POEZIA SI AKT I QËNDRESËS DHE I PËRKUSHTIMIT ATDHETAR




Dr. sc. Besim MUHADRI:



Në vend të parathënies


Poezia e Brahim Avdylit erdhi në një kohë kur në artin poetik të Kosovës kishin shpërthyer edhe një numër krijuesish të talentuar, si Basri Çapriqi, Tahir Desku, Abdullah Konushevci, Milazim Krasniqi etj., të cilët sot janë bërë emra të shquar të letërsisë së gjithmbarshme shqiptare, jo vetëm si poet, por edhe si studiues dhe historianë letërsie.
Ndonëse që në moshën e hershme të rinisë i mërguar larg vendlindjes, larg atdheut, poeti Brahim Avdyli asnjëherë s’pushoi së krijuari dhe së vepruari si poet dhe si atdhetar. Në poezinë e tij, jo rrallë, ndihet pesha e mungesës së atdheut. Ai është i ngërthyer nga malli, dhimbja, por edhe vetmia dhe kujtesa që përshkohet nga një shqetësim përmanent, i cili më pas shkrihet në artin poetik të këtij poeti. Shpirti dhe mendja e poetit të mërguar, është e lidhur fort në idealin e çlirimit të atdheut dhe të bashkimit të trojeve shqiptare, të ndara padrejtësisht nga fuqitë e mëdha në fillim të shekullit të kaluar (XX).
I preokupuar vazhdimisht me këtë çështje, nuk është çudi se në pjesën dërrmuese të krijimeve të këtij poeti dominon tema e madhe e Atdheut, tema e mungesës së lirisë dhe tema e çlirimit. Poezia e Avdylit na del edhe si një poezi kushtrim, një poezi në të cilën dominon ideja e atdhetarizmës, ku sublimon ideali i lartë për një atdhe pa ndarje, në të cilën shqiptari do të jetonte me dinjitet të panëpërkëmbur në tokën e tij të mohuar.

Mërzia e këngës së shkruar larg atdheut

Sa të thjeshta, aq edhe komplekse, vargjet që ndërtojnë poezinë e Brahim Avdylit brenda vetes bartin një mesazh të fuqishëm poetik dhe atdhetar. Thjeshtësia dhe kompleksiteti i vargut të këtij poeti vërehet që në poezinë e parë me titull Opingave të mia, e cila i paraprinë librit të tij të parë “Nën hijen e Alpeve”. Poeti nuk mërzitet për atë që do të thonë poetët më me përvojë për këto vargje, të cilave “u vjen erë djerse e balte”, sepse ata, siç thotë ai “le të kërkojnë nëpër libra fjalë të mëdha”. Pra, siç shihet, kjo poezi shpalos “programin poetik” të Brahim Avdylit, i cili e merrr frymëzimin nga thjeshtësia dhe nga dlirësia e maleve të vendlindjes, përkatësisht nga Alpet e bukurua shqiptare, rrëzë të cilave shtrihet vendlindja e poetit. Këtu shihet ndikimi i poetit të Devollit, apo i “poetit të tokës”, siç është vlerësuar nga kritika letrare Dritëro Agolli. Ashtu si Agolli që “merrte me vete baltën e Devollit që ta sillte në Lidhjen e Shkrimtarëve”, ashtu edhe Brahim Avdyli merr me vete erën e djersës së punës dhe të baltës së Alpeve, për ta futur në poezinë e tij, sepse ai ishte i bindur se kjo do ta shpiente drejt suksesit, drejt cakut që synonte. Kjo do të thotë se poezia e Avdylit është një poezi e krijuar nga forca e tij origjinale krijuese.
Autenticiteti krijues e këtij poeti bën që vargu i tij të tingëllojë bukur, thjesht dhe shqip:

le të na pranojë kjo tokë
ku hapin e lëshojmë pa drojë
me estetikën tonë kryeneçe

shprehet poeti, pa çarë kokën nëse do ta pranonin apo jo poetët e tjerë pararendës.

Shqetësimi poetik i Brahim Avdylit është permanent. Vargu i tij tejet komunikues, është një varg i brumosur nga një figuracion i qëlluar poetik, në të cilin fshihet metafora e kërkimit të lirisë dhe ajo e çlirimit të tokës së tij, e kësaj pjese të gjakut të tij. Vargjet poetike të Brahim Avdylit, që nga libri i tij i parë, janë vargje që tingëllojnë qartë dhe që kanë mesazh dhe “mision” të caktuar: Atë të komunikimit me masën për të cilën shkruan. Poeti nga vargjet e tij kërkon trasnparencë. Kjo kërkesë nga krijuesi i tyre na del edhe si lutje që duhet të “zbatohet”:

A mund të komunikoni gjë me njerëzit
unë dhe koha ju gjymtojmë ngapak –
pjesët e copëtuara veç unë ua shoh

Për poetin vargjet “të cilave vetëm ai ua njeh pjesët e gjymtuara” janë torzo e shpirtit të tij, të cilat, si të tilla, e lëndojnë në shpirt, ngase nuk mundet t’ua falë bukurinë, për shkak të së vërtetës së hidhur, për shkak të një realiteti të njohur kohor, shoqëror e historik:

Kështu siç ju shoh
vetëm mua më lëndoni në shpirt
pse s’ua fala bukurinë –
e vërteta është e hidhur si vetë ju!

Në poezinë e Brahim Avdyli haset pikëllimi, përpjekja, vetmia dhe harrimi:

Faqeve të biblës së re
harrimi pikturon fytyrën

mendimet rrjetë marimangash
bardhësitë dergjen në vetmi

Poeti, në këtë rast është një vrojtues i përkushtuar i asaj që ngjan në brengën e kombit të tij, të shtërnguar si asnjëherë më parë nga prangat e ndryshkura të mesjetës. Kjo e bën poetin më të shqetësuar, me këmbëngulës në kërkimin e rrugëve që të shpiejnë kah liria e atdheut. Por nëpër këto rrugë ka vështirësi dhe pengesa që trupit të atdheut i bëhen gangrenë. Poeti i kthehet historisë, në të cilën fshihen tragjeditë e mëdha që vazhdojnë të përseriten në formë legjendash.
Në trupin e atdheut të poetit gangrena bën kërdinë. Lëndinat e lotëve rriten nëpër shekuj, derisa gjaku ynë mori botën në sy. Shpërngulja dhe braktisja e atdheut është një shenjë që tregon për tragjeditë që kishin pllakosur vendin e mbushur erozion. E gjithë kjo kishte ardhur për shkak të rënies në robëri të gjatë, qindravjeçare. Poeti është i vetëdijshëm për këtë, ndërsa koha kur ai “rrëfente” për këtë tragjedi ishte në kulmin e shtypjes. Poezia që trajton këtë temë (Përtej malesh), është një poezi e shkruar në vitin 1980, vetëm pak kohë para demonstratave të vitit 1981, të cilat siç dihet shënuan një kthesë të fuqishme në historinë më të re të shqiptarëve që në atë kohë jetonin nën ombrellën shtypëse të perandorisë jugosllave. Në këtë poezi vërehet guximi intelektual dhe krijues i një njëzet-vjeçari. Shfaqja me kaq vrull dhe guxim të papërmbajtur ishte një shenjë që në letrat tona po shfaqej një krijues që nuk do të ndalej, i cili në letërsinë tonë do të shënonte kthesa.
“Poezia e Brahim Avdylit, në radhë të parë, imponohet si poezi që sintetizon një përvojë të poezisë së përparshme, dhe, këtë arrin t’ia nënshtrojë individualitetit të vet prej krijuesi, sa nga ajo të nxjerrë një dimension të ri, përmasën e aktualitetit poetik”[1], do të shkruhej në kritikën e kohës, në kohën kur poeti ende nuk kishte dalë me libër, por që ishte prezent vazhdimisht nëpër faqet e periodikut letrar të asaj kohe.
Në këto kohë poeti shkruante dhe prekte atdheun nga larg. Si kurbetçar që ishte, ai e kishte të vështirë t’i shpëtonte mungesës së atdheut, qoftë edhe të robëruar. Kjo vetmi dhe mërzi, gati të shndërruar në klithmë mosdurimi, reflektohet edhe në poezi:

zgjas duart të të mbërrij –
gishtave të mi
pikon vetmia
heshtja vret fjalën e pathënë mbi buzë-

Larg atdheut poeti digjet dhe fiket si qiriu. Dielli në dhe të huaj ishte i akullt. Poeti i ri tashmë po përballej me të vërtetën e hidhur. Atë që e kishte mësuar dikur në literaturë, tani po e shijonte në shpirt e trup:

ka diell në botë
që ndrit e nuk të nxen...

Këto vargje të përngjajnë në një klithmë të dhimbshme që jehon e nuk dëgjohet, në rrugën “që të merr e nuk të kthen”. Megjithatë, rrugëtimi i poetit vazhdon. Forca e thirrjes së vendlindjes është më e fuqishme se sa forca e ndalesës së gjatë. Poeti kthehet në atdhe, në tokën “me plis të bardhë”, ashtu si heronjtë e baladave të moçme, që të ngjitet shkallëve të gjakut, me historinë e fjalës së kuqe dhe baladën e dashurisë së zhuritur.
Poezia e librit të parë poetik të Brahim Avdylit, “Nën hijen e Alpeve”, është një poezi plot mërzi kënge që shkruhet nga largësia. Në këtë mërzi largësie, të quajtur mërgim, poeti krijon vargje që të kujtojnë një poet në formim. Edhe pse të shkruara me zjarrin djaloshar të poetit të mërguar, ato janë vargje plot estetikë dhe meditacion poetik, që e bëjnë një poezi të qëndrueshme për kohën dhe reflektuese edhe për kohët që do të vijnë. Ndërkaq, libri i parë u mirëprit edhe nga ana e kritikës letrare. Njëri nga kritikët dhe bashkëkohësit e poetit, Milazim Krasniqi, në mes tjerash do të shkruajë: “Poezia e Brahim Avdylit më shumë është projektim i realitetit të jetuar, reagim gati spontan i tij si subjekt krijues ndaj gjendjes e situatave jetësore ekzistenciale sesa kërkim pas formave të realizimit të objektit të imagjinuar në tekstin poetik e karakterizon një notë e theksuar subjektive personale, por edhe një lirizëm efektiv, i cili e faktorizon unitetin ideo-stilistik të tekstit si tërësi”.[2]


Buka e kuqe dhe brumi i lirisë

“Brumi i lirisë” është titulli i poemës në të cilën poeti shkruan kundër dhunës, politikës hegjemoniste dhe diskriminuese të Serbisë. Me një fjalë, kundër terrorit shtetëror dhe krimeve të pafalshme të Jugosllavisë që ushtronte mbi popullin shqiptar. Aspak nuk janë të rastësishme edhe fjalët dedikuese, në të cilat poeti thotë se ia kushtoj të gjithë atyre që u sakrifikuan dhe u flijuan në altarin e lirisë.
Në vragjet e kësaj poeme, ashtu sikurse edhe në vargjet e shumë krijimeve të tjera të këtij autori ndihet pesha e vuajtjeve gjatë atyre ditëve të rënda që ranë pamëshirsshëm mbi shqiptarët e pambrojtur, tek të cilët sa vinte e rritej revolta e mosdurimit dhe vetëdija për të hequr zgjedhën e robërisë së gjatë:

Helmi i tyre
terapi e pazkontë-

sa shumë ta shtuan dozën
në palcën e durimit
rezistenca, qëndresa të rritej

Poeti, Kosovën, në brumin e ditëve të të cilës shtrigat vjellin helmin e urrejtjes, e koncepton si një “bimë që s’vyshket” dhe një “trung që s’thahet” apo edhe një “fjalë e pathënë gjer në fund”. Në trupin e atdheut poeti sheh plagë të panumërta dhe dhembje kënge . Poema “Brumi i lirisë” është një sintezë e fuqishme e një kohe, nëpër të cilën vërtitet fati i atdheut të poetit dhe i njerëzve të ndrydhur të tij. Ajo është një reprodukim real i gjendjes në Kosovën e viteve nëntëdhjetë të shekullit XX, të arritur gati në zgripcin e zhbërjes së saj.
Për poetin si një vrojtues besnik i atyre ngjarjeve, por edhe si një luftëtar i denjë i kauzës kombëtare “Kosova e thotë fjalën /pa iu dridhur buza/ dhe vdes/ te këmbët e mendimit të vet/ si para lterit”. Ndërsa të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë - shkrinë ngjyrën e gjakut me brumin e ditëve që po vijnë, që të gatuajnë me tërë qenien Bukën e Kuqe të Lirisë.

Refleksioni i shpresës së rizgjimit kombëtar

Në vitin 1992 Brahim Avdyli botoi vëllimin poetik me titull “Kur zgjohet Dodona”[3], një libër që vjen pothujase dhjetë vjet pas botimit të librit të parë. Ndonëse ishte shkruar shumë më herët dhe ofruar për botim po ashtu shumë vite më parë, ai arriti të shohë dritën e botimit vetëm në këtë vit, kur në skenën kombëtare dhe ata ndërkombëtare kishin ndryshuar shumë gjëra. Muri i Berlinit tashmë kishte rënë, por kishte rënë edhe regjimi komunist në Shqipëri. Federata jugosllave po ashtu kishte filluar të zhbëhej, ndërsa në hapësirën e kësaj perandorie, të quajtur edhe si burg i madh kombesh, kishin filluar luftërat. Autonomia e Kosovës po ashtu ishte suprimuar, ndërsa vendi kishte rënë në një shtypje dhe pushtim klasik të Serbisë dhe regjimit kriminal të Millosheviqit.
Ndonëse poezitë ishin shkruar vite më parë dhe për shkak të arsyeve subjektive libri nuk ishte botuar, shihet se poezitë e këtij libri janë të përshkuara nga sekëlldia e mërzisë dhe e mallit për atdheun. Poeti ende është larg atdheut dhe në vargun e tij gjithmonë mungon apo mbetet diçka e pathënë. Ai tashmë kishte zgjedhur të shkruante për një diçka që i kujtonte historinë e harruar dhe të nëpërkëmbur siç ishte Dodona. Për këtë qendër të rëndësishme kulti, ndër më të vjetrat e pellazgëve, e shkatrruar dhe e humbur gjurmësh me shekuj të tërë, për të cilën kishin shkruar shumë autorë të lashtë, që nga antikiteti e këndej. Brahim Avdyli i kthehet kësaj teme të madhe, e cila mund të konceptohet edhe si tema e rizgjimit të kujtesës sonë historike. Tema e Dodonës dhe e zgjimit të saj nga legjendat e mbuluara nga pluhuri i harresës, është një nga temat rrallë të trajtuara në atë kohë, prandaj Brahim Avdyli mund të konsiderohet ndër të parët që trajtoi këtë temë, apo i cili iu rikthye trajtimit të saj. Kthimi në temën e zgjimit të Dodonës, ngërthen në vete rikthimin në tema me rëndësi në një kohë relevante të historisë sonë.
Përmes metaforës së zgjimit të Dodonës, poeti shpërfaq simbolikën e lirisë së humbur dhe atdheut të nëpërkëmbur. Poezitë e vëllimit poetik “Kur zgjohet Dodona” janë poezi që të ngjallin asociacione të larmishme artistike. Trajtimi i temave të veçanta, përzgjedhja e figuracionit poetik si dhe guximi prej poeti tashmë të formuar, janë elemente që shoqërojnë në vazhdimsi poezitë e këtij vëllimi. Poeti është në kërkim të asaj që është zhdukur dhuntisht nga të tjerët, për të fshehur një të vërtetë të madhe, siç është përcaktimi i etnogjenezës së shqiptarëve:

Që shtatë shekuj shtoj e heq
Të njëjtën Dhembje, Shpresë

Apo:

Bota! Fjalë absurde bota!
Shpeshherë më doli si dredhë për ty

Dhe pyet:

Athua
pas sa dredhash do të dalësh në dritë

Poeti është në kërkim të asaj që ishte zhdukur, që ia kishin marrë, grabitur pa të drejtë. Këmbëngultësia e poetit që të gjejë dhe të shfaqë në siperfaqe atë që ishte zhdukur me shekuj, është një përpjekje sizifi, në një kohë kur ndrydhej mendimi. Zbulesa poetike e Avdylit është më tepër se një dilemë dhe thirrje për të ecur në rrugën e pandalur të kërkimit të lirisë së humbur. Të rikthimit dhe të bashkimit të tokave të ndara shqiptare nga fuqitë e mëdha. Plaga e ndarjes dhe e zhbërjes së atdheut fshihet edhe brenda metaforës së quajtur Zgjimi i Dodonës, me zhdukjen e së cilës, njerëzit ndërruan emra, kahet dhe ëndrrat:

Fryen rrugëve të Dodonës
erë e marrë,
baltë e dhe hodhi mbi lulkuqe

Dodona është shpresa dhe dhimbja e poetit. Është pikëllimi i madh dhe humbja e dinjitetit kombëtar për shekuj me radhë:

Njerëzit
iknin nga qyteti
njerëzit vdisnin të vetmuar


Urat e gurit
përditë ngapak i shembeshin në gji
nën karvanet e dhembjes...

Poezia “Kur zgjohet Dodona” është shkruar në vitin 1978, në njëqindvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë kohë poeti ishte vetëm 18-vjeçar. Poezia e tij, si për nga tematika, formulimi i saj artistik, por edhe për nga mesazhi i qartë që bartë me vete është një poezi që të kujton se është shkruar nga dora e një poeti me përvojë krijuese e jetësore, sado që poeti ende ishte në fazën e parë të krijimtarisë. Vetë tema të cilën e zgjedh për trajtim, flet për një diçka të humbur që moti, e cila po zgjohej. Po ripërtrihej. A s’ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit një zgjim i vetëdijes së fjetur të shqiptarëve, një Dodonë e zgjuar dhe e shpluar nga thellësia e shekujve. 100-vjetori i kujtimit të kësaj ngjarje, ishte një tjetër zgjim i shqiptarëve të Kosovës, që u pasua nga kërkesat e tyre për liri, vetëvendosje dhe pavarësi.

Rikthimi në fillimin e një kënge

Brahim Avdyli vazhdmisht është në kërkim të lirisë. Klithjet e tij, qoftë “në mesnatë” apo edhe në pikë të ditës, janë klithje që kanë kuptim. Mesazhi i tyre është një mesazh i bukur, një mesazh për brezat. Poeti, shpesh i dëshpëruar, pi kupën e hidhur të vetmisë. Vetmia atë e bren si një erozion tronditës. Dhe në mes kësaj vetmie tronditëse, i kthehet poezisë, ashtu si i dehuri që i kthehet gotës së ngushëllimit:

I zemëruar kthehem te ti, poezi
Se gjëra të ëmbla
Të t’i dhuroj s’kam

I rënë gati në dëshpërim, poeti mezi arrin të përballojë aktin e quajtur krijim. Poezia e tij sikur ngarkohet me bagazhin e një krijimi dëshpërimi, që i vjen në momentin kur ai mendon se pak kishte bërë për vendin, për tokën e tij. Këtë mesazh kanë edhe vargjet:

Kurrë s’thamë tërë atë që u desh
kurrë s’e mbrojtëm tërë atë që u tha

Ndërkaq, shprehja metaforike:

Lisat e mendimeve të mia
Po i shkundin gjethet e iluzioneve të zverdhura

shpërfaq trishtimin e poetit para realitetit jetësor e kohor. I ngopur nga mungesa fizike e atdheut, i ndrydhur diku në skutet e vetmisë e të dhimbjes, poeti mbushet trishtim. Në mes këtij trishtimi, atje në vetminë e të mërguarit, dhembja bëhet edhe me madhe, atëherë kur poetit i vriten vëllezërit, frymëzuesit e idealit të tij: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të cilët siç dihet u vranë në acarin e natës së 17 janarit të vitit 1982. Vargjet që poeti shkruan për këtë tragjedi shqiptare, të vrasjes së tre patriotëve në zë, janë vargje që të kujtojnë humbjen e kolosëve të mëdhenj. Edhe kjo poezi, e shkruar në një kohë të caktuar, të kujton guximin intelektual, por edhe përkushtimin atdhetar të poetit, që mund t’i kushtonte edhe me eleminim fizik.
Por, pa dyshim, një nga krijimet më relevante të Brahim Avdylit është edhe poema Pasqyrë përgjakur, që ngërthen në vete shpirtin e poetit, të shpërndarë në njëmijë letrat dërguar atdheut. Në kohën kur Kosova digjej “për një fitil drite”, poema në fjalë është edhe një rikthim në fillimin e një kënge; në fillimin e një tragjedie, të një dhembje dhe të një plage.

Një copë bukë e një bratwurst
Një kafshore e një mendim
Një kafshore dhe një dhembje më shumë
Një dhembje e një det hapsire
As ta përtyp as ta vjell
Dhembjen e pafund!?

Shtrohet pyetja: Pse e tërë kjo dhembje, kjo vetmi dhe e tërë kjo ndrydhje shpirtërore e poetit. Poezia e Avdylit sikur lëngon pashërueshëm në shtratin e dhembjes dhe të vetmisë individuale, por në tërë këtë vetmi fshihet edhe dhembja dhe vetmia kolektive. Fati i poetit është i lidhur me fatin e mërgimtarit shqiptar që bredh nëpër botë për një kafshore buke, të cilën siç e thotë, s’e lënë ta përtypë. Fati i poetit është një fat i pazgjidhur, një nyje e lidhur që kërkon vazhdimisht zgjidhjen e saj. Poeti është kërkues i gjetjes së kësaj zgjidhjeje që i thonë LIRI. Dhe klithma :

O burra ,
E çka mbeti tjetër pos për të vdekur për liri

është një klithmë jo vetëm personale e tij. Sepse liria është synim i përhershëm edhe i kolektivitetit dhe ajo ndihet në tërë poezinë e këtij poeti, që mund të cilësohet edhe si poet i lirisë apo poet i klithmave për liri.
Poezia e Brahim Avdylit i kthehet edhe të kaluarës. Jo rrallë ajo është edhe një përkujtimore, e cila troket tingëllueshëm në kujtesën historike. Poema “Bisedë me nëntorin”, është një sintezë e fuqishme e rrjedhës sonë historike. I asaj që ka ndodhur dhe i asaj që do të ndodhë. Poeti kujton nëntorin e parë, atë të ardhjes së Skënderbeut në Krujë dhe të bashkimit të shqiptarëve në luftë kundër pushtuesve:

Ti qindra herë na erdhe
por ne s’korrnim pos zhgënjimin
fletëve tua të vyshkura,
Ndaj s’të numëronim

Apo

Ne ishim ata pipa
Që nga trungu i shekujve të prisnim
Gjithmonë me rrema të thyer

Është një poemë sintezë, siç e thamë edhe më lart, e historisë shqiptare, i asaj të resë dhe të vjetrës. Nëntori i parë për poetin erdhi “mbi shpatën e zhveshur të rrezeve të kuqe”. Herën e dytë ai “erdhi i ngutshëm”, sepse sipas poetit “spatëm kohë t’i mbledhim të gjitha cuklat e jetës”.
Arsyen e kësaj “ngutje” të ardhjes dhe të pranimit kështu të këtij nëntori, që nënkupton shpalljen e pavarësisë së gjysmës së Shqipërisë, poeti e sheh te rreziku që i kanosej vendi për zhbërje. Prandaj ai erdhi ashtu, sepse:

Duhej të ngrehnim kasollën e së nesërmes
Sa për të pasur vend
Për sofrën e dashurisë
E djep
Të rilindeshim sërish.

Nëntorët e tjerë, ata që s’i numëron, në poemën e Avdylit janë nëntorë që vijnë me dy fytyra. Ata të cilët nuk kanë rëndësi, sepse nëntori i vërtetë, i treti, për poetin do të jetë ai i cili do të sjellë aktin e shumëpritur - aktin e ribashkimit të trojeve të ndara padrejtësisht. Akt të cilin poeti e paralajmëron që në krijimin e tij të pagëzuar “Zgjimi i Dodonës”:


E kur të të sjellim të denjë
Me kurorën e rrezeve
Nëntor i tretë do të jesh

Kështu shpreson poeti, shpirti i të cilit zhuritet larg atdheut. Madje në këtë zhuritje, ai i drejtohet Kosovës:

“Mjer ai që vdes pa lirinë tënde!”

Që është një varg, i cili tregon përmasën e përkushtimit atdhetar të Brahim Avdylit:

Heu larg teje Kosovë
Zemra digjet si ashka mbi gur
Mjer ai që i largohet hijes së lisave tu
Që s’e ndien erën e barit tënd
Që s’di për buzëqeshjet e rralla
Të hënës mbi mal,
E që s’e mat dheun
Me trupin, me këmbën me gjakun e vet
Mjer ai që vdes pa lirinë tënde

Këto vargje të Brahim Avdylit, të shkruara me loçkën e zemrës, të kujtojnë një poet që poezinë e ka vokacion të vetin shpirtëror, përmes së cilës shprazë ndjenjën e zemërmit, përkushtimit dhe të kushtrimit. Brahim Avdyli është një poet që nuk mund të heshtë para mesjetës së vonuar, që do të thotë para paradokseve kohore dhe historike, të cilat janë një gangrenë e pashërueshme për popullin dhe atdheun e tij. Kuajt e hazdisur të mesjetës rrapëllojnë me patkonjtë e tyre të rëndë. Ata vijnë në tokën e poetit dhe shkelin rëndë-rëndë, ashtu si vetë robëria. Ata në poezinë e këtij poeti simbolizojnë të keqen, dhunën: policinë serbe. Prandaj poeti tëreq vëretjen:

Kujdes po vijnë!

Poezia e Brahim Avdylit mban vulën e një poeti me koncept të formuar dhe të veçantë, që e dallon gjithsesi nga poetët e brezit të tij. Ndonëse i ndikuar nganjëherë nga poetët e tij të preferuar, ai asnjëherë nuk është mbetur rob i ndikimeve, sepse rruga krijuese dhe ajo e formimit të tij si poet ka qenë një rrugë krejtësisht tjetër nga ajo e pararendësve të tij.
Duhet të themi se poezia e Brahim Avdylit në tërësi, prandaj edhe kjo e këtyre katër librave, në veçanti është një poezi e brumosur me ndjenjën e të shkruarit larg atdheut. Pesha e mallit dhe e dashurisë për atdhe për këtë poet të talentuar janë akte të një drame të dhimbjes e të qëndresës artistike të shkrirë në shiritin e artit poetik që mban vulën e një poeti e të një atdhetari të dëshmuar, të lidhur fort me fatin e atdheut e të kombit.


-----------------------



Poeti i madh shqiptar Brahim Avdyli  takon plejadës së krijuesve të fundviteve shatëdhjetë dhe fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX).

Lindi me 05 shtator të vitit 1960 dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në një vend me tradita kulturore dhe kombëtare. Që në vitet e hershme të rinisë jai  pati dy prirjeve të veçanta: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e popullit shqiptar.

Ndër të parët është  vënë në krah të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në mes viteve 1990-1995 ka botuar revistën periodike gjithëshqiptare në Zvicër „Qëndresa“ dhe ka qenë Kryeredaktor i saj.
Shkollën fillore „Ganimete Terbeshi“ e ka kryer në Morinë dhe në Ponoshec, sikurse gjimnazin „Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe në Gjakovë me rezultat të shkëlqyeshëm.

Fakultetin Filologjik e ka kryer në Universitetin e Prishtinës në Prishtinë, Drejtimi i Letërsisë dhe i Gjuhës Shqipe .Është  Profesor i Letërsisë.

Pas Universitetit ka kryer kursin pasuniversitar në Akademinë Diplomatike Shqiptare për Maradhëniet Ndërkombëtare dhe Diplomacinë dhe ka filluar studimet pasuniversitare në Universitetin e Strugës, Fakultetin e Shkencave Politike, Drejtimi i Maradhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë, me ç`rast i ka përfunduar dhe ka mbrojtur temën e magjistraturës në lëminë e mërgatës shqiptare të Zvicrës....
Është  anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës (SHKSHZ), etj. si dhe anëtar i Autorëve të Zvicrës (AdS).

KA BOTUAR KËTO LIBRA:


-“Në hijen e Alpeve”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983,
-“Buka e kuqe”, poemë, Atdheu, Cyrih, 1990,
-“Kur zgjohet Dodona”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992.
-“Pasqyrë e përgjakur”, poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994,
-“Klithje nga fundi i ferrit”, poezi, Onufri, Tiranë, 1997,
-“Gjuha e dheut tim”, poezi, Albin, Tiranë, 1999,
-“Klithje nga fundi i ferrit”, b.i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000,
-“Baraspesha e humbur”, poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003,
-“Vragat e një kohe”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005,
-“Lëvozhga e vdekjes”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007,
-“Setele Vesniciei”, p. të zgjedhura, BKSH, Bukuresht, 2008,
-“Zogu i këngës”, p. të zgjedhura, “Pjetër Bogdani” Has, 2009.
-„Mërgata shqiptare
e Zvicrës dhe roli i saj“, v.politike „Brezi `81“, Prishtinë, 2011

ËSHTË PREZENTUAR EDHE NË KËTO LIBRA:

-„Rrjedhë e lë gjurmë“, poezi e studentëve të Kosovës,
Bota e Re, Prishtinë, 1983,
-Nebil Duraku:
„Shkrimtarët e Kosovës, 1945-1985“,
Rilindja, Prishtinë,1985,
-„Poezia dal Kossovo“, Antologji e poezisë kosovare,
Besa Editrice, Nardò (Lecce), Itali,1999,
-Hasan Hasani:
-„Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar, 1501- 2001“,
Faik Konica, Prishtinë 2003,
-„Vulcanul rabdarii/Vulkani i durimit“,
Poeme traduse in limba romana de Baki Ymeri,
Editura Do-Minor, Bukuresti, 2008,

KA MARR DISA  SHPËRBLIME  NË PËRËNDIM:

-Kam  zënë vendin e dytë për poezinë më të mirë të botuar në konkursin letrar me rastin e 28 Nëntorit 1997, „Zëri i Kosovës“, LPK.

-Ka marrë vendin e parë „Pena e Artë“, në takimet pranverore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001.

-Ka marrë shpërblimin e parë “Agim Ramadani” në Konkursin pranë Qendrës Kulturore Shqiptare për poezi në Cyrih të Zvicrës, me 25 prill 2009.

-Ka marrë shpërblimin e dytë për poezinë më të mirë në Konkursin Letrar, me 01.5.2010, në Orën Tradicionale Letrare të LSHAKSH-së, në Koblenz të Gjermanisë për Pavarësinë e Kosovës dhe shpërblimin e Parë për poezinë më të mirë në Konkursin Letrar, me 25.4.2011, në Orën e Madhe Letrare të së njëjtës „Lidhje…“, në Koblenz të Gjermanisë…

NJË SHPËRBLIM I PAMARRUR:

Libri i tij poetik „Në hijen e Alpeve“, ka hyrë në zgjedhje të ngushtë për shpërblimin „Hivzi Sylejmani“, që filloi të jepej në vitin 1983 për librin më të mirë të autorëve të rinj.

Në zgjedhje përfundimtare kanë qenë tre poetë: Milazim Krasniqi, Basri Çapriqi dhe Brahim Avdyli.

 Shpërblim  e mori  poeti Basri Çapriqi nga Ulqini.

Floripress:Flori Bruqi

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)