Cfarë po ndodh në Skoci?

Andrew Black
BBC
scot 1Në 18 shtator, votuesit në Skoci do të pyeten në një referendum, nëse duan që kombi të shpallet i pavarur nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar
Përse po ndodh?
Partia Kombëtare Skoceze, qëllimi kryesor i të cilës është pavarësia, fitoi me shumicë zgjedhjet e vitit 2011 për parlamentin skocez, gjë që u dha atyre mandatin për të kërkuar dhe arritur votimin për pavarësinë.
Ditën e referendumit, votuesit në të gjithë Skocinë do të shkojnë në kutitë e votimit për t’iu përgjigjur Po ose Jo pyetjes: “A duhet që Skocia të jetë vend i pavarur?”
Argumentat pro dhe kundër
scot 2Qeveria skoceze, e udhëhequr nga Ministri i Parë, Alex Salmond thotë se Unioni 300-vjeçar nuk i shërben më qëllimit dhe se një Skoci e pavarur, e ndihmuar prej pasurisë nga nafta, do të ishte një prej vendeve më të pasur. Ai thotë se është koha që Skocia të marrë në duar fatet e saj, e lirë nga ato që ai i quan “prangat” e parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar në Londër. Në anën e kundërt të debatit, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, e udhëhequr nga Kryeministri David Cameron, thotë se Britania është një prej unioneve socialë dhe politikë më të suksesshëm në botë.
Cilat janë temat kryesore?
scot 3Dy janë temat kryesore që janë shfaqur gjatë fushatës – nafta dhe monedha. Rezervat e gazit dhe naftës në detin e veriut (ose më saktë taksa e nxjerrë nga pjesa e Skocisë) janë jetike për të mbështetur kauzën e qeverisë skoceze për pavarësinë. Salmond thotë se një të dhjetat e të ardhurave – afro 1 miliardë stërlina në vit – mund të formojnë një fond nafte të ngjashëm me atë që operohet në Norvegji, duke krijuar një “arkë kursimi” sovrane prej 30 miliardë stërlinash brenda një brezi. Cameron thotë se Deti i Veriut ka qenë një histori suksesi britanike – dhe tani nafta dhe gazi është më e vështirë të nxirren, kështu që është më e rëndësishme se kurrë që industria të mbështetet prej “shpatullave të gjera” të Mbretërisë së Bashkuar. Kundërshtarët e PKS argumentojnë gjithashtu se po i bazojnë shpresat për të ardhmen në diçka që me kalimin e kohës do të shterojë.
Sa i përket monedhës, ajo ka qenë një tjetër fushë e rëndësishme mosmarrëveshjesh. Pas pavarësisë, qeveria skoceze ka ndërmend të ruajë stërlinën si pjesë e një bashkimi formal monedhe me pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo argumenton se kjo është në interesin më të mirë të të gjithëve, por tre partitë kryesore britanike – Konservatore, Laburiste dhe Liberal Demokrate – nuk e pranojnë, dhe thonë se kushdo të jetë në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme nuk do të jetë dakord për një lëvizje të tillë. Ky pozicion erdhi pas botimit të një raporti të Sekretarit të Thesarit, ku paraqiteshin disa arsye përse unionet monetarë janë “të mbushur me vështirësi”.
A e duan njerëzit pavarësinë?
scot 4E vështirë ta thuash me siguri në këtë moment, ndonëse sondazhet e fundit kanë bërë të dy palët të thonë se tani rezultati është shumë i vështirë të parashikohet. Ndërkohë që tendencat e sondazheve tregojnë se shumica përgjithësisht nuk e duan pavarësinë, pala e PO-së thotë se tani vrulli është pë ta, pasi një sondazh i YuGov në Sunday Times thoshte se nga ata që e kanë ndarë mendjen, 51% kishin në plan të mbështesnin pavarësinë, dhe 49% kishin ndërmend të votonin JO. Eksperti i sondazheve, John Curtice tha se gjatë muajve të fundit, rezultati kish ngecur në një 57 me 43 përqind në favor të JO-së. Por profesori i politikës thotë se tani gara është bërë shumë e ngushtë.
Kush do të votojë?
Ata që janë mbi 16 vjec dhe që jetojnë në Skoci kanë fjalën e tyre për të ardhmen e kombit – sa kohë që janë të rregjistruar të votojnë. Por ka disa kërkesa. Votuesit e kualifikueshëm duhet të jenë britanikë, apo nënshtetas të BE ose komonuelthit me lejë për të hyrë dhe qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo do të thotë që 800 mijë skocezë që jetojnë në pjesa të tjera të Mbretërisë nuk votojnë dot, ndërkohë që 400 mijë banorë të Skocisë por që nuk janë skocezë munden.
Cfarë ndodh në 19 shtator?
Ditën e referendumit, nëse votohet PO, qeveria skoceze me shumë gjasa do organizojë një festë të madhe. Pas kësaj, do të nisë procesin e negociatave me pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Salmond dëshiron të shpallë Ditën e Pavarësisë në mars 2016 dhe zgjedhjet e para të parlamentit të pavarur skocez të mbahen në maj. Por në fillim do të duhet të arrihet një marrëveshje me atë që mbetet nga Mbretëria e Bashkuar, për cështje si pjesa që ka Skocia në borxhin kombëtar.
Megjithatë, nëse votohet JO, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të ketë një festë të madhe e më pas do i kushtojë vëmendje kalimit të më shumë kompetencave tek parlamenti skocez. Një komision i udhëhequr nga Sir Menzies Campbell thotë se parlamenti skocez duhet të marrë kompetenca të reja financiare, si për shembull rritja e përgjegjësisë për taksat.
scot 5Në fund, një mësim historie
Falë filmit të vitit 1995, Braveheart shumë njerëz kanë njohuri për luftërat skoceze për pavarësi, që u luftuan në shekujt 13 dhe 14. Një seri ngjarjesh panë mbretin e Anglisë, Eduard të marrë mbretërinë skoceze në 1296, përpara se Robert the Bruce të hakmerrej në betejën e Bannockburn në 1314 – një ngjarje të cilës sapo i është përkujtuar 700-vjetori.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)