2012-05-14

Të lexosh një femër dhe të ndjesh burrin



Nga Roland Gjoza

Të lexosh një femër dhe të ndjesh burrin. Kjo më ka ndodhur shpesh. E kam lënë librin me ndjesinë e një peshe. Më kishte rënduar si gur. Doja të ndjeja atë fërgëllimën që vjen nga femra drejt nesh, një tjetër fërgëllime kjo, prej luleje, apo prej pende mjellme, jo prej kreshnikesh e luftëtaresh. Niçe thotë se burri ka lindur për të luftuar, gruaja për të dëfryer luftëtarin. Është e vështirë të dëfresh. Ky dëfrim prej femre rëndom mungon në poezinë shqipe. Lexojmë luftëtare.

Kësaj radhe futa në çantë një libër të Suzana Zisit. Zakonisht lexoj vetëm në metro, sepse në punë me pret kompjuteri, në shtëpi gjithashtu. Nisem me 2.30 nga Rego Park dhe mbërrij me 3.00 në 42 Street, Times Square, ku kam punën. Është një rrugë e pafundme nën tokë, një rrjetë merimangash, që ka hyrë me kohë në Ginës, nga dritaret shoh natë të përjetshme dhe kjo sikur me krijon ndjesinë se jam matanë dhe me është dhenë rasti që dhe atje të lexoj. Në natën e varreve të lexosh poezi. Është një ndjesi luksi, që sikur të jepet vetëm ty.

Mbaj tre katër libra në çantë se nata e metrosë është nazike, s'pranon mërzi, kërkon letërsi të mirë. Ka shije franceze kjo metroja e Nju-Jorkut. Kur libri më pëlqen ngatërroj stacionet, nuk zbres, bie fjala, në Times Square, po atje poshtë në City Hall, ngjitur me Brooklyn Bridge. Kjo më ka ndodhur me shkrimtarët e vërtetë. Ja, kohët e fundit e humba pusullën prej letrave të Bethovenit. E hapa librin që mbaja në duar, pa ditur pothuajse asgjë për autoren dhe ndjeva atë fërgëllimën që përmenda më lart.

Ishte femra që të jepte në fillim zërin, atë zërin krejt femëror, pastaj aromën, atë që rëndom e quajmë aromë gruaje, jo prej parfumit që ka hedhur, po prej puthjes, pastaj flakën e vijave të kurmit, pritjen, durimin, atë durimin krejt femëror, që shpërfillet prej luftëtarit të jetës, ndjej izolimin, vetminë prej kutie kukulle, pastaj më bëhet tokë, femra më bëhet tokë, mbillet, korret, vetmia vazhdon, vetmi e bukur, sepse lindi krijesa e papërsëritshme e saj, është bërë me fëmijë, vazhdon rritja, si pema, si lulja, femra që u be grua, femra që u be nënë.

Dhe këtu të ndalemi. Sepse vetëm femra i kalon këto faza të jetës. Ajo e ka foshnjën në bark, ajo e ka qumështin, ninullën, ajo e ka shenjtërinë dhe mrekullinë, sepse foshnja del prej saj, preket prej saj, pi qumështin e saj... Ec e thuaji këto përtej shtatë mrekullive ku ndodhen padyshim mrekulli edhe më të mëdha, që i ka veç gruaja, provoje.. Dashuria, xhelozia, ikjet, kthimet, brenga e brengave; përsëritja e ndjesive, një e verdhë vjeshtë, rënie, po sërish ngritje. Grua dhe nënë, grua dhe dashnore...femër..

Të jesh nënë dhe të mbetesh femër, të biesh sërish në dashuri me burrin tënd, ta humbësesh në ditët që s'janë për dashurinë dhe ta kesh sërish në ditët e ngjyrosura me seks.. Po i shikoja të gjitha llojet e ndjesive femërore me freskinë e ndjesisë së parë..

Ndjeva femrën, rashë në dashuri me femrën, u ndava me femrën, gjithsesi kisha punë me femrën, aq sa edhe kur bëhej pjalmimi, degët mbusheshin me lule, më vinte afër femra, edhe kur vdiste vjeshta, më humbte nga pak femra, dëbora e dimrit ma ngrohte e ma ndizte çmendurisht, pranvera ma suferonte e m'i merrte mendtë e kokës. Në libër, pra ishte femra, në të gjitha fazat, gjer në amshim.


No comments:

Post a Comment

Mediat dhe Politika: Pse ka kaq shumë manipulime dhe propagandë në mediat shqiptare?

  Kërko brenda në imazh Nga Gëzim Mekuli   Gëzim Mekuli lindi në Pejë (1966). Studioi në Universitetin e Prishtinës gjuhën dhe letërsinë ang...