2012-05-15

Ata vijnë e shkojnë mes njerëzve...



Namik Ibrahim Selmani lindi më 18 nëntor 1950 në fshatin Ninat të rrethit të Sarandës. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” më 1968 në qytetin e Elbasanit dhe më tej ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën gjuhë-letërsi shqipe pranë Univeritetit të Tiranës. Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit. Aktualisht është mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme pedagogjike “Kristo Isak” në qytetin e Beratit.

Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishme, ka shkruar gjashtë vëllime me poezi, disa libra publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, etj. Ka botuar me qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinone të ndryshme në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj. Pra, prej disa vitesh ai është një autor, i cili me botimet e tij është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës si në SHBA, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, etj.

Në krimtarinë e tij zë vend edhe publicistika. Ka punuar si kryeredaktor i gazetës “E vërteta” në qytetin e Beratit, ka qenë edhe bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. Namik Selmani ka patur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artitike duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë. Ka marrë pjesë në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare.

Namik Selmani është anëtar kryesie në OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe zëvendëskryeredaktor i revistës “Krahu i shqiponjës”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi” me qendër në qytetin e Elbasanit, etj.



Zëri i Komandantit

Zë bajrak, Adem Jashari,
mos ma mbyll atë systërralli!
Futmë mes Odës së Urtisë
si mbi sup të çiftelisë!
Zgjo agimin mbi Drenicë!
Vadit pemën e lirisë!
Hallall gjaku i Jasharajve
hallall kullat, gurët, varret!

Hallall djemtë që rrit Lokja
si burimi që s’shteroka .
Si fidanë të marrë prej lisit
si lulëkuqja dalë prej plisit.
Kur mes këngësh zgjohet agu
sytë na bëhen det bajraku.
Kapuçbardhë, o mal i Sharrit
puthi sytë e Komandantit!


Trokëllijnë me trok në kohëra
Çamëria dhe Kosova.
Vënë veshin te ugari
të dëgjojnë si zgjohet bari.
Në bedena kullash t’larta
plumbat ngjajnë si dekorata.
Nata fshihet thellë lugine
Ndritka dielli mes Drenice.


Bacë, që zgjohesh mes nëntorëve
I pafjetur i pret motet.
Filizblertë në sup të këngës
pa ia tharë filizat ëndrrës.
Ëndërr jote po puth kulla
për t’u bërë e lehtë rruga.
Të mos thinjen këngët, bari,
mbi tupan të lodërtarit.
Te ky varr si kullë me lule
kënga si shqiponjë të ulet
O piskamë shqiptarie
lul’e bukur mes Prishtine!
Veç kur dielli ta lshojë udhën
veç kur dora mos prekë bukën
do harrojmë lirinë e vatrës
Amanetin-mal të Bacës
Ta dëgjojnë pesëdhjetë martirë
shtrirë në djep të pavdekësisë
Krah për krah me Bacë Urtinë
krushq e dhëndërr për lirinë.
Vetëtimat të largohen.
Nëpër hone të humbohen .
Se vjen pranë Adem Jashari,
plagëhapë si gaca zjarri.


Vrik fëmijët bëhen burra,
bjeshka nxjerr me qindra gurra.
Dasma zgjon vallet e këngët
gjunjët ulen tek të rënët.
Hap njat kullë, Adem Jashari
sokëllij nga lapidari!
Të mos thahet palcë e lules
shteg pas shtegu, udhë pas udhe!


Të mos trembet kurrë qepalla
mos na humbë, urtia, fjala!
Përmbi baltën e Kosovës
Ta përqafë lumnia tokën!
Pasha varrin që t’mban brenda !
Pasha fjalën që mban BESA!
Zot i madh na dhëntë bekimin
të ringjallim tok Bashkimin!



Poetëve të Kosovës

Krahët e gjëmbuar
S'i pyetën malet ngjyrë gjaku.
Nuk vrapuan të shkruanin testamente të mermerta.
Do ta thonë më mirë:
Kullat e djepet,
Magjet e kengët majëkrahu
Do ta thonë
Monumentet që kishin gdhendur në Netët e errta.

Kacekët e Dertit
Mblodhën pikëlat e lotit të gazmuar në dasma.
Po si të mbeste sofra
Pa djersën e valles e kulaçin e fjalës?
Po si të mbesnim
në supet e një Nate ku na rëndonin hapat?
Po si të mos shkruanim ftesa
ku kryefjalë ishte E ardhmja?

E çka shkruat
Kur dielli sterronte
Kur qielli gardhohej nga Pyjet e Dhimbjes?
E çka shkruat
Kur tokat futeshin ne trasta diplomatësh
E në Prevezën çame loti thahej në gjokse burrash?

Vëllezër poetë të Kosovës!
Libra të hapur me ballina dashurie,
Krisma të fshehura në gurë themelesh kullash.



Sytë e mallit

Mes nesh një det me nimfa malli
Një lot që fsheh qerpik i njomë.
Po sa i lartë na qënka mali
Që nuk na lë të kuvendojmë?

I gjatë, i gjatë litar i udhës.
Asnjë së patë nuk e pret.
Në ç'jastëk i vë ti sytë e bukur?
ç'mendon pas grile kur mbrëmja vjen?

I lartë ky mur, si gardh i hekurt,
Pelin i fortë kjo ndarje detesh.
Po si ta marr një përkëdhelje
e si ta jap një fjalë që tretet?

Një drithërimë shpirti zien në gjokse.
Një thinjë, një rrudhë flet si njeri.
Në sytë e tu si mijëra kroje
do ndez një zjarr me dashuri.

Si të të vë një fjongo lulesh
Mbi flokë të thinjur nga mundimi?
O, c'barrë që mbajtëm përmbi supe
Po kurrë s'u lodhëm nga rënkimi.

Kur trungjet, shkarpat të mbarohen,
Një malet me dallgë do prushëroj...
Të kesh vec gaz në sy, moj motër,
Ndër hapa diellin do ndaloj.

Jam bërë, vëllea, si një memec.
Si një fëmijë i burrëruar.
E zemra dridhet si në rrebesh
..dhe dora s'hesht, po shkruan, shkruan...

Mes nesh një det me nimfa malli
Një lot që fsheh qerpik i njomë.
Po sa i lartë na qënka mali
Që nuk na lë të kuvendojmë???

AH, BOTA!

Mbllaçisim fjalët si çimçakizë të hedhur
Teksa mallkojmë mjegulla, gurë, ferra,
Mbesim udhëkryqeve pa patur semaforë të gjelbër
E mbushim tavolinat me urimet krahëprera.

Ngrejmë avionë kur tufanet godasin qiejt e murrmë
Hedhim fjongo pranverore ku mungojnë aroma
Ah, bota, flasim si hamletianë të pagjumë
E sherrohemi mes vedi, edhe kur na thërret nevoja.

Ofshama jonë pjek shkëmbin në malin e thinjëruar
Thinjet kënga e ngjiz balada, legjenda, elegji.
Po kur, kur, do të heshtim si fëmijë të urtuar
E kohës që prekim t’i falim mençuri?

Ah, bota , klithmojmë si kreshnikë të rilindur
Teksa lumenjtë thahen kur del lumi i fjalëve tona
Diogjeni fshihet dhimbshëm me qiririn e fikur
Dhe ëndrra jonë filizë të rinj kërkoka.

Ah, ah, bota…!



AKADEMIA E PREHËRIT TË NËNËS

1.
Do të kemi lindur
Që kur këngët e dasmës suaj thureshin ndër oda
Jemi shfaqur nën ca qerpikë
Ku pasqyrosej ëndrra e vajzërisë qerpikfshehur
Ca burra
Uronin e ndërronin kutitë e duhanit në sofra.
Pa harruar
Se të nesërmen do të niseshin pas farës së hedhur.

2.
Në prehërin tuaj, nëna
U bëmë Akademikë me diplomë përjetësie
Tak, tak, tak
Trokëllinin në sy legjenda, ninana e amanete
Rrudheshit para syve fëmijërorë
Si shtëllunga të leshta që ktheheshin në fije
E hapnit sinorë malli
Q nuk i njomte, breshëri, shiu e as i rrëzonin tërmete.

3.
E gjilpëra e vogël
Sillte mes nesh një botë të madhe pa gjerdhe
Ku ta dinim ne
Se sa det detëronte në gjoksin tuaj ëmbëltor?
Silleshim rreth fustanit,
Çuçurinim fjalët si burim pranvere.
E bëheshim mbretër të vërtetë
Në atë prehër të ngrohtë me vështrimin hyjor.

4.
Nga duart bujare
Merrnim bukën e ngjyer e vraponim në rrugë
Pa e parë
Se si kërruseshit e iu thinjej bukurisht pala e flokut
Mëngjeseve
Ju nxitonit të hidhnit pelenat në telat e mbushur
E në vazot e luleve
Të rimbillnit farën e re të borzilokut


ALFABETI I LISAVE

Shkrova fjalë në një trung lisi
Si pëllumba dashurie
M’u gjakos dora e gishti
M’u bë zemra si anije.
M’u bë syri det e shkrumb
Ty të kisha vënë në maja
Pa m’u dridhur dora kurrë.
Pa më ndalur era dallga.

2.
Po druvarët ma prenë lisin
Emrin tim e mori zjarri
Ku ta gjej një ditë prili
Kur m’i ndezi sytë masati?
Kisha vënë në radhë libra
Ditë pas dite, vit pas viti
Veç një fjalë gdhendur në lisa
Ma kish vjedhur rreze dielli.

3.
Kisha parë nga bedena
Kisha folur fjalë me mijëra
Po aty, në klasë mbeta
Kur pashë zjarrin me shkëndija
Më kish mbetur alfabeti
Që kish nisur në një trung
Si një varkë që shkon te deti
Pa një busull nëpër muzg.

4.
Kisha mbetur fytyrëskuqur
Para emrit që thosh zemra
Lis i blertë me degë mbushur
Fle e zgjohet sa vetë jeta.
Ku ta gjej lëvore lisi
Ta vë fjalën që s’e thashë
Si thengjill fshehur te hiri
Mbete ti, moj gushëbardhë.

5.
Fle e zgjohet vit pas viti
Alfabet shkruar te lisi…

LOKJA E KËNGËS

Duke dëgjuar Nexhmije Pagarushën

1.
Duke dëgjuar Pagarushën
Ia gjeta burimin lotit të gaztë që derdhet në sofra.
Dyert e shpirtit
Për besë, një nga një, si gardian dashurie i hapa
Për fajin e vjetër
Gjykatësin e munguar që nga nëntë malet e solla.
Amëshimin
E preka si gjethe në miliona tinguj rrezore, të kaltra.

2.
E frymë më frymë
I trazova lumnueshëm gjithë drurët e lulet e Sharrit
Fushë Kosova
Po më duket si lëndinë e fëmijërisë, si shtegu i lojës
E heshta i memecëruar
Kur një ujëvarë ma mbyti kurmin në rrëzë të malit.
E u fëmijërova
Me bastunin në duar që nuk ka statusin e lodrës.

3.
E lisat,
I ngrita në duar si të ishin të gjithë kukulla.
Më Ante se Anteu
Në fjalët e Lokes gjeta palcë nga palcë toke.
Duke dëgjuar Pagarushën
Qiellit tim ia gjeta tetë shkallë të bukura
Një balon
Me tinguj tupanash më shtrëngonte gishtërinjtë e dorës.

4.
E u verbërova
Si garues pa kundërshtar qoftë edhe të vetëm, në lirishte.
E ua mora dritën
Gjithë fareve të botës, i lashë përjetësisht si vuvër
Hej, këndon Pagarusha
E thyhen pasqyrat e vitrinave në shitoret dritëmagje.
E shkrihen akujt
Që të vijnë nëpër këmbë si kone e zbutur.

5.
Ia gjeta
krahët e munguar zogut trupdridhur mes dëborës
Ia gjeta
Farën dhe ujin plisit të tharë për pikën e dritës.
Këmbët m’u ndalën
Tek shihja akrepat e ndaluara të orës
E në udhëkryqet njerëzore
Po bëhem me Loken e Këngës semafor rrezëllitës.

6.
E Kosova
Po më vjen si Zamabak në piedestalin lulëror
E nuk kam gojë
Të flas me shtiranakët në Mbretërinë e Fjalëve
Dora
Po më mbeska pak e tharë, si ta kish bërë një skulptor
E nuk po gjej dot një ekran
T’ua përcjell miqve të gjitha adresat e mesazhet

Duke dëgjuar Pagarushën…



NË URËN E BRUKLINIT, NË NJU JORK

Në Urën e Bruklinit do thërras tupanxhinj e lahutarë teltendosur
Sup më sup një valle Rugove të marrim shqiptarçe
Nga Çamëria do thërras Osman Takën gjoks-sofër
Nga Dibra do të pres që në agim karvanarë dasme.

Pres zërin magjik të Vaçe Zelës nga Zvicra me Alpe
Nga Prishtina Pagarusha do të më vijë patjetër
Me serenatat korçare do ta mbaj Njy Jorku zgjuar nw dritare
Me ison e labit, oqean të ri do të sjell këtu aq i etur.

Do të jetë ngritur nga Valë e Bregut Neço Himarioti
I ka ardhur nga Parisi një pllakë e re e ujdisur.
Vetë Rozafa e gurtë paska lënë një çast foshnjën
Tek dëgjon më gjunjë Usta Laverin e thinjur.

Po më vjen Tefta engjëllore të zgjojë të tjerë syylynjarë
Lasgushi paska sjellë një shami kaltërore liqeri
Çetinat përcjellin thirrjen majekrahu bash si njw ujëvarë
Si një mollë dasme që sjell nëna mes reve nga deti
………………………………………………….

Kanë hedhur bastunët e gdhendur në det gjyshërit e mi
E s’duan t’ia dinë për semaforë që shuhen e ndizen
Një vello ullishtore e mbushur me fëshfërimë
Po iu zgjon në këtë Urë të lartë damarët e shqipes.

E s’pyesin gjyshërit për litarët e shiut që bien si kamxhikë
Po iu rizgjohet gjuha, kënga gjer në thoin e këmbës
Ooo, mos më thuaj, poet, se kënga nuk është orteku me vrik
Mos më thuaj kurrë, bre, se isha në flatrat e ëndrrës.



KUAJT

1.
Mbi shpinën e tyre janë krekosur perandorë dhe mbretër
Princeshat nazike kanë tundur flokët e gjerdanët e florinjtë
Si garues të përjetshëm ata ecin balldjersitur ndër shekuj
Pa u mburrur kurrë në tribunat me buzëqeshje të ngrirë.

2.
Me atë trok hyjnor kanë pritur shira, muzgje, agime.
Pa bërë peticione proteste për urinë e këmbët e lodhura.
Mbi shpinën fisnike kalorësit rreshtuan fletë lavdie.
Ndërsa ata rrëmihnin dheun për udhë të pasosura.

3.
Mbi atë shalë të stolisur ka ecur një nuse sydritë.
Me qiejt e lumturisë aty dhëndurrët janë matur
Mbi to, të gjthë jemi bërë pak Hektorë e Akilë
E një kurorë mbretërish na ka ardhur në ëndrrën syhapur.

4.
E kënga i ka marrw në supe më shumë se kalorësit e dehur
Kronikanët përherë kanë lënë për ta një rresht të pathënë
Hyjnë e dalin elegjive e baladave si zjarre të ndezur.
Pa lakmuar para, dekorata e flamuj hijerëndë.

5.
Shkëlqejnë sytë qelqorë të kuajve në atë pafajësi hyjnore
E vargjet e poetëve në atë thellësi tërheqin kapistallin
Qielli i fëmijërisë mblidhet në një spango tw holw balone.
Teksa këmbët e kuajve në rrugë ta pashkelura hedhin hapin.

6.
Dolli për besën e florinjtë të kuajve do të ngre pa drojë
Kur kokën e gjurin e ulin te kalorësi truprrëzuar.
E pragu i shtëpisë së largët bëhet udhë pa semaforë
E gjuha memece sjell fjalë me përkëdhelje të pambaruar.



NË MOSHËN TËNDE

Në moshën tënde vërtet nuk e rrëzoja malin
Po lumin e fjalës e bëja turbinë me eho, me lule
E erës nuk ia ndalja dot me duar turravrapin
Po lesën e oborrit për mikun nuk e mbylla me shule.

Në moshën tënde vërtet kam qarë si fëmijë i rritur
E në dritarezën e lotit mund të prekje sa e sa drithërima
Në vend të celularëve ca letra fluturonin si zogj krahëdridhur.
Para qiellit kaltërosh nxirrja fytyrën plaguar nga dhimbja.

Atëherë, besomë, s’i dija gjithë këngët e gjuhët e globit
Po me valsin e erërave garoja në valsin tim hyjnor.
Buka e palosur shpesh njomej me pikën kristalore të lotit
E kalldrëmet e gurëzuar më prisnin me urimin qumështor.

Në moshën tënde gjithë arat doja t’i mbillja me shkronja
E sytë prisnin agimin që të etur të pinin në kroje diturie
Falmëni për heshtjen e fjalës kur na vrastonte koha.
Falmëni që foshnjat s’i ngopëm me aq shumë filizë drite

Pranë zjarrit thamë këmishën e larë për ditën që vinte
Pranë gjurit të grisur librat mbulonin arnat e qepura
Lapidarët me yje na i morën të gjitha lulet e lëndinave
Në dorën e lodhur rrudhat vraponin të linin vraga të egra.

Në moshën tënde mbillnim litarë ku lidhëm ëndrrën e fshehur
Gardianët na bënë memecë me pasaportë përjetësie
Në ugarin plisçarë ca fidanë mbetën të vetmuar, të hedhur
Pa i mbjellë dot për një të nesërme që s’dihej kur do të vinte…

Ah, në moshën tënde.!




Lavërtar të parë të fjalës të duam, Baca Din!

1
Hej Baca Din,
Ma flatro atë mandile Juniku thinjur ndër ortekë!
Ma thuaj njat kangë të pathënë
Ta kall Mandatën që tinëzisht më vjen kah mote.
Kur drita derdhet,
Qiriri i fjalës tande bahet mal apo çetinë bjeshke
Bahet piskamë e pëllumb
Në këto gryka e në këtë qiell të lirë Kosove.


2.
Mos hesht bre, Baca Din,
Mas ia baj askurrë qejfin Ujkut të Heshtjes vrastare
Mbahu pas Parmendës së Fjalës
Se lavërtar të parë të duam tash sa shekuj shqiptarie.
Trimërohu ndër oda
Se fjala na mrrolet nga Myku i Ngrehosjes vdekatare
Bajrakrohu
Në rudinat e poezisë ku mbijnë filizë pavdekësie.


3.
Bahu fluger shpirtërash Baca Din,
Mos të të shuhet kurrë ai zjarrm i lisnajtë i votrës.
Tymtarët
Të mos prajnë së nxjerrë pa fund shtëllunga jete.
E pelenat e bardha
Një dekik mos mbetshin pa të qarat e fosnjës.
E lavdia
Të mos mbesë jetime pa fjalët e poetëve

4.
Mos hesht, o Bard i Gjuhës së Zogjve
Që fort bukur po i ditke gjuhën e luleve të globit.
Me kreni
Na gurro tinguj e gurra të reja që solli liria!
Na shkundullo në ujëvarat e Junikut
Që gëlojnë gazmueshëm mes gjoksit
Për të na thënë
Se kurrë s’po u thakan këngët si flakaresha fisnike.

5.
Fjala mos të vdektë, baca Din!



Lule, Neço Himarioti


Kristalon kristal i ëndrrës

sjell në supe Neço Këngën.

E kërkojnë një varr që s’duket

kërkojnë ison t’u ngrejë supet

Hap e mbyll porta magjie

me flamur prej Shqipërie

zezon qielli, zezon deti

dallgëzon iso kurbeti..


Vjen Feniksi prej Himare

fytplaguar nëpër halle .

gjethon gjeth i portokallit

I bëjnë hije lavdimadhit

Prek ca shpate Vetëtime

duke bredhur mes ullinjve

Pres Feniksin prej Himare

përkëdhel ca jele dallge


Dallgë e këngës fushon malin

Dallgë e ehos na zgjon mallin

E kurorë thur Baba Joni

ia puth buzën si gojë kroi.

Në Pire te peshkatarët

Thahet djersa, ngrohen fjalët.

Në Parisin drita ndezur

Zgjohet kënga , tel i nderur.


Zonjëron kjo këngë e Bregut

cep më cep në shpirtin gdhendur

me kurorë valësh të kaltra.

përcjell djemtë kur mbaron Nata .

E sërish vjen mes Himare

portë më portë ku presin pragje

Janko Pali* hap radhorët

të gdhendë këngën himariote.


Të gdhendë frymën që mbush oda

të gjejë fjalën që peshoka

të na sjell një kapedan

mbret mes tingujsh kurorëartë

Pret një Vajzë atje te shkëmbi

iu thinj floku, iu tremb zëri.

një shami e puthka flladi

kur vjen pranë Neço Labi



*Janko Pali- autor i monografisë kushtuar këngëtarit të shquar himariot Neço Muka të titulluar “Feniksi prej Himare”

Marrëzia e mençurisë



1.

Pimë .

Pimë e hëngrëm dashin borrokoç të malit.

E qamë,

Siç qajnë çupkat e ndjeshme pas puthjes së parë.

E kravatat

Një nga një i zgjidhëm si litarët e samarit .

E s’pyetëm për këmbët e grave

Tek na shkelnin mbi këpucë me takën e lartë.


2

Pimë.
Pimë e kërcyem, e puthëm brengën e Kujtimit.

Pimë

E u përqafuam kaq ngrohtë me nostalgjinë.

Orët i hodhëm

Në një det që vetë e sajuam mes këngës e tymit.

E s’pyetëm për kohën

Se edhe dielli ishte i tepërt atë ditë.


3.

Pimë.

E si të verbër duart zgjatëm drejt Murit të Dashurisë së Parë.

Dallgët e jetës gjer në fyt na erdhën

Po kurrë s’na futën në Arkëmortin e zi.

Ish dimër .

Një lule çante borën për ta këputur një dorë valltari,

Një zjarr pa dru e fletë

Ngrohte dollinë e urimit në Shtëpinë e Mallit të Ri.

4.

Pimë.

Pime e hëngrëm në sofrën e drunjtë mes gazit të mbledhur.

E cicëronë të urtë,

Për besë, të gjithë atë ditë u bëmë më të ditur.

Po Muzetë ku ishin, ku,

T’i hapnim e t’i mbyllnim duardridhur me ca shandanë të vjetër ???!!!!

E të flisnim si pleq pa bastunë

Tek të na ndiqnin vizitorët gjer në agimin e ndritur.

5.

Pimë.

Pimë e zgjuam një krua që flinte mes flakësh.

Një rrugë aty pranë

Na dha ca gjunjë të gjakosur si lule të freskëta kujtese.

Fëmijët na u rritën më shpejt

Tek na shihnin me ca sy qelqorë të pafajshëm.

Ne , më të vegjël se ata,

Përuronim sërish Marrëzinë e Mençurisë së Përjetshme.

6.

Pimë.

E ngritëm një hidrocentral ku lumë gjarpërosh nuk kishte.

Khajamin

E dëbuam nga fushat e shkretëtirta. të mbushura me kupa.

Qielli i paanë

Tek na shihte sytë tanë i turpërur ikte.

Gardianët

Dorëzonin çelësat e rënda për gotat tona të mbushura.

…………………………………………….

Pimë …….. Po kur do të pimë përsëri??!!!


Poetit Gjergj Fishta

Thep më thep të Dukagjinit

do të bëhem Zanë Kroi

Dorë më dorë me vetëtimat

frymë më frymë do të frymoj


Kullë më kullë do të hidhem

e një kafe do gjerboj

Gur më gur do ndjej rilindjen

në udhë telash do ndaloj.

Në s’gjej dot një bacë të thinjur

symasat e zëbajraku

Do kërkoj-o një lahutë

të më japë fjalë gjaku.

Në s’takoj gjëkund një Loke

me ninulla lumturie

Do shkrij borën plloçë pas plloçe

që të zgjoj dhjetra burime


Në s’më shohin gjithë meshtarët

që t’i bien fort këmbanës .

Do kërkoj zile stanarësh

t’i jap frymë urimit, fjalës.


E do ndal Gjogun e Fjalës

thinjur-o në 70 dimra

Përmbi supin e baladës

të zjarrmoj ndër shkrepëtima


Do të zgjoj vikama burrash

Të dëboj Mordin Lugat

Ku damarin ushqen gurra

Do të bëhem kryemal.


Me carrokët që lind trolli

do mësoj shkronjën e parë

Sup më sup të shporrim Natën

dritë të mbjellim farë më farë


Do martoj nipat e Zogës

me tupanët e Poetit

U bëftë vera lumë në sofra

që një ditë të derdhet detit.


Ku pëllumbi ngre një strehë

në livadh ku Mbret është bari

fqae dielli do të mbjell

faqembetur te ugari.


Do kërkoj një hark ylberi

zemrës sime të pafaj

një kukamë që shkëmbin treti

Ta kthej sot në buzagaz.


Thep më thep ku thyhet drita

do të bëhem tel sharkie

Të më dehë gjakun Rilindja

si një fjongo shqiptarie.

Sytë e mallit


Lirikë kurbeti


Mes nesh një det me nimfa malli

Një lot që fsheh qerpik i njomë.

Po sa i lartë na qenka mali

Që nuk na lë të kuvendojmë?

I gjatë, i gjatë litar i udhës.

Asnjë sëpatë nuk e pret.

Në ç’jastëk i vë ti sytë e bukur?

Ç’mendon pas grile kur mbrëmja vjen?


I lartë ky mur , si gardh i hekurt,

Pelin i fortë kjo ndarje detesh.

Po si ta marr një përkëdhelje

e si ta jap një fjalë që tretet?

Një drithërimë shpirti zien në gjokse.

Një thinjë, një rrudhë flet si njeri.

Në sytë e tu si mijëra kroje

do ndez një zjarr me dashuri.


Si të të vë një fjongo lulesh

Mbi flokë të thinjur nga mundimi?

O, ç’barrë që mbajtëm përmbi supe

Po kurrë s’u lodhëm nga rënkimi.

Kur trungjet, shkarpat të mbarohen,

Një mal me dallgë do prushëroj….

Të kesh veç gaz në sy, moj motër,

Ndër hapa diellin do ndaloj.


Jam bërë, vëlla, si një memec.

Si një fëmijë i burrëruar.

E zemra dridhet si në rrebesh

..dhe dora s’hesht, po shkruan, shkruan…….

Mes nesh një det me nimfa malli

Një lot që fsheh qerpik i njomë.

Po sa i lartë na qenka mali

Që nuk na lë të kuvendojmë???


Po vijnë Don Kishotët…



Po vijnë nga larg ca Don Kishotë
E derën askush s’ua mbyll
Ndër faqe skuqur rigojnë lotë
E gjethe e dritë u fsheh në pyll.

Po vijnë mes nesh ca Don Kishotë
Zezon një shall përmes sherrnajës
Qyqon një derë, një shpat, një hon
Garojnë pa fund përmes piskamës

Piskon kjo kohë e verbëruar
Që kërkon sy e kërkon veshë
Mbi zjarr sheh djepin e shkrumbuar
Mbi det po mbyten libra, fletë.

E Sançot ndërrojnë pa fund kollaret
Se Donët duan madhështi
Nuk di ku janë Rosinantët
Tek shoh një vile, një benz të ri..

Po vijnë ata me vrap galopi
Pa një patkua e kapistall
E dora ngrirë mbet nga të ftohtit
E gjaku si përrua pa ujë u tha.

Po vijnë e shkojnë nëpër avionë
Në çdo hotel i pret Dylqinja
Ca celularë po cicërojnë
Në tavolinë ku vret vetmia.

Po vijnë sërish ca Don Kishotë
Gërdallur mes dhimbjes së ëndrrës
U thyen e humbën purtekat e lodrës
U terratis në det profecia e këngës.

Në zjarr Prometeu ndez shkrepsen
Të mos shuhet ky qiell, kjo dritë
Ata vijnë e shkojnë mes njerëzve
E njerëz s’u bënë kurrë një ditë

S’ia ndalkan turrin dallga, vala
S’ia mbyllin udhën gjerdhe, frerra
.Po vijnë pa fund ca Donë gërdallë
..Mes nesh po mbillet dhimbja, heshtja..

Po vijnë pa fund ca Don Kishotë…

Përgatiti:Flori Bruqi


Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...