Nga Feride Papleka
- Romani më i fundit i shkrimtarit Rexhep Qosja me titull “Bijtë e askujt”, si emblema më e trishtuar dhe më tronditëse e fatit tonë shqiptar në histori, futet natyrshëm në rrjedhat e letërsisë postmoderne për të dëshmuar të padëshmuarën, për të thënë atë që ka mbetur pa thënë, për të zbuluar “anën e mbrapme” të realitetit, sipas shprehjes së romancierit austriak Hermann Broch[1]. Letërsia postmoderne e sheh suksesin e saj përmes dhënies së asaj që ajo e quan dështim. Shembuj të tillë mund të gjejmë në veprën e shkrimtarëve të njohur, si: Pastërnak, Beckett, Ionesco, Musil, Steinbeck, Dos Passos, Valzer e të tjerë. Madje po të shtyhemi më herët në kohë, do të citonim Dante-n apo Shakespeare-n dhe do t’i quanim me të drejtë bashkëkohës. Te vepra letrare e Qosjes fuqia e fjalës vjen nga vetëdija e një të vërtete që del në pah mes përzierjesh të fiksioneve[2] me realitetin.
Subjekti
Kërkimi i disa të dhënave do të shërbejë për të ndërtuar romanin e munguar të një jete. Fjala është për intelektualin dhe shkrimtarin disident të kohës komuniste, Tarik Saraçi, i përndjekur, i burgosur dhe pastaj i zhdukur në rrethana të mistershme. Ashtu si ndodhte me kundërshtarët e regjimit, për protagonistin dihen fare pak gjëra. I biri, Gjinushi, që ka mundur të mbijetojë dhe ndodhet në Amerikë, kërkon të dijë për jetën e të atit dhe ia ngarkon këtë detyrë shkrimtarit Miran Bushati, shqiptar i lindur në Kontinentin e ri, i cili ka studiuar për etnologji dhe antropologji. Dhe ai vjen në Shqipëri. Ardhja në dheun e të parëve ka qenë edhe ëndërr e tij: “Sa shumë kam dëshiruar të vij në Shqipëri” (I, 59). Në këtë aventurë ai shoqërohet nga një shqiptare e lindur në shtetin amë, e cila kohët e fundit ka mbaruar studimet për letërsi dhe punon për të mbrojtur doktoratën. Ndërkohë merret me kritikë letrare. “Quhet Delina Derti dhe është protagonistja që do të ketë rol të veçantë në disa ngjarje të trajtuara në roman dhe në vetë përpilimin e romanit” (I, 59). Punën hulumtuese ata do ta nisin në Kurrnajë: “Kurrnajë? Kurrnajë? Çfarë emërvendi! them i çuditur. Nuk e di a ka farë kuptimi” (I, 70). Shkrimtari vendoset në hotelin Tre vëllezërit dhe tri nuset e tyre, me mjedise të këndshme për një njeri. “Në këto shtëpiza ka një qetësi që nuk e gjen në hotelet e tjera”. Kurrnaja shfaqet përpara syve tanë, thuajse në të gjitha pamjet, me ajrin e ndotur, me pisllëkun e saj legjendar “Bërllok në sasi të pamatshme”, me tymin që mbulon qiellin, “Hegeli: tymi i gënjeshtrave e ka mbuluar qiellin e të vërtetave.
Pontie Pilati: ç’është e vërteta?“ (I,141). Dhe mes kësaj katrahure, të cilës i shtohet edhe mungesa e ujit dhe e elektricitetit, që do ta çudisin shqiptarin e ardhur nga Amerika, shkëlqejnë vetura luksoze. Puna për të gjetur material në Arkiv, në Bibliotekë, në takime me njerëz e në shumë mjedise që as i kishte menduar, i krijon Miranit mundësi të njihet me shumë elemente të tjera të jetës. „E keqja e „kërkimit“ është se duke kërkuar, ndodh që gjejmë ...atë që nuk e kërkonim“[3]. Ato që i bëjnë shumë përshtypje atij janë servilizmi, fenomeni i ndërrimit të emrave, zhurma politike, kërcënimet me thika, me revole, me kallashnikov, krismat e që pas tyre kuptohen vdekjet. Në vende publike dhe zyrtare ai rrethohet me lajka dhe kudo dëgjon të shara: në rrugë ndërsa ecën, në restorant ndërsa pret të hajë, në Kuvend ndërsa ndjek televizorin etj. Ai më së shpeshti has në gojën e pushtetarëve fjalë apo fjali të shkëputura: Shqipëria Europiane, demokraci, integrim, Shqipëria Euroatlantike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,Zoti e bekoftë Shqipërinë etj., të thëna formalisht, vend e pa vend, që zëvendësojnë parrullat e dikurshme të shtetit stalinist. Pra, një demokraci që sendërtohet me slogane. Opinionet shprehen hapur, nga njerëz të panjohur e të saponjohur, nga djallëzia apo nga padjallëzia. Kur e marrin vesh që vjen prej Amerike, te jo pak njerëz ka përherë një ndryshim të tonit të bisedës, i cili lidhet me interesin e përfitimit kur është fjala për të paguar.
Pastaj hulumtuesit shkojnë në Vajazan. Kurrnajë dhe Vajazan janë toponime të krijuara enkas nga autori (Vajazan shfaqet që në romanin e tij të parë „Vdekja më vjen prej syve të tillë“, më 1974). Në veprën e Qosjes emrat marrin një kuptim dhe ngjyrim të atillë që peshon në rrjedhën e ngjarjeve. Roland Barthes duke studiuar toponomasitkën dhe onomastikën në veprën e Proust-it, i quan ata „nisje përfundimtare e veprës, domethënie kryesore, armaturë e rrëfimit, sintaksë e thellë“[4].
Jeta e protagonistit të protagonistëve tanë, të cilët shndërrohen në rrëfimtarë dhe organizues të rrëfimeve, zhvillohet sa në Shqipëri dhe sa në Kosovë, në ish-Jugosllavi, ku ai ka përfunduar një ditë, ngaqë i janë krijuar gjasa me “mirëkuptim“( konsensus) për t’u arratisur nga burgu. Dy hapësira fizike kanë nje fushë më të gjerë interpretimi dhe pasurim të dhënash për romanin. Ky hap lajmërohet me një kërkesë të epërme që çon përpara mendimin dhe njohjen e historisë. Qëllimi i autorit është që të zbulojë dhe të rindërtojë një jetë, të vështruar me sy neutralë, nga një shqiptar që nuk ka jetuar në Shqipëri, dhe nga një shqiptare që jeton në Shqipëri. Ja si e bën portretin fizik të Tarik Saraçit, një shok shkolle, Roberto Katalione, italian, që e ka njohur atë në Univeritetin e Padovës: „[...] ishte djalë i pashëm. Kishte një fytyrë pak si të gjatë, si poeti Bajron, dhe dukshëm të zbehtë si poeti Bajron. Zbehtësia e fytyrës së tij nuk ishte pasojë e ndonjë sëmujdjeje, por ishte drita e pasurisë së tij shpirtërore“ (I, 100). Me një detaj tjetër jetësor Katalione ravijëzon edhe një pjesë të portretit të tij moral: “[…] po mirë Roberto […] por a mund të më thuash, si mund të zhduket malaria në vendin tim? Si dhe kur?” (I, 99). Roberto është një mjek infeksionolog, i cili ka qenë dy herë në Shqipërinë komuniste, në simpoziume shkencore për sëmundjet tropikale, kryesisht për malarien dhe tani në Shqipërinë paskomuniste në një simpozium shkencor për sëmundjet ngjitëse.
Me të dhënat që shpërfaqen dora-dorës në libër, mund të shkruhen romane të tjerë me këndvështrime të ndryshme, ku një vend të posaçëm zë metoda derridiane e dekonstruktivizmit. Sigurisht autori nuk mjaftohet me kohën e burgosjes së disidentit, por shkon më përpara, në vitet e shkollës e të punës, për t’u ndalur më gjatë te arsyet e mosarsyes së arratisjes: „Unë jam, tani, si ai gur! Si guri që rrokulliset!
[...]
Ti! Bekimi dhe mallkimi im“ (II, 9). Kështu Qosja ndjek një objektiv të dyfishtë, nëpërmjet së tashmes së ngarkuar me peshën e ditës, hyn në lidhje, si të thuash, zbulon dhe eksploron universin e një kohe të ikur. Autori i shfrytëzon të gjitha mjetet, derisa gjen edhe mediumin që komunikon me shpirtin e Saraçit për të marrë vesh vdekjen e tij. Në këtë mënyrë sigurohet edhe zgjidhja e enigmës që i step hulumtuesit. E vërteta është e hidhur: Saraçi ka ardhur në Shqipëri si diversant. Eshtë i dhimbshëm takimi i tij me nënën e verbuar që e pyet se ku është. Dhe ai i përgjigjet me alegori: “Nuk jam larg, por është terr. Terr në të gjitha anët. Terri na ka mbuluar të gjithëve” (II, 287). Tarik Saraçi merr sërish rrugën e kthimit për andej nga ka ardhur, pasi orvatja e tij për të marrë gruan dhe djalin, është e pasuksesshme. Por në kufirin midis Shqipërisë zyrtare dhe pjesës tjetër të saj, Kosovës, një bombë e ka prerë trupin e tij në mes, duke i flakur copat në të dyja anët e kufirit të tokës mëmë, ndarë padrejtësisht nga historia. Kështu atij i rezervohet deri në fund një fat tragjik. Doemos! Ai është biri i një atdheu tragjik. Por njëkohësisht është edhe ideja më simbolike për shqiptarët e humbur. Shpirtrat e tyre blatohen në kohët moderne. Zoti i Plotfuqishëm në Bibël e zëvendësoi në çastin e fundmë birin e Abrahamit që do të flijohej, kurse historia e re e pamëshirshme u ka kërkuar shqiptarëve flijimin më dramatik, gjymtimin e atdheut, ndarjen e tij në disa pjesë.
Në roman ndihet një amosferë jetësore, e pasur me të papritura, sepse duke rikrijuar një jetë të shkuar, nisur nga bashkëkohësia, Qosja riprodhon kohërat me ngjyra individuale, duke i çmitizuar, si komunizmin ashtu edhe demokracinë, të dyja me një vulë anakronike à l’albanaise, shkurt, sipas modës shqiptare, e cila vazhdon keq e më keq rrugën e saj që s’të çon gjëkund. Mes këtij subjekti deheroizues, në të cilin dëgjohen parreshtur slogane dhe marrëzira që ngjajnë si dy pika uji me njëra-tjetrën, shfaqet me ngjyra të ngrohta dhe sublime një linjë dashurie, përherë e kërcënuar, midis shkrimtarit të ri Miran Bushati (edhe figura e shkrimtarit është një personazh që rishfaqet herë pas here në veprën e këtij autori) dhe historianes së letërsisë Delina Derti. Kështu ironizohet edhe liria në një demokraci, ku nuk sundon ligji, shteti, por arbitrariteti e vetëgjyqësia, si simptoma të rënda të një kthimi pas, gjer në Mesjetë kur shoqërinë e udhëhiqte kanuni. Kështu, Mirani, shkrimtari i ri i mbushur me emocionet e dashurisë përjeton dy kohë: të kaluarën përmes hulumtimeve dhe ankthit për të gjetur të vërtetën historike, që ta veshë me të vërtetën artistike dhe të sotmen, me zhgënjimet e pafundme, të cilat i japin romanit një frymëmarrje krahasuese si në veprat e shkrimtarit amerikan Kurt Vonnegut, personazhet e të cilit rrëshqasin nëpër kohëra.
Struktura
Duke qenë se organizohet nga dy protagonistë, personazhe dhe rrëfimtarë që janë edhe njohës të letrave, romani është edhe një enciklopedi e letërsisë botërore, me emra shkrimtarësh, veprash, idesh, personazhesh, thëniesh që kanë hyrë në fondin klasik të saj. I shkruar në një teknikë, e cila përmbledh shumë forma letrare, si: monolog, dialog, përshkrim, retorikë, kujtime historike, romancë dashurie, përsiatje filozofike, rrëfenjë, epistolar, fjalor etimologjik etj, romani është në vetvete edhe një megateori e shkrimit. Autori, përmes një ironie të hollë, që është përgjithësisht arma e të mençurve, jep udhëtime, takime, hulumtime, mbrëmje, pushime, seanca bashkëbisedimi, regjistrime, pentagrame muzikore, fjalë, vargje këngësh, mbledhje, etj. Në roman ndërshihet edhe një intrigë policeske, që e mban të gjallë kureshtjen e lexuesit: “Bie celulari i Delinës. E shikon, por nuk përgjigjet. Hije e rëndë i mbulon fytyrën - fytyrën e saj të bukur që deri në këtë çast dhuronte gëzim” (I, 139).
Romani ka dy linja kryesore: njëra horizontale e tjetra vertikale që shkojnë e vijnë, brenda një strukture të ndërlikuar me linjëza të tjera. Në duart e dy kërkuesve zë e formësohet fati i ngrirë i një disidenti, por edhe fati i tyre në kushte të reja. Së këndejmi rrjedhin intrigat e fuqishme: e para lidhet me zhbirimin deri te enigma e vdekjes pa lënë gjurmë, të disidentit të dikurshëm dhe e dyta me çjerrjen e vellos „demokratike“ të kohës sonë dhe zgjidhjen fatale të dashurisë midis shkrimtarit të ri dhe historianes së letërsisë. Kemi pak a shumë dy rrëfime të mëdha të ndërfutura në një tekst: “Po cila është domethënia e brendshme e ndërfutjes, përse bashkohen gjithë këto mjete për ta bërë atë kaq të rëndësishme? Përgjigjen e jep struktura e rrëfimit: ndërfutja nxjerr në pah një veçori thelbësore të çdo rrëfimi. Sepse rrëfimi përfshirës është rrëfim për një rrëfim. Duke treguar historinë e një rrëfimi tjetër, rrëfimi i parë prek temën e tij të fshehtë dhe, në të njëjtën kohë, pasqyrohet në këtë imazh të vetvetes […][5].
Lënda e romanit ka formë qerthullore, me prerje të shumta diakronike. Shumë rrathë të tjerë koncentrikë sillen rreth një qendre abstrakte. Kjo strukturë të kujton ciklet romanore “A la recherche du temps perdu“ (Në kërkim të kohës së humbur), të Proust-it, që me kujtesën e pavullnetshme rigjen kohën e humbur, apo romanin “Ulysse“ (Uliksi), të Joyce-it që me një ditë të vetme të Leopold Blumit, krijon një subjekt epokal. Romani i Qosjes bën pjesë në këto vepra, që ashtu si shënon kritika bashkëkohore, janë më tepër aventura e një shkrimi se sa shkrimi i një aventure. Në roman përzihen intelekti, edukimi dhe historia si një triologji e pandashme. Me gjeninë e tij vetjake romancieri, përmes rrëfimtarit dhe protagonistëve paraqet njerëzit, jetën dhe dijen. Ai bëhet furnizuesi i madh i njerëzimit me tipa, karaktere dhe ide.
Fryma filozofike
Qosja me këtë libër i kalon kufijtë, të cilëve u përmbahet zakonisht një vepër letrare dhe afrohet me përpjekjet e Montagne-it, Ruseau-it dhe Voltaire-it, duke e paraqitur lëndën si ushtrim të mendimit. Nxitja për përsiatje, kjo mënyrë që e shpie lexuesin drejt shtigjeve të panjohura, përbëjnë bukurinë robëruese të shkrimit të tij.Veçanësia e skajshme e pohimeve në roman është edhe një çelës për të kuptuar pushtetin e ligjërimit, për të treguar se fjala, në shumë raste shëron, ngjall, por edhe çorodit e vret. Shkrimtari është ai që literalizon lëvizjen e mendimit dhe bën të dëgjohen shprehjet e ngurosura, me vlera paradoksale si: “Shija e bastarduar do të sundojë botën, por edhe elitën, thotë (I, 73); “Të papriturat e sundojnë botën”( I,158); “Leverdia e përkul atdhetarizmin” (I,212), “Në Shqipëri ua rrëzojnë përmendoret luftëtarëve kundër Italisë së Musolinit, sepse thonë ishin komunistë dhe ua ngrenë ithtarëve dhe shërbëtorëve të saj (II, 213) etj., dhe filozofi e kulluar si: “[…] asgjë nuk është e humbur përgjithmonë në qoftë se nuk e ke humbur besimin (I,20); “Prindërit nuk i zgjedhim ne, na i cakton fati” (I, 73); “Serioziteti në pleqëri lexohet si pikëllim” (I, 273), “Guri që lëviz prej vendit të vet nuk ndalet më kurrë në asnjë vend!” (II,9); “Shumica ikin prej vetvetes! Të tjerë mund ta gjejnë veteveten askund” (II, 213); „Fol me të vdekurit për të kuptuar të gjallët“ (II, 218); “Totalitarizmi dhe globalizmi kanë të njëjtin fryt historik”(II, 318) e deri te Testamenti i Tarik Saraçit që përurohet me frazën sentencë të të gjitha kohërave : “jam me të pushtuarit, të shtypurit, të përndjekurit, të varfërit, të shfrytëzuarit” (II, 340) etj.
Edhe në thëniet më të përgjithshme njihet zëri i autorit me një ton vetjakësie. Mirani i shkruan kështu botuesit të tij: “Dukuritë më të mprehta të qytetërimit bashkëkohor, shqetësimet, dyshimet, tëhuajësimet, leverditë, dhuna, krimet, migrimet, pushtetet më të sofistikuara dhe në të njëjtën kohë më shumëfytyrëshe që e mbizotërojnë këtë qytetërim, kanë sjellë skamjen, humbjen e përkohshme të atyre cilësorëve (është fjala për një letërkëmbim ku flitet për cilësorët e karakterit etnik shqiptar, F.P.). Për këtë arsye njeriu bashkëkohor punon gjithnjë e më shumë me numra e më pak me shpirt e me zemër” (I, 180). Romani pohon ambicien për të bërë letërsi dhe filozofi, duke na dhuruar njëkohësisht një vepër mendimi, por edhe një përtëritje të formës romaneske. Në përpjekjen e tij për një tekst të ri në prozë, autori i largohet formalizmit, duke derdhur në vepër elemente pasurues që janë pjesë e transtekstualitetit apo trascendencës tekstuale, por edhe me përvoja jetësore.
Një histori dashurie që përfundon në tragjedi
Shkrimtari Miran Bushati, emrin e të cilit autori e ka zgjedhur, duke lënë të kuptohet mirësia[6] dhe të gjitha cilësitë që rrjedhin prej saj, bën hulumtime serioze per realizimin e veprës, por paralelisht, ashtu si ndodh në jetën e përditshme, zbulohet edhe ajo anë që ka të bëjë me botën e thellë shpirtërore. Ai bie bie në dashuri me ndihmësen e tij Delina Derti, mbiemri i së cilës, lidhet me brengën e saj të heshtur. Historia e dashurisë mes Miranit dhe Delinës, si çdo histori e vërtetë dashurie është e veçantë dhe universale. Ajo është vënë nën premtimet e një heshtjeje të kuptimshme, duke e hapur rrugën e saj me gjërat sekrete që ruhen me shenjtëri, dhe me disa hollësi që shpërndahen me grimca: “Delina Derti e ndriçon kthinën pa dritare me pamjen e saj të hirtë” (I, 137). Rrëfimi eliptik që i bën Qosja kësaj lidhjeje, sigurisht e ka burimin te kuptimi i dashurisë si mysafire e një rastësie fatlume. “Flokët i ka të lëshuara në krahët jo aq të gjerë, megjithëse do të doja, nuk e di përse, t’i kishte të mbështjella shuk. Ndoshta që t’ia shihja qafën e gjatë, të bardhë, të stolisur me bukurinë e natyrës” (I,67). Shfaqja e dashurisë në mënyrë të pjesshme, hedh një ngjyrë të purpurt, brenda sfondit epik të romanit, ashtu si ndodh me „Emri i trëndafilit“ të Umberto Eco-s. “Ulet në karrigen e zezë para pianos. Dhomën e mbushin tinguj pikëllues! Pse pikëllues?“ (I, 156). Marrëdhëniet e dy protagonistëve janë një linjë simpatike në libër. Nga dashuria platonike kalohet në dashuri shpirtërore dhe në erotizëm. Mirani përsiat : “Delina vazhdon ta shfletojë Dosjen nr. 7, kurse unë, si fshehurazi, vazhdoj t’ia shikoj duart. Të buta. Të bardha. Për këngë popullore. Gishtrinj të gjatë. Për këngë popullore. Cicat si molla. Për këngë popullore. Sa zjarri është mes këmbëve të saj! A mendon edhe ajo për mua siç mendoj unë për të. Do ta gozhdoja për dysheku…!” (I, 213); apo “Humbim në sytë e njëri-tjetrit!” (I, 215). Ligjërimi dashuror gjen gjuhën e komunikimit. “Më dhuron buzëqeshje pa fjalë” (I, 267). Mund të merren shembuj të shumtë nga mahnitja, nga ky mekanizëm themelor që lidh dy qenie, një burrë e një grua me fije të padukshme, e që është nga më të çuditshmit në këtë botë:
“Ku të shkojmë? e pyes.
[…]
Ku të duash. Një mendimtar arab ka thënë: qielli është i rrethuar me dhembje dhe skëterra me kënaqësi.
Shkojmë në skëterrë, i them “( I, 382).
Objektivi i autorit ka qëmtuar edhe mendësitë e dikurshme, por edhe opinionet e vjetruara të sotme për dashurinë, që janë njësoj vulgare. Aty vihet re përgjithësisht edhe indi i marrëdhënieve shoqërore të pazhvilluara ose të dëmtuara. Kur dy zemrat më në fund janë bashkuar pazgjidhmërisht dhe hijshëm, i ndan plumbi vrastar. Delina shtrihet përtokë e vdekur, atëherë kur nuk mund të mendohet, në ditën e Kremtimit të Krijuesit. Vërtet Tarik Saraçi vdiq nga përndjekjet klasore në komunizëm, por edhe demokracia shqiptare e ka mbushur këtë truall me gjak. Plumbi shtrin përtokë Delinën, varros një dashuri të pafajshme. Dhe në të njëjtën kohë ai varros edhe ëndrrën e Miranit për të qëndruar në Shqipëri, në dheun e të atit, të gjyshërve dhe stërgjyshërve. Shkrimtari i ri pak a shumë ka fatin e personazhit të vet, kuptohet në një kontekst tjetër historik, duke u shndërruar edhe ai në bir i mallkuar, bir i askujt.
Pak histori për lindjen e romanit si gjini
Fjala roman, e krijuar nga frëngjishtja e vjetër romanz rrjedh nga latinishtja popullore romanice, që do të thotë „sipas Romanëve (Romakëve), në kundërvënie me zakonet dhe të folurën e Frankëve. Prej këtej nisi edhe historia letrare e fjalës (viti 1140), që nënkupton rrëfim frëngjisht në vargje, i një historie të përshtatur nga legjendat antike të letërsisë latine, në të cilat mbizotërojnë aventurat fantastike dhe dashurore. Nis kështu “Le Roman de Alexandre” (Romani i Aleksandrit, 1160) dhe vazhdon me “Roman de la Rose” (Romani i Trëndafilit, 1236, 1280), për të ardhur te romanet relativisht të gjata në prozë, vepra të imagjinatës krijuese të shekullit XVI që shkëlqyen me romanin Don Kishoti. Pastaj shekujt XVII dhe XVIII sollën romanet e Mme de La Fayette, Scott, Dickens, Stendhal e Alexandre Dumas dhe të tjerëve me aventura shoqërore dhe shpirtërore që mbërritën fillimet e shekullit XIX. Në shekujt XIX dhe XX kjo gjini pati lulëzim të gjithanshëm në Europë, në Angli, në Amerikën latine dhe të Veriut.
“Romani është një fushë e gjerë që shpërfaq të gjitha format e gjenisë, të gjitha mënyrat e shprehjes. Eshtë epopeja e ardhshme, me sa duket e vetmja që do të përmbajnë që sot e tutje zakonet moderne“, thotë Ste-Beuve më 1850.
Problemi romanesk është vënë në diskutim të organizuar që në mesin e shekullit të kaluar. Madje në fillim të shekullit XX Paul Valery[7] ka folur gjatë për artin e romanit si një gjë e paarritshme. Ai kërkonte romanin absolut, romanin e intelektit. Edhe Gustave Flaubert dhe Marcel Proust kanë folur për romanin ideal. Nga ana tjetër André Breton-i, shefi i syrrealistëve arriti deri atje, sa ta denigronte romanin si “art të varfër, me personazhe që janë si tullumbace, matarim i grimuar i personazheve të njëmendtë”.
“Kriza” e romanit në vitet ’50 çoi në lëvizjen letrare Romani i ri, me vepra që e vunë në thonjëza personazhin, i cili përgjithësisht mungon në vepra të tilla si “Dans le labyrinthe” (Në labirint) të Alain Robbe-Grillet, “Modification” (Modifikimi) të Michel Buttor, “Les fruits d’or” (Frutet e artë) të Nathalie Sarraute e të tjerë. Romani i ri erdhi si një prirje letrare franceze, e mëritur prej psikologjizmit, që u mbështet në përshkrimin objektiv me një përsiatje rreth ligjërimit.
Pavarësisht nga pikëpyetjet dhe diskutimet që vazhdojnë sot e gjithë ditën, romani ka lulëzuar në forma të shumëllojshme: realiste, simbolike, filozofike, analize, aventure, policore, psikologjike etj.
Origjinaliteti i romanit
Shkrimtaria e Qosjes mund të përcaktohet si një ligjërim midis sinqeritetit të hapur dhe kërkimit estetik e identitar. Ky kërkim i vazhdueshëm është para së gjithash një formë moderne e melankolisë. Romani “Bijtë e askujt” dallohet për nga faktura origjinale, nga kundërshtimi i tij për kodin romanesk tradicional:
“Shiriti i magnetofonit fillon të sillet.
Dhe, jetëshkrimi shkruhet.
Jetëshkrimi i Tarik Saraçit.
E shkruajnë disa autorë” (I, 130)
Personazhet flasin për origjinën dhe për hollësi të tjera që lidhen me “lëndën e parë”. Mes këtyre zërave, duke i ndërprerë ata me brutalitet, ngrihet zëri i pushteteve shqiptare në kumtime që u ngjajnë atyre që bënin dikur mbretërit dhe perandorët. Kumtimet janë metarrëfim i historisë dhe romani bëhet një pasqyrë besnike e tyre. Kjo është risia më e madhe e këtij libri në letrat shqipe. Si në romanet e Amerikës latine me Asturias, Garcia Marquez, Vargas Llosa, realistë apo realistë magjikë, këtu flitet për pushtete dhe pushtetarë që nën dritën e fakteve përvijojnë fytyrën e tyre të vërtetë prej sundimtari. Kallëzimi që bëhet, është në harmoni me pasqyrimin që gjen aktualiteti dhe realizohet me fragmente, të cilat futen në tekst me emërtimin KUMTIM. Kumtimet e të dyja kohërave: si në diktaturë dhe në demokraci ngjajnë shumë nga përmbajtja. Gjuha e pushtetarëve që e shndërrojnë pushtetin në pronë, është e njëjtë. Edhe në të shkuarën komuniste krahas shumë thirrjeve të tjera, ishte edhe ajo për të rishkruar historinë, sipas urdhrit dhe orientimit të pushtetit: „Ata që i bien ndesh do të pësojnë pasojat e parapara me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë“,(I. 140), por edhe në demokraci bëhet thirrje për ta rishkruar historinë, sipas urdhrit dhe orientimit pushtetar: „ Të gjithë historianëve që do ta kundërshtojnë rishkrimin e historiografisë sonë, ashtu si u them unë deshën s’deshën ata, me darën e ligjit tonë do t’iu thyhen dhëmbë e dhëmballë“ (I, 324). Autori i kushton rëndësi kësaj ane groteske të realitetit, që priret t’i shndërrojë njerëzit në kukulla. Në pasthënie lexojmë: “ ’Bijtë e askujt’ është roman që e zgjon letërsinë shqipe nga letargjia; që e shkund letërsinë shqipe nga mbetjet socrealiste dhe e bën të mos ketë frikë nga eksperimentimi postmodern”[8].
Në roman ditët kalojnë me lëvizshmërinë e tyre, duke bartur me vete interesin dramatik drejt pyetjes hamletiane „të rrosh a mos të rrosh“, që ka mbetur si të thuash një pyetje ekzistenciale, edhe tani, pesë shekuj e ca më mbas për shqiptarët, të cilët ndihen ende të braktisur. Ky është një konstatim i argumentuar me realizëm. Dhe brenda dy vëllimeve të romanit, mes diskutimeve dhe arsyetimeve që mobilojnë mendimin romanesk, ankthi dhe lemeria jonë përpara të papriturës dhe vdekjes, shtohen. Sepse absurdi i vdekjes është i pranishëm në çdo çast. Romani që kërkon të ringjallë një të vdekur, nuk e shmang dot një vdekje tjetër, vdekjen e pafajshme të Delinës, njërit prej personazheve më emblematikë të romanit, personazh që bart dhe përpunon një histori të re në letërsinë tonë.
Me forcën e veçantë të stilit, që anon nga filozofia e mendimit, shkrimtari Rexhep Qosja sjell dëshminë e mundësive të letërsisë së sotme dhe të ambicies që karakterizon atë për t’u shfaqur me një fytyrë të re. Dëshira e personazheve për të pohuar është një plan prapavajtës i shkëlqyer, sepse aty shfaqet edhe shija e veçantë e dijes, kërkimi etimologjik, dëshirimi për të farkuar teori përgjithësuese, ashtu sikundër tiparet intime të shkrimtarit shpërndahen mes personazheve. Mirani nis të lexojë gazetat në Bibliotekën e Vajazanit: “[…] e mendja fillon të lexojë tjetërçka. Gjithçka! Lidhje e palidhje! Në dreq të mallkuar! Uni im nuk mund ta sundojë mendjen time!“ (II, 82). Apo: „Do të doja shumë që koha ime të matet me orë të tilla, të lashta, që ecin ashtu ngadalë. Edhe më tepër do të doja që kohën time ta mas me orë që nuk punojnë fare. Po, duket, kohën time do ta masin orë që punojnë shumë më shpejt se ç’punon Sahatkulla e Vajazanit” (II, 183).
“Bijtë e askujt” është padyshim vepra që manifeston në mënyrë të dukshme raportin e përpjestimit mes inflacionit arsyetues dhe çështjeve të formës. Në roman mund të gjenden me dhjetëra dialogë midis shkrimtarit të ri dhe historianes së letërsisë:
“DELINA
Nuk ka jetëshkrim që shkruhet pa ndërprerje të pritura e të papritura!
UNE
Sidomos kur rrëfejnë disa rrëfimtarë“ (I,137).
Teksti mund të lexohet gjithashtu edhe si një leksion për romanin bashkëkohor. Përsëritja e parashtrimit nistor, domethënë kërkimet për një jetë, përbëjnë një simbolikë që të shpie te Realiteti i jetuar. Autori interpreton anën e errët, duke i hedhur një dritë të hollë që ta shohin të gjithë. Prandaj Proust-i thoshte se koha e humbur mund të gjendet me anën e kujtesës, „se asgjë nuk vdes tërësisht“. Kështu ndërtohet edhe jeta e Tarik Saraçit, nga një këndvështrim tjetër, me sytë e një kohe të re. Kjo kënaqësi e ligjërimit është edhe një arsye për ta futur në hulli mendimin dhe fjalën e rrëfimtarit që vërshon në mënyrë të papërmbajtur.
Trashëgimtar i një shoqërie të mbushur me kritika për romanin, Rexhep Qosja ka krijuar romanin shumëzërash, duke na zhytur në jetën e mbushur me pasione dhe brenga. Autorin e ka shqetësuar dhe e shqetëson fati privat dhe fataliteti kolektiv në të gjithë veprën e tij. Luis Borges thoshte se fiksioni është një formë e realitetit. Tipari më i fuqishëm i këtij libri është vlera pohuese. Romani „Bijtë e askujt“ i ka në brendësi arsyet e një morali të shkrimit të skenave bashkëkohore, të cilat i japin atij vlera të padiskutueshme, si tekst opozitar në përgjithësi, por i papajtueshëm sidomos me atavizmin e sundimtarit dhe frymës së Njëshit që e ka rrënuar dhe e rrënon shoqërinë shqiptare. Ky qëndrim ndërthuret edhe me guximin e autoritetit të lartë të shkrimtarit në letrat bashkëkohore.
Përtej ndjeshmërisë së epokës, që është pasoja e shembjes së idealeve që pati ushqyer marksizmi si një orvatje për filozofi të pastër, që do ta intrepretonte dhe ndryshonte botën në dobi të njeriut të punës, duhet shënuar veçanësia e njëmendtë e raportit lexim dhe perceptim te lënda e këtij romani të shquar të letërsisë shqiptare.
*Autorja e shkrimit (Feride Papleka) ka mbaruar studimet e larta për letërsi dhe është specializuar për gazetari. Ndër botimet e saj mund të permenden: Endrrat dhe fishekzjarret, poezi (1974) ; Bashkudhëtarë, poezi (1979) ; Si lulet e mollës dhe Yje bore, poezi për fëmijë (1980, 1984) ; Duart e Anës, tregime ( 1996) ; Lumi i Heraklitit, poezi (1999) ; Labirinti Borges, studime (1999) ; Parisi ose jeta ime e dytë, ditar (2003) ; Letër dashurie, novelë (2007) ; Trëndafili i heshtur, poezi (2008). Jashtë jane botuar :Seeing the World Through Women’s Eyes, poezi, Minnesota, U. S A. (1995); Fleuve d’Héraclite, poezi, „Société des Ecrivains“, Paris (2000) ; La rose silencieuse, poezi, „Editions Caractères“, Paris (2009). Ka mbrojtur një D.E.A. për Letërsi Moderne në Paris dhe është duke përfunduar tezën për Doktoratë, të ndërprerë për arsye shëndetësore. Gjithashtu ajo ka përkthyer disa libra nga A. Gide ; M. Proust ; A. Bosquet ; M. Aymé ; F. Dolto; Spinoza ; O. Wilde ; J. L. Borges ; D. Kîs ; P. Quignard, N. Gdalia, Balzac e të tjerë.
Fusnonat:
[1] Broch përdor shprehjen „ana e mbrapme e modernitetit“ dhe jo „e realitetit“, por ne jemi ende larg.
[2] Përshtatje sipas ligjeve të shqipes i termit fiction (fr.), që do të thotë pak a shumë sajim ose trillim.
[3] GENETTE Gérard, « Palimpsestes », Ed. Du Seuil, Paris, 1992, f. 8.
[4] BARTHES Roland, Proust et les noms, në “Le Degré zéro de l’écriture », Ed. Du Seuil, Paris, 1972, f.132.
[5] TODOROV Tzvetan, “Poetika e prozës”, përkthyen Gjovalin Kola, Anton Papleka, Panteon - Shtëpia e librit, Tiranë, 2000, f.33.
[6] Fjala ne letërsi është fushë interpretimesh. Ag Apolloni i jep tjetër shpjegim emrit Miran në Një roman avangard që avancon një letërsi, Pasthënia, “Bijtë e askujt”, Shtëpia Botuese “VALDOLI”, Prishtinë 2010, vëllimi II f, 374.
[7] Veçanërisht në librat „Introduction à la theorie de Leonard de Vinci“ (Hyrje në metodën e Leonardo da Vinçit, 1894) dhe „Monsieur Teste“ (Zoti Test, 1896).
[8] APOLLONI Ag, Pasthënia,tekst i cit., vëllimi II, f.406-407.