FALENDERIME PËR UDHËN E KOMBIT




(Shkrimi i fundit i librit “Apologji për Udhën e Kombit” të Rexhep Shahut)

Dhe në fund falenderimet e mia! Me gojën plot falenderoj të gjithë taksapaguesit e këtij vendi me kontributin e të cilëve u bë i mundur realizimi i Udhës, falenderoj ideuesit e saj, ata të hershmit që nuk patën fatin ta shohin dhe ideuesit e rinj që guxuan t’u japin jetë ëndrrave ndër breza. Kjo Udhë është vepër e popullit dhe kombit shqiptar, realizuar me mundin, djersën dhe kursimet e tij.

Njëmijë falenderime për ndërtuesit, mijëra puntorë e specialistë të “Bechtel & Enka”, “Geci”, “Graniti”, etj., mbi të cilët u hodh jo pak baltë, por tash të gjithë pajtohen se ata me këmbëngulje e pa bujë kanë ndërtuar një vepër sipas standarteve europiane.

Falenderoj qeveritarët shqiptarë, veçanërisht Qeverinë e Dr. Berishës që vullnetin e saj e materializoi duke marrë përgjegjësinë dhe duke përballuar presionet e vështirësive financiare, presionet e dukshme dhe të padukshme dhe që brenda një kohe të shkurtër ia doli të shembë malin e pengesave. Për herë të parë metafora “dritë në fund të tunelit” u bë realitet dhe të gjithë kuptuam se përmes kësaj Udhe ne hymë në shekullin e ri krahas me popujt e tjerë të familjes europiane, me të cilët na pati ndarë dhunshëm nata otomane. Për herë të parë u bëmë krejt optimist se ne shqiptarët jemi të aftë të ndërtojmë çdo vepër sado komplekse dhe e kushtueshme të jetë.

Deri në vitet 1940, për të shkuar në Kukës duhej të udhëtoje ose nga Maqedonia, në Prizren e në Kukës, ose nga Mali i Zi, në Pejë, Gjakovë, Prizren e Kukës. Rajoni, mespërmes të cilit u ndërtua Udha e Kombit, ka qenë rajoni më i lënë pas dore, më i përbuzuri, më i braktisuri. Falë kësaj Udhe, ky rajon tashmë është i hapur për të gjithë, shqiptarë, serbë, grekë, bullgarë, hungarezë, rumunë, italianë etj.

Duke falenderuar për ndërtimin e kësaj Udhe në mënyrë të veçantë doktor Berishën, shpresoj të jem zëdhënësi i gjyshërve e i prindërve të mi dhe i qindra mijë shqiptarëve të braktisur në fatin e tyre në kurthin e maleve të begata që prodhonin minerale dhe dritë edhe për të tjerët, por edhe jo pak përbuzje e ironi pushtetarësh që pollën slloganin poshtërues të ndihmës për zonën e varfër verilindore.

 Dhe në vend të ndihmës reale sollën edhe dublantët komikë që shtuan varfërinë dhe kastën burokratike të regjimit komunist.

Falenderoj presidentin historik të Kosovës Ibrahim Rugovën, i cili, si vizionar që ishte dhe si udhëheqës që e donte fort vendin e tij, nuk reshti së kërkuari ndërtimin e Udhës së Kombit, udhë që i krijon dhe ofron mundësi Kosovës, kombit dhe gjithë rajonit.

Falenderoj gjithashtu të gjithë ata që kundërshtuan ndërtimin e Udhës së Kombit, sidomos ata që përmes medias shprehën lirisht mendimet e tyre. Falenderoj ata që ndërruan mendje, u penduan dhe u pajtuan me Udhën dhe ata që nuk kanë ndërmend të pajtohen. I falenderoj sepse ata më nxitën të bëj këtë libër. Pavarësisht shkallës emocionale, polemika ime është krejt miqësore e vëllazërore.

Kjo Udhë - Urë pohoi në emër të secilit prej nesh, se aty ku bukës i thonë bukë e ujit i thonë ujë është një Hapsirë shqiptare e Bashkuar dhe e pandashme. Miqtë tanë që mbështetën ndërtimin e saj e kuptuan aftësinë tonë përbashkuese në kushte lufte dhe paqeje. Kjo aftësi na ka shndërruar në faktor përcaktues për fatin e rajonit. Kemi flakur kështu rolin e viktimës së planifikuar të dëbohej e të çfarosej nga trojet e veta dhe po marrim në dorë gjithnjë e më shumë fatin tonë.

Diskutime të mëdha e sherrnaja për vepra të tilla do të ketë gjithnjë në vendin tonë. Me sa duket kundërshtitë, mospajtimet e mospëlqimet sa të natyrshme dhe të brendshme edhe për një kohë do të nxiten nga duar të huaja që kanë hartuar memorandume çfarosje dhe ende kërkojnë dhoma gazi për shqiptarët. Mirëpo mbas sherreve të rastit pasardhësit do të kthjellohen dhe do të reflektojnë duke u kujtuar për këtë Udhë që nuk zbriti nga qielli, por ua lanë trashëgim baballarët e tyre.

Ata do t’i rikthehen kësaj kohe duke hyrë në sheshbetejën e fjalëve, shpifjeve sharjeve mallkimeve, do të shohin si ndërtuesit kombdashës kapërcyen terrenin e mjegulluar nga tymi i shashkave mediatike duke përshpejtuar ritmet e punës.

Përmes këtij libri shpresoj të kuptohet më mirë se sa llogje janë bërë në kohën e luftës për Udhën – Urën e Kombit, sa nerva janë acaruar, sa qejfe të mëdha e të vogla janë prishur, sa buzë janë shtrëmbëruar, sa armata e taborre shpifësish, kundërshtarësh janë inkuadruar e motorrizuar kundër saj.

Shpresoj gjithashtu të ndriçohet një e vërtetë me shumë vlerë për sot dhe nesër : Kjo udhë u bë shkollë për shqiptarët. Shkollë për ndërtuesit shqiptarë, shkollë për politikën shqiptare, gur prove për aftësitë dhe guximin tonë. Ajo do të na japë gjithë besimin e duhur se nuk ka gjë që nuk ndërtohet në këtë vend, mjafton të arrihet vullneti i duhur i vendimarrësve.

 Tash që u shemb muri shqiptar i Berlinit dhe u ça mespërmes mali i Rrunës me një tunel 11.6 km, që duke lidhë Mirditën me Lumën, lidh edhe pjesët e ndara të kombit, tuneli përmes Kërrabës për në Elbasan duket një shaka e vogël, ngjan me një punë dukshëm më të vogël.

Udha e Kombit (epo e tillë është, mos i rrudh ende buzët ti kundërshtar i vogël…) na mbushi me optimizëm, me besim dhe shpresë.

Gjithkush e di dhe beson tani se edhe pse vërtetë në këtë vend janë bërë e bëhen edhe plot gjëra të gabuara ose të nxituara, edhe pse bëjmë e nuk bëjmë gjëra të vogla, jemi tani në të drejtën tonë e të Zotit të besojmë se këtu bëhen e mund të bëhen edhe gjëra të mëdha, punë të mëdha, nga ato që mund të bëhen një herë në njëqind vjet, siç është kjo Udhë - Urë që nuk e bashkon vetëm politikisht e administrativisht kombin shqiptar, por e bashkon shpirtërisht duke i afruar njerzit e një gjuhe e një gjaku, duke ua shkurtuar kohën dhe rritur komoditetin për të shkuar tek njëri – tjetri.

Kjo Udhë në fund të fundit tregoi forcën e shtetit shqiptar. Ajo është përmendorja e fuqive dhe aftësive tona.
Urime të ndjera zemre do të marrë përjetësisht Udha e Kombit nga gjithë biznesmenët shqiptarë e jo shqiptarë, nga gjithë prodhuesit shqiptarë e jo shqiptarë që synojnë treg rajonal, nga gjithë banorët e bregdetit shqiptar, për të cilët u çelen mundësi të mëdha, nga të gjitha periferitë e qyteteve shqiptare që do të dinë të krijojnë një agroturizëm të lakmueshëm.

Do të urojnë përjetësisht njerzit e çdo profesioni, rrace e kombi që do të kalojnë këtej pari. Kjo është Udha që do të paqëtojë rajonin. Edhe serbët që e kanë lakmuar përjetësisht detin Adriatik do të kenë mundësi të vijnë paqësisht nëpër Udhën e shqiptarëve, të cilët do të kenë mundësi gjithashtu që përmes Beogradit të shkojnë drejt Europës Qëndrore.

Udha krijon kushte e mundësi më të mëdha për të begatuar krejt vendin, që të mos e braktisim më, të mos e shkretojmë me ikje e ikje pafund.

Mundësi punësimi shtohen, mundësi të mbërritjes lehtë te tregu shtohen. Ajo Udhë besoj do të ndikojë të na shtojë si shqiptarë, që të vijë dita të bëhemi më shumë brenda Hapësirës sonë në Ballkan se sa jemi të derdhur drejt zhdukjes në shtete të tjera për të rinuar e zdrrallur kombe që plaken me shpejtësi, për të mos u shndërruar në material gjenetik e biologjik për të tjerët.

Falenderoj ngrohtësisht redaktorin e këtij libri, mikun tim Izet Duraku, i cili për këtë libër, më shumë se për shkrimet dhe librat e tjerë të mitë, më ka kushtuar kohë, mund, përkujdesje, vëmendje të madhe, më ka nxitur të shtoj forcën e argumenteve.

Nderim dhe mirënjohje të thellë dua të shpreh për një grup intelektualësh të nderuar, miq të mi dhe miq të Udhës së Kombit, nga Vlora, Kavaja, Durrësi, Tirana, Elbasani, Kruja, Mirdita, Dibra, Kukësi, Hasi, Tropoja, Gjakova dhe Prishtina, që u solidarizuan me mua dhe falë kontributit e ndihmës së tyre financiare u mundësua printimi i këtij libri. Faleminderit!

Falenderoj fëmijët e mi, familjen time, miqtë dhe të afërmit e mi, që më kanë mirëkuptuar pse ju kam munguar teksa merresha me këtë libër.

Falenderoj përzemërsisht gjithë miqtë e përfshirë në Apologjinë e Miqve si bashkmendimtarë që më kanë frymëzuar dhe më kanë mbushur me dashuri e besim. Faleminderit të gjithëve!

Edhe atyre që i njoh përsonalisht edhe atyre që nuk i njoh nga afër.

Rexhep Shahu

Tiranë, prill, 2012

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)