Seks, drogë dhe miliona dollarë. Takim me Jordan Belfort, ujku i vërtetë i filmit të Scorseses
Ujku është 51 vjec, nuk prek alkool dhe drogëra prej 17 viteve dhe jeton në një vilëzë normale pranë plazhit të Hermosa Beach, në mes të një shumëllojshmërie vrapuesish dhe ciklistësh. Eshtë truplidhur, muskuloz (“luaj shumë tenis” thotë), i shoqërueshëm dhe flet shpejt, me ritmin e famshëm njujorkez. A doni të dini nëse i ngjan Leonardo di Caprios, alter egos së tij në filmin “Ujku i Wall Street-it”? Mjaftueshëm. Sigurisht, Di Caprio është më i pashëm. Por shumë gjëra janë të ngjashme – që nga flokët, tek shikimi, dhe mbi të gjitha e folura – me Jordan Belfortin, protagonistin e vërtetë të historisë. “Me Leon kemi kaluar qindra orë së bashku… Tani ai më njeh më mirë se sa njoh unë veten time”.
Filmi, me regjisor Martin Scorsesen, është tashmë në krye të klasifikimit për të ardhurat në të gjithë botën dhe Leonardo Di Caprio ishte një ndër kandidatët më kryesorë për fitimin e cmimit Oscar si aktori më i mirë. Historia është kjo: një djalë i shkathët, në mesin e viteve tetëdhjetë bëhet pjesë e Wall Street-it dhe krijon një kompani broker-ësh (ndërmjetësuesish), punëson mijëra vetë, të cilët përmes receptorit të telefonit u shesin mijëra aksione të mirë dhe më pak të mirë klientëve të pavetëdijshëm. Kur aksionet më pak të mirë (mbi të cilët kanë investuar ata vetë) arrijnë një nivel të caktuar, e shesin pjesën e tyre, dhe i lënë “thatë” investitorët. Cfarë duhet bërë me milionat e fituara? Djaloshi, Belfort, blen shtëpira, Ferrari, helikopterë, jahte, paguan një ushtri me prostituta, jeton me kokainë dhe dhjetëra drogëra të tjera (“vetëm ajo që merrja unë do të mjaftonte për të “cambalazhuar” Guatemalën”), riciklon para në Zvicër, kapet nga FBI, vendos të bashkëpunojë, disintoksikohet, bën dy vite burg, pranon të rikthejë (me qetësi) 110 milionët tek viktimat, dhe shkruan kujtimet e tij, pikërisht me titullin “Ujku i Wall Street-it”.
Libri del në vitin 2007 dhe është një sukses i vogël letrar (vazhdimi i “Zjarri i madh i kotësive”, Tom Ëolfe, 1987, romani i parë që bëri të njihet bota e Wall Street-it). Martin Scorsese blen menjëherë të drejtat. Filmi i tij është një tronditje e vërtetë: seks, para dhe kokainë sic nuk ishin parë asnjëherë në kinema. Në zyrën e Belfortit – kur festohet një objektiv i arritur – një e thithur kokaine është gjëja më normale dhe të punësuarit e thithin prej gjokseve të prostitutave, ndërsa shefi e thith nga anusi. Një e punësuar pranon që të qethet zero në publik, në këmbim të dhjetë mijë dollarëve për të paguar silikonin. Merren me “qera” dy xhuxhë për t’i lëshuar kundër një kundërshtari në një festë. Askush nuk ka qëndruar indiferent ndaj filmit të Scorseses. Akuzat: është seksist, maskilist, vulgar përtej cdo limiti, por mbi të gjitha e paraqet këtë qenie të përcmueshme si një hero, një model. Entuziastët: është art i pastër, sic ishte Goodfellas, sic ishte Tony Soprano. Nuk bëhet kinema me moral, bëhet me realitetin. Scorsese është Balzaku i shekullit 21.
Dhe ja pra, një intervistë me protagonistin e vërtetë, për të folur për gjithë këto. Ujku i vjetër, i ulur në divan, me fotografitë gjigande të fëmijëve në mure dhe me ujë, vetëm ujë në frigorifer. Njeriu që ka kuptuar gabimet e tij, është hedhur në hithrat e botës së korruptuar.
Keni qenë vërtetë i tillë, si në film?
Po, Scorsese dhe Di Caprio kanë bërë një punë fantastike. Isha pikërisht kështu. Në Wall Street, 80 përqind punojnë vetëm falë kokainës. Të gjithë duan pasurinë. Mua më kanë pëlqyer gratë e bukura dhe doja gjithmonë e më shumë.
E nisim nga fillimi?
Ok. Familje e varfër, por e kulturuar, fillimisht në Bronx e më pas në Brooklyn. Shumë libra në shtëpi, në darkë ime më më thoshte: “Studio, do të bëhesh një mjek i madh që do të kurosh kancerin”. Ndërsa unë doja të bëhesha i pasur. E shihja pasurinë mu mbrapa qoshes, dhe e doja dhe unë. Isha mirë në shkollë, por zbulova që dija të shisja. Gjatë verës shisja akullore në plazhin e Coney Island, fitoja 500 dollarë në ditë. Afrova nja pesëdhjetë djem të rinj, shisnin bizhuteri. Më tej gjevrekë. Bizhuteri, gjevrekë dhe akullore. Me ato para shkova në universitet, u diplomova në biokimi. Më pas u rregjistrova në stomatologji. Që në leksionin e parë profesori më tha: “Duhet të të paralajmëroj që kohët e arta për dentistët kanë marrë fund”. U largova menjëherë. U pranova në LT Rothschild në Wall Street, roli im ishte ai i ndërlidhësit. Ose më saktë, duhet të rrija në telefon gjithë ditën dhe të arrija ta coja klientin tek marrësi (jo sekretaria). Në atë pikë, thosha: “Po ju kaloj shefin tim”. Dhe ai propozonte investimin dhe kryente marrëveshjen. Shefi im tërhiqte kokainë me hundë në publik, mbante këpucë me lëkurë krokodili, kishte një Rolex shumë të shtrenjtë prej floriri dhe fitonte 2 milionë dollarë në vit, mes bonuseve dhe komisioneve. Ishte një shkollë jete e jashtëzakonshme. Gjithcka mori fund të hënën e zezë të vitit 1987. Por në të vërtetë pikërisht aty nisi fati im.
Përse?
Sepse unë kam një talent natyral. Di të shes. E njoh psikologjinë e njerëzve, e di si të fitoj kundër frikës së tyre për të blerë. Krijova kompaninë time – e famshmja Stratton Oakmont dhe nuk thirra profesionistë, por të rinjtë e grupit të adoleshencës sime. Ashtu si unë, bij të popullit, asnjëri me diplomë. Donim të bëheshim të pasur. E c’të keqe ka këtu? Sot, unë e di mirë që njerëzit në Wall Street janë më të përcmuarit në botë. Por nuk ndodh sepse fitojnë shumë, apo që kanë gjithë ata përfitime dhe bonuse.. Jo, jo. I urrejnë sepse kanë shkaktuar humbje të parave të klientëve të tyre. Nëse i bën të fitojnë, nuk të urrejnë, jini të sigurtë. Unë kam ndihmuar shumë njerëz të fitojnë para. Për fat të keq në fund kam shkaktuar edhe humbje për shumë njerëz, mu desh ta lë presidencën e kompanisë. Por Stratton nuk ka qenë asgjë krahasuar me kolosët e mëdhenj, me mashtrimin e të famshmeve “subprime”, me Lehman Brothers, me Bernie Mahdoff. Kur mendoj që, atëherë kur më arrestuan mua ai doli në televizion dhe tha që isha delinkuent! Ta ndajmë një herë e mirë: nëse unë të premtoj një titull në bursë dhe të them që fitimi është 25%, edhe ti e di mirë që është me risk. Apo gabohem? Dhe unë kisha një klientelë popullore, nuk kisha të pasurit. Në film, Leo flet në mikrofon, sic bëja unë, dhe ulëret: “Tani u shesim titujt e mirë, u shesim IBM, dhe kur t’i kemi mbërthyer, u shesim mut!” Ja, unë këtë nuk e kam thënë asnjëherë, është një sajesë. Madje ne u dërgonim letra klientëve ku u thoshim që është me risk.
Epo tani, Z. Belfort. Ju keni kuotuar në bursë një kompani të panjohur këpucësh mode, keni bërë të gjithë klientët tuaj që të blejnë aksionet, dhe në tre minuta keni fituar 28 milionë dollarë, më pas keni shitur aksionet tuaja, titulli u rrëzua dhe ua keni hedhur klientëve tuaj. Apo jo?
Eshtë disi më e ndërlikuar, por të themi që kështu ndodhi. E pranoj. Shikoni, jam unë i pari që them që është gjithë sistemi që nuk funksionon. Paraja, pasuria, lakmia kanë shumë rëndësi. Unë jam i pari që jam zënë në kurth. Gjithcka ndodh shumë shpejt, ka shumë intensitet. Duhet të ndryshojnë rregullat, nuk është e drejtë që një ndërmjetës të ketë bonuse milionësh vitin e parë, sepse kjo e shtyn të bëjë operacione të paligjshëm për të cilët më pas do ta paguajë. E ka bërë mirë Goldman Sachs që hoqi bonuset për harkun e pesë viteve. Eshtë e drejtë. Por mbetem me idenë që të shesësh një produkt të mirë – dhe duhet të jetë i mirë – është një sistem i mirë për të nxjerrë jetesën.
Z. Belfort, a jeni një i penduar ju?
Burgu më ka bërë mirë. E di që kam qenë budalla, i kam dhënë shumë peshë parasë. Shikoni, edhe në mesin e gjithë atij luksi, nuk isha i lumtur. Doja vajzat më të bukura, makinat më të bukura, por nuk isha i kënaqur. Jam më i kënaqur tani. Jam mësime teknika shitjeje. U shtoj vlera njerëzve, është gjë e mirë. Jam më i kënaqur sepse arrij të realizoj dicka, e kuptoni? Bëj, transformoj. Më pëlqejnë ata njerëz, si tek Google apo Apple që bëjnë produkte të bukur dhe të dobishëm për njerëzimin, dhe nëse pastaj vjen fitimi, mirë se të vijë. Ndërsa këta të Occuppy Wall Street unë nuk i kuptoj fare. Për mua janë budallenj. Vendosin cadra dhe kërkojnë punë. Por shkoni të punoni, u them unë! Amerika është në gjendje t’u ofrojë punë të gjithëve, shikoni rastin tim. Dhe aspirata për pasurim nuk është vetëm legjitime, është e drejtë. Unë e pranoj, e kam ekzagjeruar. Kam bërë shumë gabime. Për shembull, ajo ideja që të dërgoja paratë në Zvicër. Isha naiv.
Z. Belfort, ju a konsideroheni një tradhëtar? A ka ndodhur ashtu si thuhet në film, që FBI vendosi një mikrofon të fshehur për të kapur të gjithë?
Po, ashtu ndodhi. FBI kërcënoi se do të arrestonte gruan time, që nuk kish fare punë. Eshtë e vërtetë që për ta shpëtuar, pranova mikrofonin. Por është po kështu e vërtetë që i dhashë në dorë ortakut tim, Danny një pusullë ku i thosha: “Mos fol, kam mikrofon”. Dhe është e vërtetë që ishte pikërisht Danny ai që foli. Eshtë gjithashtu e vërtetë që ktheva ato para që mundesha, 110 milionë, por ortaku im Danny nuk ktheu mbrapsht asgjë, ka një kompani që furnizon të gjithë spitalet e Floridës, një llogari bankare me 6 milionë dollarë në Majemi. Më mirë për të. Dhe më mirë për të gjithë të tjerët e Stratton Oakmont, që ia hodhën paq. Por nuk do të ribëja asgjë. Kam kuptuar që kam gabuar. Paraja në vetvete është një gjë e tmerrshme!
No comments:
Post a Comment