1.
Prof.dr.Sadri Fetiu eshte nje intelektual nder me te rrallet qe aktualisht i ka Kosova. Nje numer i vogel intelektualesh( qe mund te numerohen ne gishta te dores) nuk do te pajtohen me mendimin tim dhe do pyesin ne çka Sadri Fetiu veçohet nga tjeret. Ka shume argumente qe dokumentohen me veprime dhe shkrime se Sadri Fetiu eshte ndryshe nga te tjeret. Ajo qe e bene te veçohet eshte se me daljen e Ushtrise Çlirmitare te Kosoves, Dr. Sadri Fetiu ishte i pari i cili doli ne perkrhaje te luftetareve te lirise, duke mos menduar aspak per konsekuencat qe mund te pesonte familja e tij dhe pesimet personale si Drejtor i Institutit Albanologjik qe ishte. Me okupimin e Institutit Albanologjik nga forcat serbe me 8 mars 1994, Sadri Fetiu do te deklaronte se mbyllja e Institutit ka prapavije politike dhe se populli shqiptar nuk do te pajtohej kurre me padrejtesi te tilla. Si gjithnje, Sadri Fetiu duket i qete, i urte, stabil, i pangutshem, por ne shpirtin e tij vlon llava e diturise dhe e patriotizmit.
Per Sadriun, lufta kishte filluar dhe ajo nuk do te ndalej deri ne fitoren perfundimtare, por shtrohej nevoja qe luftetaret e lirise ta gezonin edhe perkrahjen morale te intelektualeve tane, zeri i te cileve nuk po degjohej. Perkrahja morale e bijeve me te shkolluar te popullit, luftetaret do t’i inspironte e vargu i tyre do te zgjatej. Ushtria jone gjendej ne nje faze hutie ku disa intelektuale te tjere deklaronin se luftetaret e lirise ishin dore e zgjatur e Millosheviqit. Mendimit te Sadri Fetiut do t’i bashkangjiteshin edhe disa personalitete me tituj shkencore, por Sadriu ishte ai qe e theu akullin siç ishin luftetaret tane qe e thyen mitin se ushtaret serbe nuk mund te vriteshin. Kjo ishte nje lehtesi, padi ushtria jone gjendej ne nje faze hutie,pasi disa intelektuale te tjere deklaronin se ushtaret e lirise ishin dore e zgjatur e Millosheviqit.
Sadri Fetiu anjehere ne jeten e tij nuk ka heshtur para padrejtesive qe iu kane bere popullit tone. Ka folur edhe atehere kur fjala ka kushtuar shtrenjte. Po te analizohen shkrimet e tij publicisti ke te shkruara para shume vjetesh, do te shohim se ato jane analiza konstruktive dhe duket qe Sadriu kishte nje vizion largepames per ardhmerine e vendit e te cilat shkrime nuk mund t’i ndryshken me kalimin e kohes.
Intelektuali qe e sfidoi partine komuniste
Sadri Fetiu asnjehere nuk ishte anetar i partise komuniste dhe aktualisht nuk i takon asnje partie politike, sepse per kete intelektual parasegjithash partia eshte Atdheu. Kosova eshte ideali per te cilen duhet punuar dhe sakrifikuar çdo gje qe populli i saj te kete prosperitet. Ne kushtet aktuale te mos i perkasesh asnje rryme politike paraqitet nje promblem. Askush nuk te beson. Si mundet te te besoje populli qe dikur ke vepruar per çeshtjen kombetare kur ne ekranet televizive prane shefave te partive dhe ne vende kyçe sheh njerezit tjere ?! Kur nuk ke mirenjohje nga njerezit e pushtetit per kontributin e dhene pse te te besojne rrethi?
Familja politike nuk te perkrah nese nuk je njeriu i degjueshem. Ata madje as qe e çajne koken se dikush dikur ka vepruar kur pikerisht ata kane heshtur. Nuk eshte me me rendesi kush ka vepruar e kush ka heshtur, me rendesi eshte te jesh i degjueshem, i urte, eventualisht kusheri i ndonjerit ne pushtet. Mirepo, Sadri Fetiut nuk i behet vone per mosperfilljet e askujt. Nuk iu ka bere vone ne kohet me te veshtira millosheviqaine kur shkonte koka e tash as qe don te merakoset per mirenjohje. Tani nuk ka “mirenjohje te mirefillta”. Ka vetem mirenjohje familajrizmash, klanesh dhe partiake ku nuk vleresohet realiteti objektiv.
Dr. Sadri Fetiu nuk hesht para gjerave negative qe behen ne deme te popullit dhe ardhmerise se Kosoves. Nepermjet analizave politike i shpreh pikepamjet e tij duke mos i kursyer asnjeren nga partite politike e asnjerin nga pushtetaret, sepse ky intelektual mendon se duke i ve ne spikame eliminohen dobesite qe kane partite e veçmas individet partiake. Kritikat e Sadri Fetiut nuk jane tendencioze e me ndonje prapavije , por thjeshte konstruktive qe i sherbejne çeshtjes kombetare. Ç’ndodh me intelektualet e rangut te Sadri Fetiut te Rexhep Qosjes e te tjere?! Komentohen artikujt publistike konstruktiv nga njerezit e pushtetit? Jo. Çdo gje kalon ne heshtje sikur asgje e askush te mos kishte folur. Madje rangu i tille intelektualesh anashkalohet e injorhet skajshmersiht, qe askush te mos degjon me per emra te tille. Ndodh edhe te klasifikohen edhe si prishes te rendit dhe komoditetit e rehatise personale te pushtetareve.
Me ata qe veprojne per intertesa te popullit
Nuk mbahet ne mend qe Sadri Fetiu, ish- Drejtor i Institutit Albanologjik te Kosoves te jete ftuar ne mediume publike si analist per ta shprehur mendimin politik rreth nje ngjarje madje minore. Jo vetem ky por askush qe ka pikepamje te drejta dhe bagazh patriotik te mirefillte nuk ftohen per ta komentuar nje situate te pershtatshme ose te papershtatshme qe krijohet ne Kosove. Tipa te tille duhet te injorohen, kishte thene nje unmikas njehere, dhe askush nuk e dinte me se kush kishte thene dhe pse kishte thene. Me rendesi ishte se u tha, e pushtetaret duhet t’ia venin fjalet e tij ne vepra. Sadri Fetiut nuk i behej vone e ftojne apo nuk e ftojne. Eshte i vetedijshem se asgje nuk mundet ta ndale hapin e çeshtjes sone dhe se gjithnje do te dalin forca te shendosha qe i dalin zot vendit. Per kete Sadri Fetiu nuk i frikesohet askujt dhe pa ngurrim e perkrah Levizjen “Vetevednosje” , duke u shpreh me fjalet me te mira ku deklaron: “Po,do te jem bashke me trimat e “Vetevendosjes”. Deri sa te kem fuqi te eci vete do te jem me ata qe veprojne per interesa te popullit, do te veproje per lirine e tij, per te drejtat e tij demokratike, per çeshtjen shqiptare...Albin Kurti dhe shoket e tij te”Vetevendosjes” jane ne rruge te drejte. Ata jane kunder politikes kapitulluese, qe e ka pranuar Serbine si hisedare qe do ta kontrolloje drejtperdrejte pjesen e ndare,te komunave serbe ne Kosove… dhe kerkonin te drejten e popullit per vetevendosje qe eshte e drejte e garantuar ne baze te normave nderkombetare per te drejtat e popujve”.
Sadri Fetiu gjate periudhes nen okupim persefarmi ndiqte fatin e popullit te tij dhe ngrinte zerin kunder shkelesve te ketij vendi me nje guxim te rrale duke e klasifikuar rendin e sistemit sundues si shovenist e duke deklaruar se me shume se gjysma e popullit shqiptar jeton ne roberi klasike dhe se shqiptaret jane i vetmi popull i Evropes qe ende nuk i ka zgjidhur çeshtjet fundamnetale te rrezistences se tij si komb.
Sadri Fetiu eshte njohes dhe studiues i mire i folklorit tone, i cili me botimin e ketyre kengeve i ka sherbyer eksperteve tane dhe atyre te huaj qe te thyen tezat serbe rreth origjines se popullit shqiptar siç mund te shohim te jete cituar ne: “Formation nationale et nationalisme dans l'aire de peuplement albanais Albert Doja Docteur en anthropologie sociale (EHESS Paris), madje nga Ullmar Quick e te tjere,thotë mes tjerash studiuesi shqiptar Reshat Sahitaj.
2.
HISTORIA DHE ETIKA E KRISTALTË E NJË BREZI
(Rashid Krasniqi, ME SEKRET NË VARR - roman, botim i autorit, Prishtinë, 2011, f. 355.)
Me rastin e përurimit të veprës së parë të publicistit, Rashid Krasniqi, PËRJETIME TË LEHTA, omnibus ngjarjesh të vërteta, të botuar më 2008, pos të tjerash, pata deklaruar se ajo është “një vepër krejt e veçantë memoaristike, e cila i ka edhe shumë nga veçoritë e prozës së mirëfilltë artistike, qoftë të një romani autobiografik, qoftë të tregimeve të veçanta, që shikuar si tërësi, përbëjnë një sagë rrëfimore për katër brezat e familjes së tij... Që në fillim në vetë titullin e librit “Përjetime të lehta” kemi një paradoks, që është karakteristik për prozën postmoderne, sepse shumë nga përmbajtjet e këtyre rrëfimeve nuk janë aspak të lehta...”
Sot, kur po e përurojmë romanin e tij, mund të konstatoj me kënaqësi z. Rashid Krasniqi, na sjell befasi të këndshme, sepse në këtë moshë sikur i përmbushi disa nga detyrimet që mund të priteshin nga ai dhe i verifikoi konstatimet e mia se kishte talent të lindur për krijimtari të mirëfilltë artistike. Prandaj, që në fillim duhet pohuar se duke lexuar romanin “Me sekret në varr” krijojmë bindjen se autori na paraqitet me një roman të llojit të veçantë proteik, ku janë gërshetuar veçanësitë karakteristike të disa llojeve të romaneve. Ndonëse me pervojë të paktë në krijimtari, madje edhe pa njohuri të mjaftueshme të teorisë së romanit, autori ynë ia doli thuaja se intuitivisht t’i gërshetojë me sukses brenda veprës së tij përbërësit e romanit të personazhit me ata të romanit të ideve dhe t’i harmonizojë të veçantat e jetës individuale me të përgjithshmet e jetës shoqërore, historinë e dhembshme të individit që, për t’i mbrojtur parimet e kristalta morale, bën sakrifica shumë të mëdha, për vete dhe për familjen, duke ruajtur sekretin deri në varr, me historinë e popullit të tij që lufton për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Romani ka një pikënisje autobiografike, sepse në realizimin e figurës së protagonistit dhe të familjarëve të tij janë përfshirë shumë të veçanta të jetës personale të autorit, sidomos ata që kanë të bëjnë me formimin e tij në fazat e hershme të rinisë së tij. Po ashtu, edhe ngjarjet e veçanta shoqërore, historia e kohës së re, periudha që nga lufta e Dytë Botërore e deri në fund të shekullit XX është paraqitur në bazë të pervojës personale dhe të pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të autorit në ngjarjet e kohës. Brenda paraqitjeve të ngjarjeve historike këtu janë trajtuar edhe pjesë të drejtpërdrejta të realitetit jetësor, madje edhe me emra të figurave të mirëfillta të pjesëmarrësve të politikës së kohës, që herë herë edhe anatemohen për punët e tyre kundër interesave kombëtare, me çka romani merr edhe permasat e një vepre gjithpërfshirëse postmoderne.
Siç u tha, vepra me gjerësinë e vet ka përbërës të romanit proteik të ideve, sepse brenda saj në veprimet e personazheve dhe të motivimit të tyre, gërshetohen idetë e shumta: humanitare, atdhetare, fetare islamike, antikomuniste dhe demokratike. Bota e ideve në vepër motivohet edhe me veprimet e një grupi nacionalist –endesheist (NDSH) në krye të të cilit është protagonisti i romanit. Në disa raste idetë kundërkomuniste janë sforcuar në mënyrë më të ashpër sarkastike, prandaj për të krijuar njëfarë baraspeshe ndërmjet antiserbizmit të theksuar, autori i ka inkuadruar në roman edhe disa personazhe me përkatësi kroate e sllovene, gjermane etj., që kanë ndikim të veçantë në motivacionin e veprimeve të protagonistit. Brenda këtyre relacioneve sqarohen edhe ambicjet e tij, që të merret me pune private, me një lloj biznisi që atij do t’i sigurojë pavarësi në veprime dhe mundësi më të mëdha për t’i ndihmuar edhe vetë organizatës nacionaliste, që vepron edhe brenda aksioneve të organizuara kundërshtetërore dhe kundërkomuniste.
Pjesa e parë e romanit i ka edhe shumë karakteristika të romanit të dashurisë, sepse në qendër të veprimit është dashuria e dy të rinjve, Aliut dhe Zelihasë, që kurorëzohet edhe me një martesë të lumtur dhe me një jetë të ngrohtë familjare. Dashuria që në ndonjë rast paraqitet në mënyrë eseistike edhe si Konstrukt - ndërtim i një dashurie platonike, është edhe bazë e motivit të kthesës fort të çuditshme në zhvillimin e ngjarjeve të romanit, sekretit të rrallë, që e sjellë ketë kthesë dhe i vendos ngjarjet e romanit nga Kosova në Arabinë Saudite. Dashuria si kuptim i veçantë dhe i përgjithshëm sjell ngrohtësi të veçantë në rrëfimin romanesk për jetën familjare dhe e zgjeron dimensionin cilësor të prozës së Rashid Krasniqit, duke e bërë më të pranueshme e më të kërkuar veprën si tërësi. Ndonëse jeta familjare e paraqitur brenda këtij romani ka edhe primesat e një vepre sentimentaliste, me dashurinë lidhen edhe shumë aspekte realiste të paraqitjes së psikologjisë së personazheve, në mënyrë të veçantë të atyre të botës femërore.
Pjesa e parë e romanit të Rashid Krasniqit, ajo lidhet me veprimet e personazheve në Kosovë, shquhet për begatinë e përgjithshme si vlerë e realizuar e artit të romanit, si rrëfim realist i strukturuar në mënyrë të ndërlidhur midis episodeve - veprimeve të motivuara të personazheve episodike dhe veprimeve kryesore të protagonistëve. Brenda kësaj pjese mbizotëron rrëfimi i autorit në pozicionin e narratorit të gjithdijshëm, por edhe shkathësia për t’i paraqitur dialogët e personazheve në të cilat është përdorur me sukses gjuha e individualizuar, që shërben edhe për tipizimin e tyre të veçantë.
Meqë brenda ngjarjeve të romanit është paraqitur kryesisht jeta urbane e banorëve të qytetit, nuansimi gjuhësor ka edhe shumë përbërës të gjuhës tradicionale me plotë orientalizma, që që lidhën në mënyrë të natyershme me protagonistin, besimtar të devotshëm dhe me shumicën së personazheve të tjera që i respektojnë me përpikëri normat e fesë islame. Kjo dukuri është edhe me e theksuar në pjesën e dytë të romanit, ku protagonisti jeton dhe vepron në Arabinë Saudite ku edhe krijon familje të re.
Ta themi kalimthi se pjesa e dytë e romanit, ku protagonisti – Aliu, i cili për ta ruajtur sekretin e tij të madh- si pasojë e moralit të veçantë njerëzor, ka hequr dorë edhe nga familja – gruaja dhe vajza - nga atdheu i tij, e madje edhe nga identiteti personal, sepse e ka ndryshuar edhe emrin e quhet tashmë Halil, shikuar pergjithësisht, ka karakteristikat e një skenari të filmit, jo vetëm pse i ka përshpejtuar ngjarjet, por edhe pse ka hequr dorë nga tipizimi i përgjithshëm i veprimeve të personazheve dhe ka marrë permasat e senzacionalizmit. Veprimi i këtillë i protagonistit mund të konsiderohet si një himnizim i dashurisë dhe i nderit personal, i respektit dhe i njerëzishmërisë së plotë, që është karakteristikë e personave të rrallë, të cilët si individë kanë qëllim të arrijnë në kufirin e skajshëm të përsosmërisë njerëzore. Aliu me zor e ndaloi shpërthimin e një konflikti të brendshëm, duke i ngritur ciliësitë e veta morale në urtësi dhe durim profetik.
Në gjerësinë e vet tematike romani “Me sekret në varr” si shumësi proteike shquhet edhe për dimensionin e tij në planin e gjerë historik, pastaj atë social, etno-psikologjik etj. Historikja këtu gërshetohet natyrshëm me rrëfimin për fatin e individit dhe të familjes shqiptare në rrethana të veçanta historike, kur populli ynë ishte i shtypur në aspektin kombëtar dhe social dhe luftonte që të çlirohej edhe nga dhuna shoveniste dhe konceptet sllavo-komuniste që ishin të huaja për mentalitetin e shqiptarit, i cili në vitet e luftës së madhe botërore kishte filluar t’i shijonte frytet e para të arsimimit dhe përgjithësisht të frymës kombëtare në jetën e tij. Brenda fatit personal të protagonistit dhe të shokëve të tij të organizuar në Organizatën Nacional Demokratike pasqyrohet edhe veprimi i organizuar që synon çlirimin kombëtar dhe përgjithësisht idetë demokratike për një shoqëri të lirë dhe një ekonomi të zhvilluar përfituese, që do të hapte shtigjet për përparimin e përgjithshëm të populllit dhe përmirësimin e rrethanave sociale të shtresave të varfëra të shoqërisë. Kështu, vepra ngërthen në vete edhe dimensionin social, sepse i paraqet vështirësitë e shumta të jetës së familjeve të varfëra të qytetit që në kushtet e komunizmit i kishin humbur edhe ato mundësi të pakta për të jetuar më mirë në sajë të punës së vet. Mund të thuhet se me anë të paraqitjes së disa personazheve nga shtresat e zanatlinjve, krahas kultivimit të ideve fetare, kombëtare dhe humanizmit të mirëfilltë, i bëhet jehonë edhe punës si bazë mbi të cilën ndërtohen parimet e larta të moralit njerëzor. Idetë rreth punës së si burim të krijimit të kushteve optimale për ekzistencë të ndershme e përcjellin protagonistin edhe gjatë jetës së tij në Arabinë Saudite, ku puna dhe rezultatet e saj sjellin stabilitetin ekzistencial dhe mundësinë për ta përballuar presionin shpirtëror të jetës së mërgimtarit, që e ka lënë vendin e vet, jo për përfitime materiale, por për parime të larta të moralit njerëzor – për ta mbrojtur të paprekur nderin familjar dhe njerëzishmërinë e vet personale.
Romani që nga fillimi e mbështet ekzistencën e vet si vepër artistike në kuptimësinë etnopsikologjike të ngjarjeve dhe personazheve nga mjedise të caktuara të qytetit dhe të fshatit, duke ruajtur shumë premisa tradicionale të jetës së popullit tonë. Ndonëse në disa raste duket si pak e sforcuar paraqitja e sferës fetare, si pjesë e identitetit të tërësishëm të shtresave qytetare, brenda tërësisë së veprës, duke pasur parasysh rrethanat e kohës, autori i ka harmonizuar drejt shumicën e veprimeve të personazheve tek të cilat feja është pjesë e pandashme e botëkuptimeve morale që e karakterizojnë mendësinë e përgjithshme të popullit tonë në atë periudhë. Kur është fjala për paraqitjen e mjediseve në Arabinë Saudite, ku ndodh një pjesë e subjektit të romanit, kjo përmasë vetëkuptohet. Megjithatë, brenda kësaj pjese ngjarjet kanë zhvillim më të shpejtuar, prandaj edhe atmosfera e mjedisve të caktuara familjare e shoqërore na del pak më e zbehtë, ndërsa personazhet nga bota arabe janë fikësuar dhe tipizuar më mirë.
Romani “Me sekret në varr” i Rashid Krasniqit shquhet për një strukturë kompozicionale, pothuajse krejtësisht origjinale. Ai fillon me një tekst të shkurtër sqarues, që quhet “parathënie”, ku ka një përpjekje për të arsyetuar veçanësinë e veprimit të protagonistit, Aliut të Kosovës, përkatësisht Halilit të Arabisë Saudite, në mënyrë të veçantë skrupullën morale të kryeheroit, që nuk përkon sot me botëkuptimet e me veprimet pjesës dërrmuese të njerëzve. Fill pas kësaj vjen prologu, që në të vërtetë është epilog i zhvillimit kronologjik të ngjarjeve të romanit – paraqitja e vizitës së fëmijëve të Aliut, përkatësisht Halilit, në Kosovë dhe paradoksi i dallimit të pamjeve të tyre, vajza bionde dhe djali zeshkan, që ndonëse janë rritur e shkolluar në Arabi e kanë mësuar gjuhën tonë dhe përpiqen të identifikohen me kombin e babait të tyre.
Pas një epilogu të këtillë, autori i kthehet në mënyrë retrospektive paraqitjes së jetë së protagonistëve, Aliut dhe Zelihasë që nga lindja e deri në vdekje. Rrëfimi për këta dy protagonistë dhe për shumë personazhe të tjera të individualizuara dhe të tipizuara në shumë aspekte ka një rrjedhe të natyrshme kronologjike gjatë gjithë romanit. Në ndonjë rast kemi edhe ndërhyrje të autorit për të plotësuar ndonjë epizodë me tregimin e ngjarjeve të vërteta nga realiteti konkret jetësor i Kosovës, që shikuar përgjithësisht, ndonëse duken si të tepërta, i japin një dimension të veçantë postmodernist rrëfimit të romanit dhe e pasurojnë shumësinë e ideve të përfshira në të.
Vepra e Rashid Krasniqit përfundon me dy tregime të veçanta reale jetësore, krejtësisht të pavaruar nga ngjarjet e romanit, që si skicime mund të shërbejnë si subjekte për romane të reja. Duke i përfshirë këtu, autori nuk e ka këtë qëllim, por me këto dhe me konstatimin konkret, siç thotë edhe vetë në fund, për shkak të kufizimeve të moshës, do ta përmbyllë veprimtarinë e vet në fushën e artit.
Romani i Rashid Krasniqit “Me sekret në varr” është një vepër e mvehtësishme jo vetëm për syzheun e saj interesant dhe shumësinë e ideve që gëshetohen në të, por edhe për shkak të stilit dhe të gjuhës me të cilen është krijuar. Fjalia tregimtare e Rashid Krasniqit në këtë roman ka një rrjedhe të natyrshme, të përafërt me sintaksën e gjuhës së përditshme popullore, por e pasuruar me frazeologji të mjediseve të caktuara urbane dhe me me një leksik të pasur shprehjesh karakterizuese të mjediseve të caktuara, në të cilat kanë një mbizotërim të lehtë orientalizmat, që e përveçojnë përgjithësisht gjuhën e kësaj vepre. Romani është shkruar në bazë të parimeve themelore të normës letrare të gjuhës shqipe, por për t’i paraqitur në mënyrë sa më reale personazhet, për ta bërë tipizimin e tyre, dialogët dhe monologët e tyre janë paraqitur në trajta të veçanta dialektore.
Shikuar përgjithësisht, romani “Me sekret në varr” i Rashid Krasniqit, për shkak të përmbajtjes së pasur me lëndë jetësore, të transponuar artistikisht me anë të stilit të lehtë transparent dhe pasurisë gjuhësore, lexohet me kënaqësi - do t’i ketë adhuruesit e vet nga radhët e lexuesve.
Në fund, na mbetet ta falënderojmë autorin që na ka dhuruar një vepër me anë të së cilës do të mësojmë më shumë për të kaluarën tonë, do të përjetojmë kënaqësi duke i shijuar vlerat morale të protagonistëve të kësaj vepre, që janë njëkohësisht edhe vlera njerëzore e shoqërore të mjediseve të caktuara të botës shqiptare, madje edhe vlera artistike që e karakterizojnë prozën tregimtare të z. Rashid Krasniqi.
3.
VEÇORITË ARTISTIKE TË KËNGËVE POPULLORE PËR LIDHJEN SHQIPTARE TË PRIZRENIT
Lidhja Shqiptare e Prizrenit paraqet fazën më të rëndësishme për zgjimin e vetëdijes kombëtare të popullit tonë, sepse kjo është një ndër etapat vendimtare të luftës tij për çlirimin kombëtar, që ka lënë gjurma të dukshme në jetën shpritërore dhe në aktivitetin kultural të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Procesi i konstituimit të kombit shqiptar intensifikohet plotësisht në këngët që u kushtohen ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit. Ky proces është reflektuar shumë qartë në këto këngë, sepse ato janë frymëzuar nga ngjarjet e historisë, të cilat kapërthehen me kundërthënie të thella të vetë gjendjes dhe pozitës së shqiptarëve në Perandorinë Osmane dhe të raporteve të saja të ndërlikuara ndërkombëtare. Këngët e Lidhjes së Prizrenit janë vlerësim kritik i pozitës së këtij populli në periudhën e vrullshme të luftës për çlirimin kombëtar. Krijimtaria jonë gojore dëshmon se lëvizja kombëtare kishte karakter të përgjithshëm popullor Këngët kanë një shtrirje të gjerë territoriale në krahinat e Veriut e sidomos në Kosovë. Ato shtrihen deri në Gjirokastër dhe duke shuar kah jugu zënë të rrallohen. Këngët që i kushtohen Kuvendit të Gjirokastrës dhe veprimtarisë së Abdyl Frashërit, ndonëse dallohet nga krijimet e tjera, qoftë për mjetet e shprehjes artistike, qoftë për karakterin e drejtpërdrejtë përshkrues dhe narrativ, i përcaktojnë në mënyrë më të qartë kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare duke theksuar njëkohësisht edhe unitetin e popullit tonë në luftë për liri. Karakteri masiv i këngëve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dëshmohet edhe nga vetë përmbajtja e tyre. Ato vënë në dukje se në luftën për çlirimin kombëtar marrin pjesë njerëzit që kanë krijuar vetëdijen kombëtare.
“Pa gjak malet mos me i lshue,
jena nisë me u ba milet”…
Ose Krisi pushka n’istiqamë,
duel mileti me faqe të bardhë!”
Luftërat e kohës së Lidhjes së Prizrenit në shumë vise quhen “lufta të miletit”. Ndërkaq kënga jonë popullore ka vënë në dukje fare qartë se ushtria popullore e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përbëhej kryesisht nga masat e fshatarësisë:
Veç gjashtë dit n’ mujsh me qindrue,
fukaraja opngat sa t’i marojnë,
i madh e i vogël qatje domë me dale…
gjallë s’ ja lshojmë Plavën as Gusinë!
Besë-lidhja Shqiptare në Prizren - 10 qershor 1878
Këngët popullore të kësaj periudhe, ndonëse inkuadrohen në traditën e mëparshme të krijimtarisë sonë gojore të Rilindjes Kombëtare, shikuar nga aspekti i strukturës së tyre poetike dhe i mënyrës së intensifikimit të shprehjes, ndryshojnë mjaft nga këngët e tjera epike që u kushtohen ngjarjeve para dhe pas kësaj periudhe. Midis këngëve që janë mbledhur në viset e Rugovës, të Plavës e të Gusisë dhe përgjithësisht të Malësisë së Veriut gjejmë edhe këngë që kanë strukturë plotësisht të ngjashme me këngët epike legjendare me formën dhe të gjitha formulimet karakteristike të tyre, me mjete të ngjashme të figuracionit, por pa elemente të theksuara mitike. Veçori karakterisatike kanë edhe këngët e muhaxhirëve, popullsisë së shpërngulur me dhunë nga Sanxhaku i Nishit, të cilat qendrojnë diku ndërmjet këngës elegjiake dhe baladës pa subjekt të ndërtuar epik dhe paraqesin lloj krejtësisht të veçantë në traditën shqiptare. Ato i përshkon njjë ndjenjë e përgjithshme e dhëmbjes shungulluese, ku, përveç faktorit njeri, merr pjesë edhe natyra, malet, fushat, bota e shpezërisë, e madje edhe trupat qiellorë. Në to dhembja merr përmasa të gjera kozmike, sepse e manifeston një nga tragjeditë më mëdha në historinë e këtij populli, shpërnguljen e gati treqindmijë shqiptarëve nga toka e tyre. Janë rrëqethëse situatat tragjike të vdekjes se njerëzve në kushtet e rënda atmosferike të borës e të shiut, shkretërimi i përgjithshëm i më shumë se 600 vendbanimeve shqiptare, që në këngë manifestohet si gjëmë e përgjithshme e natyrës, si dhembje universale që mund ta përjetësojë vetëm fuqia e veçantë e krijimit artistik. Këngët përveç figuracionit përshkruas përmbajnë edhe një varg personifikimesh e apostrofimësh, që e krijojnë atmosferën tragjike, e cila është unike brenda artit tonë popullor. Si e tillë ajo mund të matët vetëm me jehonën e mbetur të shpërnguljeve masive të arbëreshëve, pas vdekjes së Skendërbeut, që ka mbetur si simbol i dhembjes universale të ruajtur në jonet e ndonjë këngë, siç është ajo, “Moj e bukura More”. Por tragjedia e muhaxhirëve është më e madhe, sepse ajo në këto këngë, që shquhen si krijime specifike mbetet një plagë e hapur që në vazhdimësi kullon gjak…
Midis këngëve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit kemi edhe një numër baladash historike që shquhen për vlerat e tyre të veçanta poetike dhe e rikthejnë në traditën tonë finesën artistike të baladës sonë mesjetare arbreshe që u kushtohet bashkëluftëtarëve të Skënderbeut, si: Milo Shinit. Nik Petës e Pal Golemit e të tjerëve. Mund të vërehet se në baladat historike të heronjëve të luftërave të Lidhje së Prizrenit, siç janë; Mic Sokoli, Smajl Hyseni, Smajl Mehmeti, Col Delia, Ali Rexha, Hyse Bajri e shumë të tjerë, përveç situatave të reja që i karakterizon figuaracioni i veçantë poetik e hasim edhe ripërtritjen e ndonjë toposi të ngjashëm me atë të finesave të artit mesjetar të këngëve arbëreshe…
Shumica e këngëve që u kushtohen ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit janë të shkurtra. Kështu, kënga si manifestim shpirtëror, është kufizuar shpesh në transponimin artistik të situatave, të rrethanave dhe të ngjarjeve nëpërmjet veprimeve të veçanta të heronjve, të cilët në momente kulminante përfaqësojnë drejtpërdrejt masat ose me anë të përfaqësimit simbolik paraqesin kohezionin e forcave në viset shqiptare dhe lidhmërinë e veprimit të tyre në situata kur është e domosdoshme që të mbrohen interesat e atdheut. Prandaj, mënyra se si poeti popullor i qaset objektit të frymëzimit të tij krijon mundësi që detaji artistik ta intensifikojë shprehjen dhe të bëhet mjeti kryesor i poetikës së këtyre këngëve. Mu për këtë veprimet që paraqiten në këto këngë i karakterizon dinamizmi i përgjithshëm, që është pasojë e atmosferës së këtillë në realitetin historik e ndoshta edhe e periudhës prodhuese të këtyre këngëve. Megjithëse fryma atdhetare është një veçori e përgjithshme e këngëve historike për ngjarjet deri në vitin 1912 e edhe më vonë, mund të pohojmë se periudha prodhuese e ketyre këngëve është më e shkurtër dhe me ndërprerje të ndryshme. Në në rrethana të vazhdimit të sundimit turk, këngët riaktualizohen krahas këngëve të reja për ngjarjet e mëvonshme. Periudha prodhuese e këngëve pati një ndikim të dyanshëm, që u manifestua në ruajtjen e qëndrueshmërisë strukturore të këngëve dhe varianteve të tyre, ose ky ndikim ishte i disfavorshëm, sepse në rrethana të reja të riaktualizimit ato pësuan ndërrime dhe filluan të harrohen. Qëndrueshmëria e këngëve është kushtëzuar edhe nga mënyra e të kënduarit të tyre, meqë dihet se të gjitha këngët e shkurtra si: “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “Mic Sokoli n’dy tagana”, “Hyse’ Bajri po ban me dorë”, “Ali pasha fjalë ka çue” etj., që kanë prej katër deri në dhjetë vargje, janë këngë malsorëçe (“për krye-krahit ose “me gisht në vesh”), të cilat me mënyrën e veçantë të të kënduarit e japin kushtrimin për luftë. Supozojmë se mënyra se si këndohen këto këngë është një prej faktorëve vendimtarë që e ka ruajtur strukturën e tërësishme të këngëve të këtilla, sepse kjo mënyrë nuk lejon seleksionim të vazhdueshëm dhe kështu e kushtëzon ruajtjen e strukturës metrike dhe asaj semantike të vargjeve.
Këngët popullore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndyshojnë nga ato të periudhave të tjera, sidomos nga ato të viseve veriore, sepse në to nuk kemi narracion të zgjatur as përshkrime të hollësishme, por veprime të gjalla të heronjve, meqë dinamika e jashme e situatave vepron në botën e tyre të brendshme, prandaj ata flasin, urdhërojnë dhe veprojnë njëkohësisht. Dramaciteti i këtillë i veprimit të heronjve të këtyre këngëve në të shumtën e rasteve realizohet artistikisht nëpërmjet dialogëve dhe monologëve, si edhe pyetjeve retorike të këngëtarit, që në këto këngë e kanë specifikën e vet poetike, sepse kështu paraqitet ajo që është thelbësore, që që kushtëzohet edhe nga rrethanat specifike të entitetit të veprimeve të përgjithshme, sepse këtu nuk vepron më individi, po një populli tërë, “djemt e mimleqetit” (djemtë e atdheut - kjo shprehje përdoret për herë të parë në këngët tona, që flasin për vrasjen e Mehmet Ali Pashës në Gjakovë). Heroizmin dhe veprimet luftarake të djemve të atdheut, me gjithë përpjekjet e Abdullah pashë Drenit që të arsyetohet në emër të normave tradicionale për mbrojtjen e mikut në shtëpi, i paraqet si vendime të prera të popullit një nga figurat e dalluara të kësaj lufte, Islam agë Batusha:
- Me i pasë kraht me fluturue,
gjallë prej kulls s’ju lamë me shkue;
gjallë prej kulls pashën s’e lamë.
S’e lamë pashën kurr për t’gjallë!
Në luftën e Plavës e të Gucisë një rol të këtillë për paraqitjen e vendimeve të masave të popullit e luan Kadri Bajri, ndërsa në luftërat e Shtimjes dhe Sivovës, Mic Sokoli. Kështu, mbi veprimet e masave shquhen figurat e heronjve, të cilat këngëtari popullor i vë plan të parë, qoftë duke i konfrontuar me armiqtë, qoftë nëpërmjet urdhërave dhe porosive për bashkëluftëtarët. Në disa raste, në këngët që bëjnë fjalë për udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si: Abdyl Frashëri dhe Ymer Prizreni, kanë zënë vend edhe pjesët e fjalimeve të tyre, p.sh.
Avdyl Begi prej Toskënisë,
Konka kanë burri i Shipnisë,
U çue n’kamë, po i flet Malsisë,
I lumtë goja, çka i ka thanë:
- Tana fiset gjith ka’ janë,
Të krishten’ e mysliman’,
Donë me u mbledh’n ‘i kuvend t’gjanë,
E me lidhë ni besë të tanë;
Me luftue pë kët vatan …
Me përjashtim të këngëve të gjata që kanë formë dhe formulime të ngjashme me këngët kreshnike, të gjitha këngët e tjera që u kushtohen ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit në thurjen e tyre nuk i kanë të gjitha etapat kompozicionale të këngës epike, sepse veprimi që paraqitet në to është i kondensuar në tërësi dhe është përqendruar herë në kulminacionin e herë në shthurjen e konfliktit. Në shumicën e këtyre këngëve episodi është tërësi në vete që kryen funksionin poetik, jo për ta plotësuar ngjarjen kryesore, por për ta krijuar një pjesë të tërësisë së saj, e cila në dukje të jashtme mbetet fragmentare, por estetikisht ka tërësinë e rrumbullakuar. Prandaj, çdo varg, ose çdo pjesë e vargut, është tërësi estetike që ka edhe kuptimësinë e vet. Qe një shembull:
Col Delia, synë sahati,
Lumt-i goja, mirë vikati:
Vetë po jes, pashën p’e çarti!
Në këtë rast vargu i parë është një metaforë e rrallë në letërsinë tonë popullore që ka kuptimësi të dyanshme, qoftë për parashkimin dhe veprimin preciz të heroit, qoftë si element i vetëm i përshkrimit të tij, ndërsa vargu i dytë përmban njëkohësisht adhurimin dhe vlerësimin për veprimin e tij heroik, i cili paraqitet në vargun e tretë. Përbrenda vargjeve të këtilla që i hasim shpesh edhe në këngët e tjera të Lidhjes së Prizrenit, siç janë ato për Mic Sokolin, Sefë Kosharen, Sylejman Vokshin, Smajl Hysenin etj., krijohet një tërësi kuptimore shumë e kondensuar që realizohet plotësisht edhe në aspektin estetik. Në strukturën kompozicionale të shumicës së këngëve që u kushtohen ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit funksion të veçantë artistik ka dialogu dhe monologu, që përzihen shpesh me pyetjen retorike, sepse me ta fillon dhe përfundon konflikti. Format e këtilla të dialogëve dhe monologëve në shumë këngë intensifikohen artistikisht nëpërmjet gradacionit të natyrshëm, kështu format narrative dhe përshkruese janë kufizuar kryesisht në disa shprehje metaforike, të cilat në shumë këngë shërbejnë si ekspozicion i shkurtër, që realizohet në vargjet e para pas të cilave fillon dialogu. Qe disa shembuj:
Mic Sokoli, sokol mali:
Thujmi pashës, t’vraftë allahi!
T’vraftë allahi frik’ e frik,
Ki me m’njoft në Kaçanik...
Ali Pasha dul në shkallë,
Ban kuven me bajraktarë:
Ket Rugovë nuk muj m’e nalë,
Krejt barotin ma ka marrë…
Ose Mic Sokoli n’dy tagana:
Udha e marë, m’i ka thanë nana,
Lufto, bir, ti për Shipni,
Mos i len turqit me hi;
N’koftë nevoja, vi me ty.
Edhe ndërhyrjet e shkurtër poetike midis dialogëve, të cilat kanë karakter sqarues, i karakterizon saktësia e shprehjes, prandaj krahas përgjigjeve shumë funksionale, krijojnë edhe tabllo të gjalla të situatave dhe të veprimeve të heronjve, p.sh.
Ali Ibra n’vraç të zi,
Po i shko’ gjaki për zingji. ..
Rexhë Avdija, zog i atit,
Krejt i kuq ka dalë pej gjakit...
Ose Mic Sokoli n’xhemedan...
P’e vnon dorën n’jatagan,
Goca - flakë po qet me dham’…
Në këto këngë theksohet në mënyrë të veçantë karakteri patriotik i luftës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe potencohen qëllimet e saj: “Me ja dhanë hyqmin Shipnis” ose “Shah në veti don me kanë / kurgja mretit mos me i dhanë, / as redifë, as nizamë”. Dialogu poetik, përveç mundësisë për shprehjen e drejtpërdrejtë të dinamizmit të situatave luftarake, të dëshirave, synimeve, kërkesave dhe përgjithësisht të gjendjes shpirtërore të heronjve të ngarkuar me mllefin e urrejtjes kundër armiqve, sado që ndonjëherë duket i thjeshtë, në kontekstin kuptimor e kondenson kuptimësinë e vet dhe i ngre lart figurat heroike dhe veprimet e tyre. Kështu, bukuri dhe fuqi të veçantë artistike ka dialogu i Mic Sokolit me nënën e tij, ndërsa janë të rralla, jo vetëm në poezinë tonë popullore, vargjet që kanë një formë këtillë të dialogut të imagjinuar në këngët kushtua Smaj Hyseni e Hyse Smajlit, në mënyrë të veçantë modeli i rrallë i krijimit të kondenzuar artistike me titull “Në Fusahë t’ Kosovës a lidh jezeri” ose në këngën unikate për Sefë Kosharen, e cila përbëhet vetëm nga këto katër vargje:
- Sefë Kosharja, i pari i fisit,
hije t’paska maja e lisit!-
- Hije m’ka o djemt e mi,
kam lanë shpirtin për Shqipni!
Në këngët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përveç formës së dialogut dhe të pyetjes retorike, ideja themelore, porosia artistike dhe efektet estetike realizohen me anën e shprehjes ekspresive dhe figuracionit karakteristik me përbërës të theksuar të lirizmit. Kështu, krahas metaforave, këtu i gjejmë dendur krahasimet, anaforat, epiforat, personifikimin, apostrofën, pyetjen retorike etj. Ndërkaq këngët shquhen edhe për përdorimin e shpeshtë të gradacionit, i cili me ndihmën e shprehjes së gjerë metaforike krijon mundësi që veprimet e masave dhe të heronjve që dalin nga to të përjetësohen artisitikisht dhe në momentet e vdekjeve tragjike të veprojnë dhe të flasin në mënyrë madhështore, duke lënë porosi për vazhdimin e luftës. Dhe, ta përfundojmë, jehona e kësaj porosie me veçoritë e theksuara artistike dhe estetike, që i karakterizojnë këto këngë si krijime kulminante të artit tonë popullor, u manifestua si frymëzim i fuqishëm për këngët dhe luftëtarët e mëvonshëm, prandaj fryma liridashëse e përshkon krejt krijimtarinë gojore të periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare, e madje edhe këngët e krijuara deri në kohën tone, të cilat u kushtohen heronjve të UÇK-së.
Floripress-Prishtinë