Truri është pjesa e trupit që gjendet në kokë i mbrojtur nga kafka dhe cipa trunore dhe që shërben për kapjen, përpunimin dhe ruajtjen e njoftimeve të marra, në një nivel të lartë, nëpërmjet organeve shqisore: syve, veshëve, etj. për t´i shndërruar në lëvizje që janë mjeti i ndërveprimit me mjedisin e jashtëm. Truri është qendra e kontrollit të sistemit nervor qendror. Por në tru mund të lindin një sërë çrregullimesh neurologjike. Dëmtimet e trurit mund të dobësojnë shëndetin mendor dhe të krijojë vonesa të lehta ose të rënda mendore, probleme të dëgjimit, shikimit, defekte në gjuhë dhe në të folur, epilepsi dhe çrregullime të sjelljes. Prandaj ekspertët japin një sërë këshillash për të shmangur sëmundjet nervore.
1- Shmangni mërzitjen
Studimet e bëra tregojnë se meshkujt të cilët zemërohen shpejt apo shfaqin shenja të dukshme mërzie si kundërpërgjigje ndaj stresit janë rreth tre herë më tepër më të prekur nga rreziku i zhvillimit të sëmundjeve të ndryshme të zemrës, në krahasim me meshkujt të cilët paraqesin përgjigje me zemërim më të ulët ndaj stresit. Ata e rrisin rrezikun e tyre rreth 6 herë për të pësuar atak pas moshës 55-vjeçare. Një shpjegim i mundshëm ka të bëjë me lidhjen mes zemërimit dhe presionit të lartë të gjakut, të cilët së bashku shtojnë nivelin e stresit te një individ.
Shkencëtarët thonë se mërzia në fakt është ndjenjë e dobishme, për shkak se na nxitë në ndryshime dhe që të jemi më kreativë.
Rënia e vullnetit dhe mërzia janë mekanizma mbrojtës të llojit të vet, me të cilët mendja jonë na shtynë që të vihemi në lëvizje, kurse ushtrimet fizike janë mënyra më e mirë që të largohet mërzia.
Përkundër mundësive të argëtimit më të shumta sesa kurrë më parë, njerëzit ndihen shumë të mërzitur dhe monotonë.
Peter Toohey, profesor në Universitetin në Kalgari dhe autor i librit “Boredom” shpjegon se rënia e vullnetit dhe mërzia, janë mekanizma mbrojtës, që na mbrojnë nga situatat negative.
Mërzia është një ndjenjë e neverisë ndaj jetës së përditshme, por edhe një gjë që na shtynë që të ndryshohemi dhe ta ndryshojmë situatën tonë.
Toohey pohon se mënyra më e mirë dhe më efikase për largimin e mërzisë, është aktiviteti fizik, ose thënë më thjesht, ushtrimet, meqë ato rrisin sekretimin e adrenalinës.Nuk ekziston ndonjë kreativitet të cilit nuk i ka paraprirë mërzia, e njëri ndër rezultatet më të rëndësishme të mërzisë është ëndërrimi, i cili na nxitë në realizimin e ëndrrave – thotë profesor Toohey.
2- Përpiquni të jeni optimistë
Njerëzit optimistë kanë mundësinë ta reduktojnë rrezikun e vdekjes në 50 për qind krahasuar më ata persona të cilët janë të zhytur në pesimizëm.
Individët të cilët e shohin jetën me një vështrim pozitiv janë më pak të stresuar, më tepër të zënë me punë që i mbushin me harmoni, janë më të qetë dhe më të shëndetshëm. Kështu qëndrojnë larg stresit dhe sëmundjeve mendore.
3- Bëni një jetë aktive
Jeta aktive do ta mbante larg stresin, mundimet dhe shqetësimet e jetës së përditshme, dhe nuk do t’iu linte shteg për të gjykuar veten për çdo gjë që ndodh. Natyra dhe shoqëria janë aleatët më të mirë të një jete të shëndetshme.
4- Qeshni dhe vetëm qeshni
E qeshura redukton nivelin e hormoneve që nxitin stresin si adrenalina dhe kortizoli. Kur qesh largon stresin, ndihesh më mirë, më e lumtur dhe e qetë. “Një person i stresuar lexohet në fytyrë”, kjo dëgjohet shpesh. Prandaj të qeshësh ndihmon në paraqitjen e parë, shmang rrudhat dhe ndihmon për të shmangur gjendjet e vazhdueshme stresuese.
5- Martesa e lumtur
Një martesë e lumtur do të thotë më pak stres, më shumë bashkëbisedim dhe qetësi. Këto të gjitha sjellin një jetë të shëndetshme pa shqetësime. Martesa e lumtur përjashton stresin dhe problemet e zgjatura.
6- Shmangni stresin
Stresi shkakton nivel të lartë të kortizolit, pagjumësi dhe dobëson sistemin imunitar. Stresi vret më shumë njerëz në botë se gjithçka tjetër. Gjendjet e vazhdueshme nën stres ndikojnë negativisht në shëndetin tuaj, prekin zemrën, qarkullimin e gjakut, sistemin imun, etj.
7- Meditoni
Mënyra më e fuqishme për të luftuar stresin dhe për të siguruar një jetë më të qetë është meditimi. Ai pastron mendjen nga mendimet e këqija dhe të lejon të përqendrohesh në qetësi. Meditimi është një teknikë e cila është praktikuar në vende të ndryshme të botës në fushën e psikologjisë.
Këshillat e ekspertëve për të shmangur problemet mendore
1- Truri është plastik dhe në qoftë se ai nuk stimulohet, mund ta humbasësh
2- Duhet të merreni me gjimnastikën tuaj fizike dhe mendore
3- Trurin duhet ta mbajmë të gjallë duke i stimuluar aftësitë njohëse të tij
4- Stresi ka rrjedhoja shumë negative mbi trurin
5- Rutina dhe zakonet e përditshme e vënë në gjumë trurin
6- Forca e mendjes varet nga ajo e trupit, praktikoni gjithmonë një aktivitet të matur fizik
8- Yndyrnat nuk i bëjnë mirë trupit dhe as mendjes
9- Izolimi shoqëror është i dëmshëm për shëndetin mendor
Këshilla për një dietë që i bën mirë trurit
Pini shumë ujë, të paktën 6 gota në ditë. Mundohuni të shmangni konsumimin e tepërt të kafes ose përdorini pak kafeinë. Edhe alkooli është i dëmshëm por konsumimi i verës së kuqe 1 deri në 2 gota në ditë është i dobishëm. Herë pas here është e këshillueshme që të shmanget përdorimi i tepërt i ujit pasi do të shkaktonte një tepri lëngjesh në organizëm. Mos përdorni fast-food-et. Ushqimet e fastfood-ve nuk janë të rrezikshme vetëm për mbipeshën, por mund të shkaktojnë edhe kancer. Sipas një studimi amerikan, ushqimet e fastfood-ve mund të shkaktojnë kancer në 67 për qind të rasteve. Për të ulur këtë rrezik mjekët këshillojnë që njerëzit të hanë ushqime të fastfood-ve një herë në muaj. Përdorni më tepër ushqime të pasura me antioksidantë: fruta, fruta pylli, zarzavate, çaj.
Ndikimi negativ i stresit në shëndetin mendor
Pasojat negative të stresit njihen jo vetëm në shëndetin mendor, por edhe atë fizik. Mos u ndikoni nga stresi, duke përdorur shumë vakte që “të ngushëllojnë”, ndiqni një dietë të rregullt. Nuk është e thënë që duhet të hani vetëm tre vakte në ditë.
Pas një dite të lodhshme dhe stresuese trupi ka nevoje për energji. Lëngjet, vitaminat, disa ëmbëlsira mund t’iu bëjnë të ndiheni më energjikë. Për të mbajtur trupin dhe mendjen të freskët, gjatë viteve të pleqërisë, duhet të ndiqni sa më shpejt që të jetë e mundur një stil jete të përshtatshëm për të ruajtur aftësitë e trupit, për të nxitur trurin dhe për të ruajtur funksionet e mendjes. Për këtë është i këshillueshëm si aktiviteti fizik, ashtu edhe ai mendor: meditimi, bisedat e qeta, shëtitjet, etj.
Efekti i bashkëjetesës në shëndetin mendor
Bashkëjetesa është më e mirë për shëndetin mendor të meshkujve, po martesa është më mirë për lumturinë e femrave, sugjeron një studim i ri. Studimi i afro 4 500 meshkujve e femrave në Angli nxjerr në pah që kush rri në marrëdhënien e parë të qëndrueshme gëzon shëndet të mirë mendor. Ndërsa meshkujt e marrin veten pas ndarjeve me radhë, femrat e kanë shumë më të vështirë.
Në fakt mund të jetë më mirë për shëndetin mendor të femrës të rrijë e vetme, sesa ketë dashur e të ketë humbur dikë. Mungesa e mbrojtjes së të drejtave financiare dhe të drejtave të pronës, dhe si rrjedhojë mungesa e sigurisë kur ndahen çiftet që bashkëjetonin mund të shpjegojë pse femrat që bashkëjetojnë kanë më shumë probleme mendore se femrat që martohen. Këtë e tregojnë studimet më të fundit.
Depresioni dhe ankthi, kush i përjeton
Martesa është shoqëruar prej kohësh me përfitime shëndetësore, sidomos për meshkujt. Studime të mëparshme tregojnë se njerëzit që martohen pritet të jetojnë më gjatë, të kenë përqindje më të vogël vdekjesh dhe mirëqenie më të lartë psikologjike se ata që rrinë pa martuar, thotë grupi i studiuesve. Prishja e partneritetit lidhet me shëndet të dobët mendor në të dyja sekset, megjithëse formimi i marrëdhënieve të reja e zbeh disi këtë efekt.
Gjithsesi, femrave u duhet më shumë kohë për të marrë veten sesa meshkujve. Shëndeti mendor i femrave merr të tatëpjetën më shpejt sa më shumë ndarje që përjetojnë. Për meshkujt nuk ndodh kështu. Shëndeti më i mirë i meshkujve vihet re tek ata që kanë kaluar dy ose më shumë se dy riformime partneriteti.
Studim mbi dëmtimet e trurit nga sportet e rënda fizike
Është ditur prej kohësh se boksierët dhe sportistë të tjerë mund të kenë probleme në tru nga goditjet e përsëritura në kokë. Një studim i ri përpiqet të zbulojë kur fillojnë dëmtime të tilla dhe sa kohë kalon deri në shfaqjen e simptomave. Studiuesit thonë se zbulime të tilla mund të ndihmojnë për t’i bërë këto sporte më të padëmshme për sportistët:
Studimi përqëndrohet mbi shëndetin e trurit tek sportet me kontakt fizik. Pjesëmarrësit aktualë përfshijnë 109 boksierë dhe sportistë të arteve marciale me moshë mesatare 29 vjeç.
Autori i studimit është Dr. Charles Bernick. Ai thotë se sportet me përleshje fizike janë parë prej kohësh si faktorë të problemeve degjenerative të trurit që njihen si encefalopati traumatike kronike, ose CTE.
“Askush nuk e di se si konkretisht goditjet e vazhdueshme të kokës shkaktojnë probleme afat-gjata të trurit. Pra, nuk e dimë si ndodh konkretisht procesi”.
Dr. Bernick është ndihmës drejtor i Qendrës Lou Ruvo për Shëndetin e Trurit, pranë Klinikës së Clivlendit dhe anëtar i Akademisë Amerikane të Neurologjisë. Ai thotë se studimi përqendrohet në tre aspekte: zbulimi i ndryshimeve të para në tru, më pas përpjekjet për identifikimin e personave që zhvillojnë probleme afat-gjata dhe më së fundi, zbulimi i faktorëve që përcaktojnë prirjen e individit për këto probleme.
Dr. Bernick thotë se sa më shumë trauma në tru të ketë personi, aq më i lartë është rreziku i shfaqjes së CTE.
“Ajo që nuk dimë është momenti kur problemi bëhet i pariparueshëm. Truri mund të tolerojë shumë goditje, por kur tejkalohet niveli i tolerancës, atëherë problemi shndërrohet në sëmundje. Pyetja që ngremë është përse ndodh kjo dhe pyetja tjetër është nëse ka ndryshime në tru në këta sportistë, edhe në rastet kur nuk shfaqin simptoma”.
109 boksierët dhe sportistët u ndanë në tre grupe, bazuar në numrin e viteve që janë marrë me sport:
“Ata që e kishin praktikuar sportin për më pak se 6 vjet; në grupin tjetër sportistët me një karrierë deri në 12 vjeçare dhe në grupin e tretë ata që kanë karrierë mbi 12 vjeçare.
Më pas analizuam secilin grup për të parë nëse gjatësia e karrierës kishte lidhje me ndryshimet që pëson truri nga goditjet dhe trauma”.
Dr. Bernick thotë se viti i parë i studimit tregon rezultate që lidhen me madhësinë e trurit:
“Sportistët që kishin një karrierë sportive mbi 6 vjeçare, kishin tkurrje në disa zona të trurit, gjë që mund të matet nga shkenca. Por vetëm tek personat me karrierë mbi 12 vjeçare dallonim ndryshime në veprimtarinë e trurit.
Nga kjo mund të nxjerrim se mund të ketë një moment vendimtar në këto ndryshime – pra truri mund të jetë në gjendje të përballojë një masë traume, por nëse tejkalohet kjo masë, atëherë mund të shohim tkurrje të trurit, por simptomat shfaqen shumë më vonë”.
Fakti që studimi përqendrohet tek boksierët dhe sportistët që merren me arte marciale lidhet me vendin ku po zhvillohet studimi:
“Studimi po zhvillohet në Las Vegas, që është kryeqyteti i botës për sportet e kontaktit. Shumë nga sportistët stërviten në këtë qytet”.
Ai thotë se studimi ka mbështetjen e plotë të praktikuesve dhe administruesve të këtyre sporteve. Rezultatet e përgjithshme të studimit janë bërë publike, ndërsa rezultatet individuale iu dorëzuan vetë sportistëve të përfshirë në studim.
Dr. Bernick thotë se synimi nuk është që të eliminohen këto sporte, por të ndihmojë që sportet të bëhen sa më të padëmshme për sportistët. Për shembull mund të vendosen kufizime mbi numrin e ndeshjeve që bën çdo vit një boksier. Rezultatet mund të shërbejnë edhe për sporte të tjera.
Dr. Bernick thotë se këto rezultate mund të përdoren për të ndihmuar edhe viktima të traumave në tru të shkaktuara gjatë shërbimit ushtarak,thekson analisti nga Uashington DC Xho De Kapua.
Të durosh temperaturat nën zero përmes meditimit
Për shumicën e njerzve, hipotermia fillon menjëherë pasi trupi ekspozohet në temperatura nën zero pa veshje të mjaftueshme dhe mund të shkaktojë shumë shpejt vdekjen sapo temperatura e trupit të bjerë nën 32 gradë Celsius. Por jo për Wim Hof, i cili ka ndërmarrë veprime të shumta dhe ekstreme, duke zënë vend në librin e rekordeve Guines dhe duke fituar nofkën ‘njeriu i akullt’.
Këmbë-zbathur e me pantallona të shkurtëra, Wim Hof vrapon në temperatura nën zero në dimrin e Finlandës. ‘Njeriu i akullt’ e përfundon vrapimin me një zhytje dy minutëshe në ujin e ngrirë të një liqeni.
52 vjeçari Hof e fitoi këtë emër nofkë pasi ndërmori veprime ekstreme si për shembull qëndroi në një rezervuar të ngrirë në Hong Kong për gati 2 orë; përshkroi me not një distancë sa gjysma e një fushe futbolli poshtë një shtrese akulli në Arktik dhe zuri vend në librin Guines të rekordeve pasi vrapoi këmbë-zbathur gjysmën e një maratone në Finlandë në temperatura nën zero.
Në vitin 2007, ai u përpoq të ngjitej në malin Everest vetëm me sandale dhe pantallona të shkurtëra, por nuk duroi dot dhe në lartësinë 7,400 metra u kthye. Ai donte të provonte kufijtë e mundësisë njerzore, por jo të vdiste në këtë përpjekje. Në vitin 2009, në të njëjtën mënyrë ai u ngjit në malin Kilimanxharo.
Wim Hof thotë se mund të durojë temperatura të ulta sepse ai ka mësuar të aktivizojë pjesë të trurit, që nuk kontrollohen nga shumica e njerzve, madje mund të aktivizojë atë që ai e quan “termostat të brendshëm”.
“Nuk kam pasur kurrë ndonjë instruktor dhe as nuk kam marrë mësime. Kam mësuar thjesht nga natyra e egër. Kur gaboj më duhet të përballem me pasojat dhe kur veproj si duhej mësoj që të bëj edhe më shumë. Gjithnjë i kam bërë sfidë trupit tim në kushte të ashpra atmosferike në mënyrë që të përballoj kushte ekstreme, si për shembull temperatura tepër të ulëta. Kam mësuar si ta përshtas trupin në kushte të tilla dhe të gjej si të thuash një metodë që funksionon për mua”.
Tani metodat e tij medituese duan t’i mësojnë nxënës në gjithë botën. Në një ditë pranvere në Rotterdam të Holandës, një grup sportistësh dëgjojnë me vemendje, ndërsa Wim Hof i përgatit ata për një provë:
“Teknikisht ju jeni plotësisht gati, jeni stërvitur, megjithatë ekziston një ndryshim i madh se si ju ndjeheni dhe çfarë ju pret në ujë, sepse nuk ekziston asgjë e përbashkët”.
Por nxënësit e njeriut të akullt duken të shqetësuar, ndërsa ai hedh qese me akull në rezervuarin e ujit, ku pas pak ata do të zhyten. Në bazë të udhëzimeve të Njeriut të Akullt, atlentët do të qëndrojnë në ujë për disa minuta duke praktikuar metodat e meditimit. Ja si u shpreh pas daljes nga uji i akullt, Edith Bosh fituese e medaljes së e argjëndë në lojrat olimpike të vitit 2004 dhe e medaljes së bronxit më 2008-tën:
“Është diçka e çuditshme: Mënyra se si na mësoi të marrin frymë dhe se si reagon trupi. Mendoj se kjo përpjekje për mua është domethënëse sepse mund të më ndihmoj të arrij rezultate më të mira në gara olimpike”.
Wim Hof i përshkruan veprimet e tij si një bisedë të brendshme, në të cilën truri dhe trupi i dërgojnë sinjale njeri tjetrit.
Në një demonstrim të dokumentuar fare mirë në vitin 2008, ai qëndroi për 71 minuta në një rezervuar të mbyllur prej xhami i mbushur me akull në një rrugë të qytetit të New Yorkut. Në atë kohë ky ishte rekord.
Mjekët që ndiqnin shenjat e jetës thanë se temperatura e trupit të tij ra gradualisht në 34.2 Celsius, ndërsa rrahjet e zemrës u shtuan gradualisht në 120. Ishte njësoj sikur ai po vraponte pa lëvizur.
Gjatë qëndrimit në rezervuarin e ngrirë në Hong Kong për gati 2 orë, Wim Hof tha se e përqëndroi dërgimin e ngrohtësisë përmes sistemit nervor në pjesën e poshtme të shtyllës kurizore, kur ndjeu ftohje dhe dhimbje.
Një analizë e re mjekësore tregon se Hof mund të jetë në gjendje të ushtrojë një farë ndikimi tek funksione të trupit, që konsiderohen të pambrojtura.
Profesor Peter Pickkers studioi analizat pasi Njeriut të Akullt iu dha një dozë endotoxin, një lloj bakteria, e cila megjithëse nuk është e dëmshme, mund t’i dërgojë sinjale trupit që të mendojë se po sulmohet. Tek shumica e njerzve kjo bakterie mund të shkaktojë dhimbje koke, dhimbje mujkujsh dhe temperaturë, simptoma që zhduken pas disa orësh pa pasoja, por Wim Hof pati vetëm dhimbje të lehtë koke. Doktor Pickkers thotë se ky ishte rezultat i nivelit të lartë të kortizonit, “hormoni i stresit” që ndikon tek sistemi imunitar.
Me sa duket Wim Hof është i aftë të ndikojë në një sistem që gjerësisht mendohet se kontrollohet automatikisht.
Njeriu i Akullt thotë se me kalimin e viteve ai dëshiron të shmangë provat me trupin e tij dhe të mësojë të tjerët. Megjithatë, ai do të bëjë edhe një provë tjetër, këtë herë duke e përshtatur “termostatin e tij të brendshëm” në të kundërtën. Ai ka në plan të bëjë një maratonë në shkretëtirë, pa pirë ujë.
Profesor Pickkers e ka paralajmëruar Wim Hofin të mos eksperimentojë me trupin e tij. Por as qëndrimi për dy minuta në një liqen të akullt në Finlandë nuk ishte diçka e këshillueshme