Bisedë me Agim Vincën



Bisedë me Agim Vincën


Nga Gjokë Dabaj
Këtë herë bisedova gjatë me mikun tim të kahershëm, Njeriun me të cilin njihem prej shumë vitesh, Prof.Dr.Agim Vincën. Thashë: Njeriun. Nuk thashë: poetin. Nuk thashë: pedagogun shumëvjeçar të letërsisë shqiptare. Nuk thashë: publicistin. Nuk thashë: patriotin nga më të kulluarit. Nuk thashë: familjarin e përkushtuar. Të gjitha këto ai i ka. Por unë thashë: Njeriun, me shkronjë të madhe. Sepse Prof.dr.Agim Vinca është në radhë të pare Njeri. Kështu e njoh unë atë: Njeri me të gjitha cilësitë më të mira që mund të ketë kjo qenie, e cila, përndryshe, mund të jetë e gjithfarshme.
Ndenja me Prof.Agimin diku afër 1 muaj. E takoja pothuaj çdo mbrëmje dhe përhumbesha në bisedat më të përzemërta. Ishin pikëpamjet tona shumë të afërta, ishin shikimet tanë të përbashkët, të bashkëpajtueshëm, lidhur me morinë e ngjarjevet dhe të dukurivet që ndodhin rreth nesh, ato që na afronin. E, mbi të gjitha, për çfarë tjetër më shumë mund të flitej, përveç për problemet që lidhen me fatet e Kombit e të Atdheut tonë?
Nuk bisedova me Prof.Agimin në kafe, siç mund të përfytyrohen bisedat më të zakonshme midis miqsh. Bisedova me të nëpërmjet një libri, të cilin ai ma kish dhuruar më 15 dhjetor 2011. Kjo është mënyra më e përsosur për të biseduar njerëzit njëri me tjetrin. Libri titullohet: ”Arti i reagimit”. Është botuar në Prishtinë më 2011-n. Ka gjithsej 568 faqe.
Siç dodh zakonisht me librat që sapo i marrim në dorë, e shfletova deri në fund dhe lexova së pari shkrimin e tij përmbyllës. Në krye të faqes 543 hasa në një kumt, në një të dhënë, sa trishtuese e indinjuese, aq edhe revoltuese. Kështu që, gjatë gjithë leximit, gjatë gjithë kësaj bisede tepër miqësore, më ka shoqëruar edhe emocioni pëlcitës i revoltës. I një të atillë revolte të papërmbajtshme, e cila s’ka, s’gjenë asnjë rrugë jetër shkarkimi, veç ta plasë njeriun, ta shpërthejë e ta bëjë 400 copash. Por unë nuk po e them tash shkaktuesin e kësaj revolte. Po e lë për në fund, siç e ka lënë vetë autori.
Këtë libër unë e lexoj edhe: “Arti i Agimit”, pa parashtesën RE. Më pëlqen ta quaj kështu këtë libër, jo vetëm sepse në dizajnin e kopertinës është përcaktuar edhe kjo mënyrë leximi, por sepse Prof.Agimi ka një mënyrë të veçantë, doemos artistike, të dallueshme prej shumë të tjerësh, për t’iu qasur problemevet. Mënyrë që u shkon për shtati një vargu vetishë të tija shumë të vlefshme.
Vetia e parë e tija është kjo: Ai nuk mund të rrijë pa folur (publikisht). Ku ta gjejmë ta kenë të gjithë intelektualët tanë këtë cilësi! Ai jeton me ngjarjet, i përjeton ngjarjet (siç i përjetojmë realisht qindra mijë shqiptarë), por nuk i mban brenda vetes. As nuk kufizohet fort për t’i shprehur në rrethet e tij më të ngushtë. Por prapë rri pa gjumë. Me siguri pjesën më të madhe që njerëzit e kalojnë duke fjetur, ai rri zgjuar dhe shkruan. Nuk shkruan për t’i mbajtur në sirtar mendimet që i vlojnë, por shkruan për t’i publikuar ata mendime. Me qëllim që të trazohet sadokudo edhe shpirti i të tjerëvet.

Vetia e dytë e tija është: Në të shprehurit e mendimevet ai mundohet të jetë sa më objektiv. Mundohet dhe ia arrinë të jetë i tillë. Është kjo vetia, të cilën e kanë, e zotërojnë, vetëm njerëzit me zemër të madhe, me shpirt të madh. Nuk mund të jesh objektiv, nëse je shpirtngushtë, nëse je egoist, nëse je meskin. Prof.Agimi ia arrinë, ia del të jetë objektiv, pikërisht sepse, në vend të shpirtngushtësisë, egoizmit dhe meskinitetit, ka shpirtgjërësinë, altruizmin e humanizmin, në përgjithësi shikimin e gjëravet në kontekstin dhe arsyeshmërinë përkatëse. I shohim këto cilësi sidomos në vlerësimin e shkrimtarëvet. Po marr si shembull qëndrimin e tij ndaj Hivzi Sulejmanit dhe Esat Mekulit (f.522-528). Është një shembull, me të cilin shumë analistë, sigurisht të ngushtë e të njëanshëm, nuk do të pajtoheshin. Prof.Agimi, këtë veti, vetinë e të qenit objektiv dhe i kthjellët në vlerësimet e njerëzvet në përgjithësi e të shkrimtarëvet në veçanti, punë që e ka të profesionit, e ka shpalosur jo veç në këtë libër, por në krejt veprën e tij studimore. Pikërisht për këtë, ky studiues klasik i letërsisë shqiptare, meriton të merret si shembull dhe të imitohet prej të gjithë atyre dijetarëve që merren me fusha të ndryshme të albanologjisë, por veçanërisht prej historiografëvet.

Vetia e tretë e tija (ndoshta e para), është guximi. Të jesh i guximshëm në mendimet që i thua publikisht, nuk është gjë e pakët. Një veti e tillë shoqërohet gjithmonë me rrëziqe. I ke të gjitha mbi shpinë, që nga mbyllja e të gjitha rrugëve të karrierës (Ama, të gjitha!), te privacionet në shkallë familjare e deri te jeta. Prof.agimi i ka marrë të gjitha këto parasysh qëkurse i ka thënë vetes intelektual shqiptar. Në këtë libër na bie në sy, që në faqet e para, mospajtimi i tij me qëndrimin e mbrapshtë, pervers, siç e quan ai, të kryetarit të LDK-së, Dr.Ibrahim Rugovës. Ka qenë kundër politikës së Dr.I.Rugovës, jo që në fillim, por prej ditës kur u pa se ajo politikë qe shndërruar në pengesë për lëvizjen tone çlirimtare. Ka qenë kundër dhe e ka shprehur qysh atëherë kundërshtimin e vet. Kjo ka rëndësi: E ka shprehur atëherë! S’e ka ruajtur për më vonë. Kështu e kemi Prof.Agim Vincën në të gjithë reagimet. Nu i ruan për më vonë. Të tillë do ta shohim edhe ndaj UNMIK-ut, edhe ndaj “Pakos (Peshqeshit të Ahtisarit, Gj.D.)”, edhe në përkrahjen pa mëdyshje të Vetëvendosjes, edhe përballë surrogatit që quhet “Enciklopedi maqedonase” dhe që e pakta 30% të sajën e financojnë shqiptarët.
Veti e çmueshme e Prof.Agimit, e cila edhe të mallëngjen, është nderimi, reveranca, përulja e tij para dëshmorëvet të atdheut. Duke lexuar faqet e këtij libri, në të cilat flitet për bijtë dëshmorë e heronj të këtij kombi, unë u ndjeva dyfish i emocionuar. I emocionuar ndaj jetës dhe veprës së atyre që tashmë janë shenjtëruar për ne, dhe i emocionuar nga mënyra se si i përshkruan jetën dhe aktin e tyre të flijimit Prof.Agimi. Nuk mund të mos përlotesh në heshtje tek shfleton faqet që flasin për djem të rinj, që i janë kushtuar Atdheut që në moshë fare të jomë dhe që, në një orë të caktuar, e kanë mbyllur jetën ashtu siç edhe e kishin nisur: me bekimin e nënavet të veta dhe të të gjitha nënave të tjera. I shfleton këto faqe dhe thua: “Shyqyr që ka kush të shkruajë e kush t’i kujtojë!”
Thua: “Shyqyr që ka kush të shkruajë!”, por mendja të vete sakaq te një plagë e rëndë e jona: Kemi shumë të atillë, madje deri në krye të 2 shteteve tanë, që nuk po duan t’i lodhin as mendjen as shpirtin për pjesën që po sakrifikohet. Po sjell këti vetëm 2 a 3 shembuj dhe po hesht edhe unë, siç heshtin të gjithë të indinjuarit e këtij Dheu. Nëfaqen 503 Prof.Agim Vinca shkruan: “Me duart e mia i kam mbledhur copat e mermerit (të thyer, Gj.D.) te varri i poetit Lasgush Poradeci.” Në faqen 508 Prof.Agim Vinca prapë shkruan: “lexoj e dëgjoj se në Shkodër është dëmtuar rëndë nga njerëz të panjohur busti i Migjenit.” Ndërsa në faqet 542-543, njëlloj si te 2 rastet e mësipërm (sado që ai vetë nuk e vë këtë rast në një rresht me 2 të tjerët), lexuesi ka fatin e keq të lexojë: “Të gjithë këta shkrime… janë botuar… pa kurrfarë shpërblimi material, që do të thotë pa asnjë cent honorar.”
Në këtë mënyrë, gjithë kënaqësinë, tejet komplekse, që ma solli kjo bisedë me mikun tim të hershëm, Prof.Dr.Agim Vincën, unë jam i detyruar ta përmbyll me një apel tejet të hidhur: Mirë që, për fajin tuaj, jo për gabimin, por për fajin tuaj të pafalshëm, që të gjithë ne, lloji ynë, po e mbyllim me nga një “cirua të thatë në xhep”, si i shenjtëruari paraardhësi ynë, Jeronim De Rada, por të paktën rrasat e varrevet mos na i thyeni! Mos na i thyeni, more, rrasat e varrevet, se për ju jemi përpjekur!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)