2012-05-14

Përmbyllet mitingu i poezisë në Gjakovë

Agim Gjakova, Besa Myftiu, Sali Bashota e Ali Podrimja, janë katër fituesit e dalë në Mitingun e 48-të të poezisë, që të shtunën në mbrëmje e mbylli siparin në Gjakovë.

Poezia “Nana” e Agim Gjakovës është zgjedhur poezia më e mirë e lexuar në orën e madhe letrare, ndërkaq poezia “Ku janë miqtë e mi” e poeteshës shqiptare Besa Myftiu është shpërblyer me çmimin “Yllka Domi”, çmim që ndahet për poetin më të mirë që për herë të parë merr pjesë në këtë manifestim.

Çmimi për vepër jetësore, që e ndan shtëpia botuese “Fan Noli” i ka takuar poetit Ali Podrimja, ndërsa përmbledhja më e mirë e poezive e botuar mes dy mitingjeve është zgjedhur vepra “I ringjalluri” nga autori Sali Bashota, i cili për këtë e ka fituar çmimin “Din Mehmeti”.

Ndarja e çmimeve që gjithsesi është pjesa më kulmore e këtij aktiviteti, sivjet ka mbetur nën hijen e prezencës së disa emrave të mirënjohur të letërsisë shqiptare e asaj botërore, e në veçanti poetit francez Athanas De Tracy, poetit bullgar Dimitar Histov, poeteshës dhe studiueses Besa Myftiu dhe prozatorit të mirënjohur shqiptar Fatos Kongoli. Të gjithë këta janë shprehur të kënaqur me atë që e kanë parë në Gjakovë dhe me interesimin e madh të adhuruesve të poezisë.

“Jam i befasuar. Një numër kaq të madh adhuruesish nuk mund të gjesh në ndonjë aktivitet të tillë askund në Evropë”, ka thënë fituesi i çmimit më të madh të poezisë në Evropë “Solenzara” dhe botuesi i 44 veprave me poezi, De Tracy. Edhe prozatori, aktualisht ndër më të kërkuarit shqiptarë, Fatos Kongoli, ka folur në superlativ për prezencën e madhe të adhuruesve në sallën solemne të pallatit të kulturës “Asim Vokshi”, ndërsa nuk ka harrur të përmendë edhe lidhjen e tij shpirtërore me Kosovën. Madje, Kongoli e ka treguar edhe një “fshehtësi” të tij, të cilën ka thënë se po e përmend për herë të parë.

“Kur e pata botuar veprën time të dytë, romanin “Ne të tre”, kritikat në Shqipëri ishin aq të shumta dhe akuzat ndaj meje ishin aq të mëdha saqë pata vendosur që më kurrë të mos merrem me shkrime. Por, ajo që më bëri ta ndryshoj këtë vendim, ishte lajmi se e njëjta vepër ishte pritur shumë mirë në Kosovë, ishte shumë e lexuar, e kërkuar dhe e ribotuar tri herë në një afat të shkurtër kohor”, ka treguar ai.

Në orën e madhe letrare, që ka zgjatur më shumë se 3 orë, para adhuruesve, poezitë e tyre i kanë deklamuar 50 poetë nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa sipas organizatorëve numri i atyre që janë paraqitur për deklamim ka qenë rreth 200. Ndërkohë, orës qendrore i ka paraprirë edhe tribuna tradicionale e Mitingut, e cila për temë të sivjetme e ka pasur “Letërsinë në shekullin e pavarësisë”. Në këtë tribunë me kumtesat e tyre janë paraqitur poetët dhe studiuesit Agron Tufa, Besa Myftiu dhe Sali Bashota.

Në kumtesën e tij studiuesi tiranas Tufa ka konstatuar se letërsia shqiptare kohët e veta më të mira i ka pasur në vitet ‘20 dhe ‘30, ndërsa që shkatërrimin më të madh dhe zhdukjen e gjithçkaje të mirë, ajo e ka pasur gjatë 50-vjeçarit të izolimin komunist.

“Në vitet ‘20 dhe ‘30, letërsia ka pasur edhe një infrastrukturë të mirë që i ka ndihmuar të zhvillohet. Asokohe ka pasur një numër të madh të revistave letrare, të cilat fatkeqësisht nuk janë në atë numër edhe në ditët e sotme, kur mundësitë janë shumë më të mëdha”, ka thënë Tufa

Në këtë kontest ka folur edhe studiuesja tjetër, Besa Myftiu, e cila ka përmendur përvojat personale në kohën e komunizimit, konkretisht linçimin dhe internimin që i është bërë babait të saj, shkrimtarit disident Mehmet Myftiu, vetëm e vetëm pse asokohe ka luftuar për fjalën e lirë.

“Ndonëse kam shkruar që nga mosha e re, unë nuk guxova të botoj deri sa ra sistemi, sepse poezitë e mia kishin trishtim, kishin hidhërim në dashuri dhe këto gjëra nuk pranoheshin nga sistemi”, ka thënë Myftiu

Përpos këtyre dy aktiviteteve, gjatë ditës së shtunë janë organizuar edhe tri orë letrare, një në qytetin e Bajram Currit në Shqipëri, një në komunën e Junikut dhe një orë letrare për fëmijë që është mbajtur në Gjakovë.

No comments:

Post a Comment

Shkëlqim Devolli vazhdon takimet me kongresistë në Washington DC

                                 Flori Bruqi  Kosovar businessman Shkëlqim Devolli met today with the former American president, Donald Trum...