2012-05-28

Nga Flori Bruqi:Jeta dhe vepra :Fatos Arapi

Fatos Arapi lindi në vitin 1930 në Vlorë, Shqipëri. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës.

Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 e fitoi ,,Kurorën e artë,, në manifestimin poetik Mbrëmjet e poezisë strugane dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.

Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.
Skeda:Fatos Arapi.jpg
Poezitë e para F. Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet "Shtigje poetike" dhe "Poezia dhe vjersha". Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Në frymën e hovit ndërtimor dhe të entuziazmit për çlirimin e vendit, që mbizotëronte brenda parimeve krijuese të realizmit socialist poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt një rruge të re, të lirë, dhe ky besim bënte të përballohej më lehtë durimi dhe sakrifica.

Brenda këtij vizioni, Fatos Arapi shpesh do t'i përqeshë e përbuzë burokratët dhe demagogët, si në poezinë "Antiburokratike", apo do të sjellë disa veçanti përmbajtësore dhe ekspresive si në poezinë "Pse erdha në jetë". Siç shihet, poeti i thur ode lirisë dhe "mejtimit të lirë" siç e quan ai. është synim dhe ideal madhor, pas të cilit poeti magjepset dhe përbetohet.

Tituj të veprave

Shtigje poetike, 1962
Partizani pa emër, 1962
Poema dhe vjersha, 1966
Ritme të hekurta, 1968
Patat e egra, 1969
Dhjetori i shqetësuar, 1970
Dikush më buzëqeshte, 1972
Poezi të zgjedhura, 1974
Drejt qindra shekujsh shkojmë 1977
Shokët, 1977
Cipa e borës, 1985
Deti në mes, 1986
Ku shkoni ju statuja, 1990 [1]
Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995
Gjeniu pa kokë, 1999

Përkthime

Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981;
Poezi, Pablo Neruda, 1989;
Safo, 1990;
Antologji e poezisë turke

Etj.

Atdheu i Poetit

Gjatë viteve shtatëdhjetë Arapi boton ciklin e poezive mbi Skënderbeun, figura e të cilit është sfidë e përhershme frymëzimi poetik nëpër shekujt letrarë të shqipes. Që nga De Rada e këndej, krijuesit më të mëdhenj kombëtarë kanë realizuar kryevepra të frymëzuar nga fryma dhe epoka e Skënderbeut. Fatos Arapi edhe në këtë rreth tematik vjen i veçantë: cikli i tij mbi Skënderbeun e sjell shpirtin e kohës së heroit, si shtresim-themel të poezisë, që mbi të të fokusojë reflekse kohore dhe hapësinore bashkëkohore, të afërta dhe të gjithëkohshme. Ndjehet sidomos shtresimi ironik aludiv lidhur me hipokrizinë dhe prapaskenat diplomatike të të mëdhenjve që kurdisen, si dje-sot, në shpinë të më të vegjëlve...
Nga ky cikël mund të veçojmë vargjet e poezisë "Ishim ne" ku hasen rrënjët e thella të qenies, të shpirtit dhe të tokës arbërore para dhe pas Skënderbeut. Duke ligjëruar nga perspektiva e epokës dhe e figurës së Skënderbeut, poeti do të thotë: ishim ne ata që do të niseshim përjetësisht nëpër udhët e përgjakura, tragjike të lirisë duke e lënë të hapur këtë rrugë dhe në të ardhmen.
Në vitin 1991 Fatosi botoi poezinë "Atdheu" që sjell një imazh e ndjeshmëri lidhur me emocionet patriotike, të pazakonta deri atëherë në këtë temë. Atdheu shpalohet me ngjyra dramatike, tendosje emozionale shpërthyese që hedhin dritë në tri dimensionet e kohës: në të kaluarën, të tanishmen dhe të nesërmen. Në vend që të jetë vetëm dashuri, atdheu është dhimbje dhe pikëllim. Është kryqi që e mban në shpinë dhe që të mban mbërthyer, është premtimi që të bëhet posa lind dhe tani ai ka sy të trishtuar, është dashuri që vdes e dashuri që të çmend, është buka e uritur, është ëndërr, ankth e shpresë e sfilitur, është varr, varr i hapur... Atdheu në këtë poezi shpaloset përmes epiteteve me ngarkesë emozionale, lëvizëse zik-zake që përjashtohen dhe prapë plotësohen mes vetes, duke qëndruar pranë e pranë.Katër katrenat mbyllen efektshëm në një distik:

Atdheu yt i vogli, i vogli
Ai hyjnori i pavdekshmi - loti.

Kjo lirikë dashurie e botuar në fillim të dhjetëvjetshit të fundit të shekullit, është parashenjë e shtresuar thellë në botën poetike të Arapit që do të shpaloset si spektër i begatë i shpirtit dhe i filozofisë së tij. Nga ky cikël do të përmendim poezinë e botuar rnë 1999: "Kjo ndodhte në Madrid", që mund të emërtohet edhe si refleksive meqë bashkëfrymojnë nuancat e ekzistencës si: jeta-vdekja, shpresa-tragjizmi , malli-pikëllimi, mishërim pas Dheut - fat i përjetshëm i lindur. Ajo ka 22 vargje të sistemuara në më shumë njësi. Ideja se mund ta braktiste a të jetë i braktisur nga Atdheu është trishtuese. Fuqia tërheqëse e vëmendjes e ndjek këmba-këmbës poetin nëpër botë; ajo është magji e gjithëpushtetshme.
E njëjta ndjenjë dhe i njëjti zjarr dashurie është dhe te poezia "Duke u nisur për Zyrih". Edhe këtu, emocioni është ngasje dykahëshe: e afërt-e largët, e ngrohtë-e ftohtë, për të mos thënë, e adhuruar-e urrejtur.
Ky është Atdheu në poezinë e Fatos Arapit, as vetëm hyjnori, i adhuruari, as vetëm trishtimi, dhimbja, vrasësi... është fati, është përcaktimi sovran që nuk të ndërron e as e ndërron dot, që nuk ta falin e as e fal dot.


Projekti i ri poetik

Me veprat poetike të botuara giatë viteve 90, Arapi duket sikur fillon një projekt të ri poetik që përmes një vizioni global depërton thellë në botën dhe realitetin shqlptar. Fokusohet një kohë e turbullt, e egërsuar, me rrjedha tmerrësisht të paqarta dhe të paparashikueshme. Është poezi e frymëzuar nga reflekse ekzistenciale të aktualitetit shqiptar. Vëllimet me poezi "Ku shkoni ju statuja" dhe "Dafina nën shi" (91) shënojnë një fazë kalimtare drejt këtij projekti poetik. Pesë vëllimet që do të pasojnë dhe që shtrihen brenda dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit: "Ne pikëllimi i dritave" (1993), "Më vjen keq për Jagon" (1994), "In Tenebris" (1996), "Gloria viktis" (1998) dhe "Më duhet një gjysëm ëndrre" (1999), e shpalojnë në dritë të plotë lirikun e madh, duke e vendosur atë në krye të këtij zhanri letrar të shqipes. Brenda këtyre pesë veprave, e sidomos tri të fundit, shquhet lirika refleksive, e dritëhijeve metafizike, që në çaste dëshpërimi të plotë i përshkon dhe timbri i absurdit. Nxiten shqetësime madhore për qenien tonë kolektive, ndër më të guximshmet në lirikën shqiptare sot. Këto shqetësime e nxitin domosdoshmërinë e njeriut për njohje dhe vetënjohje, të shtrirë kjo në kohën dhe hapësirën shqiptare dhe në atë universale.

Cikli i Tiranës dhe cikli Vllasi

Më mbresëlënëset nga lirikat meditative janë (ato të emëruara) si: cikli i Tiranës dhe ato mbi ciklin Vllasi. Të parat janë vargje të frymëzuara nga dritëhijet e mjedisit urban të qytetit të poetit, Tiranës, nga ngjyra dhe shija e përditshmërisë. Në poezinë e Arapit gjatë dhjetëvjetëshit të fundit, Tirana do të shndërrohet në figurë që ngërthen në vete një kohë nga më dramatíket, të ngarkuar me tonet më ekstreme ekzistenciale për qenien kolektive. Kështu, herë në funksion të metaforës, herë në atë të simbolit, Tirana do të jetë vatër dhe burim i pashtershëm i vibrimeve trishtuese të botës krijuese. Pikërisht brenda këtij cikli tematik që shënon kurorën krijuese të poetit, do të gjejmë të fokusuar artistikisht shpirtin e parehatuar shqiptar të kohës, me një energji të paartikuluar, gjysmë të egër, në një kërkim të ethshëm e dramatik të vetes, me një vullnet gjysëm të verbër, si agresion dhe vetëagresion. Këtë kohë të ngarkuar me dhembje, trishtim dhe shpresa, tiranase dhe shqiptare, lexuesi do ta përjetojë si "dokument" të fuqishëm historik.
Në poezinë "Koha" poeti bën disa pyetje me vlerë historike e njerëzore: E ka nga marrëzia koha shqiptare, që, si një mëz i harbuar shkumbon mbi shqiptarët si pa i vënë re ata? As do t'ia dijë fare për orën e ndalur, orën zero, siç do të thotë poeti me një rast tjetër? A nuk i sheh ajo, lazdrania, fatet shqiptare që s'lëvizin, m'u si mushka para greminës? Koha shqiptare është në një kërkim apo vetëkërkim dramatik të vetvetes?
Poezia më karakteristike që ngjizet në këtë katrahurë shqiptare, por njëkohësisht ka një besim të thellë në të ardhmen, është poezia "Gloria viktis" (vargjet janë shkruar gjatë janarit 97, në Tiranë dhe Vlorë). Eshtë Odë humbësve; janë humbësit që gabojnë duke u nisur verbërisht në beteja të reja, kështu derisa të çlirohen nga ngasja e hidhur e brendshme dhe ta pastrojnë pastaj tërë hapësirën tiranase dhe shqiptare. janë pra, ata që gabojnë dhe nisin lojën tragjike e të përgjakshme. Mos janë pikërisht këta, humbësit e përhershëm, shpëtimi shqiptar? Edhe me kusht që të mbyten, vetë bashkë me të tjerët, por, me kusht që uji të lëvizë, të mos shndërrohet përfundimisht në kënetë ... është mesazhi i poetit.

Gjatë vitit 1996, Arapi shkroi vargjet mbase më të zymta deri më sot në portretizimin e kohës shqiptare (In tenebris). Vargjet e poezisë kanë strukturë dhe perspektivë epistorale, si letër shkruar Vllasit në Had (Vllas Arapi, vëllai i poetit, i vrarë në mënyrë misteriose pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore). Poeti e ngushëllon të mos ndjeië keqardhie, të mos ndjejë mall për botën e njerëzve të këtejme, sepse "këtu drita prej terri është". Dhe ja, përsëri, në kuadër të këtij trishtimi, një artikulim i përsosur poetik: në bebëz të syrit na është eklipsuar hëna duke u kërcënuar, si çark i ngrehur që mund të shpërthejë në çdo çast. Dhe, s'ka rrugë, ku mund të nisesh, ku mund të arrish... Edhe liria lind në pranga, lind skllave. Veç tragjeditë, veç ato s'harrojnë të mënojnë. Nuk ka nevojë as për xhelatë, sepse këtu, sapo ta kalosh kufirin e territ, më i tmerrshëm fanitet njeriu...

Po në kuadër të këtij rrethi tematik po përmendim edhe dy poezi: "Në Tiranë ka vetëm tiranë", të shkruar këtu e dhjetë vjet të shkuara, dhe "Mall për ty në Tiranë", në vitin 1995. Në poezinë e parë, sugjerohet një lojë fjalësh, duke nxjerrë kuptimin dytësor përmes shndërrimit të emërtimit Tiranë në cilësorin tiranë. : është koha kur liria, ngathët-ngathët shfaqet në horizont, kur dinjiteti shqiptar i nëpërkëmbur për një gjysmë shekulli, zgjohet i egër, agresiv, dhe vetëagresiv. Hipokrite është shpresa në Tiranë: ti i vdekur, e ajo të jep frymë, të mban gjallë që sërish të të vrasë. Poezia përfundon me një distik në vete, ku shfaqet mbi ferr një Sovran Krye-Engjëll, me vargun kulmor "E dua Tiranën se të vret" , mbase në frymën e Kutelit "Ta duash atdheun edhe kur të vret".

Poezia e dytë ka vetëm katër vargje dhe është thurrur në formë letre, përsëri drejtuar Vllasit. E sjell portretin e jashtëm të Tiranës në tetor, të përbaltur e me llucë, që është në harmoni me shpirtin e përmalluar të poetit për vëllanë, të trishtuar në vetmi e ngricë; gjysmën e shpirtit ia rrezaton dielli, ndërsa gjysmën, ia mbulon terri. Mos e nxit këtë mall të pashuar për Vllasin, për botën e tij të përtejme, zymtia trishtuese e Tiranës?... Në këtë frymë, cikli i rrethit tematik - Tirana, në poezinë e Arapit është kapitull më i artikuluar i lirikës shqiptare. Vizioni i përthyer, dramaciteti, vibrimet e brendshme e të padukshme të botës shqiptare, të kohës shqiptare, sajojnë dritaren më mbresëlënëse , nga e cila vëzhgohet kjo pjesë e kohës sonë, ajo e dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit që shkoi...

Atdheu

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban - dhe të mban ty - në shpirt.

Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s'e ke ndën këmbë
Atdheu s'ka fjalë, ka sy të trishtuar
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

Atdheu është buka e urritur,
të ikën nga duart e dot nuk e ngop
ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
me sytë n'errësirë vetveten kërkon.

Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë
Në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli, i vogli,
Ai hyjnori i pavdekshmi - loti.

------------------------------------------
Poezia Atdheu ka katër katrena dhe një distik të pavarur në fund. Struktura e saj e veçantë është në lidhje me tendosjen emozionale, që e bën fare të ndryshme këtë poezi nga ajo pjesë që emërohet si lirikë atdhedashurie. Të gjashtëmbëdhjetë vargjet e katrenave sistemohen si njësi të mbyllura, të pavarura, që përfundojnë me pikë, të cilën e imponon goditja shpirtërore dhe intelektuale e poetit në ballafaqim me gjendjen e atdheut. Secili varg s'ka nevojë për atë që pason dhe megjithatë ata pasojnë njëri-tjetrin si goditjet që pëson nga realiteti poeti. Brenda secilës goditje ndjehet e ngjeshur si përzierje shija e hidhur dhe e ëmbël që reflekton Atdheu, ledhatimi dhe kafshimi, nëma dhe urata bashkë, përgjërimi dhe revolta, dënimi dhe shpërblimi përherë i ndërsjelltë. Përmes vargjeve të kësaj poezie arrihet identifikimi i fuqishëm i brendshëm i poetit dhe i Atdheut: Atdheu është kryqi që e mban dhe të mban mbërthyer; Eshtë hyjnori Atdhe dhe Atdheu varr i hapur. Deri kur kështu? është klithma e fuqishme e të kryqëzuarit, poetit atdhedashës.
------------------------------------------------



E paëndërrta ime

Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.

Vë kokën në gjoksin tënd
E tani përplasem
Te kokë e një tjetri.

Më duhet një gjysëm ëndrre.

Shigjetat e orës së dorës
Tutje i shtyjnë kalimtarët,
në ditë të rrëpirta tiranase.
Shpirtra jo shpirtra që shkojnë...
Bri meje dikush flet me vete.
pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.

Dikush, prej zhgënjirni të egër,
mbërthen kryqe të reja.
I hedh një gjysëm leku
Dhe blej kryqin tim.

Tani që ta ngre
Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.


Nuk mbyllen dot

S'kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.
Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s'mbyllen më dot.

Mund të hyjë kush të dojë.


Si s'të desha pak më shumë

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s'ia fal dot vetes:
S'i s'e desha pak më shumë...

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T'i them ndarjes: - Prit, ca pak...
Të gënjejmë mallin që s'shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis "ca pak" tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:

"Si s'të desha pak më tepër...".


Gloria Victis (Lavdi Humbësve)

Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj.
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.
Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.
Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.
Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim
Zaret e bardhë të fateve tona
Ne i hedhim para - dhe vazhdojmë
T'i hedhim ato edhe mbasi ta kemi kaluar Rubikonin.
Të gjithë na kanë faj dhe askush.
Të tjerët vetëm fitojnë,
Ndërsa ne jemi populli humbës

I humbjeve të mëdha. Zemra jonë
Eshtë një mollë e artë dhimbjeje.
Nuk duam të njohim pushtetin e errët të smirës,
Dhe gabojmë, nuk e njohim
Lakminë akrep të pushtetit, dhe gabojmë.
Sepse ne-vetëm ne! Dimë të gabojmë.
Këmbët tona të zbathura janë ato gjethe vjeshte
Që bien dhe ecin në rrugë; shpirti ynë
Eshtë prej lënde të brymtë trishtimi,
Të gjithë mund ta vrasin.
Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm,
Ata s'humbasin kurrë, sepse
Kurrë nuk gabojnë.

Ndërsa ne gabojmë - ashtu siç dimë vetëm ne!
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Dhe i kemi kthyer krahët lavdisë fitonjëse.
Ne njohim vetëm lavdinë e popullit
Të humbjeve të mëdha. Sepse ne
- po vetëm ne!-
Jemi të vërtetë.



Akreonti rrjedh po  karont nuk ka

Si të kthehem prapa kur udhën s'e di?
Prej pikëllimi lumi buçitës i natës
E unë rrah brigjet e errëta këtu.

Akeronti rrjedh po karont nuk ka.

Tregomë një va ku te kaloj.
Ti i njeh guvat dhe vorbullat e frikshme.
Tregomë një va, vëllai im,
Ku të kaloj Akerontin
Dhe të arrij.
Akeront rrjedh po karont nuk ka.

---------------------------------------------
Kjo poezi gjendet në mesin e tetëmbëdhietë poezive të ciklit "Vllasi', që i kushtohet vëllait të vdekur të poetit. Kjo poezi lidhet përkatësisht me vdekjen e mistershme dhe të paligjshme të tij. Karakteristikë stilistike e kësaj poezie është inversioni (kemi episode të përmbysura), që mbështetet dhe stimulohet nga ritmi i brendshëm, nga përsëritjet e pasuara me heshtje (të zëshme), ndërsa "paqartësitë" vihen në funksion të ironisë.
Nga vargjet e poezisë si nga nëntoka shpërthen dhe përhapet një gjëmë, brenda së cilës jehon vërshueshëm dhimbja dhe vaji, të cilat përplasen në kupë të qiellit, përpëliten dhe që andej të vetmuara, pa shpresë rikthehen nga e para ... kështu përjetë e mot. Është kjo gjëma e vëllait të vdekur të pavdekur që trishtueshëm kërkon një vesh për ta dëgjuar. Pas ndëshkimit të Zeusit për të mos e pranuar shpirtin përtej, shpirti i Vllasit kërkon çmendurisht mbështetje. I mbetur qyqe as këtej, as andej, Vllasi lëshon vajin përbetues dhe akuzues, që ngre peshë botën e të gjallëve, dhe pikërisht të poet-vëllait, që edhe pse i rrahur nga valët e jetës, nuk është në gjendje t'i tregojë një shteg kalimi vëllait, d.m.th. nuk mund ta ndihmojë atë as të vdekur. Mosekzistenca e karontit lidhet me mesazhin dëshpërues filozofik: S'ka përtej, s'ka as këtej ... Poeti kështu dhimbshëm metaforizon dhe vetë realitetin pa rrugëdalje në të cilin ai jeton.

Ditë Tiranase

Ti mbyll derën pas e nisesh
Në mesin e rrugës takon ditën
Që të pyet e hutuar: - Nga të shkoj?
Shpresën e ushqejnë me shpresë, -
Pastaj shpresës i vrasin shpresën.
Vetëm pasqyrat ndryshojnë,
Teknologjia përsosëse e tyre, -
Fytyrat janë po ato.
Jo, ti, - hija jote shkrin në gotën me ujë
Diellin dhe kokrrën e aspirinës, -
Ke dhimbje të forta koke.
E di: zembereku i zemrës sime
Eshtë pluhurosur , - kur do të vijë Ajo,
Me frymën e saj t'i fryjë,
Të ndjej ecjen tingëlluese të kohës.
Në qiellin e Tiranës, një unazë e zjarrtë
Fluturon nga syri në sy -
Kërkon gishtin e nuses.
Kërciti gonxhe e zambakut tek çelej,
Dhe marsi eci para meje.
Të paktën, o zot, akoma jemi njerëz
Respektojmë dallëndyshet dhe vdekjen.

---------------------------------------
Kjo poezi mban datën e vitit 1997. Poezia ka 22 vargje monokolonë dhe është shkruar si apostrofim i vetës së dytë, pra është zëri i subjektit lirik që bën dialog të brendshëm. Poeti përcjell zëshëm lëvizjen e vet tek kapërcen pragun e shtëpisë për të dalë në qytet. Ky është veprimi i parë. Veprimi i dytë është ballafaqimi me rrugën, realitetin. Hutimi, gjendja pa kuptim, pa krye të godet: S'di nga të shkoj! Veprimi i tretë është zhgënjimi: kostatimi se pasi të kanë ushqyer me shpresë, ta vrasin atë. Papritmas kemi një lajthitje, një përçartje nga dhimbja e kokës: shërohet me diell apo aspirinë? jashtë çdo vullneti mekanikisht ndodh lëvizja brenda poetit. Ai bëhet i vetëdijshëm se zembreku i orës është pluhurosur, ashtu si zembreku i kohës së Atdheut të tij. Po ama megjithë shpresën e vrarë, qytetari tiranas përsëri ka aftësinë të shpresojë: A do të vijë Ajo? Për një çast të duket se është fjala për një të dashur, mbase dhe është ashtu, dhe a ka më të dashur për një shtetas shqiptar të presë kohën e mirë për veten. Dhe prapa shpinës së tij hapet një dekor shpresëdhënës, i realizzar ky me figura të goditura simbolesh: Unazë e zjarrtë, gishti i nuses, gonxhe, zambak, dallëndyshe. Kështu poezia mbyllet me një vetëngushëllim tragjik, si për të theksuar se nuk është koha më të gënjejmë vetveten, aq më tepër me poezi.
-----------------------------------------------------

Alarme të përgjakura (kënga e parë)

Mbi rrogozin prej kashte,
Ku netëve fle,
Shtrova
Dashurinë time...
Po prap, brinjët t'i vret toka, plisi,
E prap i fortë është te koka
Trungu prej lisi.

Hej, vend!
Plot diell e pa dritë!
Pagan dhe fron për perënditë!
Jetojmë nër male të lartë,
Ku qlellln me dorë mund të zëmë
Dhe prapë:
Në ç'humnera kemi rënë!

Hej, vend!
Që ngjyrat e Jonit,
Erërat e portokallit me lule
Mbyll
Në një vorbë fasule.
Dhe ndihesh
I pasur në varfërinë tënde
I lirë në robërinë tënde...

Hej, vend,
Që prej dhimbjes po më bën të çmendem.


Margaritë moj

... Shoqja ime, moj
me dy sy si nata të mëdhenj, të zez,
me bukurinë tonë të virgjër
vdekjen po ushqejmë

se kjo tokë ka ftohtë
mardhi
e ka ngrirë
Dhe ne biem mbi të, porsi bllaca zjarri,
Futemi nën dhè porsi rrënjë ëndrrash,
Që të vijë pranvera,që të vijë behari,
Toka përmbi ne e balta të shkrijë,
Ëndrrat të shpërthejnë, si shpërthen bari.
Dashuria jonë
Me dy sy si nata çuditërisht të zez,
Nga plumbat armike prerë mes për mes
Dashuri e lindur,
Dashuri e rritur
Nën qiejt e thyer të varfërisë shqiptare.
Dashuri tragjike
Për botën e madhe.

Margaritë, moj
Motra ime, moj,
Shoqja ime, moj.

(Këto vargje i kushtohen heroinës së popullit Margarita Tutulani, që së bashku me të vëllanë u pushkatuan nga pushtuesit fashistë.)


Çast buzë Jonit

Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra
Nër degë të tyre figurat e gjelbra
Çelin - si gjethet nëpër portokalle.
Nën degëza vargjesh fëshfërijnë figurat,
Si mbrëmjes Jonit fletësat e ullinjve.
E mbusha gojën me erëra të Jonit,
Ndjej nëpër dhëmbë kokrizat e jodit,
Shoh se si thyhen mirazhet mes valësh,
Se si thërmohen përflakjet mes gurësh...
Dhe jam i tëri
grimca dritaresh e ngjyrash.


Floripress

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...