Konkurrenti i “Big Brother Albania” nga Kosova, Arbër Zeka, këtë javë që po lëmë pas ka shkëlqyer me lojërat që ka treguar dhe pa dyshim që mbetet konkurrenti më serioz për t’u shpallur fitues. Gazeta “Kosova Sot” për disa ditë ka marrë mendimet e artistëve të ndryshëm, të cilët e kanë përkrahur lojën e Arbërit, duke thënë se është kandidati më serioz, së bashku me Liamin, për t’u shpallur fitues.
Kësaj radhe këngëtarja e re, Lendita Destani, thotë se ai meriton të hyjë në finale, pse jo të shpallet edhe fitues i edicionit të pestë. “Aq sa më ka rënë ta përcjell kam vërejtur se është lojtar i mirë me plot kuptimin e fjalës. Natyrisht se kam dëshirë që ai të shpallet fitues dhe do të ishte gjë shumë e mirë që në të ardhmen më shumë kosovarë do të merrnin pjesë në këtë reality shou. Arbëri është konkurrent i zgjuar, i nuhat gjërat mirë dhe si i tillë bën shou, gjë e cila është pëlqyer deri tani nga shikuesit. Them se mund të jetë në finale, por shpresoj se do ta fitojë këtë edicion”, tha Destani.