Poezia si produkt e një kulture të gjerë dhe e kërkimeve të pareshtura letrare
Protonizmi si veçori e Gjekë Marinajt
“Si përfundim do të thoja se poeti Marinaj i arrin kulmet e tij poetike jo dhe aq shumë në përsiatjet surrealiste sesa kur e lë frymëzimin të rrjedhë lirisht në spontainitetin e vet që është shprehje e talentit të pakontestueshëm të këtij poeti. Ai eksperimenton vazhdimisht në hullinë e poezisë modern.”
Nga Kujtim Morina
Në ditët e para të protestave studentore të dhjetorit 90, pas një mitingu të madh të organizuar në Qytetin Studenti, vjen një shoku im student dhe më tregon për përshtypjen e veçantë që i kishte bërë leximi i një poezie. Ajo poezi, më tha ai, ishte për kohën, ndryshimin, prekte ëndrrën, shpresën, zhgënjimin dhe mbi të gjitha lirinë e shumëpritur. Pas disa ditësh e gjeta dhe e lexova këtë poezi të botuar në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte poezia ”Kuajt” e poetit të ri në atë kohë, Gjekë Marinaj, që edhe pas 21 vitesh pasi është botuar për herë të parë, duket si e shkruar sot. Ka në këtë poezi një spontainitet që vjen nga një poet i talentuar që nuk e kërkon poezinë me sforco por i vjen vetvetiu si një dhunti që e kanë pak poetë dhe krijues të fjalës. Vargjet e kësaj poezie janë të skalitura aq bukur si një shtëpi me mur të latuar guri ku nuk ke as çfarë heq dhe as çfarë vë. Poeti Gjekë Marinaj përmes kësaj poezie u bë jo protagonisti por fryma e asaj kohe të ndryshimeve të mëdha për Shqipërinë e shqiptarët.
Pas gati 20 vitesh të leximit mbresëlënës të kësaj poezie, më ra në dorë libri “Lutje në ditën e tetë të javës” i Gjekë Marinaj. Kisha lexuar poezi të tij të veçanta dhe një libër me poezi të përkthyera nga poetë amerikanë të kohës por s’e kisha ndeshur ende këtë botim që ishte bërë nga shtëpia botuese “Faik Konica” në Prishtinë, nën përkujdesjen e poetëve të Kosovës. Ky libër natyrisht vjen pas një përvoje të gjatë të autorit si poet, me ndjekjen nga afër të rrjedhave të poezisë moderne amerikane që ka qenë gjithnjë në avanguardën e poezisë botërore, pas përkthimeve të disa librave poetikë, studimeve të kritikës letrare dhe eksperiencës së tij akademike në universitetet amerikane.
Në poezinë e Gjekë Marinaj, figuracioni është më shumë i trupëzuar në tekst sesa i veshur së jashtmi gjë që i jep vargut më shumë emocion dhe lirshmëri. Ka gjetje të rralla poetike që ndërtojnë sa imazhin aq edhe përsiatjen që të mbetet në mendje, një poezi që duket si një puhizë e lehtë që të ledhaton, të fut në ngasje e mendime të thella dhe të bën të shijosh aromën e saj si kur je në një varkë në detin e paanë plot ëndërrime. “Ajo qe një lule e freskët/ që priste lejen e mëngjesit për të çelur” shkruan Marinaj në poezinë “Purgatori”. Ndërsa në poezinë “Të gjitha juritë do më falnin” po kujtojmë këto dy strofa:
“Në gjoks
Mban dy kambana të arta të kthyera përmbys
Por nuk është një kishë e bekuar.
Çuditërisht
Kur kaloj pranë saj fshehurazi bëj kryq
Por nuk është besimi ai që m’i komandon duart”
Ka në këtë poezi një freski të lirikave të pavdekshme të poetit të madh amerikan Ezra Pound. Spontainiteti i poezisë ka gdhendur vargje që kanë sa asonancën aq edhe antitezën, një shumë kundërtish që janë edhe në harmoni me njëra-tjetrën, simbole të shkrira në një sinergji që e kërkojnë magjinë tjetërkund por në fund ajo gjendet aty pezull në ajër dhe të fton ta shijosh.
Poezia e mallit apo e mungesës së Gjekë Marinaj është plot ndjenjë dhe emocion. Për më shumë se 20 vjet jetë në emigracion që është fati edhe i mbi një milion shqiptarëve të emigruar pas 90-s, duke marrë me vete një copë atdhe, kudo ku kanë shkuar por edhe duke e dashur më shumë atë të vërtetin, tokësorin, të ashprin, të pagdhendurin vend të shqipes ku jeta nuk ka qenë e lehtë këto dekada të tranzicionit. Largësia pjell xhevahire poetike te ky poet që e shtrydh ëndrrën gjer në kufijtë e pamundësisë. Kjo duket në poezitë për vendlindjen, nënën, Shkodrën, Nënë Terezën, Shqipërinë, Kosovën etj. Çfarë emocioni të veçantë përcjell poeti në poezinë “I pa imunitet në Shqipëri” të shkruar në vitin 2006!
“Shqipërinë e gjeta si atë engjëllin e bardhë
Që ecën ngadalë një pëllëmbë mbi tokë
Me hijet e të vdekurve buqetë në dorë”
Sa mall, sa dhembje, sa dashuri për të gjallë e për të vdekur ka në këtë poezi! Ai sikur sjell zërin e të gjithë poetëve të emigruar shqiptarë, të gjithë shqiptarëve me shpirt poeti që ikën nga ky vend në një kohë të vështirë për ta dhe kthehen në të si në gjirin e nënës.
Në këtë kontekst po sjellim edhe disa vargje nga poezia e Gjekë Marinaj kushtuar djepit të kulturës shqiptare, Shkodrës, poezi që duket se autori e ka ‘qarë” me të gjithë forcën e talentit dhe të shpirtit:
“Mungesa mbetet një mesnatë me yje të vrarë
Kur këtu është natë, ditë është tek ti
Ti shtrydh ndjenjat e unë ndjehem i tharë
Por madhështia jote më njomëson përsëri”
Poeti Marinaj kujton në këtë poezi bashkëqytetarin e tij Migjenin që e kishte quajtur këtë qytet “dashunorja e shekujve” dhe të dy poetët sikur takohen në perlat që i kanë kushtuar qytetit simbol shqiptar, Shkodrës, ku çdo gur dhe çdo dru ka një histori mijëravjeçare.
Në përfundim të këtij shkrimi të shkurtër, do të thoja se poeti Marinaj i arrin kulmet e tij poetike jo dhe aq shumë në përsiatjet surrealiste sesa kur e lë frymëzimin të rrjedhë lirisht në spontainitetin e vet që është shprehje e talentit të pakontestueshëm të këtij poeti. Ai eksperimenton vazhdimisht në hullinë e poezisë moderne. Suksesi i tij bazohet në dhuntitë e tij krijuese të treguara qysh herët dhe të konsoliduara si rezultat i një kulture të gjerë dhe i kërkimeve të tij të pareshtura letrare.