ENI VASILI
Muaj më parë e sapombërritur në Milanon e pragvjeshtës, një nga ndalesat e para ka qenë në libraritë e qytetit. Më duket sikur arrij të perceptoj pulsin e një qyteti nga libraritë e tij. Më pëlqen të ndaloj mes librave të stivuar, të kuriozoj mbi botime të reja e të vjetra e mbi të gjitha të mos tundohem nga lista e librave më të shitur që sugjeron shumicën e herëve libra komercialë. Dy libraritë më të mëdha Mondadori dhe Feltrinelli si për të theksuar konkurrencën mes tyre qëndrojnë përballë në sheshin kryesor të Milanos, në sheshin Duomo. Në të dyja këto librari që në krye të herës kujtoj që më ra fort në sy prania e botimeve të frymëzuara nga Karl Marks, Lenin dhe tezat e komunizmit në përgjithësi. Në sektorin politikë dhe sociologji, librat e listës bestseller kishin në shumicë këtë subjekt. Një sërë botimesh të reja, studime dhe riinterpretime të teorive dhe kodeve me të cilat gdhiheshim e ngryseshim jo më shumë se 20 vite më parë.
Këtë perceptim e ndava me miq të mi të këtej e andej detit, me çudi, por edhe humor, mbi një ndjesi të prapë dhe cinike se ndoshta këtej nga Perëndimi nuk e dinë që luajnë me zjarrin ose kanë harruar shpejt se ç’ndodhi me gati gjysmën e saj.
Gjatë këtyre muajve, në çdo vizitë në të njëjtat librari, këta libra janë pasuar me të tjerë. Nuk do të isha shqetësuar më shumë se herën e parë nëse javën e shkuar në të dalë të universitetit ku studioj, një grup djemsh e vajzash të reja, të më ndalonin për të më kërkuar një minutë vëmendje për kauzën e tyre.
“Ne jemi komunistët e rinj. Ne jemi leninistët e rinj. Ne jemi punëtorët kundër kapitalisteve, ne jemi kundër të pasurve që shfrytëzojnë të varfrit, ne jemi komunistët e vërtetë”.
Më lanë në dorë një pamfletë ftesë për një manifestim në një nga rrugët më të njohura në Milano dhe më lanë të lirë duke kërkuar të tjerë si unë.
Klasa punëtore, proletariati, komunizmi, kapitalizmi, imperializmi e të tjera fjalë si këto bënin thirrje nga pamfleti për një marshim proteste në një maj.
Të njëjtën skenë e pashë disa herë këto ditë në kohë të ndryshme. Në hyrje-dalje metrosh, në hyrje dalje dyqanesh, në qendra komerciale, të rinjtë komunistë ishin shumë e ndodheshin gjithkund.
Një nga bisedat e para me lektorët në fillim javë ishte pikërisht kjo. Profesorët e mi të universitetit zbuan shqetësimin tim duke me shpjeguar se të tilla organizata radikale të rinjsh kanë ekzistuar gjithmonë dhe janë derivate lëvizjesh komuniste extraparlamentare.
Situata nuk ishte e re, thjesht më e theksuar vitet e fundit për shkak të krizës. Krizës ekonomike që sigurisht ka vënë në pikëpyetje të gjithë sistemin dhe ka aktivizuar edhe këto lloj segmentesh që tentojnë të përdorin pakënaqësinë e përgjithshme të njerëzve për t’u faktorizuar. Ashtu siç nuk është e thjeshtë në këtë kërkim global të një ideje për një rend të ndryshëm botëror të gjenerohen ide të reja. Ndaj vështrimi kthehet në teori e tericionë të kohëve të tjera.
Ndoshta shqetësim im ishte vërtet i pavend.
Shqetësimi im vinte nga e kaluara ime, nga e kaluara jonë. Sigurisht që ndjeshmëria ime ndaj pamfleteve komuniste është e ndryshme nga ajo e të tjerëve që studiojnë me mua dhe që në dalje të universitetit takojnë të njëjtët të rinj të komitetit të studentëve komunistë.
Por është e pamundur të mohosh që sot në të gjithë botën rritet çdo ditë një pakënaqësi shumë e madhe ndaj partive tradicionale dhe sistemit politik në përgjithësi, një lloj antipolitike, që përbën një terren pjellor për çdo lëvizje radikale të çdolloj tipi kahje e ngjyre. Këto lloj lëvizjesh strehohen në të kaluarën, mes nostalgjisë dhe evokimit të sistemeve të tejkaluar, por që gjejnë gjithmonë e më shumë terren në pakënaqësinë e të gjithëve ndaj gjithçkaje.
Afirmimi i ekstremit të djathtë p.sh vihet re në skenë në politike europiane.
Ne Francë, fitorja e Hollande që deklaroi të taksojë milionerët me 75% u vlerësua si një reaksion ndaj pakënaqësisë së francezëve ndaj Sarkozy, por surpriza e vërtetë ishte fitorja me gati 18% e partisë së ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, Front Nationalle. Ekstremi i djathtë nuk ka qenë kurrë më i fortë në Francë. Parisi nuk i shpëtoi dot fatit të ngjashëm të vendeve të tjera europiane ku formacionet populiste kanë gjithmonë e më shumë elektorat.
Sepse nuk është vetëm një çështje franceze, në të gjithë Europën po zë gjithmonë e më tepër vend e djathta nacionaliste jo shumë e ndryshme nga ajo e para luftës. Ekziston në Austri, Skandinavi, Vendet e Ulëta, Zvicër mbetet më e dobët në Gjermani.
Zgjedhjet e fundit në Greqi shqetësuan Europën po aq sa fitorja e Le Pen. Askush nuk priste fitoren me 7% të neonazistëve të Nikolaos Michaloliakos, “Agimi i artë”. Një parti që mjafton të shohësh simbolin e tyre për të kuptuar se çfarë përfaqësojnë. Kjo parti neonaziste është tashmë në Parlamentin grek.
Në Itali, shenjat e krizës së sistemit të partive janë të dukshme. Në zgjedhjet administrative italianët votuan po ashtu për antipolitikën, një votë e qartë kundër të gjitha partive të traditës. Lëvizja pesë yjëshe e Beppe Grillos fitoi me një rezultat krejtësisht të papritur në të gjithë Italinë, një lëvizje populiste e drejtuar nga një komik i njohur që është kundër politikës dhe politikanëve të çdo lloji.
Demagogjia dhe populizmi mund të zhdukë gjithçka ka ekzistuar deri tani tha lideri i së majtës Bersani, një nga partitë në rënie në këto zgjedhje.
E ndërkaq që politika vazhdon të gjenerojë pikëpyetje ekzistenciale, i vetmi lajm optimist është se të rinjtë komunistë kishin mbledhur shumë pak njerëz në manifestimin e tyre. Nuk harrova ta verifikoja vetë si e vetmja mënyrë për të harruar shqetësimin tim.
No comments:
Post a Comment