2020/05/22

"Arti" i shpifjes....



“Arti” i shpifjes….


Ca gjallesa me dy këmbë, emrat e të cilave më vjen ndot t’i përmend, më sollën në kujtesë tablonë e piktorit të njohur italian të periudhës së Rilindjes Sandro Botiçeli (Sandro Botticelli - 1445-1510), që e pati krijuar në vitin 1495. Ajo pikturë mban diçiturën “Shpifja” (Colunnia). 

Fillimisht ajo i qe kushtuar mikut të tij Antonio Senji (Antonio Segni).

 Subjekti i tablosë e ka zanafillën në traktatin e satirikut të lashtë grek Lukiani (Lucian - 120-180 e.r.) me titull “Për shpifjen”.

 Në atë traktat përshkruhet tabloja e piktorit të lashtë grek “Apelesi (Apelles - 370-306), mik i Aleksandrit të Madh (Alexander the Great -- 356-323 p.e.r). 

Subjekti i saj është i thjeshtë dhe alegorik: mbretit Midas, të ulur në fron, në veshët e tij si të gomarit i pëshpëritin dy figura që pasqyrojnë në mënyrë alegorike Padijen (Injorancën) dhe Dyshimin. 

Shpifja - një vajzë bulkuroshe kjo me pamje pafajësie - dhe nxitësja e saj Smira (Keqdashja, Lakmia) po tërheqin drejt mbretit të akuzuarin. 

Pranë Shpifjes ndodhen shokët e saj - Pabesia dhe Mashtrimi që e përkrahin dhe e lavdërojnë.

 Diku në largësi artisti pikturon figurat e Pendimit, të veshur me petkat e zisë të një plakusheje, dhe të së Vërtetës lakuriq me sytë nga qielli.

Prandaj, i dashur Profesor Flori, mos u shqetësoni as ju, as Profesor Skënderi se “arti” i shpifjes ka lindur që asokohe kur njeriu është krijuar mbi tokë.

 Shpifja u ngjan ujërave të pista të llagëmeve të ndotura pas një shiu me fërtoma, përballë malit hijerëndë që ngrihet në largësi. 

Por shpifësit duhet të kenë parasysh proverbin e bukur të gjuhës shqipe “ç’bën në det, e gjen në kripë”, që do të thotë: e keqja që kërkon t’i bësh tjetrit, do të vijë një ditë e do të të bjerë mbi kokë.


Me respekt të veçantë ndaj jush.


Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri,Ph.D



Kolumbus, Ohajo




23 maj 2020


No comments:

Post a Comment

BASHKEKOHESIT E FLORI BRUQIT NJE KEMBANE ZGJIMI

Search inside image ZEF PERGEGA “I dashur Flori. Ju percjelle urimet me miqesore per daljen ne drite te librit “Flori Bruqi ne shenimet e ...