Dashuria “nën zë” dhe lotët e haikut
“Autor i dhjetra veprave letrare në prozë, Nasho Jorgaqi është tashmë personalitet i letrave shqipe. Ai pasi pasuroi bibliotekat e shqiptarëve me shumë vepra studimore madhore e përkthime të përkora nga letërsia e huaj, vjen tani me vellimin e tretë me haiku, “Nën zë.”
Nga Fatmir Minguli
Por le të kthehemi te tre librat e fundit me poezi haiku që titullohen: “ Nën hiret e bukurisë”, “Momenti”, dhe “Nën zë”.
Duke u përqëndruar në vëllimin e tretë “Nën zë” dëshiroj të përshkruaj disa risi të veçanta që Nasho Jorgaqi na jep me potencialitet të lartë artistik.
Duke studiuar me kujdes poezitë e haikut të këtij autori, gjen se ke të bësh me një poezi të ndjeshme, vrojtuese, meditative, goditëse dhe përfundimisht shpirtërore.
Vetë titulli “Nën zë” është personifikim i të gjithë mendimeve të shprehura në këtë libër krejt të veçantë në morinë e librave me haiku që botohen në Shqipëri këta njëzet vjetët e fundit, jo se dy librat e parë kanë nivel më të ulët por se “Nën zë” është personifikim i një impresionizmi në letërsi, një impresionizëm që shfaqet krejt natyrshëm, ashtu siç ky lloj zhanri e kërkon. “Dashuria e Mimozës” e shkruar në vitin 1960 rikthehet me ngjyra të tjera, pamje të mjegulluara nga koha por gjithsesi të kapshme, pamje që Nasho Jorgaqi kërkon ti shprehë vetëm “nën zë”. Vetë titulli i librit tregon se lexuesi do të gjejë jo haptazi dashurinë ndaj femrës, bukurinë e natyrës, ngazëllimi ndaj kujtimeve, frikës nga vdekja, problemet e qytetit zhurmëmadh dhe erotizmin delikat.
Dhe “Dashuria e Mimozës”, ashtu nënë zë ka depëtuar nëpër dhejtra libra që Nasho Jorgaqi ka shkruar dhe tani nëpërmjet haikut të tij origjinal , ajo vjen kryelartë, me një nur mbretëreshe, ulet në shkallët e mendimeve të autorit, ai i zgjat dorën dhe ajo zbret e qetë dhe e sigurtë!
Kështu Nasho Jorgaqi vjen romantik i vazhdueshëm, pa ndërprerje por linear ku herë herë ndeshim shpërthime të një poezie revoltë por…edhe revolta është e edukuar.
E harrojmë kërcënimin e kohës
kosa e kokave tona
çatia që na pret të gjithëve.
Dhe nëpërmjet nostalgjisë për një jetë të jetuar denjësisht ai prenoncohet, jo vetëm për dashurinë e madhe të tij por dhe për hidhërimet. Haikut e Nasho Jorgaqit janë deduksione sikurse një gjeneral që ka kryer shumë beteja, mundohet të hedhë dritat e prozhektorit poetik në çastet sublime, të mira apo të këqia. Prandaj në haikun e Nasho Jorgaqit gjejmë pikërisht këto monologje të ëmbla, të acaruara, të anashkaluara, të mbivlerësuara ashtu si skenat e ndryshme të jetës së tij prej artisti ……
Prandaj ai krijon vazhdimisht dekore të veçanta për dashurinë, për të cilën ai bëhet një poet i brishtë:
Si tastierë e pianos
më bëhen ato shkallë
Tek shkel ……yt.
Ai shfaqet krejtësisht si një dashnor jo vetëm i botës rreth e qark, jo vetëm i femrës, grua apo nënë, jo vetëm i mendimeve të tij. Dhe për të gjithë këtë dashuri ai paraqitet i thjeshtë, ku kohën e tanishme e përdor për të parë të shkuarën e për të shpresuar tek e ardhmja. Dhe i vjen në ……mendimi më i spikatur i poetëve të mëdhenj japonez, kur autori, shkruan këtë haik të mrekullueshëm:
Ujrat gjithandej
Pasqyrë e parë e botës
ku njeriu pa vetveten.
Tek lexon haiku-t e Nasho Jorgaqit vihesh në vështirësi, vështirësi dhe ndrojtje e njëkohshme!
Ndrojtja shoqërohet me admirim për penën e qetë, aq aristokratike sa dhe të këndshme dhe mendim ndjellëse të këtij autori tashmë “flokëbardhë e fytyrëndriçuar”.
Në këto shënime unë gjej te haiku-t e Nashos edhe disa veçori të pandeshura tek autorë të tjerë të haikut, apo edhe të poezisë jo haik.
Ato janë: Erotizmi elegant, dashuria brenda panteizmit, haik urbanistik shqiptar, meditimi goditës dhe dhimbje ndaj moshës që ikën…
Nëpër moshën që ikën, ndizen edhe “fenerët e detit që ndriçojnë thellësitë” e njekohshëm duken skenat impresioniste që shoqërojnë vënde vënde të gjitha veçoritë e përmendura më lart.
Duke ndaluar më shumë te haikut për dashurinë, lexuesi vë re se ai koncentron, nuk përhapet, veçse përmblidhet rreth idesë, objektivit. Dashuria për autorin në këtë libër delikat është e përqëndruar si në vizatimet e vajzave japoneze e ai nxjerr që andej portrete të grave e vajzave tona, të veshura me rrobat e gjata e të rënda tek ecin si ëndrra të kristalta e tunden si pishat e larta të viseve shqiptare. Dhe ja befasia e prof. Nasho Jorgaqit:
Vetëtimë në qiellin e kaltër
Ajo sapo kaloi
gjithë burrat fërkuan sytë.
Si për ti dhënë akoma më tepër ngjyrim dashurisë ai sillet si haikuistët modernë tek shkruan kaq hollë për të dashurën:
Në krahët e fluturës
Të mund të shkruaja
Emrin tënd!
Dhe ashtu i përkorë, autori vazhdon me të njëjtën mjeshtëri haikuiste:
S’ka postë më besnike
Se flladi i ……..
Që fjalët larg t’i çon.
Jo më kot e konsideroj impresionizmin e Nasho Jorgaqit tepër evident për deri sa mjafton që ai “mendimet e saj / qelqe të mjegulluara / ku sytë i vagëllojnë!” Natyrshëm ai punon me figurat e metaforave ku guackat e detit, gjethet e vjeshtës, gjuha e këmbanës, kandili i detit, buzë kristali, etj janë jeta e gjallë e kaluar dhe e tanishme e autorit.
Dashuria është prezente pothuaj në çdo faqe të librit ku merr krahë dhe një divizion i saj, ajo e zhgënjimit dashuror. Janë me dhjetra haiku ku autori me performancë ndryshe na jep shkurtazi dhimbjen që të jep ftohtësia e femrës, madje e jep krejt në mënyrë moderne
Buzët e tua, buzë kristali
gjithë dritë e shkëlqim
Por sa të ftohta!
Erotika, si pjesë vazhduese e poezive për dashurinë është një befasim që e ndesh në librin “Nën zë”. Edhe për erotikën, Nasho Jorgaqi ka bërë mbi 12 haiku shumë të bukura, të ndjera, të cimbisura dhe thellë në shpirtin e së bukurës: Ato janë poezi që na kujtojnë poetin Janis Ricos i cili rreth moshës së tij të tretë bëri një cikël të plotë me poezi të jashtëzakonshme për të, të tërë nën titullin “Erotika”, përkthimi i të cilave është bërë në Shqipëri në vitin 2000.
Vargjet erotike të Nasho Jorgaqit janë aq të bukur sa që dhe në rini të vet s’besoj t’i shkruante:
Shtegut të gjirit të saj
Zbresin syt’e tij
Ndezur trupi prush.
Në gjithë poezitë haik, gjejmë një përshkrim të trupit të gruas në formë elegante, ku ndrojtja dhe filozofia e dashurisë për femrën mbizotërojnë, paçka se figurat janë të hapura, direkte. Megjithatë ato kanë brenda një frymëzim të fuqishëm, përndryshe nuk do kishim këto vargje të mrekullueshme të ngjashme në mendim.
Dhe Nasho Jorgaqi na befason përsëri me poezitë që kanë ngjyrimin panteistik. Si një poet i rilindjes, më shumë si Naim Frashëri panteizmin e bën pjesë të jetës. Jo vetëm në haikut që ai e përmend direkt panteizmin, por edhe atëherë kur nuk flet direkt, ndihet besimi te qiellorja.
Përqafuar rri çifti
mes hënës varur në qiell
dhe hënës kredhur në liqen
apo
kush di të lexojë
ç’po shkruan në qiellin e errët
flaka e vetëtima?
Por dashuria është brenda panteizmit. Autori ka përdorur të gjitha penelatat e të gjitha bojrat për të na dhënë tabllo të reja, ndryshe. Edhe dashuria brenda një kishe e dy të rinjve jepet kaq bukur dhe moderne tek dy të dashuruarit puthin të njëjtën ikonë njëkohësisht:
Buzët tona dikur
Te ikona e një kishe
u puthën së pari.
Dashur pa dashur me këtë libër Nasho Jorgaqi hap një hulli të re në poezinë shqipe duke ripërtërirë eksperiencat e Rilindasve tanë të mëdhenj, jo vetëm të De Radës e të Naimi Frashërit. Kjo vjen sepse autori derdh gjithë filozofinë e jetës së tij, me të mirat e të këqiat që ajo i ka sjellë tek e mendon vehten të dorëzuar përpara poezisë. Dhe mirë bën. Libri “Nën zë” ka me dhjetra poezi të tilla ku jeta, dashuria, panteizmi dhe Shqipëria janë ndërthurur me fijet e viteve të gjata që autori i ruan në lëmshin e jetës së tij.
Në kundërshti me ndonjë mendim të hedhur në shtyp ku thuhet se Nasho Jorgaqi nuk e përdor haikun urban, unë mendoj se i gjithë libri është një haik urban, duke ndërtuar urën ekuilibruese midis bukurive qytetëse dhe korijeve të fshatit të cilat autori i shijon së tepërmi nëpër haikut “nën zë”. Kështu që ia bëhet bashkërendës në kultivimin e haikut qytetar, duke e parë besimin si ndërmjetëse midis qiellit dhe tokës dhe përfshirëse të jetës së njeriut. Dhe në mendjen e autorit lindi dyshimi për pozicionin e tij në jetë, dhe jo vetëm të atij:
kushedi në sa brigje
e hodha spirancën e shpresës
kurrë nuk e gjeta vetvehten.
Dhe pastaj nga ky lloj dyshimi madhor kalon në një romanticizëm të përzjerë me dashurinë që panteizmi të dhuron:
Buzët tona dikur
Te ikona e një kishe
u puthën së pari
Nasho Jorgaqi i kërkon pozicionet e jetës, filozofikisht pikërisht në ekzistencën e madhores qiellore ku dashuria dhe religjioni bëhet një:
Ajo dritare atje lart
Ishte dritarja e qiellit
Nga vështronte dashuria ime.
Si për ta përfunduar këtë filozofi tepër serioze që ndërton jetën e poetit në këtë moshë ai përsëri shfaq ndrojtjen e tij gjithmonë “nën zë” e përherë aristokrat, qytetar i dorës së parë:
Kur numëron vitet e fundit
Psalme këndo nën zë
dhe mbahu pas durimit
Nasho Jorgaqi është plotësisht i kuptueshëm nëpërmjet metaforave artistike por dhe metaforave ide, jo vetëm figurë. Vetë objektivi i librit është thënie e gjërave “nën zë”, përbën pikërisht jo vetëm një megametaforë por dhe mbështillet nga fillimi gjer në fund me një tis impresionizmi.
E kështu trajtohen problemet e moshës që po shkon dhe që diçka po afrohet, ankthi për çka nuk është realizuar mbetet në vargjet e librit si vathë të mëdhenj në veshët e femrës së padukshme,që varen e varen pambarimisht dhe autori thotë
Oh ç’më djeg malli
Për këngët e sirenave
Që ikën me rininë time.
Libri “Nën zë” zen një vend të posaçëm në poezinë qytetare të haikut dinamik shqiptar.