Prapaskena serbe, 5 variantet për dronin e Beogradit


  • Gjendet fluturakja e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Ishte në duart e tifozit të “Cervena Zvezdës”. Shfaqet në skenë pista që “droni shqiptar” të ishte hakmarrje ndaj ultrasve të “Partizanit”. Bien “pistat” antishqiptare për komandimin e mjetit



















Isuf Kurtaj
Beogradi është qyteti ku shqiptarëve u kërkohet vdekja e tyre dhe ku kriminelë të shpallur botërisht si të tillë, janë të lirë, madje lejohen edhe të hyjnë në fushë e të godasin shqiptarët. Beogradi, qyteti ku shqiptarët ndalohen të shkelin dhe ku shqiptarët akuzohen kur mbi qiellin e tij valëvitet një flamur. Beogradi, qyteti kur strukturat shtetërore nuk arrijnë të ndalojnë ose tolerojnë një dron të fluturojë dhe fajin për fluturimin e tij ia faturojnë 22 mysafirëve të blinduar nga autoritetet e tyre ende pa shkelur mirë në tokë. Dhe vargu mund të vazhdojë pa fund... Pesë versionet absurde që qarkullojnë në mediat serbe për hedhjen e dronit nga shqiptarët janë hedhur poshtë nga vetë ata. Pikëpyetja më e madhe që kanë shtruar mediat serbe dhe jo vetëm është: Dronin që mbante flamurin e Shqipërisë Etnike mbi qiellin e Beogradit, kush e lëshoi dhe nga është lëshuar?
Opsioni për ultrasit e “Yllit të Kuq”
Që pas incidentit, përgjegjësinë ende nuk e ka marrë askush, edhe pse mediat serbe kanë publikuar disa variante, të cilat shpesh janë hedhur poshtë nga vetë ata. Ajo që e bën më të dyshimtë situatën është se deri më tani asnjë shqiptar nuk e ka marrë përsipër aktin, përveç disa autorësive që nuk të bindin. Nëse droni do të ishte ngritur nga tifozët shqiptarë dikush do ta kishte marrë përsipër, siç ndodh rëndom. Në forumet serbe qarkullon një ide se droni në stadiumin e Beogradit është hedhur nga tifozët ultras të “Cervena Zvezda”-s (Yllit të Kuq) të Beogradit të cilët janë në “luftë” prej vitesh me skuadrën tjetër të Beogradit, “Partizani” dhe Federatën Serbe të futbollit, pasi kjo e fundit njihet si favorizuese e saj. Dhe një rast i tillë është përdorur si një “shfryrje” nervash mes tifozerive që ekziston prej vitesh. Duelet mes dy grupeve të tifozerive të kryeqytetit të Beogradit kanë nam ndërkombëtar. Gati në të gjitha takimet janë shënuar incidente të rënda. Nga ajo që është parë në stadium natën e përballljes Serbi-Shqipëri, tifozët e “Yllit të Kuq” qenë ata që kanë ndezur atmosefën dhe i kanë prirë koreve raciste. Disa nga mediat në Beograd kanë hedhur hipoteza se mund të jenë ata që kanë organizuar futjen e dronin me flamurine Shqipërisë Etnike në fushë, vetëm evetëm për të shpërfytyruar Federatën Serbe. Edhe në rrjetet sociale serbe thuhet se një opsion i mundshëm është që dronin ta kënë futur ultrasit e “Yllit të Kuq”. Mediat serbe raportojnë se tifozët që kanë shpartalluar hekurat janë ultras të “Yllit të Kuq”. Po ashtu edhe Ivan Bogdanov, ultrasi famëkeq dhe personi që godet me karrige futbollistin shqiptar Balaj është me bluzën e ultrasve të “Cervena Zvezda”-s. Edhe tifozët e tjerë që janë futur në fushë, pjesa më e madhe e tyre shihet se në bluzat e tyre janë të stampuara shenjat e ulstrasve të “Yllit të Kuq”.
5 variantet kontradiktore
Edhe pse kanë kaluar tri ditë, dilema se kush e ka lëshuar dronin, ka mbetur mister. Një hartë e publikuar në mediat serbe jep shpjegime se nga mund të jetë nisur droni. Varianti i parë ishte që ai mund të jetë nisur nga kisha, që gjendet 150 larg stadiumit. Aty është parë një litar. Por autoritet serbe, mesditën e djeshme, konfirmuan se në këtë kishë, natën kur u luajt ndeshja, nuk ka shkelur këmbë njeriu. Opsioni i dytë sipas autoriteteve serbe ishte një studio “JNA”, ose në hotelin aty afër, i cili gjendej 200 metra nga stadiumi. Pas verifikimit, në studion tre katëshe dhe në hotel, është konfirmuar se asnjë shqiptar nuk ka prenotuar dhomë natën e ndeshjes, duke hedhur poshtë edhe këtë version. Varianti i tretë, sipas autoriteteve serbe, thotë se ai është telekomanduar nga shqiptarë që gjendeshin jashtë stadiumit. Por shanset që droni të jetë nga kontrolluar nga shqiptarët në atë atmosferë jashtë stadiumit, ku prania e njërëzve ishte e madhe, ishte zero. Varianti i katërt thotë se fluturaku, është komanduar një person në perëndim të stadiumit. Ky opsion akoma nuk është hedhur poshtë nga autoritet serbe. Pritet që në vijim të zbardhet mundësia e nisjes nga ky pozicion, por edhe për këtë version deri më tani nuk ka dëshmi. Varianti i pestë, edhe më absurdi ishte se ai që komandoi mjetin fluturues ishte Olsi Rama, vëllai i kryeministrit shqiptar Edi Rama. Njësoj si variantet e para edhe ky është hedhur poshtë.
Skenarët
Flamuri i hedhur nga qielli në stadiumin e Partizanit të Beogradit irritoi ultrasit serbë, që mbanin në duar mijëra flamuj të tyre. Ndërsa flamuri shqiptar, edhe pse sipas rregullave të shkruara të FIFA-s, duhej të ishte bashkë me tifozët shqiptarë kudo në stadium, njësoj si ai serb, mungoi, pasi palët kështu kishin rënë dakord. Strukturat shtetërore serbe u kërkuan homologëve të tyre që tifozët dhe flamuri i tyre të mos futej në stadium. Federata Shqiptare e Futbollit, respektoi këtë vendim, nuk pajisi me bileta asnjë shqiptar që të mund të organizohej në grupe për të shkuar në Beograd. Federata shqiptare topin ia kaloi palës serbe dhe për çfarëdo që mund të ndodhte në Beograd në stadium, përgjegjësia binte federatën serbe si organizatore dhe përgjegjëse për mbarëvajtjen e ndeshjes, ndërsa autoritetet serbe për rendin dhe sigurinë publike. Ata që morën përsipër ta administronin situatën me kushte, të cilat u plotësuan nga pala shqiptare duhet të kishin kontrollin e çdo gjëje, përfshi këtu edhe gjetjen e njerëzve që lëshonin “drone” fluturues në stadium. Njëzëri është pranuar se administrimi me konflikt i situatës i bërë nga pala serbe brenda në fushë, por dhe jashtë saj, ishte tejet absurd. Nisur nga kjo mund të thuhet se dronin që mbante flamurin e Shqipërisë Etnike, mund të jetë kurdisur nga dikush në Serbi, pse jo që mund të ishte i interesuar për këtë situatë. Po ashtu mund të thuhet se dronin që valëviste flamurin në stadiumin e Beogradit e kanë bërë segmente të sinkronizuar që do t'i shërbenin dikujt. Prania e mijëra forcave policore në stadium por absolutisht jo efektive në ndalimin e futjes në fushë të disa ultrasve të “Cervena Zvezde”-s, “ishte qershia mbi tortë” që vulosi skandalin e kësaj ngjarjeje të (pa)përgatitur. Pse të mos konsiderojmë dhe përjashtojmë domethënien e faktit se këto forca kryen aktin e turpshëm të kontrollit post-ndeshje për të infiltruar “provat” brenda ekipit së Kombëtares Shqiptare? Situata e tensionuar në stadiumin e Beogradit që në fillim të lojës u pa se mund të ishte një mundësi e mirë për tu manipuluar. Dhe siç u pa ashtu ndodhi, nacionalizmi serb u provokua. Dhe pyetja 1 milion dollarëshe është: Nga kush? Nga erdhi droni? Po kush e solli dronin? Shqiptarët jo. Aq më pak shteti shqiptar. Përgjegjësia është e gjitha e serbëve, sepse ata morën përsipër administrimin e situatës, duke përjashtuar shqiptarët.
Droni dhe vizita e Ramës e Putinit
Nga analiza që kanë bërë ekspertët serbë për nisjen e dronit, opsioni që ai është nisur dhe komanduar nga jashtë është i përjashtuar, njësoj siç është përjashtuar dhe mundësia e një inskenimit të paramenduar dhe me prapavija serioze për të ardhmen e vetë Serbisë, pse jo dhe në zhvillimet e ardhshme në Ballkan. Kjo ngjarje ndodhi në vigjilje të dy vizitave tepër të rëndësishme në Serbi: Presidenti rus Putin dhe kryeministri shqiptar Rama. Ngjarjet si djegia e flamurit të NATO-s, fotot dhe thirrjet histerike për Putinin, dinamika e ngjarjeve inskenimi dhe menaxhimi i paramenduar me “objektiv të qartë” i tyre po qartëson dhe skenarin e mundshëm të zhvillimeve të reja në Serbi. Nuk mund të flasim për vizitën e presidentit rus, por për atë të kryeministrit shqiptar, po. Vizita më shumë se një shtrëngim duarsh ka një mision: zbatimin e parimeve universale të Europës së Bashkuar në marrëdhëniet Shqipëri –Serbi si dhe uljen e tensioneve primitive nacionaliste dhe zgjerimin e urave të bashkëpunimit me interes reciprok.
Serbia gjeti dronin, por jo atë që e komandoi
Droni që futi flamurin me hartën e “Shqipërisë së madhe” në stadiumin Partizani të Beogradit është në duart e policisë. Sipas gazetës serbe “Kurir” që citon burime jozyrtare, droni është gjetur në qytetin e Pançevës, ndërsa tifozi serb që e kishte marrë ndodhet në ambientet e policisë ku po merret në pyetje. “Kurir” thekson se shumë shpejt do të ketë hollësi të tjera për këtë ngjarje. Ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç, ka dekluar se droni do t’i nënshtrohet ekzaminimeve nëse është ai që u përdor në ndeshje, ndërsa më pas raporti do t’i përvillet prokurorisë. Personi i cili u fotografua duke tërhequr dronin mendohet se është pjesë e grupit të tifozëve të drejtuar nga Ivan Bogdanov, ultrasi serb, i cili dogji flamurin shqiptar në ndeshjen Itali- Serbi në tetor të 2010-ës.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)