2012-05-27

“Nacional” është gazetë e elitës gjithëshqiptare dhe jo e një klani mediokrish








GAZETA “NACIONAL” PROMOVUESE E NJË LËVIZJEJE TË RE LETRARE si “Protonizmi”


“Kjo pra, është gazeta “Nacional”, që në Shqipëri, në Kosovë dhe rajon mbuloi zbraztësirën që lanë gazetat simotra:  “Drita” në Tiranë dhe “Fjala” në Prishtinë. Andaj, nuk është për t’u çuditur kur pohoj se gazeta “Nacional” hap një portë të madhe në mesin e një kështjelle, ku nga njëra anë hyjnë vlerat nga Tirana në rrugëtimin e tyre për në Prishtinë dhe nga ana tjetër, ato nga Prishtina për në Tiranë.
Pikërisht kjo ka bërë që lexuesit në Kosovë, ta presin ditën  e  hënë  para kioskave ku shitet gazeta “Nacional”. Në Prishtinë është i njohur qoshku para Radio Kosovës ku shitësi Ibrahim Gashi me një dashamirësi pret dhe përcjell krijuesit (shkrimtarët) që kthejnë ta marrin “Nacionalin”. Madje, ky burrë nganjëherë e ndien veten ngushtë, kur me ndonjë rast vonohet kjo gazetë.”

Shkruan: Shahbaze VISHAJ, Studiuese -Prishtinë


Gazeta javore, letrare, kulturore, politike “Nacional” (Tiranë) me plot gojën mund ta themi se përmbushë një kërkesë të rëndësishme të artit në përgjithësi në Shqipëri dhe në Kosovë. Edhe pse me moshë të re (sapo ka shkelur në vitin e katërt  të botimit), kjo javore letrare e kulturore bëri për vete shtresa të gjëra lexuesish të mirëfilltë, pra edhe krijuesish, ku publikojnë krijimet e tyre (shkrimet) nga fushat e ndryshme të artit në përgjithësi. Gjeografia krijuese që defilon nëpër faqet e kësaj gazete është e gjerë, është një hartë e përfaqësuar nga të gjitha llojet e krijimtarisë artistike: letërsi, muzikë, arte pamore, kritikë, shkencë, teatër, film, publicistikë e fusha dhe lloje të tjera të krijimtarisë, në radhë të parë nga bota shqiptare, e pastaj edhe nga ajo e përbotshme, apo siç quhet edhe botërore.
Duke shfletuar këta 131 numra të “Nacionalit” sa u botuan deri më sot, lexuesi ballafaqohet me një zgjedhje dhe redakturë ku dominon një frymë e re që përshkon artet në përgjithësi kohëve të fundit, e kjo lëvizjeje e re letrare në botë njihet me emrin Protonizëm. Nisur nga kjo filozofi, gazeta “Nacional” afroi dhe afron përherë vlera të dëshmuara artistike, duke na përballur me të arriturat më kulmore në secilën fushë të artit veç e veç, pra duke u nisur gjithnjë nga vlerat pozitive që afron poezia apo proza, kritika apo studimi, opera apo baleti, drama në skenë apo filmi në celuloid, piktura në pëlhurë apo skulptura në bronz e deri të intervistat e përhershme ku krijues të ndryshëm shprehin idetë dhe mendimet e veta për artin në përgjithësi.
Ky edhe është synimi i pozitivizmit në art, ku nëpërmjet vlerave pozitive ta përvetësojë lexuesin, ta edukojë shijen e tij vërtet për vlera të dëshmuara, për vlera të shëndosha, në mënyrë që të krijohet një frymë e re pozitive e të vlerësuarit dhe të shijuarit të arteve të bukura. E “Nacional” ia ka arritur kësaj. Po, po! Ia ka arritur me sukses të plotë. Autorët që defilojnë nëpër faqet e kësaj gazete shtrihen nga të gjitha viset shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Lugina e Preshevës dhe Diaspora. Pra, “Nacional” është gazetë gjithëshqiptare (jo e një grupi të ngushtë krijuesish e mendimesh dhe vlerësimesh për njëri-tjetrin), ku nëpërmjet të frymës protoniste mbillet cilësia, vlera, e bukura, e dashura… Kur them kështu, kam parasysh gjithë ato poezi e tregime të bukura, fragmente romanesh dhe reportazhe, vlerësimet për libra dhe ekspozita, qoftë me tematikë shqiptare, qoftë edhe botërore. Me këtë rast nuk po i përmend autorët e shumtë me emër dhe mbiemër, por vetëm paraqitjet e figurave dhe portreteve letrare të nobelistëve të letërsisë që prijnë në formimin e shijes së bukur, qoftë duke mbjell artin e vërtetë të leximit, qoftë duke interpretuar vlerat universale të artit në përgjithësi. Kjo pra, është gazeta “Nacional”, që në Shqipëri dhe në Kosovë mbuloi zbraztësirën që lanë gazetat simotra: “Drita” në Tiranë dhe “Fjala” në Prishtinë. Andaj, nuk është për t’u çuditur kur pohoj se gazeta “Nacional” hap një portë të madhe në mesin e një kështjelle, ku nga njëra anë hyjnë vlerat nga Tirana në rrugëtimin e tyre për në Prishtinë dhe nga ana tjetër, ato nga Prishtina për në Tiranë.
Pikërisht kjo ka bërë që lexuesit në Kosovë, ta presin ditën  e  hënë  para kioskave ku shitet gazeta “Nacional”. Në Prishtinë është i njohur qoshku para Radio Kosovës ku shitësi Ibrahim Gashi me një dashamirësi pret dhe përcjell krijuesit (shkrimtarët) që kthejnë ta marrin “Nacionalin”. Madje, ky burrë nganjëherë e ndien veten ngushtë, kur me ndonjë rast vonohet kjo gazetë. Kjo që po them nuk është ndonjë kurtuazi, por një dëshmi vlerash që brumos në vete gazeta “Nacional”, që lexuesit i bartë nga java në javë në udhëtimin drejt panteonit të artit dhe vlerave protoniste që brumosin faqet e “Nacionalit”. Këtë mund ta bëjë një gazetë dhe stafi i saj redaktorial pa paragjykime, pa dallime “krijues të mirë” dhe “krijues të këqij”; të këtij apo atij regjioni, të këtij apo atij grupi që mendojnë ndryshe nga çarqe e rrethe të caktuara. Falë Zotit, në letërsinë shqiptare, ka mjaft krijues duke filluar nga tradita, Rilindja apo letërsia në mes dy luftërave botërore, e pse jo edhe letërsia e fundshekullit të kaluar dhe të këtij fillimshekulli, ku dominojnë vlera të mirëfillta, që pasurojnë letërsinë tonë në përgjithësi me vlera universale.
Për fund, duhet të pohoj me plot gojën dhe ndihem e nderuar të them dy-tri fjalë a mendime për gazetën “Nacional”, pikërisht për numrin e ri të kësaj gazete, që i kushtohet një krijuesi të mirëfilltë, siç është Gjekë Marinaj, i cili në faqet e kësaj gazete solli (poezi, kritika dhe shkrime të tjera) me këmbëngulje një frymë të re të filozofisë protoniste në letërsi. Si promovues i kësaj lëvizjeje të re letrare në botë, e edhe te lexuesit shqiptarë. Kjo frymë e re e njohur me termin Protonizëm, shpresoj se do të shpërndahet gjithkah, ashtu si fryma (era) që ec nga lulja në lule, nga gjethi në gjeth, nga mendja në mendje, nga frymëzimi në frymëzim – duke u shndërruar kështu në një kopsht të vërtetë erërash aromatike që mbajnë në jetë njerëzimin dhe artin e së bukurës.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...