2012-05-17

Besarta Kastrati pranon krimin, vrasjen e kreu e vetme


Orhan Basha, avokat i Besarta Kastratit, të bijës së të ndjerit Sali Kastrati, i cili vdiq nga plagët e marra nga një shpërthim në Pejë, thotë se klientja e tij ka pranuar se ka kryer vrasjen e Fidan Shabit, por ai e përshkruan atë si një femër të brishtë, me një fizik të dobët, gjë që e bën të dyshimtë mundësinë e përballjes se saj me një djalë fizikisht shumë të fuqishëm.

 E arrestuar Besarta Kastrati ndodhet tani në burgun e Lipjanit dhe ajo po hetohet lidhur me këtë vrasje. Avokati Basha për  media  ka thënë se Besarta para hetuesve në detaje e ka shpjeguar rastin e vrasjes se Fidanit, duke filluar ngjarjen nga vendtakimi te varrezat e Kakariqit, shkuarjen në banesë te stacioni i trenit e më pas në tavanin e banesës kur Fidani po ngjitej lart në tavan, ka hyrë në kuzhinë, ka marrë një thikë të madhe me vete dhe kur Fidani ka hequr revolen nga brezi dhe e ka vënë në tavolinë, ajo e ka marrë revolen e tij dhe e ka kryer vrasjen. Sipas avokatit, ajo më pas e ka mbështjellë me qese plastike dhe me batanije, kurse revolen me shurdhues e ka gjuajtur në lumin e qytetit në Bistricës të Pejës për t’i fshirë gjurmët e saj. Avokati ka thënë se Besarta u ka treguar familjarëve të saj se e ka vrarë Fidanin dhe se kufoma e tij gjendej në tavanin e banesës së burrit të saj në stacionin e trenit, të cilën më pas e ka gjetur policia rreth orës 13.30 të shtunën.

“Dhunimi afër stadiumit”

Në intervistën e saj, të dhënë para hetuesve, Besarta ka thënë se në vrasjen e Fidanit ka qenë e vetme. Ajo ka thënë se para një viti Fidani ta ketë dhunuar në vendin afër ish-stadiumit të basketbollit në qendër të qytetit, i cili kishte edhe një shok të tij, por ai nuk e paska prekur me dorë Besartën, përkundrazi e ka qortuar Fidanin për veprën që po i bënte. Avokati Basha tha se ai po e përgatit kërkesën për ekzaminim mjekësor të Besartës, ngase dyshon se klientja e tij ka probleme psikike.

Prokurori i Qarkut të Pejës, Ali Uka, ka konfirmuar se Besarta Kastrati e ka marrë përsipër vrasjen e Fidanit. Ai ka thënë se janë duke u nxjerrë bisedat telefonike dhe se rasti po hetohet. Uka ka thënë se sipas asaj që ka deklaruar Besarta, këtë vepër e ka bërë për shkak se para një viti ka qenë e dhunuar nga Fidani. Në prokurori ajo ka thënë se rastin nuk e ka paraqitur ngase nuk ka dashur t’i shkaktojë probleme babait të saj, Sali Kastratit, i cili ishte i ngarkuar me shumë probleme të tjera.

Joshja për ta kryer krimin

E ëma e Fidan Shabit, Floria, nuk beson se djali i saj ta ketë përdhunuar Besartën. Floria thotë se i kanë thënë se Besarta Kastrati dhe shoku i Fidanit, Arian Lluka, e paska joshur Fidanin për të kryer një vepër të pistë krimi. “Fidani nuk paska pranuar të kryejë atë vepër me njëfarë bombe, atëherë Besarta ka dashur ta mbulojë atë që ka kërkuar nga ai dhe dyshoj se ajo bashkë me personin tjetër që po ashtu është i dyshuar dhe burgosur për një shpërthim të paradokohshëm, Arian Llukën qëndrojnë prapa kësaj vepre”, thotë e ëma Floria. Ajo është e bindur se Fidanin nuk ka mundur ta ketë vrarë e vetme ajo. “Besarta Kastrati, këtë vepër duhet ta ketë kryer së bashku me dikë tjetër”, shpreh dyshimin nëna Floria.

Në familjen e Sali Kastratit as të martën nuk ka dashur askush të flasë lidhur me këtë rast. Një familjar i tyre tha se as vëllai i Besartës, Kastrioti, e as nëna e saj Suzana nuk janë në gjendje të flasin lidhur me rastin. I njëjti familjar tha se askush në familje nuk beson që Besarta ta ketë kryer këtë vepër dhe nuk duan të flasin për implikimin e saj të mundshëm. Përmes interfonit, një zë femre tha se e ëma e Besartës është në gjendje të rëndë shpirtërore dhe nën ndikimin e qetësuesve dhe se nuk është në gjendje të flasë me askënd.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...