2012-05-13

Eliminohen Dritani dhe Gerta, banorët vendosin për finalen


Eliminimet e mbrëmjes së të shtunës kanë qenë shumë të rëndësishme, pasi jemi vetëm dy javë larg finales së madhe. Tani dhe Gerta janë dy banorët e larguar nga shtëpia me votat e publikut, duke hequr dorë përfundimisht nga çmimi i madh. Banorët kanë zgjedhur një zarf, në të cilin përcaktohet edhe mënyra e nominimit për natën finale: Një banor nominohet nga publiku (për atë që nuk dëshiron të shohin në finale), dhe një nga banorët e tjerë. Por banorët kanë përjetuar edhe shumë surpriza. Liami ka takuar të vëllain e po ashtu Ermali ka takuar motrën. Ndërkohë banorët kanë marrë sërish si dhuratë veshje. Java në vijim do të ndryshojë ritmin në shtëpi, pasi secili prej tyre do të mundohet të fitojë çmimin e madh.
Erioni, Françeska dhe Ermali duan të dalë Tani
Ndryshe nga javët e tjera, kur kemi parë gjithnjë banorët e nominuar që thonë arsyet se pse duhet të rrinë në shtëpi, këtë të shtunë, Vëllai i Madh kishte vendosur që të ishin Françeska, Erioni dhe Ermali ata që do të thonin se kë do të donin të dilte nga shtëpia. Të tre banorët që nuk kanë qenë në nominim kanë zgjedhur Tanin, i cili për Erionin ka ndërruar shumë pozicion, Françeskës nuk i pëlqen loja që ai bën dhe Ermalit, sepse nuk i pëlqen që ai rri me sfiduesit dhe nuk mban qëndrimin e tij. Po të tre kanë dashur që të jetë Arbri ai që të qëndrojë në shtëpi. Ermali ka pasur edhe një debat të vogël me Gertën, pasi thotë se ajo ka pasur shumë luhatje karakteri nga koha kur ka hyrë deri më tani, por ajo shprehet se banorët e kanë paragjykuar në fillim e ndaj u duket sikur ajo ka ndryshuar. Nga ana e tij, opinionisti Arian Konomi ka bërë një përzgjedhje, duke u bazuar te banorët që nuk do të donte të largoheshin. Ai ka thënë për Liamin, sepse është aktiv dhe përdor edhe gabimet e tjerëve për të bërë lojë, duke e komentuar edhe një lloj zgjuarsie nga ana e tij; Gentën, edhe pse këtë javë e ka parë pak më të trishtuar e të mbyllur, si dhe Arbrin, për qëndrimin dhe mënyrën se si sillet në shtëpi.
Banorët në “Electric Shock”
Banorët kanë përjetuar momente gazmore gjatë provës javore. Banorët duhet të përshkonin një spirale bakri me një levë, pa e takuar dhe sa herë që kjo ndodhte, ata pësonin dridhje të lehta. Si gjithmonë, faza finale e provës i ka takuar spektaklit të së shtunës, gjatë të cilit Erioni dhe Ermali janë munduar të elektrizojnë sa më pak të nominuarit. Ata kanë arritur të fitojnë vetëm 50% të buxhetit.
Françeska sqaron nominimin e Ermalit
Gjatë javës, Françeska ka kërkuar sqarim nga Ermali për faktin që e nominoi javën e kaluar, por më shumë se ata të dy, kanë qenë banorët e tjerë që e kanë përfolur këtë fakt. Arbana u kërkon të dyve që ta sqarojnë këtë moment, duke e pyetur Françeskën nëse ajo është ndjerë keq nga ky nominim. Ajo ka tentuar të mos i japë shumë peshë këtij fakti, duke thënë se: “Përderisa kam ardhur në një format të tillë, i prisja të gjitha gjërat. E kemi thënë se unë dhe Ermali jemi vetëm në lojë. Unë për vete kam nominuar gjithnjë banorët më të dobët, me sa duket për Ermalin ka funksionuar ndryshe”. Por banorët sërish e kanë kundërshtuar, duke thënë se nuk e besojnë që Ermali të jetë kaq i drejtë kundrejt tyre e se të gjithë janë në shtëpi për çmimin e madh. Nga ana tjetër, e pyetur nëse ka pasur luhatje në lidhje me ndjenjat që Ermali ushqen për të, Françeska ka thënë se gjërat nuk janë ndryshe si të jesh vetëm dhe në një lidhje. “Janë gjëra që unë me Françeskën i kam konsumuar, respekt, dashuri për njëri-tjetrin kemi, por secili ka lojën e vet”, ka thënë Ermali. Nga ana tjetër, Ariani ka thënë se si çift i kanë pëlqyer në fillim, që nuk donin të identifikoheshin si një çift të dashuruarish në lojë, por me kalimin e javëve, ai thotë se nuk i pëlqen më që gjatë darkës janë më të lidhur dhe gjatë ditës janë si elektrone të lira.
Liami takon vëllain
Liami ka treguar në dhomën e rrëfimit për vëllain e tij, Arielin, dhe faktin se duke qenë jashtë Shqipërisë nuk i ka qëndruar pranë, ndërsa ai është rritur. Por në dhomën e rrëfimit, ai ka treguar gjithashtu edhe për rininë, veçanërisht vitin 1998, kur Liami ishte pjesë e një grupi break dance të quajtur “Space boys”. Ata ishin pesë djem dhe bënin muzikë dhe kërcim, atëherë merrnin pjesë dhe në “Rinfest”. “Sapo të dal, do t’i kushtohem vëllait dhe prindërve. Dua që ta çoj vëllain tim në një music store, ku ka çdo gjë për muzikën dhe dua ta lë aty të bëjë ç’të dojë. Për këtë e kam merak”, ka thënë ai për vëllain, duke treguar edhe për karakterin e tij. “Unë jam më i futur, kurse ai është i tërhequr”, ka thënë ai. Liami ka improvizuar më pas një pjesë të refrenit të një nga dy këngëve që ka bërë me grupin. “E kam peng, sepse e shoh që ka dëshirë për muzikën, por unë nuk kam pasur mundësi që të bëj atë që duhet”, ka thënë Liami. Më pas, ai ka dalë në fushën e futbollit ku dëgjon vëllain e tij që këndon “live”, shoqëruar edhe nga grupi dance “My Way”.
Ermali, surprizë nga e motra
Vëllai i Madh ka vendosur t’ia bëjë pak më të lehta surprizat Ermalit, i cili më parë i ka përjetuar ato në kushte të vështira. Të ëmën e ka takuar kur vuante dënimin në burg, ndërsa për ditëlindje, takoi babain e Françeskës. Në dhomën e rrëfimit Ermali ka treguar për lidhjen e tij me motrën Tea. “Unë më shumë e kam rritur vetë motrën, sepse mami dhe babi ishin në punë. Madje ndonjëherë mësonte edhe të shante njerëzit nga unë. Ajo është për kanto dhe kur këndon nëpër shtëpi, duket sikur zihemi. Por jemi tipa pak të ftohtë, ajo i di veprimet e saj, unë i di të miat. Ajo e shpreh dashurinë më shumë se unë”. Ermali ka thënë se ajo i di edhe lidhjet e tij, e di si vepron ai dhe e aprovon. “E dua shumë, sepse ka karakter shumë të fortë. Ka qenë e shëndoshë, është dobësuar, ka dashur kanton dhe po vazhdon shkollën dhe më pëlqen shumë ky vullnet tek ajo”, është shprehur Ermali. “I dashur vëllaçko, është tepër të them se sa më mungon, ti je bota për mua, je heroi im, ne gjithmonë kemi pasur një gjë të përbashkët, buzëqeshjen. Uroj ta kesh gjithnjë me vete”, ka shkruar në një letër që shfaqet në klip. Më pas Ermali e takon të motrën në shtëpi, ku ajo i këndon këngën “Tonight” nga “Reamonn”.
Dritani është i eliminuari i parë
Banorët e kanë përjetuar me ethe nominimin e javës, duke qenë se janë shumë pranë finales. Për këtë arsye, Vëllai i Madh kishte menduar një mënyrë krejt të re për të komunikuar të larguarin e javës. Banorët nuk janë thirrur në emra, por në numra ku Arbri mbante numrin 1, Dritani 2, Genta 3, Gerta 4 dhe Liami 5. Teksa Arbana thërriste një numër, në mënyrë të çrregullt dhe jo në bazë të votave, banori që pësonte “electric shock” ishte i shpëtuar. Kështu, në bazë të votimit të publikut, Dritani ka lënë përfundimisht lojën
Eliminimi i dyfishtë nxjerr jashtë Gertën
Ndonëse Arbana e kishte njoftuar që gjatë spektaklit të shkuar se këtë javë do të kishte dy të eliminuar, banorët nuk ishin në dijeni të këtij fakti. Pas largimit të Dritanit, banorët janë lajmëruar edhe për eliminimin e dytë. I dyti më pak i votuar ka qenë Gerta, e cila është larguar përfundimisht nga shtëpia, duke hequr dorë nga çmimi i madh.
Banorët bëjnë zgjedhjen për finalen
Duke qenë dy javë larg finales, Vëllai i Madh i ka vënë përballë një zgjedhjeje shumë të vështirë banorët. Zgjedhja e tyre ka pasur të bëjë me qëndrimin në finale. Arbana i ka njoftuar se ishin ata që duhet të zgjidhnin se si do të bëhen nominimet për në natën finale. Në dhomën e surprizave gjendeshin tri zarfe: në njërin shkruhej “ju do të nonimoni për të dërguar në televotimin e javës dy banorë”, në tjetrin shkruhej: “publiku do të votojë banorin që nuk do të shohë në finale”, kurse në të tretin thuhej: “njëri banor nominohet nga publiku dhe një nga banorët e tjerë e të dy shkojnë në nominim”. Banorët zgjedhin vetëm njërin nga zarfet.
Çelen audicionet e “The Voice of Albania”
Në përfundim të spektaklit banorët shijojnë një darkë të përgatitur për ta nga hotel “Sirues” nga Prishtina, ndërkohë që në këtë mbrëmje i kanë shoqëruar me muzikë, dy nga finalistet e “The Voice of Albania”, Marsela dhe Rina. Me këtë rast, Arbana ka njoftuar se do të hapen audicionet për sezonin e dytë të “The Voice of Albania”, një spektakël që rezultoi shumë i suksesshëm në kërkim të zërit shqiptar. Kush mendon se ka talent, mund të provojë audicionet.

No comments:

Post a Comment

“Do të ndodhë një tërmet shkatërrues”, pastori që parashikoi atentatin ndaj Trump: – Pata një vizion, do të ketë mijëra të vdekur

  Një pastor i cili tha se kishte parashikuar atentatin ndaj Donald Trump, ka bërë një tjetër parashikim të frikshëm. Një pastor i cili tha ...