Ja e vërteta e lidhjeve të babait tim, Lasgushit, me dy mikeshat e tij
DOSSIER III
Për herë të parë, Maria Gusho, bën publike vjedhjet që i bënë babait të saj, Lasgushit, zonjat Lalaj e Jovani si dhe falsifikimet e shpifjet e Merit në librin"Lasgushi në Poradec"
"Ja si ia vodhën dorëshkrimet Lasgushit, dy mikeshat e tij"
--------------------------------------------------------------------------------
Dashnor Kaloçi
Nëpërmjet intervistës ekskluzive të Maria Gushos, u njohëm me historinë e plotë të lidhjeve të babait të saj, Lasgushit, me dy mikeshat e tij, zonjat Lalaj dhe Jovani. Sipas dëshmisë së saj, zonja Meri Lalaj e cila ka botuar së fundi librin: "Lasgushi në Poradec", hyri fillimisht në shtëpinë e tyre rreth vitit 1979, si shoqe e kolege e motrës së saj, Kostandina Gushos, pasi në atë kohë ato të dyja punonin së bashku si mësuese në shkollën 8-vjeçare të Pogradecit. Miqësia e zonjës Lalaj me familjen Gusho e Lasgushin, zgjati deri aty nga viti 1983-84, sepse pas asaj kohe, me vdekjen e nënës së tyre, Nafijes, Kostandina u transferua për në Tiranë, e bashkë me të për në kryeqytet, u zhvendosën edhe Maria me Lasgushin. Pikërisht në këtë kohë mbaron dhe shoqëria e tyre me zonjën Lalaj, e cila në shtëpinë e tyre në Tiranë shkonte shumë rrallë. Ndërsa zonja tjetër, Ana Jovani, hyri në shtëpinë dhe shoqërinë e Lasgushit, po në atë kohë dhe shkak për atë lidhje miqësore, u bë pasioni që kishte ajo për Letërsinë. Por sipas Maria Gushos, të dyja zonjat në fjalë, përfituan nga zemërgjërësia e Lasgushit dhe e shpërdoruan besimin e tij, duke i vjedhur shumë dokumente, dorëshkrime, e libra të ndryshëm, ku ndër to bënte pjesë edhe ditari i poetit, të cilin pas kërkesës së vajzave të Lasgushit, zonja Lalaj ia ktheu atyre në fillimin e viteve '90.
Në foto:Meri Lalaj
Znj. Maria, si e mësuat ju se ditarin e e babait tuaj, Lasgushit, ua kishte vjedhur zonja Meri Lalaj?
"Aty nga vjeshta e vitit 1990, një miku im, më erdhi një ditë në zyrë dhe më më tha se në një libër që Ismail Kadareja kishte dorëzuar për shtyp, kishte një kapitull shumë të bukur të titulluar "Portreti i Lasgush Poradecit". Nisur nga dëshira ime e madhe për ta lexuar sa më shpejtë atë pjesë dhe gjithë librin e Kadaresë, miku im u detyrua dhe më solli bocat e librit që me shumë mundime mundi t'i merrte nga shtypëshkronja. Pasi nisa ta lexoja me një frymë, gjithë kënaqësinë për çka ishte shkruar aty, ma prishi pjesa e fundit ku unë shtanga kur e lexova".
Çfarë ishte shkruar aty?
"Në faqen 223 të librit "Ftesë në studio", (botim i vitit 1990 i Shtëpisë Botuese "8 Nëntori") shkrimtari i njohur Kadare, shkruante: "Shumë fletore të tij u zhdukën gjatë stinëve, kur ai e braktiste "kullën" e Pogradecit, për të kaluar dimrin në Tiranë. Një prej humbjeve është proza "Vizita e zonjëshës Ana X në kullën time". Një person që nuk e di në ç' rrethana kishte arritur ta merrte, ma dha mua për ta lexuar vetëm për një natë. Më pas, kur pas vdekjes së tij e pyeta për fatin e dorëshkrimit, ma mohoi. "nuk ju kam dhënë kurrë një dorëshkrim të tillë dhe as e kam patur kurrë në dorë" më tha duke më vështruar si të më thoshte: ndoshta e keni parë në gjumë". Kështu shkruhej në librin e Kadaresë".
Ju a e kishit lexuar ndonjëherë në dorëshkrim "Vizitat e zonjës Ana X në kullën time"?
"Unë e kisha lexuar disa herë atë prozë, por në ato momente që lexova bocat e librit, mësova se atë prozë na e paskërka një person, që ia kishte dhënë për ta lexuar për një natë edhe Ismail Kadaresë. Por ajo që na mundonte më shumë, ishte mendimi në se atë shkrim e kishte lexuar vetëm Ismail Kadareja, miku i ngushtë i babait tonë, apo personi në fjalë, mund t'ua kishte dhënë dhe personave të tjerë për ta lexuar".
A ju shkoi ndër mënd se kush mund të ishte ai person që ia kishte dhënë prozën në fjalë Kadaresë?
"Menjëherë sapo unë mësova nëpërmjet bocave të librit të Kadaresë, për atë fakt, bashkë me motrën time, Kostandinën, biseduam gjërë e gjatë dhe filluam që të çonim nëpërmënd të gjithë ata pak njerëz që kishin hyrë e dalë në shtëpinë tonë në atë kohë që jetonim në Pogradec dhe babai ynë ishte ende gjallë. Në mëndjen tonë sillej enigma e madhe se kush mund të ishte ai person që e njihte edhe Ismail Kadareja dhe cilat ishin arsyet që vetë Ismaili e denoncoi vetë në shkrimin e tij "Portreti i Lasgush Poradecit". Menjëherë ne u kthjelluam dhe i vumë gishtin, duke i thënë njera tjetrës, se i vetmi person që mund ta kishte bërë atë gjë, ishte zonja Meri Lalaj. Duke bërë lidhjet llogjike me ato fjalë që na kishte thënë për të, Nuçi Tira, ne nuk kishim më asnjë dyshim se ajo ishte autorja e vjedhjes së ditarit të babait tonë".
Pasi krijuat bindjen për atë gjë a e takuat zonjën Lalaj?
"Po, vetëm disa ditë më pas, aty nga fundi i tetorit 1990, motra ime Kostandina, shkoi në Pogradec dhe u takua me Merin, së cilës i tha: "Meri, ma jep ditarin "Vizita e zonjushës Anë" të cilën na e ke marrë". Ajo e befasur iu përgjigj: "Nga e di ti se atë e kam unë?". Kostandina i tha me vendosmëri: "Nuk po të them e ke apo nuk e ke ti, por të mendohesh mirë, po nuk ma dhe". Pas këtyre fjalëve disi kërcënuese të Ninës, zonja Lalaj duke u drithëruar, kishte belbëzuar dhe i ishte përgjigjur: "Mirë, do ta sjell në Tiranë, pasi s'e kam këtu". Motra ime Kostnadina në fakt nuk i kishte besuar fjalët e saj, por sidoqoftë ishte tërhequr duke e pritur në se do ta mbante fjalën që i tha".
A e mbajti fjalën zonja Lalaj?
"Po, pas disa ditësh, më datë 12 nëntor 1990, e cila korespondonte më tre vjetorin e vdekjes së Lasgushit, Meri erdhi në shtëpinë tonë në Tiranë dhe solli fletoren origjinale ku ishte shkruar ditari. Ne u gëzuam pa masë, sepse pas dhjetë vjetësh të padijes sonë për ditarin e babait, ai na ra përsëri në dorë. Gëzimi ynë ishte aq i madh,sa ne duke harruar çdo të keqe që na kishte bërë zonja Lalaj, e mbajtëm atë në drekën përkujtimore të babait. Po kështu gjatë asaj dreke ne filluam t'i shfaqnim asaj të njëjtat marrëdhënie të dikurëshme kortezie".
Po si rrodhën ngjarjet më pas me zonjën Lalaj dhe si u bë i mundur botimi i "Vizitat e zonjushës Ana në kullën time" në një revistë shqiptare?
"Në parantezë, desha të sqaroj se përpara botimit në atë revistë, gazeta juaj (Gazeta Shqiptare) në vjeshtën e vitit 1995, kishte nxjerrë një lajmërim, tip reklame, ku thuhej se së shpëjti, Shtëpia Botuese "Onufri" do të publikonte të ashtuquajturin "Vizitat e zonjushës Ana X në kullën time".
Përse thoni "të ashtuquajturin"?
"Them të ashtuquajturin, sepse babai ynë, Lasgushi, në ditarin origjinal, e kishte vënë dhe mbiemërin e zonjës, Ana, gjë e cila provonte më së miri, që marrëdhëniet midis tyre, nuk ishin "konspirative" dhe "kompromentuese". Pas këtij njoftimi ne normalisht u tronditëm, duke menduar se kush ishte ai njeri që kërkonte të bënte atë plagjiaturë të shtrëmbëruar, kur ishim gjallë ne dy vajzat e Lasgushit. Menjëherë na vajti mëndja tek Meri Lalaj, por përsëri nuk donim ta besonim se si ajo grua guxonte vallë ta keqëpërdorte faljen tonë. Për ta vërtetuar atë gjë, u lidhëm menjëherë me botuesin e "Onufrit" zotin Bujar Hudhri, i cili erdhi në shtëpinë tonë dhe na konfirmoi se vërtet gruaja e quajtur Meri Lalaj, kishte bërë një libër në formë ditari që e kishte titulluar "Lasgushi në Poradec", ku përfshihej ditari i tim eti "Vizitat e zonjushës Anë, në kullën time", dhe na tregoi ditarin e poetit që e kishte bërë gati për botim në një letër bojëqielli, si ngjyra e liqenit".
Ju i kërkuat zotit Hurdhri që ta ndalonte botimin e atij libri?
"Normalisht, me mirësjelleje, unë i thashë zotit Hudhëri që në bazë të ligjeve në fuqi për të drejtën e autorit, ai nuk duhet ta botonte atë libër, pasi nuk kishte marrë lejen tonë dhe kjo gjë të paktën nga një shtëpi botuese tepër serioze si "Onufri" duhej respektuar, sepse ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një vjedhje e hapur. Pas kësaj zoti Hudhri me çiltërsinë e tij ma zbuti pak zemërimin duke thënë: "S'më vajti mëndja, por zemra ma donte që të botoja edhe unë diçka për poetin e madh".
Si vendosët pas kësaj, a ia dhatë lejen zotit Hudhri për ta botuar librin e zonjës Lalaj?
"Për hir të mirëkuptimit me zotin Bujar Hudhri që na e fitoi zemrën me fjalët e sjelljen e tij korrekte, ramë dakort edhe me Meri Lalajn, që ta botonte librin e saj, "Lasgushi në Poradec", por pa ditarin "Vizitat e zonjushës Ana X në kullën time". Si kompromis ne i dhamë fjalën Merit që të mos e bënim publike faktin e vjedhjes së ditarit nga ana e saj. Por peripecitë tona me zonjën Lalaj, nuk ishte e thënë të kishin të sosur, sepse ditari "Vizitat e zonjushës Ana X në kullën time", filloi që të shpërndahej si trakt anë e kënd Shqipërisë. Ai ditar u dërgua edhe në redaksinë e një reviste prestigjoze, e cila normalisht e botoi atë sipas asaj që u kishte dorëzuar zonja Lalaj. Ne e hodhëm në gjyq revistën në fjalë dhe e fituam gjyqin duke marrë dëmshpërblimin, për shpifje dhe shkelje të së drejtës së autorit, pasi Meri e kishte falsifikuar ditarin duke shtuar gjëra nga fantazia e saj. Po kështu zonja Lalaj arrinte deri atje sa që shumë sende të blear tek tregu i Gabit, i servirte nëpër miqtë e saj, si suvenire që ja kishte dhuruar Lasgushi. Këto fjalë na vinin edhe ne në vesh dhe ramë në pozitë të vështirë, pasi s'kishim si t'ua mbushnim mëndjen njerëzve se çfarë e lidhte atë kreaturë me babanë tonë, Lasgushin. Kështu përfunduan peripecitë tona me zonjën Lalaj, e cila nuk i ndahet spekullimeve të saj, gjë të cilën e tregoi edhe me ribotimin së fundmi të librit të saj "Lasgushi në Poradec", ku ajo përsëri ka vazhduar avazin e shpifjeve monstruoze të saj, gjë për të cilën ne do i drejtohemi gjyqit".
Konkretisht, me pak fjalë mund të na thoni se çfarë shpifjesh e falsifikimesh ka bërë zonja Lalaj në librin e saj "Lasgushi në Poradec"?
"Në faqen 63 të atij libri shkruhet: "Lasgushi tha: Gruaja duhet të jetë skllave dhe është skllave, duhet të bëjë siç i thotë burri! Kurse unë në mëndjen time: Mirë e ke o Lasgush, mirë, por harron kur na ulen burrat në gjunjë e na luten me lot në sy duke na thënë plot marrëzira përkëdhelëse". Ja pra se ku shkon marrëzia e Meri Lalajt, kur dihet shumë mirë se si i ka kënduar Lasgushi emanicipimit të femrës shqiptare. Po kështu në faqe 109, ajo thotë se "ndodhet një faqe e shkruar për qëllimin final të Lasgushit dhe mban datën 12 shtator 1978, gjë e cila në gjyq u provua se ishte fallsifikim. Po kështu aty ajo ka shkruar sikur, babai ynë i ka thënë zonjës Ana Jovani: "Ti do bëhesh Ana Lasgush Poradeci, por ajo nuk pranoi duke i thënë : ti je i martuar". Të gjitha këto janë fantazira dhe sajime të paskrupullta të Meri Lalajt, ashtu siç është i mbushur i gjithë libri i saj".
Si e shpjegoni këtë fakt, përse i ka bërë ajo këto gjëra?
"Meri Lalaj kërkon të mbahet fort pas emrit të Lasgush Poradecit, për të mbuluar mëkatet e veta".
Po me zonjën Ana Jovani a keni pasur të tilla probleme?
"Zonja Ana Jovani, ndryshonte nga Meri Lalaj, sepse Ana ato që kishte vjedhur nuk i botoi".
Pse çfarë pati vjedhur ajo tek ju?
"Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së babait, ajo ishte në shtëpinë tonë dhe fshehtas futi në çantën e saj, librin "Histori të Literaturës Franceze" dhe "Visaret e Kombit". Ne i thamë babait, i cili i bëri telegram asaj, por ajo nuk i solli. Në qershorin e vitit 1980 kur unë kisha marrë rrogën e parë dhe po qerasja babain, Lasgushin, në "Arbana", Ana na erdhi në tavolinë, pasi atë ditë ajo kishtë sjellë fëmijët e klasës së saj në ekskursion në Tiranë. Babai menjëherë i tha: "Të lutem të më kthesh të gjitha që më ke marrë". Ajo u përgjigj: "Unë nuk kam marrë asgjë pa dijeninë tuaj". Babai akoma më i zëmëruar ia ktheu: "Unë nuk po të them me leje apo pa leje, por po të them më kthe çfarë më ke marrë". Kështu u detyrua Nina dhe shkoi në shtëpinë e saj në Shkodër për t'i marrë ato dhe aty ajo pa të varura në mur, disa kartolina me pamje nga Shqipëria, riprodhime të piktorit kroat, Paja Ivanoviç, të cilat Lasgushit, ia kishte sjellë nga Ohri një shok shkolle i Rumanisë. Ana u shfajësua duke i thënë Niniës se ato ia kishte dhuruar vetë Lasgushi dhe në fund nuk ia dorzoi e i mbajti për vete