2012-05-17

Nga marrëveshja Serbi- Kosovë zbatohet vetëm ndëshkimi i shqiptarëve


Kërkesat e vazhdueshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për uljen e tarifave kufitare me Kosovë, duket se ka pak gjasa që të realizohen edhe përkundër premtimit të Qeverisë së Kosovës.

Kjo e fundit, si shenjë reciprociteti me Serbinë, ka vendosur tarifat kufitare për ata që hyjnë nga Serbia në Kosovë, nga dhjetori i vitit të kaluar, si rrjedhojë e marrëveshjes Prishtinë Beograd në Bruksel.

60 euro është pagesa minimale që një person duhet të paguajë sigurim nëse hyn me veturë nga Serbia në Kosovë, e cila vlen vetëm për 2 javë qëndrim, për çka shqiptarët e Luginës së Preshevës thonë se në vend të lirisë së lëvizjes, janë izoluar edhe më shumë, për faktin se këto tarifa janë jashtë çdo normaleje.

Si pasojë e ankesave të vazhdueshme, Qeveria e Kosovës është zotuar se do të bëjë gjithçka që është e mundur, për t?i ulur ato tarifa apo për t'i hequr krejt. Dy javë më parë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka kërkuar nga kompanitë e sigurimeve që të merren me këtë çështje.

"Kompanitë e sigurimit më kanë kthyer një përgjigje, me anë të së cilës theksojnë se do të angazhohen në këtë drejtim", tregon Kuçi, për "Zërin", duke shtuar se kjo është e tëra që ka marrë si përgjigje nga ata.

Gazeta ka kontaktuar me Rrahim Pacollin, kryetar i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), i cili bëri të ditur se të mërkurën (sot), do të mblidhet asambleja e Byrosë, ku do të diskutojnë për këtë çështje.

"Tarifat janë vendosur si reciprocitet me Serbinë, madje sipas informatave që kam, Serbia është duke shqyrtuar që edhe më shumë t'i rrisë tarifat për qytetarët e Kosovës. Prandaj, nuk e di se sa mund të bëjmë në këtë drejtim, por megjithatë do të bisedojmë për t'i parë mundësitë", tha Pacolli.

Ai tha se është vështirë që tarifat të ulen vetëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës, e jo edhe për serbët, sepse nuk ka mundësi ndarjeje, duke lënë të kuptohet që ka shumë pak mundësi që për momentin të gjendet zgjidhja.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Lugina e Preshevës, thonë se ky premtim i Qeverisë së Kosovës është vetëm një blof i radhës i tyre.

"Mendoj që është edhe një blof i Qeverisë së Kosovës, për uljen e tarifave kufitare. Ka disa muaj që ka premtuar, ndërsa nuk ka bërë asgjë. Kjo tregon se Qeveria e Kosovës është joserioze ndaj Luginës së Preshevës", shprehet për "Zërin" Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit të të Drejtave të njeriut në Preshevë.



"Qeveria e Kosovës po vazhdon diskriminimin ndaj qytetarëve të Luginës së Preshevës, njëjtë sikur që bën Qeveria e Serbisë", u shpreh Kamberi.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...