Shkruan: Shahbaze VISHAJ
SINTEZË POETIKE DYZETVJEÇARE
Që nga vëllimi i parë me poezi për të rritur “Krojet e bardha” e deri të ky i fundit “Tek uji i zi”, Hasan Hasani u gjend në udhën e rrahur nga poetët e traditës, duke e pasur për zemër përherë vargun e matur, strofën, rimën, ritmin, muzikalitetin që poezinë e bëjnë poezi. Edhe sot ky poet e vazhdon këtë lloj shkrimi, që bashëmoshatarët e tij (ndonjëherë) nuk ngurrojnë ta quajnë arkaik. Gjykuar sipas kësaj, disa miq poetë pohojnë së Hasan Hasani është klasiku i fundit i fillimshekullit njëzetenjë që e shkruan me xhelozi këtë lloj poezie, duke filluar nga tetë, dhjetë, dymbëdhjetë, katërmbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë rrokësh, shpesh me ndihmën e apostrofit, por duke ruajtur ritmin dhe muzikalitetin.
Motivet e Hasan Hasanit në këtë vëllim poetik vijnë pikërisht nga Dushkaja dhe njerëzit e saj. Poetin e frymëzon muza e Dushkajës, njerëzit (heronjtë) e lirisë së luftës çlirimtare të viteve 1998-1999, gjuha e gurit ku u rrit dhe mësoi alfabetin poeti, kujtimet nga fëmijëria, vargjet elegjiake për simbolin më të dashur, siç është Nëna, pastaj miqtë e këngës (poetët-shkrimtarët) që autori e kaloi një jetë të tërë me ta duke ndarë bashkërisht gëzimet dhe hidhërimet për dyzet vjet, këngëtimi për bukurinë që sjell jeta ose duhet të sjellë, por edhe motivet e mllefit dhe të trishtimit që shpesh dinë t’i mbërthejnë poetët, po edhe vargjet për të dashurën e ëndrrave (ndoshta të imagjinuar) që e dashuroi, por kurrë s’ia komunikoi, pra e mbajti të heshtur në shpirt, për ta përmbyllur vëllimin me vargje për ditët e bardha të veshura me petk të zi, aludim në kohën në të cilën po jetojmë.
Pocili është portreti i poetit Hasan Hasani, mendoj dhe jam e bindur qindpërqind, së këtë më së miri e shprehin vargjet e poezisë që i prin vëllimit “Tek uji i zi”, e titulluar “Autoportret”. Këtë poezi njëzet vargjesh po e jap të plotë, të kthyer në prozë, ku poetikisht vijëzohet portreti i Hasan Hasanit si njeri dhe si poet: “Fëmijë shekulli që iku, i veshur me zhgun të zi, /Djal hasreti n’votër, n’mua betoheshin t’gjithë, /Me janxhik në shkollë, n’mal pas lopëve kërthi,/ Një mijë herë rrëzuar, po aq herë n’ferra g’rrithë, /Misër miha në ara, mblodha në livadhe sanë, /Ujita kollomoqet natën, librin përherë në duar, /Ikën vitet në banka, jeta m’lidhi n’rrëfanë, /Gjakosur ndër driza, n’dekë e dasma burrëruar, /Shkrova vjersha, tregime, emri shpesh n’gazeta, /Botova shumë libra, u bëra dhe guri n’rrugë, /I lavdëruar dhe i sharë, me t’gjitha ç’të fal jeta, /Ngrihu e rrëzohu e ngrihu, ngado që jeta të flugë, /Shkela në t’gjashtëdhjetat, thinjat n’kokë inxhi, /Lis zabeli a gur lumi, Dushkajën sjell më vete, /Kush m’thirr bacë, kush axhë… Gjysh me tapi, / Prishtinën në zemër, Shqiponjën mbi supe jete, /Deshe s’deshe pleqëria erdh, e bardha pleqëri, /Për mua dhe brezin, për mbesat dhe nipat, /Njëqind vjet luftë… sytë shkrepin dashuri, /Kështu përfundon jeta… Kështu rriten pipat!”
Le të gjykojnë vetë lexuesit e nderuar!
E thashë edhe më lartë së vëllimi poetik “Tek uji i zi” ndahet në dhjetë cikle dhe secili cikël sipas motiveve, paraqet një libërth të vogël, më të dendur, më të ngjeshur, më konciz, duke mbërthyer në vete përvojën e gjatë poetike, që para lexuesve të dalë sa më i qëndrueshëm, sa më bindës, gjithnjë me diç befasuese, jo aq për nga forma, e më shumë për nga përmbajtja.
Këtu më poshtë do të ndalem në secilin cikël veç e veç, me ç’rast çdo cikël paraqet një kapitull më vete. Me këtë rast, nëntitujt e këtij shkrimi (kapitujt) do t’i emëroj sipas cikleve, ashtu siç i pagëzoi vetë poeti Hasan Hasani.
Vargje për muzën e Dushkajës
Hasan Hasani është i lindur në një fshat të Dushkajës, një hapësirë gjeografike kjo prej rreth dyzet fshatrash. Këtu ka kaluar fëmijërinë. Këtu edhe ka shkruar vargjet e para, madje edhe vëllimin e parë të poezive “Krojet e bardha”. Andaj, nuk është çudi që pikërisht vargjet për Dushkajën i prijnë këtij libri. Sepse, Dushkaja është muza poetike për poetin Hasan Hasani. Ky poet s’e mendon poezinë e vet pa Dushkajën, kujtimin për të, sepse Dushkaja është emri dhe mbiemri im (pohon autori), për t’iu kënduar kullave me gurë, Shqiponjës (ish-Jabllanicës), kavallit të bariut Avdyl Alija me tingujt e të cilit është rritur poeti kur ai i binte në kodër, netët e egra të dimrit, borërat e mëdha të viteve pesëdhjetë, për ta përmbyllur me vargjet përsëri për Dushkajën. Kjo është muza e Dushkajës për të cilën këndoi plot zjarr e mall poeti Hasan Hasani. Që në strofën e parë të poezisë “Muza e Dushkajës” poeti thotë: “T’falem ty o muzë n’Dushkajë që rri atje lart /N’fronin e perëndive në Sukë të Cërmjanit, /Ngado që shkoj frymëzimin në mua e bart – /Një ditë t’gjitha do t’i kthej n’Zabel t’Gojanit! /Muzë o muzë, gurrë e këngës, o fjalë poeti /Që më ndjek ëndërr-zhgjëndërr n’ Dushkajë, /Lëkunden vargjet, edhe rimat, prej tërmeti /N’ Gjeravicë e Pashtrik muza ime s’di t’qajë!”. Kjo është muza që e përcolli poetin për dyzet vjet nëpër vargje e rima si rriskë jete në zemër. Ngado që hapëroi poeti mbi supe mban Dushkajën, me zërin bubullimë malesh e vetëtimash, sepse: “Pesëdhjetë vjet u bënë që po këndoj për ty Dushkajë /Si bari dhe intelektual me diellin pogaçe në zemër, /Vargjet m’u bënë lisa, fyej, peizazh i zhgrehur n’vajë /Ngado shkova Dushkajë m’u bëre emër e mbiemër!”. Këngëtimi për muzën vazhdon të poezia “Unë e kulla”, objekt kulti e nderuar kjo. Poeti thotë: “Jemi t’nderuar kullë, nga Muza e Ora /Ti i ruan me besnikëri n’gji dëshmorët, /T’mos i lagë shiu, t’mos i ngrijë bora – /N’çdo gur tëndin ndrisin sot meteorët! /Unë do t’ua recitoj këngët dhe vargjet /Që Shqiponja për trimat i këndon, /Ua bëj më të lehta në trup edhe plagët /Çdo ditë kur dielli ynë në zenit agon!” Pikërisht në oborrin e kësaj kulle ku muza e Dushkajës bën roje, sot qëndrojnë krenarë dëshmorët e kombit që me gjakun e tyre ujitën hullitë e lirisë, e këta dëshmorë, shumë prej tyre, janë edhe moshatarët e poetit, shokë të fëmijërisë dhe të shkollës, bij të shokëve të poetit që në luftë me serbin bënë vdekjen për atdheun. Pos këngëtimit të stinëve të egra, siç është dimri i vitit pesëdhjetë e gjashtë, poeti kujton (atëherë nëntëvjeçar) aksionin famëkeq të grumbullimit të armëve në Kosovë, ku pushteti serb keqtrajtoi, depërtoi për në Turqi dhe vrau shumë shqiptarë të pafajshëm. Çuditërisht, viti pesëdhjetë e gjashtë në Kosovë jo vetëm që mbahet mend për aksionin e armëve, por edhe si stina më e egër, me dëborë të madhe me rreth dy metra lartësi që kishte bllokuar çdo gjë të mundshme. Duke na dhënë me ngjyra rrëqethëse këto skena, poeti përfundon: “Këmbët e ënjtura, lidhur për trungje mollash /N’Cërmjanin e barosur ku mbytej krenaria, /Heu dushkajas rritur mes gjarpërinjsh e bollash /I shihni sot si fusin kokën nën bisht qenëria?!” Ky cikël përfundon me poezinë “Përsëri për Dushkajën” ku poeti edhe pse me trup në Prishtinë, shpirti e mendja përherë i rrinë në Dushkajë, madje edhe ëndrrat që sheh, i sheh pikërisht në Dushkajë, pra atje ku e ka muzën e këngës të fshehur, e cila nga larg i fal frymëzim të këndojë për jetën, andaj spontanisht rrjedhin vargjet: “Me këngë në buzë, një ditë, jo larg, do të vdes /Unë, copë tokë Dushkaje, n’ qepalla me një gur, /Me sy hapur për dushkajasit e mi do të mbes /Epitafin ta lexoj rrëzë kullës, aty tek ai mur!”
Vargje për njerëzit e lirisë
Vargjet për njerëzit e lirisë arrijnë në këtë vëllim poetik me moshën e poetit, me gjithë ngjarjet që solli historia dhe fatbardhësisht poeti arriti t’i shijojë, t’i përjetojë. Ky është fat i kësaj gjenerate, e edhe i Hasan Hasanit që arriti ta shijojë lirinë e shpirtit, lirinë e shprehjes, lirinë e lëvizjes, lirinë e mendimit, lirinë njerëzore, lirinë e Kosovës që më shumë së një shekull e ëndërroi. Këto poezi të këtij cikli, ashtu si i tërë vëllimi poetik “Tek uji i zi” u shkruan gjatë viteve 2007-2009, duke filluar nga Pavarësia e Kosovës, ngjarja më e madhe e pritur njëqind vjet, njëqind vjet luftë për këtë ditë. Poeti këndon: “Dhamë shumë gjak për ty Kosovë oj zonjë e rëndë /Historinë shkruam me ngjyrë gjaku radhë-radhë, /Ujitëm tokën tënde Kosovë pëllëmbë për pëllëmbë /Që t’arrijmë këtu ku arritëm ne sot – faqebardhë!”, protagonistët e të cilës dalin në shesh, si Jasharajt në Prekaz, Haradinajt në Gllogjan: “Ademi i Jasharajve në Prekazin e shenjtë legjendë /Dhe gjeneralët e Haradinajve n’Gllogjanin qëndresë, /Duke ngritur kështjella eshtrash n’mermer gdhendë /Lapidarë n’mileniumin e ri n’bulëza kristali me vesë”, duke kujtuar krojet e gjakut nga Mollë e Kuqe deri të Guri i Shpuem dhe Preveza.
Mirëpo, Hasan Hasani vjen nga një fshat që luftës së fundit në Kosovë i dha shumë. Këta heronj të rënë në fushën e nderit, (qoftë edhe heronj të gjallë), mbajnë mbi shpatulla krenarinë e Shqiponjës dhe të Dushkajës. Hasan Hasani rënien e dëshmorëve, qoftë nga Dushkaja, qoftë edhe nga viset e tjera të Kosovës, e edhe më gjerë (nga Maqedonia, Presheva,Shqipëria,Malii Zi) e përjetoi rëndë, e përjeton me shpirt poeti, siç është shoku i shkollës dhe i fshatit, heroi i kombit Sadri Zeneli, por edhe Besnik Lajçi nga Rugova e Tahir Sinani nga Tropoja. Duke kënduar për heroin Sadri Zeneli, poeti i kujton ditët e fëmijërisë kur loznin top në Zabel të Gojanit, të Rrahu i Hysës, pastaj shkollën Normale në Gjakovë ku vazhduan së bashku, po edhe studimet në Universitetin e Prishtinës.Pocili është shpirti i këtij luftëtari dhe intelektuali, ai shpirt i fshehur që struki në gji dëshira dhe ëndrra që vërtetë u bënë realitet, të cilat shpesh i bisedonte me poetin që si studentë banuan bashkë në një bodrum në Prishtinë. Poeti këndon: “Sadri i dashur, erdhi ajo ditë që me zjarr n’sy e prite /T’ndeshesh me armikun që njëqind vjet egërsi solli, /Legjendat shtrihen horizontalisht në t’zezat vite – /Shkollë e gjyshërve: kur t’jeni ngushtë ngrini dolli!” Edhe Tahir Sinani, hero nga Tropoja u shndërrua në legjendë në luftën çlirimtare të Kosovës, po edhe në Preshevë dhe Maqedoni. Ky u bë udhërrëfyes për luftëtarët e tij, por edhe frymëzim për poetin Hasan Hasani: “Tërthor u ra hijeve e krojeve, ndër prita, ndër fusha /Gjithkund takoi vdekje n’degë drunjsh, majë gurëve, /N’Pashtrik e Kleçkë… Majë Korabit…Tutje Tanusha /Duke u përulur para varreve t’njoma të ushtarëve!”
Ndërsa një kapitull në vete brenda këtij cikli paraqesin dy figura emblematike të UÇK-së, e këta janë legjendarët Ramush Haradinaj dhe Lahi Brahimaj (nip e dajë). Autori Hasan Hasani u këndoj këtyre dy luftëtarëve (Ramushit si nip i Shqiponjës, ndërsa Lahiut si bashkëvendës), ndërsa këta dy legjendarë ishin nip dhe dajë që pas shumë vitesh luftë, nga ajo ilegale deri të ajo frontale, i ranë në fund me faqe të bardhë dhe triumfuan mbi armikun. Tri poezi i kushtohen Ramush Haradinjat: “Monolog me Ramushin” shkruar në mbrëmjen e pavarësisë më 17 shkurt 2007, pastaj “Sheshet u mbushën me dashuri” dhe “Kthimi i legjendarit”, i cili bashkë me Lahi Brahimajn atë ditë e mbronin këtë pavarësi jo më në luftë ballë për ballë me armikin, por në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë. Në këto tri poezi poeti nëpërmjet të monologut poetik i këndon edhe luftës së tij të paepur edhe në Hagë. Mungesa e tij shpërthen gëzhojën e shpirtit të poetit: “N’sofër t’Pavarësisë një vend i zbrazët mbet sot /Kur mua zemra po m’digjet flakë, zjarr e prush! /Nuk di si buza m’u dridh! M’rrodhi edhe një lot – /Shenjë pleqërie nipalan… O legjendar Ramush!”. Ndërsa “Kthimi i legjendarit” sjell vargjet kur ky legjendar shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, andaj kthimi i tij ishte madhështor për Kosovën. Ndërsa për bashkëvendësin e vet Lahi Brahimajn, poeti Hasan Hasani shkruan katër poezi: “Telefonatë nga Haga ditën e Flamurit”, “Letër e padërguar”, “Do ta pres edhe ditën e kthimit” dhe “U ktheve me pavarësinë”. Në këto lirika Hasan Hasani ndalet në disa momente të veçanta, në ato që e frymëzuan, si bisedat nga Haga me Lahiun, kujtimet nga fëmijëria, monologët me të nga largësitë, po edhe dialogët nëpërmjet të telefonit nga Haga. Nëpërmjet vargjeve për Lahiun, poeti zë ngojetë edhe dhjetëra luftëtarë të rënë nga fshati i lindjes Shqiponjë, tashmë dëshmorë dhe heronj të kombit. Sido që të jetë, këto poezi ngërthejnë në vete klithmën poetike të shpirtit poetik që pikërisht këta njerëz e mbajnë gjallë. Vargjet sjellin emocione të thella gjatë leximit. Shpesh t’i mbushin sytë me lot. Ja një strofë, pjesë e një bisede telefonike më 28 nëntor 2007, pikërisht në Ditën e Flamurit, ku poeti besnikërisht sjell urimet: “- Baca Hasan, nga Haga edhe sot po të telefonoj /Duke t’uruar Ditën e Flamurit ngritur në Vlorë; /Vitin tjetër në Kosovë bashkë me ju do t’ kremtoj /Ashtu si kremtova me luftëtarët në shi dhe borë!”. Ky cikël mbyllet me një protestë poetike të poetit, e kjo është poezia “Letër Hilmi Haradinjat në ditën e pavarësisë” (babai i Ramush Haradinjat), ku për çudi dhe habi të gjithëve, babai i pesë gjeneralëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë (tre prej tyre heronj e dëshmorë), nuk u ftua në kremten e pritur njëqind vjet. Ky moment e shqetësoi tej mase poetin Hasan Hasani dhe reagoi poetikisht nëpërmjet vargjeve. Poeti e kërkoi babin e legjendarëve të Dukagjinit kudo në mes të njerëzve, por çuditërisht nuk e takoi atje ku e kërkonte, por e gjeti në mes të dëshmorëve duke bërë homazhe në këtë ditë të lumtur të pavarësisë; e kërkoi poeti me një nervozë të theksuar në shpirt, por Hilmiun e gjeti të lapidarët e djemve në oborrin e kullës për t’u ngushëlluar me veten; e kërkoi edhe në ekranet televizive kombëtare, por s’e gjeti as përkrah Rifat Jasharit në shpalljen solemne të pavarësisë në sallën e parlamentit dhe sintezë e gjithë kësaj proteste poetike vjen strofa e fundit e kësaj poezie: “Hilmi i dashur, po e mbyll këtë letër n’ditën e Pavarësisë /Shkruar me gjak zemre… Jeta është stërmbushur sprova, /Poetët poetikisht, kryeneçë, mbi supe i hidhen historisë – /M’fal, o burrë nëse plagët n’këtë ditë t’shenjtë t’i lëndova!”
Mendoj së interpretimi më i detajuar do të ishte i tepërt!
Vargje për gjuhën e gurit
Një motiv tjetër që e frymëzon autorin janë edhe ato që i sjellin poetit kujtime, po edhe thellim në lashtësi, e që nëpërmjet vargut poetik, sidomos me poezitë: “Heshtja ar”, “Arti i fjalës”, “Lojë zjarresh”, ku shihet një anim kah vargu filozofik, duke gjykuar për heshtjen, për vargun, për këngën, po edhe për mllefin që poetëve shpesh u del përpara si guri në rrugë, ku edhe zënë në thua që shpesh i qon deri në theqafje. Heshtja e poetit që pat një rrugëtim poetik me ngritje dhe rënie, shpesh me ndërkëmbja të ngritura nga “miqtë” poetë u bë objekt frymëzimi. Këtu vije në shprehje një gjuhë pak e ashpër e poetit ndaj kësaj kategorie njerëzish. Mirëpo poezia “Arti i fjalës” sikur e zbulon këtë gjuhë: “Muza poetike për mua përherë ka qenë e shenjtë /Që iu kam bindur nga hapi i parë i vargut lirik, /Me t’ vetmin qëllim që t’ fisnikëroj shpirtin si diejt /N’rrugën pa fund shaluar mëtimin e vargut homerik”. Kjo është përgjigjja e poetit ndaj këtyre hienave të nëntokës, me të cilët ballafaqohet nëpërmjet fuqisë së vargut dhe tehut të mprehtë të gjuhës poetike. Në këtë lojë hyn edhe zëri i shpendkeqes dhe e gjen poetin të gatshëm ta japë shpirtin e frymën vetëm që shpirti e zemra të shikojnë përtej harrimit që njerëzit i ka kthyer në robër dhe robotë. Përkundër shpërthimit të këtij mllefi, poeti me lojë zjarresh thotë: “N’ rrënjë fjalësh e vargjesh gjej frymëzimin e muzën”.
Vargje për vitet e ikura në pakthim
Në ciklin e katërt Hasan Hasani i kthehet lirikës intime personale. Cikli hapet me poezinë “Gjashtëdhjetë”, që është një ndër lirikat më të bukura, më të përjetuara që i këndon vetes, jetës që përkundër të gjashtëdhjetave, i duket sikur hyri për këtë derë dhe doli për tjetrën. Këtë e thonë vargjet: “Qenkan shumë dhe qenka pak /Hyr n’këtë derë e dil n’atë derë; /Fyell i këputur kurrë me shkak /Me shumë dimra, kurrë pranverë”, që flet se jeta e poetit nuk kishte qenë degë fiku, por kishte kaluar nëpër valë të ngritura detesh e furtunash. Meqë poezinë e shkroi në përvjetorin e gjashtëdhjetë të lindjes, me këtë rast Hasan Hasani u kthehet edhe një herë motiveve nga fëmijëria, duke kujtuar bashkëfshatarët, që tashmë nuk gjenden në mesin e të gjallëve, por që dikur poetit fjalët e tyre i kishin lënë mbresa, siç janë baca Bajram e baca Mehmet, Sahit Arifi e Mal Shabani (këta të dy ishin ushtarë të Batalionit SS Skanderbeg që në vitin 1944 luftuan dhëmb për dhemb kundër forcave serbo-çetnike-partizane në Mal të Zi, me ç’rast Sahit Arifi bie në fushë të nderit); shokët e fëmijërisë Ali Shabani (dëshmorë i vrarë në luftën e fundit) dhe Skënder R. Hoxha (poet dhe studiues), po edhe kujtimet që poetit i dalin para sa herë që kthehet në vendlindje. Cikli mbyllet me poezinë “Dyzet” që shënon dyzetvjetorin nga botimi i librit të parë të autorit (1967) dhe paraqet edhe një herë rrugëtimin poetik të poetit me të gjitha të papriturat që sjell jeta përkatësisht ky rrugëtim i vështirë për të arritur këtu, në krye të dyzet vjetëve nga botimi i librit të parë. Këtë poeti e bën me vargje të matura, nëpërmjet artit të fjalës, vargut të matur dhe muzikal si përherë, duke e stolisur me metafora dhe figura të tjera poetike gjithnjë në funksion të artit. Mendoj si pikërisht këto vargje e ilustrojnë më së miri këtë mendim që e thashë: “Dyzet vjet vargje, dyzet vjet rima, /Thelluar n’ mendime, ide dhe fjalë, /Përreth lakej, dhelpra, ulërima – /Laku n’ fyt përherë botë e përdalë. /Me epitete, metafora gjithë fytafyt, /Gdhenda vargun me daltën e urtisë, /Kryeneçe ngrihet muza e më mbyt /Që ta vë fjalën n’ murin e poezisë”.
Vargje për nënën që iku papritur
Nuk mund ta gjesh një poet, nga letërsia e traditës e deri në ditët tona, që të mos i ketë kushtuar një apo më shumë vjersha krijesës më të dashur në jetë, siç është Nëna. Vargjet për nënën nga poetë të ndryshëm përherë qenë të frymëzuara nga dashuria e thellë që ndien për nënën. Këtë e bëri edhe Hasan Hasani në këtë vëllim poetik. Ai shkroi një poezi 33 strofëshe me 132 vargje 16 rrokësh, por fryma që e përshkon këtë poezi të gjatë ngërthen në vete notën elegjiake. Poeti e fillon poezinë bashkë me nënën në udhëtimin e fundit me të për në vendlindje, atje ku duhej t’i pushonte trupi dhe eshtrat përjetësisht, atje ku ajo para 62 vjetësh kishte zbritur nga kali si nuse me duvak. Ky udhëtim nga Prishtina në Shqiponjë ishte i gjatë, i rëndë, i mundimshëm, madje e sjell poetin ndër kujtime të largëta gjysmë shekulli, nga fëmijëria e deri në këtë ditë, bashkë me këshillat e përhershme të saj si bimë shpirti që e kishte. Skenat që i kujton Hasan Hasani për nënën dhe fatin e saj, përkëdheljet e ngrohta, e pse jo ndonjëherë edhe ndonjë qortim apo shuplakë, e mbushin këtë poezi plot jetë, ku raportet nënë-bir rrjedhin natyrshëm, lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e poetit, i rikthehet ai shirit filmi për shumë vite i harruar si pasojë i dinamikës jetësore në këto dy dekadat e fundit. Duke lexuar këtë poezi, tëdelpara një jetë e tërë e poetit. Sido që të jetë, poeti shpirthyer pohon: “Të lash Nanë të lash në Kodër t’Madhe vetëm të lash. /Më fal, këtu ke edhe Babën që të priti për njëzet vjet. /Pota kthej shpinën duke u larguar avash-avash – /Kjo nuk duhej t’ngjajë, oj Nanë, por ja që po ngjet!” Pas gjithë këtij udhëtimi të pafund vije edhe ndarja: “Njëqind vjet zgjati ky rrugëtim, ky kthim i vetmuar /Pa përkëdheljen tënde sot, për mua gjithherë shtytje, /Brenda vetes një gur i zi besimin rrinte duke bluar /Mes jetës e vdekjes duke u luhatur barkë në valëvitje!”
Vargje për miqtë e këngës
Hasan Hasani i lindur me shpirt poeti, përkundër mllefit që shpesh e shpreh nëpërmjet vargjeve ndaj njerëzve dhe çarqeve të caktuara të artit, gjen motiv dhe frymëzim që të hedh në letër edhe vargje për miqtë e këngës, për poetë e piktorë, muzikantë e këngëtarë, rapsodë e instrumentistë që e vlerësojnë poetin, po dhe ky i vlerëson ata, që e frymëzojnë dhe i frymëzon, që për dyzet vjet rri me ta dhe pinë kafe, që bosht bisedash me ta ka letërsinë dhe artin, përkatësisht poezinë. Heronjtë lirikë të këtyre poezive janë emra të njohur të artit, si Nazmi Rrahmani, Nermin Vlora, Lili Tafaj, Adem Istrefi, Xhevat Syla, Xhavit Aliçkaj, Demë Topalli, Jonuz Fetahaj, Demush Avdimetaj etj. Në këto poezi ku dominon nota dhe shprehja metaforike jepet portreti dhe personaliteti i këtyre miqve të këngës, raportet e ndërsjella që këta kanë me poetin, shpesh edhe gjykimet për jetën dhe artin, funksionin që duhet lozur poezia, pra debate të ndryshme artistike. Duke monologuar e dialoguar me këto personazhe, Hasan Hasani arrin nëpërmjet vargut spontan të hedh dritë mbi shumë çështje e dilema, qoftë për jetën, qoftë edhe për artin, e kjo si rezultat i një kohe të pakohë që e jetojmë ne. Nëse në vargjet kushtuar poetit Demë Topalli pasqyron rrugëtimin e vështirë nëpër të cilin kaluan së bashku: “Kohë të neveritshme na rrethojnë n’ këtë moshë /Mik i dashur, që ecëm bashkë tehut të briskut, /Iku djalëria shtigjeve, tash asgjë më s’na joshë /Mua as ty që jemi tëhuajsuar n’shërbim t’rriskut!”; n’atë kushtuar shkrimtarit Xhevat Syla objekt frymëzimi bëhet gjuha e artit, gjuha e poezisë dhe funksioni i saj: “Nuk di, ma dhurova apo ta vodha këtë varg /Mik i dashur i këngës agimeve hapëruar; /Muza jonë e fjalës shtigjeve iku shumë larg /Për t’na vënë në sprovë dielli duke perënduar!”; megjithëse mosha e bën të veten, andaj arritjen në cak të maratonës jetësore Hasan Hasani nuk e sheh si të frikshme. Këtë e gjejmë të poezia kushtuar Jonuz Fetahajt, ku në mbrojtje fton artin, strofat, vargjet, figurat, rimat: “Vdekjes nuk i trembem jo, me vete kemi ushtarët /E strofave dhe vargjeve, kem figurat dhe rimat, /Që vërsulen n’shtigje jete të dalin ndër të parët /Jo shndërruar n’falltorë po n’art me vetëtimat!”; dhe këtë e mbyll me vargjet për një mik të vjetër, për poetin Adem Istrefi, me të cilin rrallë takohen, po kur takohen, atëherë vijnë edhe vargjet. Këtë Hasan Hasani e ka bërë që nga viti 1979, kur e takoi për herë të parë këtë poet në vargun e të cilit gjen prehje shpirti. Andaj edhe takimet e tyre janë plot emocione, biseda të uritura, sytë të mbushur me bula loti: “Çdo fjalë na përcillte me nga një dridhje buze /Sikur t’ishim fëmijë, po jemi fëmijë t’një brezi, /Biem e zgjohem e kurrë të fjetur n’gji muze – /Shih Adem, n’kokat tona ka reshë kristale shtrezi!”
Vargje për bukurinë e jetës
Nuk mund ta gjesh një poet që nuk i ka kënduar bukurive që sjell jeta. Edhe nëse ajo (jeta) ka qenë e mbushur me dhembje, prapë poetët kanë ndarë nga gjithë ajo dhembje një pjesë të saj, atë bërthamën që është e bukur për t’i kënduar me afshin e fjalës, me afshin e zemrës, me zjarrin e këngës. Sepse bukuria e jetës mbush kohet e shpirtit të çdo poeti me gëzim, çiltri, optimizëm. E këto i sjellin njerëzit, natyra, ambienti ku jeton. Këto poeti Hasan Hasani i gjen të ujëvara e shpirtit, tek Ura e Madhe, te nipat e mbesat, të Olta e Lisa, SMS-at që qarkullojnë në etër për Ditën e Flamurit, të muzgu i bukur, tek Uji i Zi ku dikur takonte Emirën të heshtur e deri të kështjella e rimave duke iu rikthyer përherë vargut dhe misionit poetik. Kjo pjesë e jetës stolis edhe një cikël të këtij vëllimi, duke shtrirë frymëzimet dhe motivet në cikle për të përmbushur jetën e tij artistike m të gjitha ato që sjell pikërisht jeta, qofshin të bukura, apo edhe të dhembshme. Këto krijojnë jetën ashtu siç është në të vërtetë. Kjo bukuri vërehet edhe në vargjet e disa prej këtyre poezive të këtij cikli që sjellin bukurinë e jetës nëpër zinxhirët e viteve që rrëshqitën të lidhura në rrëfanën e kujtimeve. “Sa here kthej më pret me ujin tënd lëng bjeshke /E m’përqafon si dikur kur rrezitesha në zall, /Përroi përbirohej nën ty, e tok me ty zjarr eshke /Që m’dogj n’brigjet e ëndrrës që thellë më kall!” sjell kujtimin e fëmijërisë së largët për dekada mbushur me dhembje, për ta hedhur atë pas shpine kur gjendet në mesin e shtatë nipave dhe mbesave: “Rrethuar nga t’shtatët, harrova t’gjashtëdhjetat /E borën që shumë vjet mbi flokët e mi ka reshur. /A thua kështu, e tillë qe fëmijëria ime në t’dyzetat /Kur me diell e hënë n’ditë janari jam ndeshur!?”. Këta nipa e mbesa, sidomos Olta e Lisa: “Me buzëqeshje ëmbël ma largojnë zymtësinë /Lëshuar n’krahët si dy pëllumba me këmborë, /Mendoj, me çka t’ua kthej mbesave dashurinë /Që ditët m’i zgjatin n’perëndim dielli të vonë”, ani pse poeti e sheh veten mysafir në muzg të vargut e rimës. Edhe buzëmbrëmjet e vendlindjes kanë bukurinë e vet që dehin shpirtin e poetit, qoftë duke përshëndetur malësorët që kthejnë mbrëmjeve nga punët ditore të fushës apo edhe fëmijët që kthejnë nga shkolla me libra nën dorë. Për këtë poeti këndon: “Muzgu ka shtrirë krahët mbi qiellin e vendit ku linda /Me pelerinën e tejdukshme sipër gërxheve t’hardhisë, /Malli m’pushton t’tërin, për t’njëmijtën herë u binda /Pikthi tak-tak kryen ritin e vet n’lëkurën e qershisë”. Pas gjithë kësaj, pas këtij vikendi poetik, poeti zemërmëngët, duhet të ik nga kjo bukuri e jetës për në kryeqytet. Këtë kështu e përjeton dhe gjykon: “Kthej shpinën e largohem. Mbuloj fytyrën si grua /E iathem një kënge si gjithherë duke fishkëlluar, /Do pika t’njelmta kokrra kristali lindin në mua – /Kjo është bukuria e jetës Hasan-o, ç’je trishtuar?”
Vargje për mllefin dhe trishtimin
Çuditërisht, pas anës së bukur të medaljes së jetës, asaj ku e këndoi përherë bukurinë e jetës, menjëherë në ciklin vijues del në sipërfaqe ana e kundërt e medaljes, tashmë ajo e errëta, ajo që poeti e quan vargje për mllefin e trishtimin, që poetit mund të ia falin edhe nofkën “poet i rebeluar”. Që në poezinë e parë me titull “E zeza” poeti shpreh mendimin për jetën e vet: “Çudi, më shumë se çdo ngjyrë tjetër, e dua të zezën /Kjo i veshi t’gjashtëdhjetat e mia me velin e ngjyrën, /Duke ikur vitet edhe kësaj blane ia zbulova gjenezën /Unë, i fundmi i Përkolajve që e varrosa mynxyrën”, një prolog ky hijerëndë, për të përfunduar me strofën e katërt: “Dhe e zeza hap pas hapi m’përcolli këtu deri më sot /Në jetë e vargje kur secili përfundon misionin e vet, /Po, u dashurova në të zezën përherë këtu dhe mot /Edhe e zeza ka bukurinë e vet thoshte një mik poet!”. Motivi që përshkon këto poezi, vërehet në shpirtin e poetit gjatë gjithë viteve të krijimtarisë poetike që ka mbjell trishtim, e sidomos vitet e nëntëdhjeta që përfunduan me luftën dhe eksodin biblik të shqiptarëve në Kosovë, mëdyshjet e Evropës gjatë njëqind vjetëve të shekullit të njëzet, gjakun e fëmijëve në djep që dhuruan për themelet e lirisë së Kosovës ashtu siç vepruan baballarët e tyre, e dhënë kjo që nuk ndodh në botën e civilizuar. Kjo e detyroi poetin të pohojë: “Kërkoj si i verbëti ujin e bekuar ta lehtësoj trishtimin /Kështu vjen fundi, në bisht të sorrës!”
Vargje për Hyrijen
Vargjet për Hyrijen paraqesin një segment të lirikës intime të poetit Hasan Hasani. Këto lirika që përmes rikujtimit kur gjenerata e tij kremton dyzetvjetorin e maturës, poetit i sjellin kujtime të ikur, të ëmbla e të hidhura, që në një mënyrë janë vetëm faqe të verdha fletësh, kujtime me shokë e me shoqe që me ndonjërin as që “njiheshin” si pasojë e largët e ndarjes dyzetvjeçare. Kjo edhe është gjeografia e shpirtit poetik, ku harta tashmë e vjetër dyzet vjet kishte marrë ngjyrën e vjeshtës, vijat e kufijve si rrugë si rrugë zikzake apo lumenj të vegjël ishin zhdukur nëpër hirin e kujtimeve. Këto momente malli të ndryera në zemër janë dhënë nëpërmjet vargjeve të latuara me mjeshtëri që ngjallin mall e dhembje njëkohësisht. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe personazhin e këtyre lirikave, simpatinë e poetit që n’ato vite të largëta (gjashtëdhjetë), simpati që gjykuar sipas vargjeve dhe asaj që fshehët në to, e frymëzojnë këtë poet që të shkruajë vargjet e para, atëherë shihet qartë që në këtë takim ky personazh frymëzues mungon (!). Ishte kjo muza e vargut të poetit në vitet e largëta, simpati që gjykuar sipas vargjeve, poeti vetëm e simpatizoi, e dashuroi, e ëndërroi, por kurrë nuk ia shprehi prushin e zemrës. Kjo duket sheshazi që ishte një dashuri e çiltër, e kristaltë, dashuri që vetëm poetët dinë ta fshehin në zemër për tërë jetën. Dhe jo rastësisht poeti këtë personazh e quajti Hyrije, një simbol ky për të bukurën (kujto Hyrijet e detit) që frymëzojnë poetët në vazhdimësi. Kështu, poeti shëtit nëpër rrugët e qytetit ku dikur e takonte muzën e vet dhe kujton me mall të këputur ato shikime që kishin ndërruar së bashku, ato përshëndetje, ato fjalë e çka jo tjetër. Për të gjitha këto këndoi Hasan Hasani në këto njëmbëdhjetë poezi. Se vërtetë ishte një frymëzim i sinqertë poetik, këtë do ta ilustroj me dy strofa të poezisë “Më fal” ku poeti me respektin më të madh shprehet: “Më fal Hyrije që për pesëdhjetë vjet zemrën s’ta hapa /E të them se vuajtja m’përcoll n’heshtje natë e ditë, /Atëbotë ishim të njomë, buza dridhej, shikimi prapa /Jetova i mbyllur n’guacë frymën e fundit duke pritë. /Pritja s’pat fund, perënduar stinët njëra pas tjetrës /Derisa dhe qerpikët m’u kanë zbardhur brymë e borë, /Mos vallë me ne do të perëndojë edhe bukuria e jetës /Duke pritur amshimin që mbi kokë ta vëmë kurorë!”
Vargje për ditët e bardha me petk të zi
Ky është cikli më i rebeluar i poetit, ani pse këtë motiv e trajtoi edhe në ciklin Vargje për mllefin dhe trishtimin, por me një notë pak më të zbutur, gjë që tash në këtë cikël, rebelimi i poetit rritet, godet ashpër, pamëshirë. Kjo si pasojë e zhgënjimit të poetit në gjithë atë që e rrethon, çka nuk e kishte menduar si pikërisht kjo shoqëri në tranzicion do ta zhgënjente aq shumë. Zhgënjimi bëhet më i madh ngase vjen edhe nga idolët e poetit që dikur kishte pasur për disa prej tyre. Për të qenë më e saktë, këtu po jap titujt e dhjetë poezive që janë një pasqyrë besnike e frymëzimit, të cilat poeti i quajti Vargje për ditët e bardha me petk të zi. Këto janë: “Kot”, “Jetë qeni”, “Varrosem vetveten”, “Pa gjak dhe vrer”, “Gjithësia përbëhet nga grimca atomi”, “Vdekje më e rëndë se vdekja”, “Ëndërr e keqe”, “Gacë nën shpuzë”, “Shall i zi” dhe “Vargjet heshtojnë”. Të gjitha këto simbolikisht flasin për gjendjen e mjerueshme që po përjeton shoqëria në Kosovë, e sidomos njerëzit e artit e të kulturës, (shkrimtarë, piktorë, muzikantë, këngëtarë, aktorë) pa kurrfarë mbrojtjeje institucionale, të cilët sot janë kthyer në shtresën më të mjeruar të shoqërisë. Autori këtë cikël qëllimisht e ka vënë në fund të librit “Tek uji i zi”, për ta përmbyllur sintezën poetike dyzetvjeçare me një blasfemi trishtuese. Që në poezinë e parë “Kot” autori gjykon ashpër: “Dal në mëngjes nga apartamenti pa kurrfarë qëllimi /Dhe i dëgjoj këmbët që m’bartin nga duan ato vet’, /Asgjë s’m’bën përshtypje i mbuluar nga trishtimi /S’di, e bart unë kokën, apo ajo mua dika më shket!” Ky është fati i poetit në shekullin njëzetenjë që bredh kot rrugë më rrugë, kafene më kafene si somnambul nate apo si hutin që gjatë ditës nuk shikon, sepse as aty ku mendonte nuk gjen më prehje, meqë s’i duhet më askujt, andaj edhe është zhgënjyer me vetveten dhe me jetën, duke pohuar se “kështu na gjykon koha të përfundojmë në trishtim”. Tehu i shpatës bëhet më i mprehtë, më i hidhët, në poezinë “Jetë qeni”, ku, siç pohon poeti, lirinë e fituam, por humbëm kafshatën e gojës, kohë kjo kur fëmijët ta hedhin në fytyrë diplomën e universitetit e cila nuk u hyn në punë as për pastrues në UNMIK e EULEX. Tërë këtë mllef të një jete qeni, e shpreh në vargjet: “N’këtë blasfemi gjithnjë më e tmerrshme bëhet lufta /Mes pushtetit të parasë dhe tingëllimës së ëndërruar, /Vetëvrasjet s’ishin natyrë jona–pullazeve zbret futa /Mes atyre që ngrenë dhe lypsarëve n’pluhur muruar!”. Kjo frymë i përshkon edhe poezitë e lartpërmendura, ku si kurorëzim i gjithë këtij mllefi, këtij rebelimi, vijnë vargjet: “Kur arrin kulmin mllefi, shemb para vetes çdo gjë /Edhe ekrani i zi m’u duk se shembej mbi mua e Ju; /Vdekje kobzezë, kur ngrihet gishti e thotë: kurrë më /S’t’ndjek pasha tokë e qiell! Guri n’zemër nguju’!”, që mbyllin këtë cikël, e edhe këtë libër duke përmbyllur kështu sintezën poetike dyzetvjeçare të poetit Hasan Hasani.
Meqë vëllimi “Tek uji i zi” u hap me poezinë “Autoportret” të cilën e dhamë të plotë në fillim të këtij shkrimi, mendoj së po me këtë duhet mbyllur me poezinë me titull “Testament”, që nuk e di pse autori nuk e ka vu në fund të librit, por në faqen 123, në fund të ciklit të tetë. Kjo poezi paraqet tërë shpirtin poetik të Hasan Hasanit, kërkesat e tij ndaj vendasve të vet, ndaj atyre që ua kushtoi tërë veprimtarinë e vet më shumë së dyzetvjeçare përkatësisht me dyzet e tetë libra. Ky testament poetik i Hasan Hasanit shpreh gjithë synimet, gjithë dëshirat që ka ky fjalëzjarrtë i Dushkajës për t’u gjendur pas vdekjes pranë shokëve të fëmijërisë dhe bashkëvendave të vet në Shqiponjë.
Ja pra, testamenti poetik i poetit Hasan Hasani që nuk lë mundësi interpretimi. Ky është shkruar kuptueshëm, është i qartë si loti: “S’e di kur vdes, por n’shpirt diç m’rri strukur /Që nuk m’le të qetë as gjumin ta bëj gjumë, /Nuk di, jam duke u çirrur, apo duke u lutur /Brymë më rrëshqet ballit çurg-çurg e lumë! /Do të më gjykojnë ashpër miqtë e mi poetë /Si gjithherë që më quajtën nga pak arkaik, /U mundova t’u jepja gjak nga vargjet – jetë /I trishtuar dënimit, vajin n’buzë melankolik. /Çuditërisht m’tërheq dheu aty ku kam lindur /T’prehem i qetë me djemtë që sollën lirinë, /A do t’arrij kujtimet e ikura për t’i bindur /Dëshmitarë do ta marrë Myrtën dhe Sadrinë! /N’perëndim vitesh dhe unë kam një dëshirë /T’pushoj tok me ta që ndër vargje i skalita, /Tok me ta t’i përtërijmë bisedat sa më mirë – /Bisedat që bënim tinëz në Zabel dy-tre dakika! /Në pllakën e varrit t’m’i shkruajnë dy rreshta /Pasqyrë historie të një jete plot me trauma, /Dushkajës i këndova me gjuhë guri n’vreshta /N’brigje jete pa mëshirë përplasur nga furtuna!”