radhën e krijimeve të shumta të epikës historike kushtuar veprimtarisë dhe betejave të Isa Boletinit kënga “Kral Nikolla rrehi telin” pasqyron aktin tragjik dhe vrasjen mizore të heroit legjendar. Kjo këngë e interpretuar me nota elegjiake dhe zemërimi nga rapsodi Dervish Shaqa lartësohet në monument artistik që dëshmon dhe akuzon rrethanat historike të krimit të organizuar, gjenocidin serbo-malazez si dhe pabesinë e dhunën ndërkombëtare të kohës. Isa Boletini që nuk ishte përkulur para mbretit e kralit, para atentateve të shumta e sulmeve në beteja, para djegieve gjashtë herë të kullës feniks e premtimeve marramendëse, më në fund, si njeri i besës e fjalës së dhënë, i beson diplomatit francez në Shkodër, konsullit Bikok, i cili i premton vizën e udhëtimit për cilin do vend neutral që dëshironte. Në marrëveshje sekrete me krerët e qeverisë së kral Nikollës konsulli francez e udhëzon Isa Boletinin që të shkojë në Cetinë, në Ambasadën Franceze, për të marrë vizën udhëtimit. Viza, në këtë rast, ishte kurdisur si pretekst për likuidimin e Isa Boletinit. Pikërisht këtë komplot të shëmtuar ndërkombëtar e stigmatizon hapur edhe muza popullore nëpërmjet vargjeve të këngës:

Krajl Nikolla rrehi telin
Kançallozit ja çon haberin;
Me ma nxanë çat Isa Begin
Me ma nxanë me ma mashtru
N’Podgoricë Isen me e çu
Kançallozi ja dredhi telin
Ta kam nxanë unë Isa Begin
Ta kam nxanë ta kam mashtru
Në Podgoricë ta kam çu



Më 23 janar të vitit 1916 Podgorica po pushtohej pa luftë nga ushtria austriake. Atë ditë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët e tij, i vendosur për t’u kthyer në Kosovë, tradhtohet nga diplomatët francez dhe lëshohet në “përcjellje” të ushtarëve malazezë. Kurthi i vrasjes i organizuar nga gjeneralët Veshoviq, Vukotiq, Plemenac, Ramadanoviç etj. zbatohet nga Sava Llazareviqi, krimineli namkeq i njohur me nofkën Savë Batarja. Prita iu zu te Ura e Ribnicës nga dy batalione prej 80 xhandarësh. Kërkesës së komandantit për dorëzim armësh dhe kalim pa luftë në duart e xhandarmërisë Isa Boletini i përgjigjet i vendosur për rezistencë, si gjithmonë:

Në Podgoricë Isa a dalë
Veshoviqi çon me e marrë
Hiqi armët se i kam dy fjalë
Veshoviq, mos t’kofasha falë
Para mretit n’aben jam dalë
Me sylahin s’ma ka marrë
S’i hjek armët sa t’jem gjallë

Dialogjet në mes të dy gjeneralëve janë sfiduese si në këngët e epikës legjendare. Konflikti i thellë krijon gradacion të menjëhershëm. Përgjigjet e heroit poetikisht reflektojnë burrëri, mburrje, vendosmëri, vendim të prerë për qëndresë deri në fund. Lufta që fillon është e rreptë dhe e pabarabartë. Dy batalione xhandarësh kanë zënë dy krahët e urës mbi lumin Ribnicë. Masa të mëdha të sigurisë formojnë rrethimin tjetër. Brenda në dërrasat e urës, pa mbrojtjen më të vogël, qëndrojnë të pa lëkundur tetë trima, tetë kreshnikë, me të vetmen alternativë: qëndresë sa më të gjatë në sheshin e nderit për të marrë me vete sa më shumë armiq.

Krisi pushka në Pazar
Në Pazar e në çarshi
Rrebt po qet Isa allti
Po i nimojnë do djem të ri
Ngul kadalë he kryqali
Se ksi djelm s’ke pa me sy

Në vazhdim muza popullore akuzon edhe Austrinë, qoftë si pjesëmarrëse e drejtpërdrejt e qoftë për qëndrimin e saj neutral gjatë ekzekutimit të Isa Boletinit nga xhandarmëria malazeze. Kënga nuk kalon pa e theksuar shpresën shqiptare që vinte si rezultat i besimit të krijuar nga propaganda austro-hungareze për liritë e popujve. Ndaj, aty ku të tradhton shpresa zhgënjimi është shumë i dhimbshëm:

Njefsha t’ligën moj Austri
Uzdajë t’madhe kam pasë n’ty
S’e kam ditë se don me m’gri
Austria po ban seri
Zot shka u ba ky nam beteri
Podgoricën e mloi jezeri
Po lifton çaj Isa Begi
Met shehit vet i teti
Vet i teti shehit a metë
Ka vra shkie izet e tetë

Kënga ka një mbarim spektakli tragjik. Lufta zien e pabesueshme. Qytetin e ka mbuluar një tis i dendur tymi. Kënga e le të hapur metaforën: është pikturë liqeni legjendar apo ndërgjegje e vrarë njerëzore austro-hungareze!? Ndërsa muza popullore shtron dilema arti, realiteti kohor e pohon të vërtetën objektive. Në luftën mbinjerëzore për të çarë rrethimin, duke lënë tridhjetë armiq të vrarë, Isë Boletini bie heroikisht në fushën e nderit. Me Isanë u vranë edhe dy bijtë, Halili dhe Zahidi; dy nipërit, Januzi dhe Halili; i kunati, Hajdar Radisheva, dhe dy shokë të tjerë të tij, Idriz Bislimi dhe Misin Bala. Kështu mori fund jeta e Isa Boletinit, i cili në zemrën e Atdheut ishte betuar për jetë të jetëve: “Edhe njëqind vjet jetë në paqa, të tana ia kam falë atdheut. Edhe njëqind herë n’u rrëxofsha prapë kam me u çue e kam me dalë ku është balli më i vështirë i luftës. Me dekë për atdhe më duket si me le për së dyti... Unë njëqind herë jetën e jap, po kurrë armën, nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!... Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia!”


Përfundim

Epika historike e periudhës së pushtimit serbo-malazez është krijimtari e ngjizur me gjak. Duke pasqyruar dhunën shfarosëse srbo-malazeze mbi popullin shqiptar si dhe pushtimin e kolonizimin e tokave të tij nga Serbia e Mali i Zi ky cikël këngësh në të njëjtën kohë akuzon edhe vendimet antinjerëzore të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Edhe pse kryesisht i shquan tema e qëndresës dhe e besimit në të ardhmen këngët e këtij cikli kudo i përshkon nota pikëlluese, elegjiake dhe tragjike. Me përmbajtjen e tyre të pasur këto këngë rapsodit Dërvish Shaqa i dhanë lëndë të rëndësishme për edukimin atdhetar, kombëtar, moral dhe politik të dëgjuesve të tij të shumtë, pa përjashtim moshe dhe vendbanimi në trevat shqiptare dhe më gjërë. Këto këngë në interpretimin virtuoz të rapsodit Dervish Shaqa para publikut dëgjues shpalosën një përvojë të rëndë por të lavdishme qëndrese shqiptare përballë “të shtatë krajlive”. Porosia e këngëve dhe e rapsodit shprehet qartë: qëndresë, vetëdijesim, vetëbesim, organizim, bashkim dhe luftë deri në fitore.

Ja pse shkova me Kadarenë tek Lasgushi

DOSSIER

Ish-nënkryetari i Degës së Brendëshme të Pogradecit, Vladimir Meçe, dëshmon për herë të parë mbi vizitën e bërë në shtëpinë e poetit të famshëm dhe vjedhjen e arkivit të tij

Shefi i Sigurimit: "Ja pse shkova me Kadarenë tek Lasgushi"


--------------------------------------------------------

Dashnor Kaloçi

Kemi botuar në Floripress , pjesë nga ditari i zonjës Meri Lalaj të shkëputura prej librit të saj "Lasgushi në Poradec". Ndër pjesët e atij libri që ne nuk i përzgjodhëm për t'i botuar, ndër të tjera bëhej fjalë edhe për vizitën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, në shtëpinë e poetit të famshëm, ku ai sipas zonjës Lalaj, shoqërohej nga ish-nënkryetari i Degës së Brendëshme të Pogradecit, Vladimir Meçe. Pas botimit të atij shkrimi, zoti Meçe reagoi në adresë të gazetës sonë, ndaj aluzioneve që ka bërë Meri Lalaj në librin e saj lidhur me atë vizitë që ai dhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare, kishin bërë në shtëpinë e Lasgush Poradecit. Duke qenë e hapur për lexuesin e gjërë dhe për të hedhur sadopak dritë rreth së vërtës mbi vjedhjen e arkivit të Lasgush Poradecit, ne i ofruam mundësinë zotit Meçe për të dhënë dëshmitë e tij në kuadrin e debatit të hapur këto ditë në gazetën tonë midis kujtimeve të marra nga ditari i zonjës Lalaj dhe vajzës së Lasgushit, Maria Gushos.


      Në foto:Meri Lalaj

Zoti Meçe, në një libër të botuar së fundmi, të titulluar "Lasgushi në Poradec" të autores Meri Lalaj, thuhet se në vitin 1984 kur ju keni qenë nënkryetar i Degës së Brendëshme të Pogradecit, bashkë me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, keni qenë për vizitë tek shtëpia e Lasgush Poradecit?

"Po kjo është më se e vërtetë".

Në çfarë rrethanash njiheshit ju me Kadarenë?

"Me Ismail Kadarenë unë isha njohur që në vitet 1967-71 kur isha student në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, sepse ai në atë kohë na jepte një cikël leksionesh mbi letërsinë bashkohore perendimore. Natyrisht, dëshira ime si çdo student tjetër, ishte për një njohje të afërt me të, aq më tepër që në "garën" se cili nga shkrimtarët ishte më i madh, Agolli apo Kadareja, unë bëja pjesë në grupin e kadareistëve. Nisur nga sa thashë më lart, ishte dëshira ime për të gjetur mundësitë dhe për t'u afruar e për t'u njohur me Ismailin. Dhe ai ndonëse nga natyra në dukje ishte pak i ftohtë, gjente kohën dhe mënyrat, për të mos na prekur në dëshirat tona. Por dëshira, pra njohja nga afër me Kadarenë, m'u realizua pas vitit 1971 kur unë mbarova fakultetin dhe u emërova me punë si redaktor në shtypin ushtarak. Në atë kohë mua m'u dha mundësia për t'u njohur nga afër me Ismailin, duke i kërkuar për të botuar ndonjë tregim, kritikë letrare etj.".

Ju njiheni si njeri që keni punuar në Shërbimet Sekrete, apo siç njihet ndryshe në Sigurimin e Shtetit, kurse në fakt thoni që jeni diplomuar në Gjuhë-Letërsi e keni punuar në gazetari?

"Po kjo është më se e vertetë, unë jam diplomuar në Gjuhë-Letërsi dhe në të gjithë karrierën time kam punuar vetëm shtatë vjet në Shërbimet Sekrete, periudhën tjetër jam marrë me gazetari. Pra është rasti të them lidhur me njohjen time nga afër me Kadarenë. Kur isha në shtypin ushtarak, pas disa kërkesave që i bëra Ismailit, ai më dha dhe ma besoi mua për t'ja botuar prozën e mrekullueshme "Baladë për vrasjen e Jusuf Gërvallës". Pra desha të them, se njohja ime me Kadarenë, ishte shumë kohë më përpara se unë të filloja punë në Shërbimet Sekrete dhe dua të shtoj se në atë kohë kur unë fillova punë në ato organe, nuk më ishte shuar aspak pasioni për Letërsinë, ashtu sukurse edhe sot. Pra në atë kohë unë kisha të botuara një libër me tregime, skenarë për filma artistik e novela, për të mos përmëndur me dhjetra artikuj publicistikë, reportazhe të ndryshme etj. U zgjata pak për t'u përgjigjur pyetjes suaj, por me këtë desha të sqaroj se përse u ndodha unë nën shoqërinë e Kadaresë në shtëpinë e Lasgush Poradecit, në gushtin e vitit 1983".

Me ç'rast ju dhe Kadareja shkuat për vizitë tek Lasgushi?

"Në parantezë desha të them, se në atë kohë, pra në gushtin e vitit 1984, unë nuk kisha veçse një muaj që isha transferuar nga Tirana për në Pogradec, me detyrën e Shefit të Sigurimit të atij rrethi, apo thënë ndryshe në detyrën e nënkryetarit të Degës së Brendëshme. Në atë periudhë, pra në gusht 1984, Ismaili ndodhej me pushime në Pogradec dhe teksa ishim duke pirë kafenë e mëngjezit, ai më tha: "Duhet ta njohësh Lasgushin". Këtë gjë Ismaili ma tha, pasi e dinte pasionin tim të madh për Letërsinë dhe për mua ajo gjë përbënte vërtet një rast shumë të mirë për të shkuar për vizitë në shtëpinë e tij, sepse në atë kohë atij i kishte vdekur bashkëshortja, Nafija. Kështu atë pasdite unë me Ismailin e bashkëshorten e tij, Elenën, shkuam për vizitë tek shtëpia e Lasgushit".

Kë gjetët dhe kush iu priti atje?

"Në shtëpinë e tij, ishte vetë Lasgushi së bashku me dy vajzat, Kostandina e Maria. Asnjë njeri tjetër nuk ishte në atë shtëpi".

Sa qëndruat në shtëpinë e Lasgushit dhe gjatë asaj kohe a erdhën njerëz të tjerë aty?
"Me sa mbaj mënd, ne aty kemi qëndruar rreth dy orë dhe gjatë asaj kohe nuk na shqetësoi asnjë njeri tjetër".

Por Meri Lalaj, në librin e saj "Lasgushi në Poradec", shkruan se ka qenë edhe ajo prezent gjatë vizitës suaj aty?

"Kjo nuk është aspak e vërtetë, aty në atë shtëpi përveçse sa thashë më lart, nuk ka pasur dhe nu ka ardhur asnjë njeri tjetër".

Po Meri Lalajn, a e keni njohur ju?

"Këtë emër e kam dëgjuar vite më vonë, mbasi në atë kohë dhe gjatë gjithë qëndrimit tim në Pogradec, nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë njeri dhe këtë e pohoj duke pasur parasysh jo vetëm detyrën time funksionale, por edhe dëshirat e mija për t'u shoqëruar e qëndruar me krijuesit pogradecarë, me të cilët si atëherë edhe sot kam një miqësi të pastër dhe respekt të ndërsjelltë".

"Çfarë bisedash bëtë gjatë qëndrimit tuaj në shtëpinë e Lasgushit?

"Në parantezë desha të them se që përpara se të hynim në shtëpinë e Lasgushit, mua m'u rikujtua një vizitë që pata bërë në Shtëpinë Botuese "Rilindja" të Prishtinës në vitin 1979, ku vëllezërit kosovarë na dhuruan serinë e plotë të veprave të rilindasve tanë në një botim luksoz, e midis tyre një vëllim me poezitë e Lasgushit, të titulluar "Vdekja e Nositit". Përveç të tjerave mua më kishte tërhequr vëmëndjen edhe një fotografi e Lasgushit që ishte botuar në atë libër, ku ai kishte dalë në moshë të re dhe me flokët e gjata, që mua çuditërisht më ngjasonte me njërin nga këngëtarët e mdhenj anglezë të një prej grupeve më të famshëm të asaj kohe. Ajo fotografi më shoqëronte së bashku me pyetjen: nëse Lasgushi ishte më tepër fenomen artistik, apo shoqëror. Ndërsa pamja që më doli përpara syve kur e takuam Lasgushin, ma hoqi përfytyrimin e fotografisë përfundimisht dhe më futi në botën e rilindasve tanë, jo vetëm për flokët borë të bardha dhe veshjen me jelek e qostek, ndonëse ishte vapë gushti. Ndërsa pas bisedës me të, dilemën time midis fenomenit artistik e shoqëror, e zgjidha në favor të të dyjave".

Si ju prezantoi Ismaili tek Lasgushi?

"Ismaili me prezantoi si mikun e tij, duke i theksuar Lasgushit, që ai (Lasgushi) mund të më drejtohej në çdo kohë dhe çdo moment, për çdo problem apo hall që të kishte ai dhe dy vajzat e tij, Maria e Kostandina, duke i nënvizuar dhe detyrën funksionale që kisha unë në Pogradec".

Si reagoi Lasgushi pas kësaj?

"Ndërsa Lasgushi më falenderoi për vizitën e ngushëllimin që i bëmë, Ismaili i tha që edhe unë isha i pasionuar pas Letërsisë dhe që shkruaja prozë e pëlqeja poezinë. Në këtë moment, Lasgushi ndërhyri me vrull duke thënë: "Ismail, njeriu që lexon dhe pëlqen poezinë, doemos, është njeri i mirë". Pas kësaj Lasgushi pati një monolog të gjatë mbi raportet e poetit me atdheun dhe në substancë më kujtohet që u shpreh: "Ne poetët, Ismail, drejtojmë atdheun, ne mbajmë gjallë Kombin, ne i zgjedhim djemtë të bëjnë ekonominë, të ruajnë kufijnë", dhe fraza të kësaj natyre gati gati qiellore, mbi rolin e poetit në këtë gjithësi, ishin të pafundme. Ju më pyetët në fillim që a na shqetësoi njeri gjatë asaj bisede. Më kujtohet se herë pas here, konja e bardhë që i rrinte në prehër, lëvizte, ndërsa Lasgushi e përkëdheltë dhe në një moment duke na u drejtuar ne tha: "Emrin e ka qen, por në të vërtetë punën e bën të madh se është besnik".

A mund të na thoni gjë rreth arkivit personal të Lasgushit, a kishit të dhëna se ai po vidhej?

"Po ne ishim në dijeni se Lasgushi kishte një arkiv personal mjaft të pasur, veçanërisht me dokumente e dorëshkrime origjinale autentike, jo vetëm të tijat por edhe të shumë personaliteteve shqiptarë e të huaj me të cilët ai kishte pasur korespodencë. Ato përbënin një pasuri të paçmuar kombëtare dhe për këtë arsye ne ishim vënë në dijeni si organ dhe kishim informacione se disa elementë me prirje negative, i ofroheshin herë pas here, gjoja duke i ofruar miqësi, për t'ia përvetësuar këto dokumenta. Nuk e di nëse ky element e realizoi vjedhjen e arkivit dhe deri në ç'masë, por di të them se ne e kishin sinjalizuar familjen e Lasgushit që të ruhej prej tyre. Kujtoj se ishte një informacion për një grua e cila i shërbente herë pas here në shtëpi, në disa punë të rëndomta shtëpiake, ku Lasgushi, si aristokrat i lindur që ishte, nuk i lejonte gruan dhe dy vajzat që t'i bënin".

Mos bëhet fjalë për zonjën Meri Lalaj?

"Thashë se ne kishim informacione, por unë nuk mund të konfirmoj nëse ishte ky person apo jo. Kjo lidhet me dy arsye: e para sepse me ato probleme të rëndomta merrej vetëm policia e nuk ishin objekt i punës sonë dhe e dyta në informacionet që kishim flitej për më shumë se nje person që vidhte arkivin e Lasgushit".

Thatë që i keni lexuar shkrimet e fundit të gazetës sonë mbi ditarin e Meri Lalajt e marrëdhëniet intime të saj e zonjëës Ana Jovani me Lasgushin, a keni pasur ju informacione si organ, për ato lidhje?
"Lasgushi kishte shije të holla dhe mrekullohej vetëm para së bukurës. Besoj se me këtë ua dhashë përgjigjien e pyetjes suaj".

Skandaloze: Ja si ia vodhën dorëshkrimet Lasgushit, dy mikeshat e tij








DOSSIER III

Për herë të parë, Maria Gusho, bën publike vjedhjet që i bënë babait të saj, Lasgushit, zonjat Lalaj e Jovani si dhe falsifikimet e shpifjet e Merit në librin"Lasgushi në Poradec"

"Ja si ia vodhën dorëshkrimet Lasgushit, dy mikeshat e tij"


--------------------------------------------------------------------------------

Dashnor Kaloçi

Nëpërmjet intervistës ekskluzive të Maria Gushos, u njohëm me historinë e plotë të lidhjeve të babait të saj, Lasgushit, me dy mikeshat e tij, zonjat Lalaj dhe Jovani. Sipas dëshmisë së saj, zonja Meri Lalaj e cila ka botuar së fundi librin: "Lasgushi në Poradec", hyri fillimisht në shtëpinë e tyre rreth vitit 1979, si shoqe e kolege e motrës së saj, Kostandina Gushos, pasi në atë kohë ato të dyja punonin së bashku si mësuese në shkollën 8-vjeçare të Pogradecit. Miqësia e zonjës Lalaj me familjen Gusho e Lasgushin, zgjati deri aty nga viti 1983-84, sepse pas asaj kohe, me vdekjen e nënës së tyre, Nafijes, Kostandina u transferua për në Tiranë, e bashkë me të për në kryeqytet, u zhvendosën edhe Maria me Lasgushin. Pikërisht në këtë kohë mbaron dhe shoqëria e tyre me zonjën Lalaj, e cila në shtëpinë e tyre në Tiranë shkonte shumë rrallë. Ndërsa zonja tjetër, Ana Jovani, hyri në shtëpinë dhe shoqërinë e Lasgushit, po në atë kohë dhe shkak për atë lidhje miqësore, u bë pasioni që kishte ajo për Letërsinë. Por sipas Maria Gushos, të dyja zonjat në fjalë, përfituan nga zemërgjërësia e Lasgushit dhe e shpërdoruan besimin e tij, duke i vjedhur shumë dokumente, dorëshkrime, e libra të ndryshëm, ku ndër to bënte pjesë edhe ditari i poetit, të cilin pas kërkesës së vajzave të Lasgushit, zonja Lalaj ia ktheu atyre në fillimin e viteve '90.




Në foto:Meri Lalaj


Znj. Maria, si e mësuat ju se ditarin e e babait tuaj, Lasgushit, ua kishte vjedhur zonja Meri Lalaj?

"Aty nga vjeshta e vitit 1990, një miku im, më erdhi një ditë në zyrë dhe më më tha se në një libër që Ismail Kadareja kishte dorëzuar për shtyp, kishte një kapitull shumë të bukur të titulluar "Portreti i Lasgush Poradecit". Nisur nga dëshira ime e madhe për ta lexuar sa më shpejtë atë pjesë dhe gjithë librin e Kadaresë, miku im u detyrua dhe më solli bocat e librit që me shumë mundime mundi t'i merrte nga shtypëshkronja. Pasi nisa ta lexoja me një frymë, gjithë kënaqësinë për çka ishte shkruar aty, ma prishi pjesa e fundit ku unë shtanga kur e lexova".

Çfarë ishte shkruar aty?

"Në faqen 223 të librit "Ftesë në studio", (botim i vitit 1990 i Shtëpisë Botuese "8 Nëntori") shkrimtari i njohur Kadare, shkruante: "Shumë fletore të tij u zhdukën gjatë stinëve, kur ai e braktiste "kullën" e Pogradecit, për të kaluar dimrin në Tiranë. Një prej humbjeve është proza "Vizita e zonjëshës Ana X në kullën time". Një person që nuk e di në ç' rrethana kishte arritur ta merrte, ma dha mua për ta lexuar vetëm për një natë. Më pas, kur pas vdekjes së tij e pyeta për fatin e dorëshkrimit, ma mohoi. "nuk ju kam dhënë kurrë një dorëshkrim të tillë dhe as e kam patur kurrë në dorë" më tha duke më vështruar si të më thoshte: ndoshta e keni parë në gjumë". Kështu shkruhej në librin e Kadaresë".

Ju a e kishit lexuar ndonjëherë në dorëshkrim "Vizitat e zonjës Ana X në kullën time"?

"Unë e kisha lexuar disa herë atë prozë, por në ato momente që lexova bocat e librit, mësova se atë prozë na e paskërka një person, që ia kishte dhënë për ta lexuar për një natë edhe Ismail Kadaresë. Por ajo që na mundonte më shumë, ishte mendimi në se atë shkrim e kishte lexuar vetëm Ismail Kadareja, miku i ngushtë i babait tonë, apo personi në fjalë, mund t'ua kishte dhënë dhe personave të tjerë për ta lexuar".

A ju shkoi ndër mënd se kush mund të ishte ai person që ia kishte dhënë prozën në fjalë Kadaresë?

"Menjëherë sapo unë mësova nëpërmjet bocave të librit të Kadaresë, për atë fakt, bashkë me motrën time, Kostandinën, biseduam gjërë e gjatë dhe filluam që të çonim nëpërmënd të gjithë ata pak njerëz që kishin hyrë e dalë në shtëpinë tonë në atë kohë që jetonim në Pogradec dhe babai ynë ishte ende gjallë. Në mëndjen tonë sillej enigma e madhe se kush mund të ishte ai person që e njihte edhe Ismail Kadareja dhe cilat ishin arsyet që vetë Ismaili e denoncoi vetë në shkrimin e tij "Portreti i Lasgush Poradecit". Menjëherë ne u kthjelluam dhe i vumë gishtin, duke i thënë njera tjetrës, se i vetmi person që mund ta kishte bërë atë gjë, ishte zonja Meri Lalaj. Duke bërë lidhjet llogjike me ato fjalë që na kishte thënë për të, Nuçi Tira, ne nuk kishim më asnjë dyshim se ajo ishte autorja e vjedhjes së ditarit të babait tonë".

Pasi krijuat bindjen për atë gjë a e takuat zonjën Lalaj?

"Po, vetëm disa ditë më pas, aty nga fundi i tetorit 1990, motra ime Kostandina, shkoi në Pogradec dhe u takua me Merin, së cilës i tha: "Meri, ma jep ditarin "Vizita e zonjushës Anë" të cilën na e ke marrë". Ajo e befasur iu përgjigj: "Nga e di ti se atë e kam unë?". Kostandina i tha me vendosmëri: "Nuk po të them e ke apo nuk e ke ti, por të mendohesh mirë, po nuk ma dhe". Pas këtyre fjalëve disi kërcënuese të Ninës, zonja Lalaj duke u drithëruar, kishte belbëzuar dhe i ishte përgjigjur: "Mirë, do ta sjell në Tiranë, pasi s'e kam këtu". Motra ime Kostnadina në fakt nuk i kishte besuar fjalët e saj, por sidoqoftë ishte tërhequr duke e pritur në se do ta mbante fjalën që i tha".

A e mbajti fjalën zonja Lalaj?

"Po, pas disa ditësh, më datë 12 nëntor 1990, e cila korespondonte më tre vjetorin e vdekjes së Lasgushit, Meri erdhi në shtëpinë tonë në Tiranë dhe solli fletoren origjinale ku ishte shkruar ditari. Ne u gëzuam pa masë, sepse pas dhjetë vjetësh të padijes sonë për ditarin e babait, ai na ra përsëri në dorë. Gëzimi ynë ishte aq i madh,sa ne duke harruar çdo të keqe që na kishte bërë zonja Lalaj, e mbajtëm atë në drekën përkujtimore të babait. Po kështu gjatë asaj dreke ne filluam t'i shfaqnim asaj të njëjtat marrëdhënie të dikurëshme kortezie".

Po si rrodhën ngjarjet më pas me zonjën Lalaj dhe si u bë i mundur botimi i "Vizitat e zonjushës Ana në kullën time" në një revistë shqiptare?

"Në parantezë, desha të sqaroj se përpara botimit në atë revistë, gazeta juaj (Gazeta Shqiptare) në vjeshtën e vitit 1995, kishte nxjerrë një lajmërim, tip reklame, ku thuhej se së shpëjti, Shtëpia Botuese "Onufri" do të publikonte të ashtuquajturin "Vizitat e zonjushës Ana X në kullën time".

Përse thoni "të ashtuquajturin"?

"Them të ashtuquajturin, sepse babai ynë, Lasgushi, në ditarin origjinal, e kishte vënë dhe mbiemërin e zonjës, Ana, gjë e cila provonte më së miri, që marrëdhëniet midis tyre, nuk ishin "konspirative" dhe "kompromentuese". Pas këtij njoftimi ne normalisht u tronditëm, duke menduar se kush ishte ai njeri që kërkonte të bënte atë plagjiaturë të shtrëmbëruar, kur ishim gjallë ne dy vajzat e Lasgushit. Menjëherë na vajti mëndja tek Meri Lalaj, por përsëri nuk donim ta besonim se si ajo grua guxonte vallë ta keqëpërdorte faljen tonë. Për ta vërtetuar atë gjë, u lidhëm menjëherë me botuesin e "Onufrit" zotin Bujar Hudhri, i cili erdhi në shtëpinë tonë dhe na konfirmoi se vërtet gruaja e quajtur Meri Lalaj, kishte bërë një libër në formë ditari që e kishte titulluar "Lasgushi në Poradec", ku përfshihej ditari i tim eti "Vizitat e zonjushës Anë, në kullën time", dhe na tregoi ditarin e poetit që e kishte bërë gati për botim në një letër bojëqielli, si ngjyra e liqenit".

Ju i kërkuat zotit Hurdhri që ta ndalonte botimin e atij libri?

"Normalisht, me mirësjelleje, unë i thashë zotit Hudhëri që në bazë të ligjeve në fuqi për të drejtën e autorit, ai nuk duhet ta botonte atë libër, pasi nuk kishte marrë lejen tonë dhe kjo gjë të paktën nga një shtëpi botuese tepër serioze si "Onufri" duhej respektuar, sepse ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një vjedhje e hapur. Pas kësaj zoti Hudhri me çiltërsinë e tij ma zbuti pak zemërimin duke thënë: "S'më vajti mëndja, por zemra ma donte që të botoja edhe unë diçka për poetin e madh".

Si vendosët pas kësaj, a ia dhatë lejen zotit Hudhri për ta botuar librin e zonjës Lalaj?
"Për hir të mirëkuptimit me zotin Bujar Hudhri që na e fitoi zemrën me fjalët e sjelljen e tij korrekte, ramë dakort edhe me Meri Lalajn, që ta botonte librin e saj, "Lasgushi në Poradec", por pa ditarin "Vizitat e zonjushës Ana X në kullën time". Si kompromis ne i dhamë fjalën Merit që të mos e bënim publike faktin e vjedhjes së ditarit nga ana e saj. Por peripecitë tona me zonjën Lalaj, nuk ishte e thënë të kishin të sosur, sepse ditari "Vizitat e zonjushës Ana X në kullën time", filloi që të shpërndahej si trakt anë e kënd Shqipërisë. Ai ditar u dërgua edhe në redaksinë e një reviste prestigjoze, e cila normalisht e botoi atë sipas asaj që u kishte dorëzuar zonja Lalaj. Ne e hodhëm në gjyq revistën në fjalë dhe e fituam gjyqin duke marrë dëmshpërblimin, për shpifje dhe shkelje të së drejtës së autorit, pasi Meri e kishte falsifikuar ditarin duke shtuar gjëra nga fantazia e saj. Po kështu zonja Lalaj arrinte deri atje sa që shumë sende të blear tek tregu i Gabit, i servirte nëpër miqtë e saj, si suvenire që ja kishte dhuruar Lasgushi. Këto fjalë na vinin edhe ne në vesh dhe ramë në pozitë të vështirë, pasi s'kishim si t'ua mbushnim mëndjen njerëzve se çfarë e lidhte atë kreaturë me babanë tonë, Lasgushin. Kështu përfunduan peripecitë tona me zonjën Lalaj, e cila nuk i ndahet spekullimeve të saj, gjë të cilën e tregoi edhe me ribotimin së fundmi të librit të saj "Lasgushi në Poradec", ku ajo përsëri ka vazhduar avazin e shpifjeve monstruoze të saj, gjë për të cilën ne do i drejtohemi gjyqit".

Konkretisht, me pak fjalë mund të na thoni se çfarë shpifjesh e falsifikimesh ka bërë zonja Lalaj në librin e saj "Lasgushi në Poradec"?

"Në faqen 63 të atij libri shkruhet: "Lasgushi tha: Gruaja duhet të jetë skllave dhe është skllave, duhet të bëjë siç i thotë burri! Kurse unë në mëndjen time: Mirë e ke o Lasgush, mirë, por harron kur na ulen burrat në gjunjë e na luten me lot në sy duke na thënë plot marrëzira përkëdhelëse". Ja pra se ku shkon marrëzia e Meri Lalajt, kur dihet shumë mirë se si i ka kënduar Lasgushi emanicipimit të femrës shqiptare. Po kështu në faqe 109, ajo thotë se "ndodhet një faqe e shkruar për qëllimin final të Lasgushit dhe mban datën 12 shtator 1978, gjë e cila në gjyq u provua se ishte fallsifikim. Po kështu aty ajo ka shkruar sikur, babai ynë i ka thënë zonjës Ana Jovani: "Ti do bëhesh Ana Lasgush Poradeci, por ajo nuk pranoi duke i thënë : ti je i martuar". Të gjitha këto janë fantazira dhe sajime të paskrupullta të Meri Lalajt, ashtu siç është i mbushur i gjithë libri i saj".

Si e shpjegoni këtë fakt, përse i ka bërë ajo këto gjëra?

"Meri Lalaj kërkon të mbahet fort pas emrit të Lasgush Poradecit, për të mbuluar mëkatet e veta".

Po me zonjën Ana Jovani a keni pasur të tilla probleme?
"Zonja Ana Jovani, ndryshonte nga Meri Lalaj, sepse Ana ato që kishte vjedhur nuk i botoi".

Pse çfarë pati vjedhur ajo tek ju?

"Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së babait, ajo ishte në shtëpinë tonë dhe fshehtas futi në çantën e saj, librin "Histori të Literaturës Franceze" dhe "Visaret e Kombit". Ne i thamë babait, i cili i bëri telegram asaj, por ajo nuk i solli. Në qershorin e vitit 1980 kur unë kisha marrë rrogën e parë dhe po qerasja babain, Lasgushin, në "Arbana", Ana na erdhi në tavolinë, pasi atë ditë ajo kishtë sjellë fëmijët e klasës së saj në ekskursion në Tiranë. Babai menjëherë i tha: "Të lutem të më kthesh të gjitha që më ke marrë". Ajo u përgjigj: "Unë nuk kam marrë asgjë pa dijeninë tuaj". Babai akoma më i zëmëruar ia ktheu: "Unë nuk po të them me leje apo pa leje, por po të them më kthe çfarë më ke marrë". Kështu u detyrua Nina dhe shkoi në shtëpinë e saj në Shkodër për t'i marrë ato dhe aty ajo pa të varura në mur, disa kartolina me pamje nga Shqipëria, riprodhime të piktorit kroat, Paja Ivanoviç, të cilat Lasgushit, ia kishte sjellë nga Ohri një shok shkolle i Rumanisë. Ana u shfajësua duke i thënë Niniës se ato ia kishte dhuruar vetë Lasgushi dhe në fund nuk ia dorzoi e i mbajti për vete

"Miti i Lasgushit" i dr. Anastas Kapuranit-nje monografi unikale ne gjuhen angleze



Miti i Lasgushit sugjerohet nga vete poezia

Dhurata Hamzai



Lasgushi nje mit i poezise shqipe...! Askush nuk do ta quante te ekzagjeruar kete perkufizim po t’i rikthehej ngahera e ngeshem vepres qe la pas Poeti. Per te na bindur ne mitin e Tij, nje tjeter liber i shkruar, por kete here ne gjuhe te huaj, cel te paren biblioteke te gjuhes angleze me studime mbi poetin, qe cel njekohesisht shtegun e studimeve te reja ne panteonin e lirikeve me fame boterore. Mesojme se nje liber me studime per Lasgush Poradecin ka qene njekohesisht nje amanet i lene pas edhe ne vemendjen e intelektualit shqiptar, Anastas Kapuranit, prej te ndjerit prof. Eqerem Cabej. “Kjo mund te duket deri diku e cuditshme si lidhje, por qe gjithmone me ka bere pershtypje vleresimi lapidar i Eqerem Cabejt, ku ai thote, pa hezitim, kur te tjeret ende nuk kishin thene asgje per Lasgushin: “Lasgush Poradeci eshte poeti qe per fat te mire i ka rene Shqiperise, por qe ajo nje dite do t’ia fali botes”. Pikerisht Dr.Anastas Kapurani e mbajti mend kete amanet dhe ka nje vit qe e ka perfunduar librin me te mire te tij “Miti i Lasgushit”, i cili eshte botuar tani vone ne Angli. Qe ne kopertinen e librit “Miti i Lasgushit”, duket se nuk eshte thjesht nje gjetje per te krijuar efekte te jashtme. Miti sugjerohet nga vete poezia, nga fjala e Lasgushit. Miti eshte si kusht i kuptimit dhe jo si nje kuptim me vete. “Gjithcka duhet kerkuar brenda Lasgushit, kjo mbetet dhe e vecanta e studimit tim te pare, rrefen dr Anastas Kapurani.

Studiuesi Anastas Kapurani ka udhetuar ne kohe me imazhin e Lasgushit dhe ka rrokezuar sa here poezite e tij. Me te gjalla u ndien ato brenda trupit te tij kur pas viteve '90 ai shkoi per te thelluar studimet ne Universitetin e Athines dhe gjate atyre pese vitev qe iu deshen per t’u specializuar ne fushen e poetikes. Larg atdheut ai pohon se interesi i tij paresor ka qene mbi te gjithe letersia shqipe, e ne menyre te vecante nga ajo, figura dhe poezia e Lasgush Poradecit.

Dr. Kapurani jeton ne Greqi dhe ai ka pare se bibliotekat greke, ne menyre flagrante mungon letersia shqipe, po njesoj si ndodh dhe ne Serbi. Shpesh ai e gjen vetem ne kioskat e ngritura te emigranteve ate qe kerkon t’i ofrohet prej kultures sone. Per te shmangur realisht kete diskriminim ai ka botuar esse te ndryshme mbi poete te tille si Xhevahir Spahiu, Prec Zogaj, etj. Kohet e fundit dr.Anastas Kapurani ka punuar si pedagog i jashtem ne Universitetin Amerikan te Athines, “Ardrianapolis”, ku aktualisht jep leksione jashte programit te universitetit per t’i pergatitur ne gjuhen angleze dhe me kete pune ai jeton.

Kapurani u lind ne ne Sarande me 1950-en, ku mori dhe mesimet e para. Studimet e larta i kreu ne Universitetin e Tiranes me 1973, te cilat i perfundon me mbrojtjen e diplomes per gjuhen e huaj ne anglisht dhe perfundon edhe nje kurs pasuniversitar per gjuhe-letersi shqipe. Kapurani per shume vite ka qene dhe bashkepunetor i jashtem shkencor i Institutit te Gjuhesise ne Tirane. Deri me vitin 1991 Kapurani ne Shqiperi ka qene i njohur nepermjet artikujve te shkurter prezantues per shkrimtare te huaj te kohes, si dhe eshte marre me perkthime te ndryshme, nga poete te shquar te letersise angleze, Si Uitman, Shell, Bajron, apo dhe Drajzer, e shume te tjere. Pas 91-it ai emigron si shumica e intelektuelave shqiptare jashte Shqiperise se mjeruar prej Diktatures Komuniste.

Kapurani u largua nga atdheu pa patur fatin ta takoj personalisht Lasgush Poradecin, por per fat te mire ai jetoi gjate dhe kur ishte student e ka pare disa here duke e ruajtur me pas te gjalle imazhin e tij ne kujtese. “Megjithate me ka mbetur peng qe nuk arrita te shkembeja qofte dhe dy fjale me poetin e madh. Imazhi i Lasgushit ishte ai i nje poeti te vertete qe edhe ishte mes nesh, edhe nuk ishte. Ai na udhehiqte te gjitheve por nuk ishte aspak e lehte qe te hyje ne boten e Lasgushit. Sidoqofte dhe imazhi i tij qe me nga mbetur ne mendje per mua eshte shume, pasi shpesh nuk e kemi te lehte qe te krijojme ne mendjen tone portretin e vertete te poetit. Lasgushi pa folur mua ma mesoi shpejt kete gje dhe i detyrohem, ndaj sic thashe ai befas hynte ne jeten tone duke ardhur aq prane, e befas nuk ishte me aty. Kete fat une e pata atehere kur isha student duke e perjetuar, dhe keshtu krijova kontaktin e pare jetesor organik me po Lasgushin qe me ka shoqeruar dhe do te me shoqeroje per gjithe jeten” thote sdudiuesi i nje mografije unikale ne gjuhen angleze “The myth of Lasgush”.

Rrefimi i autorit: Varesia ime me yllin e Lasgushit

“Pra ishte nje mesazh i qarte dhe largpames se ne e paskeshim kete fat te kishim nje poet qe nje dite do t’ia falnim botes. Ne kete percaktim une ndjeja terrenin e nje studiuesi qe duhet te punoje gjate ne menyre qe te mund te zbuloje se cili eshte mesazhi qe fshihet pas vleresimit lapidar te prof.Cabej. Mire do t'ia falim botes mendoja une... por ky njeri nuk kishte te perkthyer qofte edhe nje germe ne gjuhe te huaja dhe nuk njihej ne boten e jashtme. Ketu lindi dhe ideja qe une duhet ta shkruaja librin tim ne anglisht. Veshtiresia e pare ishte perkthimi. Mund te thosha se Lasgushi eshte i madh, por tjetri natyrisht qe do te pyeste se pse eshte i madh. Pra, kete gje nuk mund ta jepja permes studimit por duhet te paraqesja pjesen me perfaqesuese te lirikes se tij. Te perktheja Lasgushin ka qene nder endrrat e mia pasi jam marre qysh heret me letersine dhe me perkthime te poeteve te ndryshem boterore klasike e bashkekohore. Me Lasgushin qe krejt ndryshe nga te tjeret pasi ta jepje ate ne anglisht dukej dicka krejt e pamundur. Nje dite kur as vete nuk e di se si ndodhi une po shikoja poezine "Ylli" te Lasgushit dhe mora lapsin ne dore e nisa nje nga nje t'i shkruaja vargjet ne anglisht. Pasi perktheva tri strofat e kesaj vjershe qe eshte unikale ne fjalen, mendimin akustiken e saj brilante dhe lodren gjuhesore qe nuk rresht asnjehere vura re se kishte dale mire. Nga njera ane u cudita por kjo gje me dha zemer. Ne tri jave arrita te perkthej liriken me perfaqesuese lasgushiane dhe pasi bera nje pushim 7-ditor u mundova serish te perktheja, por e pata te pamundur. Kjo ishte nje marreveshje fatlume e cila mbaroi atehere kur une perktheva disa nga lirikat e tij me ne ze. Keshtu kisha siguruar materialin mbi te cilin mund te punoja dhe te paraqisja studimet e mia mbi Lasgushin... Nderkaq dua te merrem dhe me autore te tjere te letersise shqipe. Megjithese shkruaj artikuj te shumte studimore per figura te ndryshme te literatures boterore gjithmone ne fokusin tim eshte krijimtaria ne gjuhen shqipe, aq me teper qe duke qene prej rreth 15 vitesh ne mergim, e quaj domosdoshmeri per mbijetesen time dhe te emigranteve te tjere kete ushqim shpirteror e kulturor. Lasgushi eshte ai qe eshte pikerisht se doli tek fjala, me mjetet e tij poetike, gje qe nuk kishte ndodhur me pare ne menyre kaq te spikatur, me kaq gjeni krijuese. Te Lasgushi une kam hyre nga brenda-jashte dhe jo nga jashte-brenda. Me befason te ky poet ajo bashkekohesi ne kohesi, gjykim, mesazh dhe ne ndertimin e kontekstit poetik te fjaleve, mbi te gjitha ne krijimin e kesaj lodre gjuhesore kaq te pervecme, unikale ne poezine tone. Ai arrin me mjete ne dukje kaq te thjeshta te realizoje mesazhe madhore, ngaqe me mire se kushdo tjeter, para apo pas tij ne letersine tjeter, arriti te skalise me dore mjeshtri jo gje tjeter, por kushtet themelore te poezise duke krijuar ate qe une i them, "lodra gjuhesore". Te Lasgushi nuk ka nje kuptim, ai krijon vetem kushtin e kuptimit por jo numrin, e mbase ne kete drejtim ai eshte shume prane poezise se sotme moderne, madje do ta quaja nder dy-tri poetet me te medhenj te kontinentit”. Nder gjithe keto rrefime plot nostalgji autori kerkon te mbahet ne nje burim te pastudiuar deri ne fund te pasurise poetike lagushiane. Ky burim eshte marredhenia e posacme e poetit shqiptar me kozmogonine, lidhja me unin dhe misterin e universit.

Ja e vërteta e lidhjeve të babait tim, Lasgushit, me dy mikeshat e tij


DOSSIER II

Për herë të parë, Maria Gusho, bënë publike marrëdhëniet e babait të saj, Lasgush Poradecit, me zonjat Meri Lalaj e Ana Jovani si dhe Kadarenë e Bashkim Shehun

"Ja e vërteta e lidhjeve të babait tim, Lasgushit, me dy mikeshat e tij"


..............

Dashnor Kaloçi

kohë më parë, u njohëm me ditarin e zonjës Meri Lalaj, në të cilin bëhej fjalë për lidhjet e saj intime me poetin e famshëm Lasgush Poradeci, në vitet 1980-1984, kohë kur ajo punonte si mësuese e anglishtes në qytetin e Pogradecit. Ditarin e saj, ajo e botoi pas viteve '90, fillimisht në Shtëpinë Botuese "Onufri" dhe më pas, kohët e fundit ajo e ribotoi në Shtëpinë Botuese "Omska". Sipas ditarit të zonjës Lalaj, aty jo vetëm që lihet për t'u kuptuar mbi lidhjet e saj të ngushta me poetin e famshëm, por aty thuhet qartë se çfarë marrëdhëniesh kanë ekzistuar midis tyre. Mirpo, atë e gjë, pra marrëdhëniet e Lalajt me Lasgushin, i kundërshton e bija e Lasgush Poradecit, Maria Gusho, e cila shprehet se aty në atë ditar, shumë gjëra janë të trilluara nga zonja Lalaj dhe nuk i përgjigjen fare së vërtetës. Lidhur me këtë, bënë fjalë dhe intervista ekskluzive e Maria Gushose, të cilën po e botojmë në shkrimin e mëposhtëm.


Zonjusha Maria, në ç' rrethana e keni njohur ju zonjën Meri Lalaj dhe çfarë e ka lidhur atë me familjen tuaj?
"Meri Lalaj ka jetuar shumë vjet në qytetin e Pogradecit, ku kemi banuar edhe ne familjarisht. Njohja e familjes sonë me këtë person, ka ardhur në një mënyrë krejt të çuditëshme, në ato vite që ajo punonte si mësuese e anglishtes në një shkollë 8-vjeçare në qytetin e Pogradecit. Duke qenë se Meri ishte kolege pune me motërn time më të madhe, Kostandinën, ajo filloi të vinte në shtëpinë tonë si shoqe e motrës. Duke qenë se njerzit që mund të shkelnin në shtëpinë tonë në Pogradec ishin mjaft të rrallë, ne e pranuam Meri Lalajn për disa arsye të cilat kishin të bënin me gjëndjen e saj sociale dhe shoqërore. Në atë kohë ne na vinte shumë keq për të, pasi para se të vinte në Pogradec, ajo kishte jetuar disa kohë në Minierën e Manzës së bashku me bashkëshortin e saj dhe më pas ishte e divorcuar nga ai pasi atë e kishin dënuar me burg për motive politike dhe ajo kishte mbetur e vetme me një vajzë të vogël nëpër këmbë. Pra me pak fjalë, në atë kohë ajo jetonte në një gjendje të mjeruar ekonomike, gjë e cila midis të tjerash na shtynte ta mëshironim dhe ajo shpesh ushqehej në shtëpinë tonë".

Për në ç' kohë bëhet fjalë, pra kur ka ardhur ajo për herë të parë në shtëpinë tuaj?
"Fillimet e njohjes sonë me këtë person, i përkasin vitit 1979-80 kur motra ime, Kostandina, u emërua si mësuese në qytetin e Pogradecit, por miqësia jonë me të, vazhdoi edhe disa vjet të tjera dhe ajo ishte ndër të paktët njerëz që shkelnin në shtëpinë tonë, pasi babai ynë, Lasgushi ishte mjaft i mbyllur dhe për shumë rrethana të tjera, miqtë e tij që mund të vinin për ta vizituar atë, siç thashë më lart, ishin mjaft të pakët".

Me që dolët në këtë pikë, mund të na tregoni se kush ishin miqtë më të ngushtë të babait tuaj në ato vite, pra kush ishin ata që e vizitonin atë në shtëpinë tuaj?
"Në parantezë desha të them se ne kemi pasur dy shtëpi, një në Tiranë dhe një në Pogradec. Babai me nënën, Nafien, dhe ne dy gocat, (unë dhe Kostnadina) shkonim nga Tirana në Pogradec, në periudhën që mbaronim shkollat dhe kishim pushimet verore. Në atë periudhë që ne qëndronim në Pogradec, babain vinin për ta vizituar miq shumë të rrallë. Ndër ata kujtoj shkrimtarin e njohur Ismail Kadare me bashkëshorten e tij, Elenën, Bashkim Shehun, djalin e Mehmet Shehut, si dhe Skënder Luarasin. Kishte dhe persona të tjetër nga Pogradeci që akoma dhe sot ne nuk i dimë arsyet se përse vinin në shtëpinë tonë. Por babai si miq më të ngushtë të tij, konsideronte Kadarenë dhe Bashkim Shehun, të cilët vinin më shpesh për të vizituar si në Pogradec ashtu dhe në Tiranë".
U shprehët se babai juaj Lasgushi, i vlerësonte shumë Kadarenë dhe Bashkim Shehun, në ç'aspekt e keni fjalën.
"Përveç anës intelektuale dhe profesionale, pra në fushën e letrave, babai fliste me superlativa për Ismailin e Bashkim Shehun, sepse vetëm ata të dy i ishin gjendur në momentet më të vështira që kalonte ai në atë kohë dhe babai thoshte gjithnjë: "Mik është ai që të gjendet në të keq e në rrezik", duke përmëndur Ismailin e Bashkimin".

Më konkretisht, ku i ishin gjendur ata Lasgushit dhe për çfarë e kishin ndihmuar?
"Unë po marr vetëm një aspekt. Kur unë dhe motra, Nina, mbaruam shkollat e mesme, Ismaili me Bashkimin ndërhynë që ne të na jepej e drejta e studimit për të vazhduar shkollat e larta, në Ekonomi e Letërsi që mbaruam unë dhe Nina. Në atë kohë, pra kur unë dhe Nina mbaruam shkollat e mesme, babai u kërkoi ndihmë Ismailit dhe Bashkimit, sepse ai e kishte shumë problem që ne të vazhdonim universitetin, jo thjesht për të marrë një diplomë, por të shkelje bankat e shkollës së lartë, ai e quante gjënë më të shënjtë. Kjo ishte edukata me të cilën ishte brymosur ai në shkollat europiane ku kishte studjuar. Pra që ne të mbeteshim pa u shkolluar, ishte plaga më e madhe që mund t'i hapje Lasgushit dhe që të shkolloheshim ne, do të thoshte t'i plotësoje atij një dëshirë të madhe shpirtërore. Kjo gjë vinte nga që ai e vuante shumë atë fakt, pra se ne mund të mbeteshim pa shkollë, për faj të karakterit të tij jo konformist me regjimin në fuqi. U zgjata pak në këtë pikë, por desha të them që si babai ashtu dhe ne, u jemi mjaft mirënjohës, Ismailit dhe Bashkim Shehut, për të gjitha ato që bënë për ne. Një nga personat e tjerë që na ka ndihmuar, ka qenë edhe Llazar Siliqi e Isuf Kamba, të cilët na ndihmuan në emërimin Ninës në Pogradec. Mirënjohjen ndaj tyre babai e ka shprehur dhe në ditarin e tij dhe në shumë letra dërguar atyre të cilat ne mund t'ua vëmë në dispozicion".

Të kthehemi përsëri tek çështja e zonjës Meri Lalaj, sa kohë dhe si vazhdoi miqësia e saj me Lasgushin dhe familjen tuaj?
"Miqësia e jonë me Meri Lalajn, e cila hynte dhe dilte në shtëpinë tonë fare normalisht, vazhdoi deri aty nga viti 1982, kur babait tonë i ra një ishemi cerebrlale, aq sa me porosi të Lidhjes së Shkrimtarëve, u ngarkua Llazar Siliqi për t'i bërë nekrologjinë. Por ashtu si Llazari i Biblës që u ngjall nga Krishti, edhe babai ynë Llazari, për fat të mirë nuk vdiq, por jetoi edhe shumë vjet të tjera. Në atë kohë me interesimin e nuk e di se kujt, në shtëpinë tonë në Pogradec, erdhi mjeku specialist Kadri Baboçi nga Tirana, i cili u kujdes gjatë për mjekimin e Lasgushit. Nisur nga ky fakt, në shtëpinë tonë filluan të hynin e dilnin shumë njerëz, të cilët pyesnin për shëndetin e babait. Një nga ata persona, ishte dhe Nuçi Tira, (krushk i familjes sonë, motra e tij ishte martuar me djalin e motrës së Lasgushit) ish'kuadër i vjetër i Sigurimit të Shtetit, i cili në atë kohë punonte në degën e Brendëshme të Pogradecit. Nuçi Tira me shumë dashamirësi na tha se ne duhet që të kishim shumë kujdes nga Meri Lalaj dhe të ruheshim nga ajo. Ne e vlerësuam këshillën miqësore që na dha Nuçi, e cila na korespodonte me një fakt, se në atë kohë disa biseda familjare tonat, kishin filluar të pëshpëriteshin nëpër qytet dhe dyshimet tona normalisht ranë mbi Merin, pasi vetëm ajo kishte dijeni për ato gjëra. Që nga ajo kohë, pra pas këshillës së Nuçi Tirës, ne filluam që të ruheshim nga Meri, por pa i rënë në sy asaj. Një nga arsyet e tjera që na shtynë të hapnim sytë në marrëdhëniet që kishim me të, ishte dhe fakti se në atë kohë ajo kishte shumë miqësi me një person të quajtur Ll. A. i cili njihej si njeri i Sigurimit. Këtë gjë ne e kishim mësuar nga burime të tjera shumë të sigurta".
Përveç zonjës Meri Lalaj, është folur që kullën e Lasgush Poradecit, e ka pas frekuentuar edhe një femër tjetër. Ky fakt është bërë i njohur publikisht, edhe nga ditari i babait tuaj i botuar pjesërisht para pak vitesh nga një revistë shqiptare, por dhe nga kujtimet e zonjës Lalaj në librin e saj: "Lasgushi në Poradec".
"Kjo gjë është më se e vërtetë. Përveç Meri Lalajt, në atë kohë në shtëpinë tonë filloi të vinte dhe një zonjë tjetër e quajtur Ana Jovani, që kishte mbetur vejushë e në mos gabohem ishte rreth 37 vjeçe. Ana ishte mësuese letërsie dhe duke qenë e pasionuar pas letërsisë dhe poezisë, ajo gjeti mënyrën për të hyrë në shtëpinë tonë. Po kështu sa herë vinte zonja Ana në shtëpinë tonë, aty vinte dhe një piktor i quajtur T.M dhe të tre bashkë me Lasgushin, diskutonin për artet dhe letërsinë. Lasgushit i bëri përshtypje dhe i hyri në zëmër ajo grua, sepse fliste me plot passion për artet dhe poezinë, e duke qenë se babai ishte njeri me zëmër të madhe dhe shumë kavalier, për ta sajdisur, i lëshoi zonjës Ana studjon e tij që ajo të jetonte aty dy muajt e verës, në periudhën e pushimeve shkollore. Në ato dy muaj që Ana qëndroi aty, vinte shpesh për vizitë dhe T.M".

Në ç'periudhë bëhet fjalë?
"Në mos gaboj duhet të ketë qenë viti 1979".


A ju bënin përshtypje familjes suaj, këto miqësira dhe veprime të babait, Lasgushit?
"Për të qenë e sinqertë deri në fund, duke e njohur mirë karakterin dhe temperamentin e ndjeshëm të babait tonë, ne nuk na bënin ndonjë përshtypje të madhe miqësitë e tija. Por edhe po të kishim ndonjë rezervë në këtë aspekt,nuk mund t'i ndërhynim kurrë babait në punët e tija, pasi ashtu na kishte edukuar ai dhe ne ishim aq të emancipuara sa nuk mund ta gjykonim atë".

Si rrodhi më pas miqëisa me zonjën Ana Jovani?

"Ato dy muaj që Ana qëndroi në shtëpinë tonë, ne filluam të dyshonim tek ajo, pasi shpesh herë ajo dilte nga shtëpia me çantat plot me libra. Këtë gjë, përveçse e kishim pikasur vetë, na e kishin thënë edhe disa miq të afërm të familjes sonë. Pas kësaj, ne me shumë delikatesë, filluam që t'ja thoshim babait këtë gjë, i cili heshtëte, por në veten e tij nxirrte konkluzionet e duhura. Kur mbaroi vera, mbas një sherri të paparë me njerzit e burrit nëpër gjyqe, zonja Ana u largua nga qyteti ynë dhe u vendos në vëndëlindjen e saj, në Shkodër. Këtu mori fund dhe miqësia e familjes sonë me zonjën Ana".

Po me zonjën Meri Lalaj, deri kur e vazhduat miqësinë?
"Aty nga viti 1983, mbas vdekjes së mamasë sonë, (Nafijes) motra ime, Kostandina, erdhi me punë në Tiranë dhe bashkë me të erdhëm dhe unë e babai, Lasgushi. Kështu mori fund miqësia jonë me Meri Lalajn, e cila vinte shumë rrallë në Tiranë dhe në këto rrethana u shkëputën lidhjet me të. Por ndonëse ato dy zonja i shkëputën fizikisht lidhjet me familjen tonë, familja jonë si të thuash mbeti peng i tyre, për shkak të shumë librave, dokumenteve e dorëshkrimeve që ato patën rastin të vidhnin në shtëpinë tonë. Një nga këto, ka qenë edhe ditari i babait, të cilin e vodhi zonja Meri Lalaj".

Lasgush Poradeci, ky shpikës harmonish






Nga Alket ÇANI


Nga gjithë poetët shqiptarë, askush, në shkallën e poezisë, nuk është ngjitur më lart se Lasgush Poradeci. Natyrisht që në poezinë shqipe ka poetë në dukje më të rëndësishëm se ai, ndoshta më të thellë e më të prirur ndaj mendimit abstrakt, por askush nuk është më poet se Lasgushi.

Poezia e Lasgush Poradecit u përket atyre veprave të cilat kalimi i kohës, në vend që t'i zbehë e t'i bëjë të humbin në peshë, përkundrazi, i forcon dhe ua rrit rëndësinë, ua bën më të pranishme ekzistencën.

Talentit të tij të pakundërshtueshëm, Lasgushi diti t'i bashkangjitë një punë të madhe e të mundimshme. Pikërisht këtu më duket se qëndron shkaku i përligjjes së një qëndrese kaq të sigurt të veprës së tij ndaj kohës. Ky mund i madh ka vetëm një synim : të bëjë një vepër sa më jetëgjatë. Dhe për këtë qëllim ai është përkujdesur, më tepër se për gjithçka tjetër, për atë aspekt të veprave letrare që është ndoshta çelësi i jetëgjatësisë së tyre e që quhet Formë.

" Ka vetëm formë, thoshte Frédéric Mistral-i, vetëm forma i ruan veprat e mendjes. " Ka vetëm formë : domethënë ka ritëm, rima, kult të kompozicionit, simetri figurash, eufoni, antiteza, me një fjalë të gjitha ato elemente të ndjeshme të cilat janë të prirura t'u rezistojnë shkaqeve të larmishme të zhdukjes që kanosin shprehjet e mendimit. Lasgushi nuk shpërfill asnjë element të formës ; asnjë teknikë vjershërimi, asnjë kombinim gjuhësor, asnjë manovër stili nuk është për të e huaj.

Shpeshherë të krijohet përshtypja se Lasgushi bën ç'të dojë dhe jo, siç bën pjesa tjetër e poetëve, ç'të mundet. Të duket se, në poezitë e tij, nuk ka asgjë të tepërt dhe asgjë të mangët ; çdo fjalë, çdo ritëm, çdo zgjedhje metrike, çdo zgjedhje strofike është menduar mirë para se të zbatohet në varg dhe në poezi. Gjithçka është në vendin e duhur. Në çfarëdo faqe që ta hapësh librin e Lasgushit nuk gjen aty asnjë varg të dobët ; asnjë dobësi formale. Përveç kësaj, askush, para dhe pas Lasgushit, nuk e ka parë aq imtësisht ligjërimin poetik si një gjuhë që duhet shpikur ; askush, si ai, nuk ka patur ambicjen për ta ngjizur dhe zotëruar në tërësinë e vet sistemin e shprehjes verbale.

Ky mjeshtër i fonetikës poetike, - që sa më shumë mbështetej në poezinë popullore aq më tepër i largohej stadit të poetit primitiv, - me anë të një interesi të madh për tingujt dhe fjalët, me anë të muzikalitetit dhe plotësisë së vargut, duke e ngritur poezinë në nivelin e këngës, të ndërmend ato formulat me karakter ritual e magjik, që quhen yshtje (të gjalla ende sot te ne), e që u shërbenin njerëzve të parë si armë për të mposhtur dukuritë e padëshiruara të natyrës, apo për të ndjellë të dëshiruarat. Forcë e fjalëve për të zbërthyer universin. Univers i tretur në fjalë poetike - e tillë është poezia e Lasgush Poradecit.

Në një letër të 12 dhjetorit 1950, Lasgushi i shkruan Shevqet Musarajt : " Po ju dërgoj sot " Poetë rumunë ", antologji e poezisë progresiste […] me të cilën jam ngarkuar duke marrë angazhim ta dorëzoj brenda vitit […] Kam bërë një shqipërim izometrik, izoritmik, izosinual dhe izosonal poezi për poezi dhe varg për varg.

Edhe atje ku rima ose asonanca është divizionale (dy fjalëshe) kam ruajtur në shqipet intencionin formal të autorit. Kjo metodë e iso-ve kërkon, siç e di, 20 herë punë më shumë dhe 20 herë mundim më të madh sesa metoda pa iso. Po pasi e mendova çështjen një vetëdije arti më tha : Më mirë mundim dhe poezi sesa lehtësirë - dhe non-poezi. Dhe kështu bëra […] "

Dhe kështu bënte Lasgushi, ky shpikës harmonish, edhe kur shkruante poezitë e veta. Kjo letër, ndër të tjera, na lejon ta kuptojmë këtë. Ata që përdorin mënyra të tilla e dinë mirë se ç'punë vigane, ç'operacione të vështira, ç'lodhje mendore duhen. Këto lloj mundimesh janë më të mëdha e më të thella se mundimet e Sizifit.

Dhe, nga ana tjetër, janë nga ato mundime që të shërbejnë për diçka, që të mësojnë diçka, madje shumë. Nga gjithë kjo punë e heshtur dhe e duruar, nga gjithë ajo përpjekje për të njëjtësuar përsiatjen poetike me zotërimin e gjuhës, është e pamundur që Lasgushi të mos krijonte një sistem poetik vetjak e që ne mund ta dallojmë të sendërtuar në poezinë e tij.
Një sistem poetik lasgushian, aspekti themelor i të cilit është, pa dyshim, uniteti i brendshëm i poezisë. Ky unitet i brendshëm, kjo arkitekturë e sigurt mund të ndërtohet vetëm nëpërmjet një lufte të ashpër e të vazhdueshme të Vetes me Veten, të dëshirës me mundësinë, të kaosit me rregullin, të lëvizjeve kontradiktore apo simetrike të mendimit, të pranimeve me refuzimet.

Nga kjo luftë mund të dalë i humbur poeti, por asnjëherë poezia. Të duket sikur përjetësisht, Lasgushi ka patur një vetëdije të përkorë për të shkrirë, në punën e tij krijuese, idenë e një lloj poezie absolute, ose pothuajse absolute, që ai kishte formuar, me të gjitha bukuritë dhe rigorozitetin e realizimit të kësaj poezie.

Do doja ta mbyllja këtë shënim me një vjershë jo shumë të përmendur të Lasgushit, por ku duket ndoshta, pas mendimit tim, më haptazi se kudo gjetkë në poezinë e tij, qëndrimi dhe vlerësimi ndaj marrëdhënies midis frymëzimit të jashtëm, atij me origjinë hyjnore, dhe frymëzimit të brendshëm që lind nga puna e poetit, e pandërprerë dhe metodike. Lasgushi, mendoj, favorizon këtë të fundit.

Vesa dhe loti

I mburrej vesa lotit me një të shkrepur djelli :
Përdhe ndaj baltësirës ty fat'i zi të flaku :
S'më shëmbëllen ti mua që jam një bijë qjelli,
Që jam e motr' e erës dhe shoq' e çdo zambaku.

Dhe loti tha : " Vërtet ! më lindi dhembj' e zezë,
Dhe dal nga syr' i vuar i zemrës njerëzore :
Po kur se ti prej qjellit pikon vetëm përdhezë,
Un' ik nga balt' e rëndë drejt kaltërsish qiellore.


Aksioni poetik i Lasgush Poradecit është aksioni i një njeriu që përmasohet në vetvete, që ndaj lirive, në art, parapëlqen kufizimet, që në vend të prodhimit të bollshëm vramendet për cilësinë, që " gjeniut " i kundërvë punën e mundimshme. Një poet i tillë shkruan rrallë e më rrallë. Që këtej, në sytë tanë, ai merr pamjen e një klasiku. Në kohën e eksperimenteve të skajshme, të ndryshimeve dhe luhatjeve të befta, të brishtësisë dhe paqëndrueshmërisë së shijeve, të shndërrimeve të shpejta të vlerave, të modave dhe risive të larmishme, të zhdukjes së përpjekjeve për qëndrueshmëri të veprave letrare, - dukuri karakteristike të botës së sotme -, Lasgushi, falë qëndresës së paepur, punës së vullnetshme, durimit mundimtar, refuzimeve dhe heshtjes, ka ditur ta ngrejë emrin dhe veprën e tij në shkallën e një emnese dhe t'i kuptojë jetëgjatësisë së veprave të artit sekretin.

Dragonjtë, nga Lahuta e Malcis te Këngët e Kreshnikëve



Dr. proc.Tonin Çobani, kritik letrar


“Pa mitin, çdo kulturë e humbet karakterin e saj të gjallë krijues, humbet forcën e vet të natyrshme”


Friedrich Nietzsche

1.


Në Lahutën e Malcis, ku këndohet epopeja më e re e një populli të lashtë evropian, si janë shqiptarët, Gjergj Fishta ripohon artistikisht një origjinë mitologjike të botës arbërore prej Dragonjve[1], ashtu si është e njohur prejardhja parahistorike dragonjane e botës anglosaksone dhe vazhdon të konsiderohet krenari për gjermanët heroi i tyre mesjetar, Zigfridi, që u bë i gjithëfuqishëm me gjak dragoi.


Përgjithësisht dragoi është përfytyrua me trup gjarpri dhe krahë të fuqishëm për fluturim: diçka që lidhet me kultin e gjarprit[2] dhe simbolin e shqiponjës.[3] Në mitologjinë popullore shqiptare dragoi është një bir nane që lind me shenjë për të mos e prerë shpata (ose plumbi). Ai ka fuqi të jashtëzakonshme. Muji, pasi ka pirë "tamel gjini nga zanat” është bërë dragua.


Figura e dragoi te shqiptarët nuk gjen paralele me mitologjinë greko-romake e biblike, ku dragoi përfaqëson forcat e kaosit, dhe me këtë simbolikë u përhap në një pjesë të Evropës pas periudhës klasike. Në kulturën paragreko-romake ose paraindoevropiane gjejmë mesazhet e një dragoi, ashtu si e përfytyronin, ndoshta, anglezët e hershëm dhe vazhdojnë ta përfytyrojnë shqiptarët deri në ditët e sotme: dragoi si një forcë e mbinatyrshme që simbolizon energjitë e brendshme të qenieve njerëzore kundër forcave shkatërruese të natyrës, qofshin këto forca edhe brenda ose përtej botës humane.


Së paku, te shqiptarët figura e dragoit është përvijim i heronjve të Dodonës, që zënë fill me Herkulin, Akilin[4] dhe vazhdojnë me Aleksandrin e Madh, Pirron e Skënderbeun. Te shqiptarët dragonjtë, si Gjergj Kastrioti e Lekë Dukagjini, vazhdojnë të lindin përsëri, deri në ditët e sotme (gjysma e dytë e shekullit të 20-të). Pikërisht, Dragonjtë e kohës së vet Fishta këndon si heronj në Lahutë të Malcis, duke u ndeshur me Kuçedrën (Kënga XVI) apo me trupat pushtuese të knjaz Nikollës (kënga XVII).

2.


Përfytyrimi i dragonjve në popuj të ndryshëm është i ndryshëm: nga Azia në Evropë, nga Wellsi ndër shqiptarë. Le të sjellim nëpër mend dragoin e kuq të Wellsit, që qëndron edhe sot e kësaj ditë si emblemë e flamurit të tyre kombëtar: është një figurë zvarraniku e stërmadhe me krahë. Më afër nesh, dikur troje ilire, i ngjashëm me të është modeluar dragoi slloven. Por ky përfytyrim nuk përputhet me atë që shqiptarët konsiderojnë dragua.


Ndoshta, ajo që na ofron Zigfridi i sagave gjermane na ndihmon të kuptojmë dragonjtë shqiptarë: ata janë njerëz të zakonshëm (si princi Zigfrid) me aftësi të jashtëzakonshme (si Zigfridi pasi ka pirë gjakun e dragoit dhe ka ngrënë zemrën e tij). Sot ky dragua shqiptar nuk është lehtësisht i shpjegueshëm: nëse nga përbindëshi me krahë (dragoi i kuq i Wellsit) u përfytyrua njeriu dragua (Zigfridi, Muji) apo nga heroi i fuqishëm (Muji, Skënderbeu) u përfytyrua një përbindësh me krahë, jo i ngjashëm me të, por i abstraguar si fuqi e jashtëzakonshme, shumë herë mbinjerëzore.


Gjithsesi, te dragonjtë shqiptarë, përveç fuqive të mbinatyrshme dhe pavdekësisë, janë evidente në çdo rast edhe krahët: si rudiment fizik dhe si funksion. Shtjefen Gjeçovi, sivëlla françeskan dhe mik i afërt i Fishtës, është ndër ata studiues, që rrënjët e popullit shqiptar i kërkuan në lashtësinë parakristiane e paraklasike. Ai shpjegon se një “njeri qi len (lind) me këmishë (ose “me flatra t’arta nën sqetull”) bahet drangue”[5] Dhe ky Dragua shqiptar është krejt ndryshe jo vetëm nga dragoi që u mund prej Shën Gjergjit (mitologjia biblike), por edhe nga ata dragonj që, sipas mitologjisë greko-romake, përfaqësonin forcat e kaosit dhe qenë mundur prej Zeusit, Apollonit, Kadmit etj.[6]


3.


Me një lexim të parë të Lahutës së Malcis, lufta kundër Kuçedrës vjen si një konflikt paralel me konfliktin e shqiptarëve kundër trupave pushtuese të knjaz Nikollës së Malit të Zi (Krajli i eposit të kreshnikëve). Por, në thelb, lufta e Dragonjve me Kuçedrën është një konflikt universal midis të mirës dhe të keqes, që, në tërësinë e Lahutës, na kumton se heronj të tillë, si: Marash Uci, Oso Kuka, Ali pashë Gucia, Çun Mula e plot të tjerë përfaqësojnë të mirën, prandaj edhe fitojnë, pavarësisht, nga rrethanat historike, që, përgjithësisht, i kanë jo të favorshme. Pak a shumë kështu vijnë edhe heronjtë e Këngëve të Kreshnikëve: Gjergj Elez Alia, Muji, Halili, etj.


Kuçedra, e cila duhet mundur prej Dragonjve, është një mostër i stërmadh “me shtatë krena e gjashtë palë kthetr”’. Ajo shfaqet në Bigë të Shalës (Dukagjin) dhe shtrihet me bisht deri në breg të lumit Drin (“N’Bigë t’Shalës ka dalë Kuçedra... Bishtin gjatë me i mbërrijtë në zall”). Kuçedra është zemëruar dhe “zjarr e squfur tue flakërue, krepa e gur tue rrokullue, Dukagjinin don me shue”.


Edhe Bajlozi (“Kishte dalë një Harapi zi prej detit”) Gjergj Elez Alinë “e ka shinue” në topuz:


“përmbi kryet topuzi i ka fjurue,
dymbëdhjet' pash m'lendin' u ngul topuzi,
dymbëdhjet' pash përpjet' si re, u çue pjuhni.”


4.


Në Lahutë të Malcis është edhe një Dragua fëmijë, Vocërr Bala, i cili na kujton Omerin e gjithëfuqishëm qysh në moshën 7-vjeçare. Madje për shkak të Vocërr Balës nis konflikti i Dragonjve me Kuçedrën në këngën e 16-të, sepse Kuçedra “Dukagjinin don me e shue për një dhunë që i ka ba Shala kur dragoi Vocërr Bala fëmijë tue qenë n’një shpatull të Malit n’gjumë e ndeshka e një sy prej ballit nxjerr ia paska me një hu, kah ia ngulka der në tru”. Ndërsa dragoi protagonist kryesor është Llesh i Zi, i cili u prin dragonjve kundër Kuçedrës dhe vetë i jep asaj goditjen kryesore:


Në këngën e 17-të të Lahutës së Malcis dragonjtë rugovas Xhem Sadria e Rrustem Uka bëhen përsëri të pavdekshëm kur bien në pritën e 300 malaziasve të knjaz Nikollës, duke u shndërruar, kështu, në Dragonj (“Pse Dragonj t’dy tue qëllue, Me Kulçedrën i’n mësue me u gjue”).


Dragonjtë kanë armët e tyre, që mund të jenë gurë të stërmbëdhenj (“Po i shtrëngohet Let Patani edhe dyndë një bet currani, njizet vetë, po, mos m’e lujtë”), vegla të përdorimit të përditshëm (“E me fuzhnja e dana t’gjata, me veriga e rrfanë çeliku, hekra barkash të Venedikut”) apo armë tradicionale, si: shpata (“Rrustem Uka, trimi i trimit ... e rrokë shpatën me dy duer”), topuzë (“Tom Galia... trandë topuzin, njëqind okë”), heshta (“Gjeto Gega shpejt ka rrahë heshtën trashë sa një mashkull (bosht) qerri”) e deri te armët e zjarrit, pasi epiteti i Mehmet Shpendit është “pushkatar” (“N’atë Mar Lulën, trim bujar, n’Gjelosh Kolën, kuvendtar, n’Mehmet Shpendin, pushkatar”).


Ky arsenal armësh në përdorim të dragonjve, që Fishta jo rastësisht ka përshkruar, merr vlerat e shtresëzimeve “arkeologjike” prej nga vijnë figurat mitologjike të dragonjve, me të cilët identifikohen luftëtarët malësorë në Lahutë të Malcis dhe, përmes tyre, mbarë bota shqiptare, përfshirë edhe trimat e Jutbinës. Kuçedra, nga ana e saj, ka si armë kryesore kundër dragonjve përveç gurëve (“Hidhen krepat porsi ranë(rërë) flakërojnë currat...”) edhe zjarrin e jargët (pështymën) e qelbura (“Lëshoju flakë e zjarr prej goje, hidhju jargun hoje-hoje, një ditë udhë me ikë prej soje, prej qelbësirës që i del goje”).

Mund të hiqet një paralele me Gjergj Elez Alinë. Ai pasi “likpërmjet' balozit te i ka ra” në topuz dhe me shpatë “kryet me neje trupit ia ka damun”:


zhag për kambet trupin e ka ngrehun,
me gjith' at m'nji bunar e ka mbytun,
të tan' lumën gjaku e ka tërzue,
për tri vjet krejt vendin e ka qelbun.


5.


Gjatë kohës kur shkruhej Lahuta e Malcis, qeniet mitologjike të dragonjve nuk ishin sistemuar ende ndër tekste universitare e enciklopedi të kulturës popullore shqiptare. Për dragonjtë bisedohej sa herë vetëtinte e bubullonte, dimrit apo verës. Flitej për luftën e tyre me një Kuçedër diku më afër apo më larg vendbanimeve të atyre që tregonin, në vartësi me horizontin e gjëmimeve të motit. Dhe ashtu në përshkëndritjen e dritës së vetëtimave dragonjtë përfytyroheshin në qiell, si heronj të dritës; ndërsa gjëmimet e bubullimave shkaktoheshin prej goditjeve mbi Kuçedrën antagoniste, që vinte nga nëntoka, nga bota e errësirës dhe shkaktonte thatësirën, dëmtimet e gjësë së gjallë dhe fatkeqësitë e njerëzve.


6.

Studimet e derisotme mitologjike për dragonjtë shqiptarë kanë qenë përgjithësisht përshkruese dhe me ndonjë tendencë krahasuese të paargumentuar deri në fund me figura të përngjashme të mitologjisë ballkanike.[7] Për pasojë, konflikti në mes të asaj që shënjon fjala “dragua” në mitologjinë shqiptare (dhe në Lahutë të Malcis e në Këngët e Kreshnikëve) dhe të asaj që po kjo fjalë shënjon në mitologjinë greko-romake (dhe në mitologjinë biblike) ka mbetur ende i pazgjidhur. Këtë gjë e vërejmë edhe në etimologjinë jo fort të qartë të fjalës dragua (drague) apo drangue (drangua), që merret, sipas Çabejt, si “huazim prej latinishtes, e cila, nga ana e saj, e ka prej greqishtes së vjetër”[8] Por Çabej lë edhe një shteg të hapur për këtë huazim gjuhësor, sepse, vëren ai, “figurat vetë të Dragonjve mund të jenë të një burimi vendas paralatin e të jenë përzier pastaj me përfytyrimet romake”.[9] Dhe me të vërtetë ai burim vendas, i cili është jo vetëm paralatin, por edhe parahelen, shpjegon faktin përse dragonjtë te shqiptarët kanë mbetur në një “rol heroik... bash të përkundër me atë tjetrin të një përbindëshi”[10] si Kuçedra. Ky shteg i çelur prej Çabejt ka shpjegimin e vet ndër studiues të thelluar të mitologjisë universale, të cilët kanë arritur në përfundimin se kulti i Dragoit ka pësuar ndryshime në kuptimësinë e vet simbolike.[11] Kështu, më parë se në mitologjinë greko-romake (dhe më pas në mitologjinë biblike) dragoi të përfaqësonte simbolin e së keqes, ai (dragoi) është njohur si “beneficent”, simbol i së mirës, si “qenie symprehtë e sydepërtues në thellësi të tokës”[12] për të parandaluar të keqën që mund t’u vinte njerëzve prej andej. Ne na vjen për mbarë të themi se dragonjtë, simbol të së mirës u konsideruan si të tillë prej pellazgo-ilirëve dhe ashtu kanë mbetur në vazhdim deri te shqiptarët e ditëve të sotme. Ka edhe studiues të tjerë të mitologjisë që mbështesin tezën e ndryshimit të kultit të dragonjve, pasi i përcaktojnë ata edhe si simbol i së mirës, “i draghi buoni”[13]. Madje te kulti i Dragonjve shohin edhe energjitë e frikshme instiktive të brendësive të qenieve njerëzore, pak a shumë, ashtu si në këngën e 16-të të Lahutës së Malcis i paraqet edhe Fishta dragonjtë në luftë me Kuçedrën.


7.


Është e kuptueshme se Fishta nuk u nis nga arsyetime të gjata shkencore për të krijuar figurat e dragonjve të Lahutës së Malcis. Ai u mbështet në letërsinë gojore të popullit (përfshirë edhe Këngët e Kreshnikëve), epopenë e të cilit po këndonte (këngën e Gjergj Elez Alisë ai e rikrijoi thuajse ad literat qysh në blenin e dytë, botuar më 1907). Ai bëri objekt të krijimtarisë së vet ngjarjet më të rëndësishme historike të periudhës së Rilindjes Kombëtare, heronjtë me të shquar ndër shekuj të shqiptarëve dhe u ndal në përshkrimin e episodeve ku heroizmi masiv shpalosej si një ndërgjegje kolektive. Pikërisht, në kërkim të rrënjëve të kësaj ndërgjegjeje kolektive kombëtare, atij iu desh të lyente pendën në mitologjinë popullore, që vinte deri në kohërat moderne si një realitet kulturor gjithëpërfshirës i komunitetit shqiptare: i krahinës pellazgo-ilire, i fisit iliro-arbëror apo i individit shqipfolës. Shi në këtë fazë të kërkimit të rrënjëve etno-kulturore të popullit të vet iu shfaq figura e shqiptarit-dragua në luftë me të keqën, figura e dragonjve të tregimeve popullore në luftë me kuçedrën. E keqja, kuçedra, tanimë ishte edhe lakmia e knjaz Nikollës për tokat shqiptare të Plavës dhe Gucisë, ashtu siç ishte, si shkretimi i Kuçedrës, çdo agresion ushtarak ndaj trojeve shqiptare.


Ka pasur studiues, që, të orientuar nga një interpretim i Jungut për demonologjinë, kanë arritur ta argumentojnë antagonizmin e dragonjve me kuçedrën, si një “dyskajshmëri psikologjike”[14] Edhe me një këndvështrim të tillë mund të komentohet kënga e 16-të e Lahutës së Malcis, nëse marrim parasysh groteskun e Fishtës në realizimin e artistik të kuçedrës (“një ditë udhë me ikë prej soje, prej qelbësirës që i del goje”), përkundrejt epiteteve për dragonjtë (“trim si Zana, trim bujar, trimi i trimit, pika e djalit, harushë mali, kuvendtar, burrat e dheut, që u pëlqen kanga” por edhe “trima t’qartun, katallanj, si reja me shtrëngatë, si i terbue”) apo në kontrast me lirizmin idilik që derdhet në pasqyrimin e Orëve të Maleve. Dhe kur vjen puna të analizohen këto epitete që Fishta u ka dhënë dragonjve, ngjashmëria e tyre me Kreshnikët është më e shpjegueshme. Mbi të gjitha te kënga “Fuqia e Mujit”:


E ka marrë Muji gji me pi,
O, se ç’po i jep edhe Zoti fuqi:
Kenka ba si me kanë drangue
Ka marre gurin me e peshue,
N’cep të krahit Muji e ka vdue:
Njimijë okësh gurit i ka qindrue.


Rrënjët mitologjike të iliro-shqiptarëve, edhe nëse ne nuk i kërkojmë te figura mitike e dragoit, si këndon Fishta në Lahutë të Malcis (ku duhet parë integruar edhe kulti i gjarprit dhe simboli i shqiponjës), ato rrënjë aty janë. Kur rapsodi shqiptar këndon për Mujin “Kenka ba si me kanë drangue” ai e beson atë që këndon për të shkuarën dhe të ardhmen e vet.





[1] Tonin Çobani, Figurat mitologjike në Lahutë të Malcis, TOENA, Tiranë, 2008.

[2] Sipas Aleksandër Stipçeviq-it “asnjë kafshë në simbolikën religjioze të ilirëve nuk ka luajtur rol të rëndësishëm sa gjarpri”, sado që këtë simbolikë e kanë pothuaj “të gjithë popujt që shtrihen në viset ku jetojnë gjarpërinj”. Gjarpri është kafshë ktonike “simbol i mençurisë, i së keqës, shëndetit, plleshmërisë”(Aleksandër Stipçeviq, “Ilirët, historia, jeta, kultura, simbolet e kultet”, Toena, Tiranë, 2002, f.309). Kujtojmë gjarpërinjtë që u japin forcë kreshnikëve ose u shërojnë plagët..

[3] Dhimitri Pilika, Pellazgët, origjina jonë e mohuar, Botimet Enciklopedike, Tiranë 2005. Dhimitri Pilika ka argumentuar se Shqiponja e Zeusit të Dodonës, parahelene, është përcjellë ndër iliro-epiroto-shqiptarët, si simbol i potencës së sundimit dhe ndëshkimit. Ajo vjen nga qielli dhe kur është me krahë të hapur simbolizon diellin dhe rrezet e tij. Shqiponja u kundërvihet kafshëve htonike, edhe gjarprit. Nga shtatë mëkatet më të rënda, simbolizon krenarinë, ndër katër virtytet bazë, drejtësinë (Dizionario dei simboli, Edizione Piemme, Monferrato, 2004, f.96). Te Cikli i Kreshnikëve janë zogjtë që u shërbejnë heronjve shqiptarë për të mos ia lënduar kush krenarinë dhe për të dëshmuar drejtësinë e bëmave që kryejnë.

[4] “Akili ishte pellazg e jo helen, stërgjysh i Pirro Millosit, këtij stërgjyshi autentik të Skënderbeut dhe të mbarë shqiptarëve” (Dhimitri Pilika, vepër e cituar, f.319).

[5] Shtjefen Gjeçovi, Trashëgimia trako-ilire, Ora, Tiranë ,2003, f.74.

[6] Angela Cerinotti, Atlante dei Miti dell’antica Grecia e di Roma antica, Casa editrice Demetra, Colognola di Colli, 1998, f.85. Dizionario dei simboli, f.96.

[7] “Dragoi: Figurë gjysmë-njeri e mitologjisë së Shqipërisë veriore (!?)... dhe i ngjet zmaj-it serb e bullgar” (Robert Elsie, Leksiku i kulturës popullore shqiptare, Skanderbeg-books, Tiranë, 2005, f.49).

[8] Eqerem Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes III, Tiranë, 1987, f.302.

[9] Po aty, f.301.

[10] Po aty, f.301.

[11] Jonathan Zittell Smith, Animals and plants in myth and legend, në The new Encyclopaedia Britannica in 30 volumes, Macropaedia I, Çikago, 1984, f.915.

[12] The new Encyclopaedia Britannica, Mikropaedia III, vepër e cituar, f.652.

[13] Angela Cerinotti, vepër e cituar, f.92.

[14] Ruzhdi Ushaku, Hulumtime etnolinguistike, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2000, f.18.

Burimi: Revista Kuvendi

Gazetari Prishtinas Baton Haxhiu

Zotri  Baton Haxhiu ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë një debati televiziv, ku ka pohuar se Partia Socialiste (PS) ka kontribuar për...