Shkruan:Fahri Xharra
”Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne jetojmë, nuk është aq i panjohur për evropianët e perëndimit për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës, sa shqiptarët. E megjithatë, ata janë popull kryesor, të lashtë e të rëndësishëm, që çdo historian do të dëshironte t’i njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëti të mëdha në historinë e vjetër e të re të Evropës. Por… ata sot nuk luajnë më ndonjë rol të veçantë.
Ata janë të nënshtruar, ata janë fatkeq dhe historiani shpesh është po aq i padrejtë, sa dhe njeriu i zakonshëm; ai nuk i përfill ata që nuk i ka prirë fati.” (Johan Tunman, 1774, Leipzig, “Kërkime në historinë e popujve të Evropës Lindore”.)
“Ishim të panjohur, sepse nuk donin të na njihnin. ”Lahyvlevelatë” na sundonin, na shkombëtarizonin, na ndërronin fenë, me çdo lloj metode; dhe ne mbeteshim të panjohur për të tjerët. Z. Tunman e dinte këtë dhe donte që botës së civilizuar t`ia rikujtonte se në mesin e tyre ishin edhe shqiptarët. Shikoje dhe lexoje Zotin Tunman, 1774 !, hala pa u formuar serbët si serbë.
Sot bota e di se ne ku jemi dhe si jemi, por na dalin të rinjtë që mundohen në “emër të shkencës së të pavërtetës historike“ të na i rrumcullojnë rrënjët dhe të na paraqesin pak a shumë si jashtëtokësorë (E.T.) të ardhur diku në fillimin e lulëzimit të Perandorisë Osmane, apo jo zoti Schmitt?
Vala e islamizimit pas vitit 1389
Kush ishin Arnautashët? “Pas Betejës së Kosovës (1389), serbët e këtushëm u shpërndanë. Një numër i madh i tyre përfunduan në Shqipëri ku filloi vala e madhe e islamizimit të tyre. Të bijtë dhe nipërit e atyre serbëve të cilët kishin luftuar në Kosovë gjithmonë e paskan pas ruajtur kujtimin e tyre për gjyshërit e dikurshëm- shpjegon historiani Gjuretiq, duke shtuar se mbi 80% të shqiptarëve të sotëm, nga burimet relevante historike, janë me origjinë serbe, dhe janë po ata serbë të islamizuar pas Betejës së Kosovës.”
Por, islamizimi më i madh i serbëve, Z. Schmitt, sipas burimeve të tyre, qenka rritur shumë në shek. XVII dhe në fillim të shek. XVIII, sepse si arnautashë ata paskan pas më shumë të drejta ose sipas burimeve të tjera shumë serbë e paskan pas pranuar islamizimin si një domosdoshmëri të dreqit, duke pritur gjithmonë që një ditë do të kthehen në rrjedhën e të parëve të tyre. Shumë gjenerata të para të konvertuara në islam e paskan pas ruajtur gjuhën e tyre dhe festat e tyre fetare.
Ndoshta jam gabim; mos janë këta shqiptarët e shkretë që e pësuan këtë Fatkeqësi, Z. Schmitt?
Por, vazhdohet më tutje në shkrimet e tyre ( e që janë me mijëra), pra albanizimi i serbëve të islamizuar u bë te ata serbë që nuk ua ndiente më për ndjenjën kombëtare dhe u martuan me vajza të komuniteteve fisnore shqiptare.(?) Për një kohë të gjatë historike ata të konvertuarit u quajtën nga serbet ortodoks, si arnautashë.
Por, për çudi, ata arnautashët nuk e paskan pas ndier veten as si turq e as si shqiptarë, por ato sot nuk po e ndiekan vetën më as si serbë.
Deri në fundin e shekullit 19-të arnautashë të shumtë i mbanin mbiemrat e tyre të vjetër Në Drenicë paskan pas qenë Dokiqt, Veliqt, Marushiqt, Zoniqt, Raçiqt, Geciqt, të cilët shih që ishin me origjinë serbe. Situatë e njëjtë ishte edhe në Pejë dhe rrethinën e saj ku jetonin shumë serbë të islamizuar dhe albanizuar:Stepanoviqt, Bojkoviqt, Dekiqt, Lekiqt, Stojkoviqt etj.
A nuk është kjo vjedhje e pafytyrë e historisë?
Duke kaluar nëpër Kosovë e Metohi, S. Gopçeviq paska pas qëndruar gjatë në Prizren. Të dhënat që ai paska pas mbledhur i paskan pas treguar një shkallë të lartë të islamizimit të serbëve të Prizrenit; kurse Gjakova shënohet si vend i 4.100 familjeve nga të cilat 161 të serbëve kristian ( shkijet e rajës; shqiptarët ortodoks f. xh.), 130 të shqiptarëve katolikë e të tjerët shqiptarë të islamizuar.
Shkrime sipasinteresave serbe
Në Prishtinë paskan pas jetuar 3510 familje, nga të cilat 350 të serbëve të krishterë, 2600 (!) të serbëve mohamedan, 260 familje turqish, 70 të hebrenjve dhe vetëm 70 të shqiptarëve dhe të tjerëve.(?)
Bogdanoviqi (Knjiga o Kosovu, Dimitrije Bogdanoviq 1985) shpjegon se “populli serb ishte viktimë e jo vetë një stihijeje, por e një plani për zhdukjen fizike te tij”. Kurse për Samarxhiqin, 1989, shkruan “Arbanasit”, që në shek. XVI ishin ekspanziv dhe se turqit ishin ata që i lejuan mbi serbët që “si gozhda e ndryshkur të mbijnë mbi dheun e tyre të lashtë (të Serbisë?)”
Autorët e vjetër serbë i përshkruanin shqiptarët si “zullumqarë”, “bisha të tërbuar”( Ristiq, 1864); si dhe “arbanasët e egjër”, të cilët ishin “thjesht barinj të egjër” ( Sreçkoviq, 1888).
Thjesht shkruhej ashtu, si atyre iu shkonte për shtati.
Herë shkruhej për ne që ishim si “bisha”, “barinj të egjër”, që nuk dinim të bëjmë shtet, kur ishte në pyetje ndarja e tokave, e herë shkruhej për ne se ishim arnautashë, serbë të islamizuar dhe të albanizuar, kur iu duhej përvetësimi ynë karshi botës.
E dumbaba, rrinte si karagjoz dhe vetëm vërente dhe se çdo gjë shkonte mirë sipas “planit”. Bota nuk na lypte, serbët na bënin jashtëtokësorë( aliena), e turku heshtte.
Na këshillove, Z. Schmitt që të kërkojmë rrënjët tona diku nga Anadolli dhe me pashatë turq ( që shumica prej tyre ishin të tanët, mjerisht) të fillojmë shpurdhje të historisë sonë.
Një burrë i mençur i Evropës ka pas thënë se vetëm atëherë kur shqiptarët e shkruajnë vetë historinë, atëherë ajo është historia e tyre.
Të vazhdojmë me arnautashët e serbëve.
Së pari një pyetje tjetër, pse turku nuk na thirri ashtu si quheshim, por na e tha se jemi arnautë? Pse kurrë nuk doli t’i shpjegojë botës se këtë racë që po e shtypi me shekuj, edhe këta e kanë origjinën e tyre? e kishte të vështirë? Jo, thjesht nuk donte.
Po, me çfarë dokumente e fakte historike serbet e morën guximin që të përvetësojnë një popull dhe t`i qitet hi syve të botës se këtu paska pasur vetëm serbë?
E ne, historia jonë që daton që nga pellazgët, ilirët, arbrit dhe shqiptarët, të heshtim dhe të pranojmë atë se çka shkruanin serbët, apo jo i nderuar?
Trojet shqiptare, në pazar
Nuk jemi fejtonistë, por letrat e shkruara janë të lexueshme, ato edhe komentohen. A nuk është e vërtetë se me shpartallimin e perandorisë osmane trojet shqiptare u nxorën në pazar nga vetë perandoria për t’i joshur apetitet sllavo-ortodokse të Moskës, Beogradit e Athinës. Prej më shumë se 100 mijë km², Shqipëria londineze ngeli vetëm me rreth 28 mijë km² , sepse të tjerat u aneksuan nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, me ndihmën e Rusisë dhe me pamundësinë e mbrojtjes nga shtetet perëndimore. Edhe kjo pak Shqipëri, përveç përpjekjeve dhe gjakut të derdhur, është një dhuratë e bërë për popullin shqiptar nga ana e disa shteteve mike euro-perëndimore dhe SHBA-së.
Keni të drejtë Z. Scmitt kur thoni “Demokracitë e dobëta në Kosovë dhe Shqipëri gjithnjë e më shumë po joshen nga Turqia derisa vëzhguesit shqiptarë të orientuar nga Perëndimi të shqetësuar e shikojnë strategjinë neoosmane të Ankarasë”, keni të drejtë gjithashtu kur thoni: Deri vonë në shekullin XIX shumica e shqiptarëve nga administrata osmane konsideroheshin ose “turq” (d.m.th. myslimanë), ose “grekë” (ortodoksë) dhe “latinë” (katolikë). Shumica, sipas Schmitt, edhe ndiheshin të tillë. Jo, jo të gjithë, nuk ndiheshin të tillë.
“Alfabeti me shkronja latine u miratua kundër rezistencës së ashpër të klerit mysliman.”Shkruani ju Z. Schmit; por jo vetëm për këtë, por edhe për të vazhduar ai ku kishim mbetur. Apo jo?
Ne e dimë edhe këtë që e thoni ju:“Përhapja e ideve kombëtare shqiptare ishte një ndërmarrje tejet e vështirë, madje rreth vitit 1900, Perandoria Osmane ndaloi përdorimin shkrimor të shqipes ( po, ajo s`e kishte lejuar kurrë, F. Xh.) Gjuha shqipe, sipas pikëpamjes osmane, mund të dëmtonte besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë”. Pastaj vazhdoni se; të ndarë e të përçarë (1912), shqiptarët u shndërruan në top loje të fuqive ballkanike dhe evropiane; aventurierë të llojllojshëm synonin fronin shqiptar, politikanë shqiptarë me mendësi anadollake nuk dinin ç’duan për popullin e tyre.
Ne e dimë se edhe sot jemi në të njëjtën pozitë. Por, edhe kjo do të tejkalohet.
Por, “shqiptarë, osmanë, mercenarë, orientalë, perëndimorë, të paorganizuar, kaotikë, të degjeneruar nga komunizmi i Enver Hoxhës dhe të shtypur nga Jugosllavia e Titos: historia shqiptare është plot drama dhe absurde (E.R)“. Jo nuk është krejt e vërtetë. Kemi drama që pa fajin tonë janë luajtur mbi kurrizin tonë, por nuk jemi kaotikë dhe absurdë.
Këndi Zotëri Schmitt, këndi, varet nga cili kënd i shikoni gjërat. Të jeni real, ne nuk jemi arnautashë.