Nga Bledi Mane
......
1-Çeta e profetëve/Pjetër Bogdani
Pjetër Bogdani është figura më e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare.Me veprimtarinë e tij politike 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet “Çeta e profetëve”, Pjetër Bogdani me të drejtë është quajtur pararendës i hershëm i lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare. Pjetër Bogdani ka hyrë në historinë e patriotizmit shqiptar dhe të kulturës shqiptare jo vetëm me veprimtarinë e vet kombëtare për të organizuar kryengritjen e përgjithshme antiosmane, por edhe me veprën e tij diturore-letrare “Çeta e profetëve” (Cuneus profhetarum), që e botoi në Padovë, më 1635 me ndihmën e një miku të vet. Me kulturën e tij të gjerë enciklopedike, me mendimet e tij përparimtare iluministe e atdhetare, me punën e gjatë këmbëngulëse më se tridhjetëvjeçare, Bogdani i dha letërsisë shqiptare dhe popullit shqiptar një vepër madhore, që kurorëzoi traditën e mëparshme letrare e kulturore dhe që paralajmëroi një periudhe të re të zgjimit gjithkombëtar.
Bogdani është një njeri erudit. Nga leximi i veprës së tij mësojmë se përveç gjuhës amtare, ai dinte edhe italishten, latinishten, kroatishten, armenishten, greqishten, arabishten, hebraishten, dhe sirishten.
Vepra e tij ” Çeta e profeteve” është shkruar me një kulturë të gjerë, në të ka informacion të pasur nga historia e popullit tonë, nga filozofia dhe shkencat e natyrës. Vepra e tij nuk është përkthim. Legjendat biblike që janë në themel të saj, ai i ka përpunuar në mënyrë të lirë dhe herë pas here fut ide, arsyetime dhe argumentime me karakter filozofik, historik, politik, shkencor-natyror.
2-Bagëti e bujqësi/Naim Frashëri
Letërsia shqiptare e Rilindjes Kombëtare lindi dhe u zhvillua si pjesë e pandarë e lëvizjes politiko-shoqërore e kulturore për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj. Kjo lëvizje, që nis nga mesi i shekullit XIX dhe arrin deri në vitin 1912, quhet Rilindje Kombëtare, prandaj edhe letërsia e kësaj periudhe quhet letërsi e Rilindjes Kombëtare. Kjo është kryesisht një letërsi patriotike me frymë demokratike e popullore. Tema kryesore e saj ishte dashuria për atdheun dhe popullin, evokimi i së kaluarës heroike dhe lufta për çlirimin kombëtar e shoqëror.
Kushtet historike që përcaktuan zhvillimin e saj, ishin kryengritjet e vazhdueshme kundër pushtuesve osmane, lufta për pavarësi dhe për ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit nga synimet grabitqare të imperialisteve dhe të qarqeve shoviniste fqinje.
Letërsia e Rilindjes pati një drejtim iluminist e në periudhën e fundit edhe vepra realiste, por në thelbin e vet ajo ishte një letërsi romantike. Në veprat më të, mira të saj u shprehen ideale të larta kombëtare, malli dhe dashuria e zjarrtë për mëmëdheun, krenaria për të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar dhe ëndërra për ta parë Shqipërinë e lirë, të pavarur e të lulëzuar.
Figura më e shquar e kësaj periudhe është padyshim, Naim Frashëri, autor i poemës “Bagëti e Bujqësi”.Bagëti e Bujqësi është poemë e shkruar nga shkrimtari shqiptar Naim Frashëri e cila është botuar në Tiranë në vitin 1886, e cila është një nga veprat monumetale të letërsisë sonë.Për t’u dhënë jetë ideve e ndjenjave të zjarrta, Naimi krijoi një varg të ri në poezinë shqiptare, vargun 16-rrokësh.
Vetëm ky varg i gjerë dhe i qetë mund të jepte atë tabllo madhështore të natyrës shqiptare dhe ndjenjat e përflakura të poetit, ndaj dhe mban emrin e tij, vargu naimjan.
“Bagëti e bujqësia” është poemë liriko-epike, boshtin e së cilës e formon lirizmi, shprehja e mendimeve dhe e ndjenjave që i vlojnënë shpirt poetit. Bota romantike e Naimit përmblidhet në ekzaltimin nga bukuritë e natyrës shqiptaree të jetës baritore e fshatarake, në dashurinë dhe krenarinë për kombin, në optimizmin dhe ngazëllimin për ditën e bardhë të lirisë. Poema mbetet një nga faqet më të bukura të poezisë së Rilindjes, me ndikim të fuqishëm edhe në ditët tona.
3-Estetika dhe publicistika/Faik Konica
Faik Konica, ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare, në kohën kur shqiptarët nuk e tejkalonin kënaqësinë e ëndrrës që e kishin krijuar romantikët përmes “letërsisë së adhurimit, të mitizimit e të pëlqimit”.
Konica “krijuesi i dialogut me kohën, i pakënaqur dhe tekanjoz”, siç do ta quante Sabri Hamiti, e kishte obsesion Naim Frashërin, ngase ishin dy modele të kundërta kulturore. Njëri e krijonte ëndrrën mahnitëse, ndërsa tjetri e prishte dhe ftonte për një ballafaqim me vështirësitë e jetës. Madje sikur nuk i mjaftonte kjo dhe ua nënçmonte edhe bardin kombëtar, Naimin, duke e lavdëruar si atdhetar, por si shkronjëtor, s’qe gjë. Madje edhe më shumë se kaq: e akuzoi për mungesë virtyti, për incest.Si njeri i shkolluar në Francë, që kishte jetuar në ambientet artistike të Parisit dhe Londrës, që kishte njohur aristokracinë evropiane dhe artistët e saj, që njihte mjaft modele letrare, që e dinte se atdhedashuria dhe letërsia ishin dy gjëra të ndryshme, ai nuk mund të lavdëronte një atdhetar për punë tjera për të cilët nuk ish edhe aq i zoti. Konica e dinte se moralizimi dhe elementet didaktike e dëmtonin një vepër letrare. Konica nuk ishte iluminist, ai nuk kishte misionin e një romantiku që ta mësonte popullin e vet, jo, ai më shumë se kaq dëshironte të vinte binarët e një letërsie të re, e cila nuk do të vlerësohej sipas kritereve ideologjike (qoftë ajo edhe kombëtare), por sipas kritereve estetike. Si rëndom, në kësi rastesh, ndodh edhe keqkuptimi. Madje keqkuptimi mund të ndodh edhe sikur Konica të kishte jetuar sot.
Ndryshe nga romantikët që kishin krijuar mitin për shqiptarët si popull i zgjedhur, pa vese, Konica foli edhe për veset e tyre, i bindur se shqiptarët nuk do të mund të zhvilloheshin duke u mburrur, por duke qenë kritik ndaj vetvetes. Konica e kritikoi shqiptarin për mungesë ideali; që vritet për cikërrima e jo për ndonjë çështje.
4-Vepra e plotë/Migjeni
Poezia e Migjenit, një poezi novatore, u bë shprehëse e fuqishme e pakënaqësisë ndaj realitetit, e urrejtjes ndaj dhunës dhe shfrytëzimit, ndaj mashtrimit politik, shoqëror dhe hipokrizisë. Duke shpërthyer drejtpërdrejt nga jeta e gjallë ajo pasqyroi botën shqiptare në vitet ’30 me protestat, dhembjet, ëndërrat dhe shpresat për të ardhmen.
Vëllimin e tij “Vargjet e lira” (1936) Migjeni e hapte me vjershën “Parathënia e parathënieve” ku shpërthente gëzimi i tij se shekulli ka nisur të çlirohet prej skllavërisë shpirtërore. Lajtmotivi i kësaj vjershe e cila është një sintezë e mendimit novator dhe revolucionar të Migjenit, është vargu: “Përditë prendojnë Zotat”, Njeriu po hipën në majën e fronit, po bëhet zot i jetës, i tokës së tij, i vetvetes dhe nuk do t’u përulet më “idhujve”.
Pas kësaj vjershat e veta Migjeni i ka ndarë në gjashtë cikle: “Kangët e ringjalljes”, “Kangët e mjerimit”, “Kangët e perëndimit”, “Kangët më vete”, “Kangët e rinisë” dhe “Kangët e fundit”.
Në ciklin e parë bëjnë pjesë pesë nga vjershat më të mira të Migjenit. Filli që i bashkon këto vepra, është gëzimi për lindjen e “Njeriut të Ri”, prej atyre të varfërve të rritur në mjerim, të cilët janë ngritur në luftëra të reja, që të mos humbin më në lojën e përgjaktë të historisë, të mos jenë më skllevër të titajve të tërbuar, por zot të vetes e të një bote të re, ku njeriu të jetë i lirë dhe askush të mos e shkelë personalitetin e tij. Këto luftëra nuk janë grabitqare e as për të siguruar privilegje të reja, si ato të hershmet, por janë luftëra të reja, siç i quan poeti kryengritës. Në këtë cikël kemi edhe protestën ndaj gjendjes së rëndë të shoqërisë shqiptare, ndaj gjithë forcave konservatore, që e mbajnë në vend atë, dhe shpërthimin e entuziazmit për lindjen e “Njeriut”, i cili do ta drejtojë kombin drejt një agimi të ri. Në këtë cikël jeton edhe ideja se vetëm në liri mund të shpërthejnë energjitë dhe aftësitë njerëzore. Në gjithë ndryshimet, përmbysjen e botës së vjetër dhe krijimin e botës së re, poeti njeh si protagoniste rininë. Ajo është më e pastra, më e bukura pjesë e shoqërisë, ku ai var shpresat, besimin për fitoret e ardhme, për triumfin e idealit për një jetë të re. Fliste për një rini pa facebook dhe aspak dembele si kjo e imja, e jotja, e juaja, e jona!!!
5-Lasgush Poradeci
Shumëkush që ka lexuar dhe rilexuar poezinë e Lasgush Poradecit, e cila gjendet sidomos tek dy librat poetikë, posaçërisht tek “Vallja e Yjeve”, botim i vitit 1933 dhe në vëllimin “Ylli i Zemrës”, botuar në vitin 1937, ka rrëmihur në shtrate të ndryshme të formatimit të vlerësisë së letrares që shënon dhe shpërfaq kjo përvojë e përveçme e shkrimit poetik në letrat shqipe. Ndonëse në thelbin e vet, formatues dhe përfaqësues, të thënies dhe shprehësisë, poezia e Poradecit, ku përfshihen edhe dy-tre krijimet e fundit, realizuar pas viteve ‘44, ku do të duhet marrë në shqyrtim gjithashtu edhe praktika e rishkrimit të poezive me variante dhe versione të ndryshme letrare. Leximet e gjertanishme, megjithëse të shumta dhe të shumëfishta, për çudi kanë gjezdisur në hapësira të pafundme, më tepër duke e kërkuar identitetin poetik, se sa duke ia shënuar dhe shpaluar cilësitë adekuate që përfton poezia e Poradecit. Nga këto lexime, të larmishme dhe ngulfatëse, ngase të bëjnë ca më tepër përshtypje, po veçojmë disa prej tyre:
- Leximi i poezisë së tij, çuditërisht dhe me krenari është parë si vijim i poezisë romantike, madje me thelb të dëshmuar romantik, çka duket më shumë në parathënien e Frida Zeqos, në botimin e plotë të veprës letrare të autorit, e cila pas një parashtrimi të zgjatuar socio-biografik të poetit, social dhe ideologjik të konteksteve shkrimore, e kundron dhe e vendos krijimtarinë e L. Poradecit, më së shumti si një gjurmë dhe vijimësi e prekshme e romantizmit. Për ta shënuar si të tillë, më tepër ka ndikuar edhe prekja e linjës së tematizimit të librave, si dhe e mbizotërimit të shqyrtimeve të niveleve përmbajtësore, ku mbisundon natyra dhe erotikja, madje këto të kundruara edhe si dy tema të fuqishme në poezinë e romantikes europiane, si dhe të asaj shqiptare.
Temat e Poradecit, struktura dhe gjuha e poezisë së tij harmonizoheshin mjaft me letërsinë gojore të Shqipërisë së jugut, sidomos me poezinë popullore toske, nga e cila u frymëzua shumë. Mitrush Kuteli, që i redaktoi librin Ylli i zemrës, e quajti “i vetëmi poet shqiptar që mendon, flet e shkruan vetëm shqip. (28)” Lasgush Poradeci është njëherazi artist me shtat të vërtetë evropian. Ai bashkërendonte ndjeshmërinë fjalësore të Sharl Bodlerit (Charles Baudelaire, 1821-1867), filozofinë estetike të formës dhe elegancën e hollë të Stefan Georges (Stefan George, 1868-1933), humanizmin dhe filozofinë e Naim Frashërit dhe pavdekshmërinë kozmografike të mjeshtrit të tij, Mihai Eminesku. Studiuesi Eqrem Çabej (1908-1980) ka thënë se ai ishte “shkrimtar, të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës, (29)” ndonëse poezia e Poradecit nuk përkthehet lehtë, koha mund ta provojë se Çabej ka pasur të drejtë.
6-Kritika,Ese/Arshi Pipa
Botimi i veprës së Arshi Pipës në shqip ka pasur një fat të pazakontë, ose më mirë të themi ka qenë i një lloji fatkeq. Diagrama e këtij botimi ka njohur shkëputje të mëdha në kohë. Pas botimit të vëllimit poetik “Lundërtarë” (1944), pason mungesa e gjatë dhe botimet e mëpasme: “Libri i burgut”, poezi (1959) në SHBA, “Rusha”, poemë, (1966), “Meridiana”, poezi (1969) dhe më tej do të rifillonte ribotimi i veprës së tij në Shqipërinë e postdiktaturës. “Libri i burgut” , poezi (Botim i SH.B. Eurorilindja, Tiranë, 1994) dhe “Rusha” (botim i SH.B. Eurorilindja, Tiranë 1995). Do të vijojë më pas botimi i veprës së plotë poetike të Arshi Pipës (pa poezinë e përkthyer të shkruar nga autori në gjuhë të huaja) me titullin “Poezi”, botim i SH:B: Dukagjini , Pejë ,1998, përgatitur me një parathënje të studiuesit kosovar Rexhep Ismajli. Në Shqipëri, dhe nga entet botuese private shqiptare vepra e Prof. Arshi Pipës nisi të botohej në vitin 1999 me librin kritik “Subversion drejt konformizmit” nga Shtëpia Botuese Phoenix. Botimi në vitin 2000 i katër veprave seriale të Arshi Pipës nga Shtëpia Botuese Phoenix dhe me sponsorizimin e motrave të Arshi Pipës ishte një nismë pozitive, por që paraqet sipas njohjes time ende të paplotë, vetëm aisbergun ende të pabotuar në shqip deri më sot.
Vepra seriale përmban 4 libra.Libri i parë përmban vëllimin me poezi ” Lundërtarë “, botuar në vitin 1944 dhe ribotuar tashmë, me poezi te rinisë së hershme të poetit ( në vitin 1940 ) dhe vëllimin ” Libri i dashunisë dhe i fatit “ me poezi të viteve të mëvonëshme, i pabotuar më parë.
Libri i dytë me titull “Autobiography” përmban poezi të shkruara nga autori në gjuhët italisht, anglisht, gjermanisht dhe frengjisht për një periudhë të gjatë kohe, nga vitet e gjimnazit (1936-38) deri në vitin 1988, me ndërprerje të gjata kohore.
Libri i tretë me titull “Lyrika Latine” përmban përkthimin e 10 poetëve më të shquar latinë, i shoqëruar brenda tekstit me një studim të thellë për poezinë latine dhe i pajisur me shënime të shumta.
Libri i katërt me titull “Lyrika evropiane moderne” përmban përkthime poetike nga italishtja, anglishtja, gjermanishtja, rusishtja, rumanishtja dhe frëngjishtja të poetëve më të shquar europianë që nga Dante e Shekspiri, Gëte e Holderlin-i e deri tek Bodleri, Verleni e Rembo-ja.
7-Branko Merxhani
Branko Merxhani iu shfaq shoqërisë shqiptare vetëm një fragment të shkurtër kohor aty nga fundi i viteve 20 për t’u zhdukur 10 vjet më vonë. Ishte vërtet një shfaqje e shkurtër, por marramendëse e nga ato që lënë gjurmë në kulturën e një vendi. Kur ai u shfaq pakkush dinte ndonjë gjë për Merxhanin dhe me siguri në kafe “Kursal” apo në mjediset e tjera kulturore kryeqytetase shfaqja e tij është pritur me shpërfillje në mos në mënyrë armiqësore. Tek e fundit kush ishte ky Merxhani? Thashethemet e përhapura me këtë rast informonin se kishte lindur në Turqi se ishte shkolluar në një kolegj perëndimor në Izmir se kishte studiuar në Gjermani, informacione këto që në fund të fundit nuk thoshin ndonjë gjë të madhe pasi Tirana ishte e mbushur me intelektualë të kësaj natyre që kishin mbaruar shkolla jashtë e ktheheshin në Shqipëri me ambicien për të gjetur një hapësirë në sfondin kulturor e politik të Shqipërisë së atyre viteve. Ajo që e bënte të ndryshëm Merxhanin nga të tjerët ishte pikërisht fakti se ai nuk bënte asgjë për të sqaruar mjegullnajën që shoqëroi shfaqjen e tij. Ai nuk tundi diplomat kafeneve si të tjerët, nuk tregoi spaletat e gjyshërve të fituara nga shërbimet ndaj Stambollit. Merxhani mbeti deri në fund enigmatik dhe pa dëshirën për të shuar kureshtjen e thashethemexhinjve shqiptarë me të dhëna nga jeta e tij private. Por me të ardhur në Shqipëri ai filloi të shpaloste shkallë-shkallë qëllimin e kthimit. Dhe këtë e bën me shkrimet e tij. Shkrime të botuara në organe shtypi si “Demokratia”, “Neoshqiptarizma”, “Përpjekja Shqiptare”, “Minerva”, “Ilyria”. Dhe pikërisht nga këto shkrime kuptohet se ai është pikërisht një shfaqje e domosdoshme pasi shkrimet e tij i ofrojnë shoqërisë shqiptare atë çfarë i nevojitej më shumë: – një alternativë zhvillimi. Dhe në këtë pikë Merxhani mbetet ndoshta intelektuali më emancipues i shoqërisë shqiptare ose më saktë intelektuali më i vetëdijshëm për nevojën e modernizimit të saj, shoqëri që në atë periudhë ishte në një udhëkryq të vërtetë. Cilin nga alternativat shoqërore që i ofroheshin duhej të zgjidhte shoqëria shqiptare? Konservatorët e shtynin shoqërinë shqiptare drejt tradicionalizmit, modernët drejt imitimit të modeleve të huaja, të majtët drejt komunizmit, të djathtët drejt fashizmit dhe absolutizmit, ekscentrikët drejt anarkisë e kështu me radhë. Në këtë vorbull alternativash dhe ideologjish, në këtë qerthull politikash dhe ndërthurje interesash Merxhani ofron një ideologji të vetën, neoshqiptarizmën – ideologji e mbështetur në njohjen e realitetit shqiptar dhe të nevojave të tij për ndryshim. Pikërisht këtu qëndron edhe vlera kryesore e ideologjisë së tij pasi ai është i vetmi që arrin me ideologjinë e tij ekuilibrin e duhur mes dy elementëve të mësipërm pra realitetit dhe ndryshimit të tij
8-Kujtime/Eqerm Bej Vlora
Burri që gjithnjë shprehej se nuk i pëlqente t‘i rikthehej të kaluarës dhe se u besonte teorive se ajo gjithnjë mund të trazojë të tashmen, u ul të shkruante duke besuar se fijet e holla të kujtesës që ai e mendonte të dobët, do të zgjoheshin, për hir jo vetëm të historisë së jetës së tij, por të një historie që i kalonte përmasat e një historie vetjake, ku përmes përshkrimeve qoftë të ditëve të tij të para si foshnja e derës “Vlora”, do të jepte gjendjen reale të familjeve të pasura shqiptare në ato vite, të atyre shtresave, për të cilat historia jonë ende nuk ka shkruar…
“Dashuria për vendin nuk humbi, ajo vetëm sa ndryshoi trajtë”. Ky ishte i vetmi motiv që ia bëri më të lehtë jetën në vende të ndryshme të huaja, ndërsa vendi i tij ishte duke jetuar një nga periudhat më totalitare në Ballkan, atë komuniste. Pinjolli i një familjeje të njohur feudale shqiptare, Eqrem Bej Vlora, nuk mund të bënte gjë tjetër, vetëm të vazhdonte filozofinë me të cilën ishte mësuar ta shihte jetën deri në atë moshë, kur pushteti komunist e la jashtë hapësirës së tokës shqiptare, edhe pse e dinte që ato udhëtime drejt rrugëve të ngushta që të çojnë drejt Vlorës, vendit të tij të lindjes do të humbnin përjetësisht.
Për vite me radhë do t‘i shihte gjërat me syrin e dashurisë, asaj dashurie që shpesh e robëronte sa herë kthente sytë nga e kaluara, derisa një ditë do të çlirohej krejtësisht nga ajo. Dhe si të gjithë njerëzit që arrijnë të çlirohen nga sëmundja e dashurisë, ai do t‘i shihte gjërat më kthjelltësisht dhe vetëm atëherë mund të provonte atë çfarë miqtë e tij ia kishin këshilluar gjithnjë të shkruante, kujtimet. “Unë u zgjova nga ëndërrimet, mbase ca si vonë dhe zbrita në tokë: u çlirova nga dashuria ime e tepruar, por edhe nga urrejtja tjetërsuese kundrejt gjithçkaje dështake. Sot unë i kuptoj gjërat më mirë dhe gjykoj më drejt. Tani, mbase mund të shkruaj”, rrëfen ai. Libri dyvëllimësh me kujtime i E.B.Vlorës mbetet një nga kulminacionet e publicistikës dhe memuareve shqiptare. Aty çdo kush njeh së brendshmi veten,atdheun,mentalitetin. Rrëfime pa ngjyra, rrëfime high definition bardhë e zi.
9-Kronike në gur/Ismail Kadare
Kronikë në gur” afirmohet menjëherë si vepër thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Kadaresë. Është roman i hyrjes në jetë dhe në letërsi. Tregimtari është autori, që përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës tetë vitet e para të jetës së tij.
Që nga kjo fëmijëri e kanë zanafillën elementet që përbëjnë “universin Kadare”. Ai fiton sensin e tij të mprehtë të fantastikes, apo të “realizmit magjik”. Pjerrësia marramendëse e rrugëve,prania kudo e gurit,banesat e çuditshme, të mëdha e të fortifikuara, kështjellaburg, që zotëron mbi disa lagje, pamja spektakolare mbi fushën e Drinos dhe malet, e gjithë kjo do të formojë e stërhollojë pak nga pak vështrimin e shkrimtarit të ardhshëm.
Gjirokastra të fton në magji dhe, siç shkruan Kadare, “duket sikur qyteti është ngritur për të zgjuar ide të mëdha”. Ai e quan një fat të madh që e nisi jetën e tij në një mjedis të tillë: “Sa më shumë unë mësoja sekretet e artit të të shkruarit, aq më shumë bindesha që kisha patur fat të rritesha në këtë qytet më se të veçantë, që kisha dëgjuar shpjegimet e para për botën nga goja e këtyre plakave të vjetra e të mençura, veshur me të zeza, që mbanin kupën e kafesë në njërën dorë dhe tejqyrën në tjetrën”.
10-Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo/Dritëro Agolli
Ndonëse vetë shkrimtari D.Agolli është shprehur se me romanin “Arka e djallit”, do të ndryshojë përfytyrimin e letërsisë shqipe, për një shumicë lexuesish kontributi më i rëndësishëm letrar i tij në prozë është “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973).
Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari “në vijë”, romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit të tij, Demkës, një kalemxhi i stërvitur, që pak nga pak është ndarë me talentin.
Vitet e fundit, veçanërisht pas botimit në Francë, këtij romani i është rikthyer vëmendja. Rreth tij është debatuar shumë. Janë hequr paralele dhe janë bërë analogji me vepra të ngjashme që nuk gjetën tribunë botimi në vende të Lindjes ish-komuniste. Me këtë rast është përmendur, jo pa njëfarë çudie, shkalla e lirisë së krijimtarisë tek autorët më të talentuar në Shqipëri. Për një gjykim më pranë së vërtetës rreth kësaj çështjeje, ndoshta duhej vënë në dukje fakti që ky roman u paraqit fillimisht si pronë letrare e së vetmes revistë humoristike të vendit – “Hosteni” – si dhe fakti tjetër i njohur, që e qeshura mundëson gjithçka. Përmbysjet e mëdha fillojnë me humorin. Kur një periudhë historike mbërrin kohën e humorit, kjo do të thotë se ajo ka trokitur në çastin e zbaticës. “Ushtari i mirë Shvejk shembi lavdinë e perandorisë”, thotë Hasheku.
Për burokratët dhe servilët është shkruajtur jo pak, por faji përgjithësisht i është hedhur njërës palë: ose eprorit arrogant, ose vartësit të përulur. Kurse në romanin humoristik të D.Agollit, Zyloja dhe Demka, shkurtime të emrave tradicionalë “Zylyftar” dhe “Demir”, ku nuk merret vesh ku fillon “modernizimi” dhe ku mbarojnë “përkëdhelja/ përqeshja”, e meritojnë plotësisht njëri–tjetrin. Të dy janë shkaktarë situatash që e bëjnë lexuesin të shkulet gazit, por edhe të pezmatohet disi. Produkt i njëri-tjetrit, ata janë njëherësh bashkëfajtorë për lëngatën që e vetëvuajnë.
FLORIPRESS