"Refuzimi i shkrimit' -Libri Sui Generis i Moikom Zeqos


Shkruar nga: FATMIR MINGULI'






Libri “Refuzimi i Shkrimit” i Moikom Zeqos u publikua nga Shtëpia Botuese “Dituria”. Për mendimin tim është një nga librat më të çuditshëm që janë botuar në Shqipëri. Epiteti i çuditshëm ngjan pak patetik, ose subjektiv. Për këtë libër janë shkruajtur disa shkrime në shtypin e përditshëm dhe janë bërë disa emisione në mediat televizive. Kam parasysh këtu shkrimet e Dr. Fatos Tarifës dhe studiuesit, përkthyesit dhe shkrimtarit nga Shkupi, Ahmet Selmani.

Në këto shkrime shënjohet diçka e veçantë: libri “Refuzimi i Shkrimit” është libri i një intelektualiteti të lartë, që e karakterizon këtë libër gati si një libër ftues per debat.

Duke thënë disa mendime për këtë libër, jam i vetedijshëm se “Refuzimi i Shkrimit”, më tepër sesa vëmendjen e një lexuesi të rëndomtë mëton interesin special të një studiuesi të kualifikuar. Ky libër është pjesë e një koleksioni. Mbasi botoi librat e tij me prozë të shkurtër si “Gjumashët e Efesit”, “Adami i fshehur”, “Shitësit e Kaosit”, “Perëndia I”, “Moikom Zeqo nxorri në dritë “Refuzimin e Shkrimit”, libër i cili ka të përbashkët me librat e mëparshëm stilin e autorit, por në shumë kuptime është i ndryshëm dhe nuk është i ngjashëm me librat e mëparshëm. Është veçori e autorit pak kapriçozë dhe tejet kërkues për të shkruar libra sui generis. E pra, “Refuzimi i Shkrimit” është një libër sui generis në të gjitha kuptimet.

Në ç’kuptim e them këtë cilësim? Duke u marrë për shumë kohë në substancë me librat e Moikom Zeqos mund të them se jam në gjendje të dalloj veçoritë dhe fragmentet që përbëjnë një të tërë. Erudicioni dhe kreativiteti i Moikom Zeqos tashmë është i njohur botërisht. Në këto dhjetë vitet e fundit për librat e Moikom Zeqos janë bërë shumë shkrime kritike dhe ese edhe në raport me shkrimtarët e tjerë shqiptarë. Mund të them se për të janë shkruajtur edhe disa libra, që analizojnë krijimtarinë e tij si p.sh librat e kritikëve Josif Papagjoni, Nehas Sopaj, Nuri Plaku dhe Ahmet Selmani. Është një gjendje e pazakontë interesimi. Në rrafshin publicitar librat e Moikom Zeqos duket se nuk e gëzojnë nominimin e çmimeve zyrtare, as bujën mediatike marramendëse.

Nga ana tjetër rezulton se Moikom Zeqo është ndoshta autori shqiptar për të cilin janë shkruajtur më shumë shkrime të specializuara dhe profesionalë. Këtu nuk duhet harruar edhe jehona që ka patur libri i tij “I don’t believe in ghosts (Unë nuk i besoj fantazmat)”, publikuar nga Shtëpia e madhe Botuese e Neë York-ut, BOA Edition në 2007, libër poetik i përkthyer në anglisht nga poeti dhe editori amerikan Wayne Miller, për të cilin kanë shkruajtur disa ese nga personalitetet e kulturës amerikane. Për shkak të një gjendje kaotike të vlerësimit të vlerave artistike në Shqipëri, Moikom Zeqo ende “vuan” sindromën edhe të mosvlerësimit edhe të vlerësimit. E gjithë kjo është e vetëkuptueshme. Por, një gjë është e sigurt. Vepra poetike dhe në prozë e Moikom Zeqos është e rëndësishme sa e klasifikojnë atë si një nga personalitetet më të mëdha dhe më origjinalë të kulturës shqiptare për sot dhe për të ardhmen. Natyrisht që këtë do ta vërtetojë koha, por nuk mund të mohohet që në këto përcaktime esenca e të vërtetës nuk zbehet, as nuk zhbëhet.

Libri “Refuzimi i Shkrimit” është një libër ku talenti krijues i Moikom Zeqos sublimohet në një pjekuri të plotë. Ky është një libër i pangjashëm me librat që botohen në Shqipëri, është një libër me një stil lakonik dhe përgjithësues. I tërë libri bashkëpërfshin tregime, skica që përbëjnë nganjëherë shtrate romanesh dhe prozash të shkurtra të cilat formojnë plotërinë dhe substancën e librit. Ky libër ka një tendencë të brendshme: është libri i një universalizimi të motiveve dhe të subjekteve. Zeqo e ka atribut të tij kapërcimin e kohërave, sintezën e qytetërimeve dhe letërsive, ai lëviz siç thotë kritiku i njohur, akademiku Ali Aliu, në një ese që ka shkruajtur për të, “në një kopsht erudicioni” ku temat dhe metaforat përplasen dhe bashkëjetojnë, ku duket sikur të gjitha subjektet përbëjnë një valle sakrale, ku lëvizjet shpesh duken të palidhura me njëra tjetrën, por Moikom Zeqo i lidh ato” si magjistari i cili bën lidhjen e çudirave të veta me një mjeshtëri të vërtetë dhe të pabesueshme.”

“Refuzimi i Shkrimit” është shëmbëlltyra, e nënvizoj, e një intelektualiteti cilesor, gjë që i mungon shumë librave të shkrimtarëve të tjerë shqiptarë. Moikom Zeqo nuk ka frikë se nuk mund të kuptohet, ose dhe të keqkuptohet. Ai është një krijues i vetëdijshëm deri në fund. Ai shkruan një letërsi për të konkurruar me shkrimtarët botërorë. A është kjo një ambicie e tepruar? Mendoj se nuk është aspak e tepruar. Ai synon më tepër integrimin e letërsisë shqipe në letërsinë botërore. Të gjitha librat e tij nga viti 1990 e këtej e synojnë pa mëdyshje këtë objektiv. Kjo duket qartë, studiuesit që do merren me veprën e tij më tepër do ta konstatojnë, sesa do ta kontestojnë.

Libri “Refuzimi i Shkrimit” ka si nëntitull “Proza nga Kaosi”. Nuk është një nëntitull thjesht pretencioz. Duke lexuar këtë libër lexuesi natyralizohet me prirjen e lirë, absolutisht të çlirët të të shkruarit moikomian. Është e habitshme që Zeqo shkruan me një stil tejet të kondensuar por, pa e zbehur asnjëherë kuptimshmërinë. Ai shkruan me fraza të shkurtra dhe të qarta në mënyrë mizore. Detajet janë vezulluese dhe përfshihen në paradigmën e një paradoksi. Ai është gjahtar i paradokseve dhe ka zgjedhur më tepër sesa alegorinë gjendjen shpotitëse të subjekteve. Nuk kemi të bëjmë me mistifikimin e një kaosi të vërtetë. Moikom Zeqo ka parasysh situatat ftillëzuese dhe është i bindur se procesi krijues është pikërisht procesi i kaosit që bëhet kozmos. Pra libri i tij është një lloj eksegjeze. Ai merret shumë me dialektikën e motiveve duke sfikuar logjikën formale. Në këtë kuptim Herakliti i Efesit ngjan se është një idol i Moikom Zeqos por mund të shtojë se shëmbëlltyrat frymëzuese të këtij autori janë Montenji dhe Blez Paskali të cilët kanë shkruar proza të shkurtra por me fuqi vizionare.

Nuk është qëllimi i këtij shkrimi komenti i komenteve të librit në fjalë. Këtë mund ta bëjë kushdo. Por kjo nuk është më e rëndësishmja. Libri i Moikom Zeqos më shumë se gjithçka është një prerje konceptuale. Ai duket se refuzon rrëfimin tradicional dhe linear. Ai operon me konceptualitetin jo vetëm të ngjarjeve por dhe të fjalëve. Ai u jep vlerën e së tërës fragmenteve. Ai luan me lojën dhe estetikën lëvizëse të fragmenteve. Ai qarkullon me mjeshtëri të veçantë një lloj “arkeologjie” të subjekteve që përjetojnë më tepër një “pakohësi”, sesa një kronologji. Moikom Zeqo në këtë libër pllenon konceptet e tij filozofike me letërsinë e mirëfilltë. Ai krijon lexuesin e tij, lexues i cili duhet të sfidojë padyshim mediokritetin. Libri “Refuzimi i Shkrimit” nuk është një libër populist dhe një kiç-kulturë. Përkundrazi, ai është një libër serioz, që kërkon të ndryshojë diçka. Dihet se ndryshimet janë të mundimshme. Janë sfida. Por Moikom Zeqo është nga ata që parapëlqen rrezikun në ballafaqim. Ai konceptualizon një letërsi që ndryshon, një letërsi tjetërlloji. Në këtë kuptim ai është i vetëdijshëm, por dhe i rrezikuar që të mos kuptohet. Së fundi, libri “Refuzimi i Shkrimit” duhet lexuar seriozisht. Ata që lexojnë përciptazi nuk kanë asnjë arsye ta marrin në dorë këtë libër. Por, lexuesit e vërtetë e kanë një mundësi për të ndjerë një kënaqësi intelektuale deri diku të rrallë.

*Fatmir Minguli, autor i disa librave me kritike letrare

[1323877299-refuzim_shkrimi_1.jpg]

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)