2014-10-17

Të vërtetat dhe “gënjeshtrat” e Xhakomo Kazanovës


AventurieriEmri i tij është sinonim i feministit. Por jeta e libertinit më të famshëm të shtatëqindës ishte shumë më tepër
Aventurier, joshës, playboy ante litteram. Eshtë ky imazhi që kanë të gjithë për Xhakomo Kazanovën, kalorës i Seingalt (1725-1798). Kur mendon për të, imagjinata të çon tek paraqitja që i ka bërë Fellini në vitin 1976, në filmin e tij “Casanova”, apo në versione më të vonë (dhe më pak të famshëm) kinematografikë. E megjithatë, për historianët, libertini venecian nuk ishte një mashtrues cinik i femrave. Përkundrazi, ka nga ata që thonë se nuk ishte aspak një donzhuan sepse ndjenjat e tij ndaj grave ishin të sinqerta, aq sa në moshë të shkuar u shpreh i gatshëm të martohej me ato, të cilave u kish kërkuar dorën kur ishte i ri. Por në atë pikë, ato që ende nuk ishin lidhur në martesë, nuk e donin më.
Një tip i qetë
E vërteta është se vokacioni parësor i Kazanovës ishte që të kultivonte kënaqësinë e tij dhe të shijonte jetën pa punuar. Sado paradoksale që mund të duket sot, aspironte qetësinë dhe në fund edhe rehatinë e një familjeje. Por duke qenë se mënjanimi social nuk i mundësonte mjetet për ta arritur këtë, pasi kish provuar disa zanate të ndryshëm kuptoi se e vetmja mënyrë për të realizuar këtë projekt të tijin ishte që të bëhej aventurier: jetonte me gjithfarëlloj mënyrash e ndonjëherë me mashtrime, por ishte edhe pothuajse avokat, pothuajse prift, pothuajse oficer marine, e shumë gjëra të tjera. I lindur në Venecia në 2 prill 1725, zyrtarisht nga dy aktorë të Teatrit San Samuele (Gaetano Kazanova dhe Xhovana Farusi e quajtur Zaneta), ndoshta nga një marrëdhënie jashtëmartesore e nënës me fisnikun Mikele Grimani, ai i hyri karrierës eklesiastike. Në vitin 1740 mori tonsurën. Por kur u ngarkua të mbante një predikim në kishën e San Samueles, krejt papritur u zverdh dhe i ikën fjalët. Atëherë iu dedikua studimit të ligjit në Universitetin e Padovës, por ai i avokatit mbeti një prej të shumtëve profesione që nuk e bëri: braktisi studimet përpara diplomimit. Për pak muaj tentoi karrierën ushtarake duke i hipur një anijeje në mision për në Korfuz dhe Kostandinopojë, por edhe kjo përvojë rezultoi një hiç. Si kompensim, pa mbushur ende 18 vjeç, zbuloi një prej pasioneve të tij të mëdhenj: seksin. Dy motra që i përkisnin një familje fisnike veneciane, Nanetë dhe Marton Savorgan e prezantuan me shijimin e këtyre kënaqësive dhe këtij iu duk sikur, në moshën 17 vjeçare, kish gjetur fillin e kuq të fatit të tij. Gjatë një udhëtimi në Romë, tek kryente një detyrë të shkurtër në oborrin e peshkopit të Martiranos në Kalabri, Bernardino de Bernardis, pati aventurën e tij të parë. Lukrecia, bashkëshortja e një avokati napoletan që udhëtonte në të njëjtën karrocë, e mirëpriti në shtratin që ndante me të motrën 19-vjeçare. Nga kjo marrëdhënie lindi një vajzë, Leonilda, që Kazanova do ta shihte 17 vjet më vonë bashkë me Lukrecian. E cila, sipas tij, e ruante ende dashurinë e madhe per Kazanoven.
Okultist?
Ishte mbrëmja e 20 prillit 1746 që duket se ndryshoi fatin e tij. I rastisi që të ndeshte Mateo Bragadinin, anëtar i një prej familjeve më të vjetra dhe të pushtetshme të Venecias, të cilin e kapi një atak në zemër. Kazanova, që në Padova kish ndjekur për pasion më shumë leksionet e mjekësisë se sa të të drejtës, i bëri një ndërhyrje të shpejtë dhe e ndihmoi deri në fund, duke fituar kështu mirënjohjen dhe besimin e Bragadin. Ky ishte në të vërtetë një personazh i çuditshëm. Jetonte me dy zotërinj të tjerë të moshuar, Marko Dandolo dhe Marko Barbaro, me të cilët ndante një pasion të tepruar për magjinë dhe shkencat okulte. Të tre u bindën se djaloshi kishte fuqi taumaturgjike dhe hyjnore. Kazanova nuhati që po i hapej një rrugë fitimprurëse dhe nisi kështu të sajonte orakuj enigmatikë me anë të të cilëve u përgjigjej pyetjeve të të treve. Në ndërkohë, duke u zhytur në bibliotekën okultistike të vetë Bragadin përvetësoi disa dije magjiko-alkimike, që ia shtoi pranisë së shpirtërave dhe aftësisë për t’i ruajtur. Bragadini vendosi ta adoptojë si djalin e tij, si dhe t’i caktonte një pagë mujore që Kazanova vazhdoi ta marrë edhe në periudhat kur ndodhej jashtë Venecias. Ishin të ardhura që e lejuan të vazhdojë jetën e shthurur. E cila nuk ishte pa pasoja: forcat e rendit të Republikës së Venecias, në 25 korrik 1755 e arrestuan dhe e dënuan për “fyerje të rëndë… ndaj fesë sonë të shenjtë”. Në fund e burgosën pa gjyq në Piombi – gjë që të bën të besosh se prapa atij arrestimi ka patur një hakmarrje private.
Drejt Parisit
Pallati ndodhej në katin e fundit të Pallatit Dukal dhe emrin e kish për shkak se tjegullat që mbulonin çatinë ishin prej plumbi. Arratia rokamboleske nga ai burg, që më vonë u rrëfye nga vetë Xhakomo në një prej librave të tij, u bë një prej nxitëseve të famës së tij pas vdekjes. Arratia u realizua në bashkëpunim me një shok burgu pikërisht përmes çatisë. U favorizua nga një seri rrethanash fatlume dhe shkaktoi shumë bujë (askush nuk ishte arrestuar ndonjëherë nga Piombi), por natyrisht që bindi Kazanovën që të largohej me shpejtësi nga Italia. Në janar të vitit 1757, Xhakomo mbërriti në Paris: ishte vetëm 32 vjeç dhe ishte i gatshëm të bënte për vete shoqërinë e lartë franceze, duke realizuar ëndrrën e të gjithë rinisë së tij: të hynte në sallonet, ku për nga lindja dhe shtresa do ishte përjashtuar. Për të debutuar si protagonist e dinte që duhej të kërkonte mbështetjen e dikujt. Xhakomo mund të mbahej tek një mik me ndikim, diplomati Pierre-Fransua Joakim de Bernis, protagonist në krah të tij në një prej aventurave më pikante të rrëfyera tek “Kujtimet”. I emëruar ministër i Jashtëm nga mbreti Luigji XV, de Bernis ua rekomandoi dy prej personave më me ndikim të epokës: Joseph Paris-Duvernay, bankier i fuqishëm, dhe Jean Nicolas de Boulogne, kontrollor i përgjithshëm i financave të shtetit. Kazanova i shfrytëzoi në mënyrë vërtetë origjinale këto njohje. I bindi që të ngrinin në Francë lojën e llotarisë, e vënë në zbatim nga dy miq italianë, vëllezërit Gianantonio dhe Ranieri Calzabigi. Duvernay dhe Boulogne kishin në fakt një problem: të rishëndoshnin buxhetin mbretëror dhe të zeronin borxhin, që kish arritur në dy miliardë dollarë të sotëm, e që shteti e kish marrë për të ndërtuar shkollën ushtarake të kërkuar nga Madame Pompadour (e preferuara e mbretit). Calzabigët u bënë koncesionarë të llotarisë dhe Kazanova, për këtë nismë të tij siguroi një çek prej 200 mijë euro të sotme, përveç përqindjeve nga loja.
Diplomaci e lartë
Vetëm loja e llotarisë e Calzabigëve nuk mund të rregullonte buxhetin francez. Në ata vite Mbretëria e Francës kishte akumuluar një borxh të frikshëm. Një sasi shumë e madhe bonosh thesari nuk mund të paguhej. Një rrugëdalje mund të ishte negociimi i atyre bonove në tregjet e jashtëm, duke i këmbyer me likuiditete, apo të paktën me bono më të kuotuara. Kush do të nxirrte para nga ajo letër tashmë mbeturinë, do të shndërrohej në të preferuarin e mbretit të Francës. Boulogne dhe pasardhësi i tij Choiseul duhet të kenë menduar se vetëm një njeri brilant si Kazanova do të mund të provonte atë “mision të pamundur”. Vunë një shumë prej afro 200 miliardë të kohëve të sotme në bono thesari në duart e italianit dhe e dërguan në Amsterdam, që në atë kohë ishte qendra e bursës më të rëndësishme në botë. Pasi u fut në mjediset e masonerisë holandeze, Kazanova arriti të bëhet anëtar i lozhës që bashkonte 24 operatorët financiarë më të pasur dhe të rëndësishëm të vendit. Hapi i radhës ishte bërja bashkë e gjashtë bankierëve që blenë 200 miliardët e bonove franceze, me kushte tmerrësisht të favorshëm: 100 miliardë në cash, 7 në valutë letre plus edhe anulimin e një borxhi që kompania franceze e Indive kishte me atë holandeze. Parisi ishte i lumtur që të pranonte dhe Kazanova, që kishte siguruar një shumë të majme për ndërmjetësimin, u shndërrua krejt papritur në shpëtimtarin e atdheut.
Jetë e bukur
Tashmë i sigurtë për shpengimin e tij social, Xhakomo mori me qera një vilë shumë të madhe në rrethinat e Parisit me shumë kopshte, karroca, kuzhinierë dhe e transformoi në një strehë për shoqërinë franceze, aq shumë të dhënë pas qejfeve. Kishte një të dashur zyrtare, Manon Baleti, që ishte betuar të martohej por në fund preferoi shoqërinë e grave më të shpenguara. Nëse “bukuritë mercenare” si vajzat e zonjës Brunet, pronare e një shtëpie publike të famshme pariziene, kënaqeshin me dhurata të vogla, për aktoret dhe balerinat ankohej Kazanova, “duhet që gjithmonë ta kesh çantën gati”.
As të dashurat borgjeze nuk bënin shaka. Zonja Baret, një thashethemexhexhë e re në moshë, u mbush me bizhuteri dhe i kërkoi Kazanovës që të shlyente borxhet e të shoqit. Pastaj kishte shpenzime të jashtëzakonshëm, si ata për të bërë që të lindte fëmijën në fshehtësi e dashura e tij Giustiniana Vynne. Por atentatin më të madh ndaj kapitalit të gjeniut të shkujdesur të financave ia bënë ushtria e vogël prej 20 punonjësesh të industrisë së veshjeve, që kish ngritur për disa të afërm në Parma. Ishin të gjitha të moshës nga 18 deri në 22 vjeç, dhe shumë të bukura. Kazanova nuk diti të rezistojë. “Më interesonin të gjitha, dhe duke mos patur durimin që të siguroja pëlqimin e tyre me çmim të mirë, ato mund të më bënin ta paguaja shtrenjtë kuriozitetin tim. U mjaftonte të gjithave shembulli i të parës për të pretenduar një apartament të mobiluar, sapo kuptonin që kishin bërë që tek unë të lindte dëshira”. Siç mund të parashikohej, pas disa muajsh ishte “në trotuar”. Përfundoi në burg për fatura false si dhe mashtrime të tjerë. Doli katër ditë më vonë falë pagesës së bërë nga markezia d’Urfe (një prej miqësive të tij më të dobishme) dhe në muajt e mëvonshëm u përpoq shumë për të shtuar sërish pasurinë. Por pa sukses.
Ndërmjetës
Apogjeu i kalorësit të Seingalt kish kaluar tashmë. Kazanova kaloi në rolin e ndërmjetësit dhe agjentit të fshehtë, ndonëse nuk pushoi asnjëherë së prezuantuari projekte të mëdhenj tek oborret europianë. Propozoi një version të modifikuar të lojës së llotarisë tek Papa Klementi XIV, idenë e një zone industriale tek Republika e Venecias si dhe ndërtimin e një fabrike sapuni në oborrin polak, ndërkohë që mbretit të Spanjës i sugjeroi që të paqtonte Sierra Morenan. Por ishin të gjithë projekte në ajër. Me revolucionin e 1789, Kazanova humbi çdo mbështetje dhe iu desh të largohet nga Franca. Historia kishte arkivuar tashmë epokën e artë të libertinëve. Xhakomo u plak duke shfrytëzuar aftësinë e tij për të jetuar me të ardhurat e përmuajshme, deri kur në moshën 63 vjeçare, konti i Valdstein e mori si bibliotekar në kështjellën e tij në Dux, sot Duchcov, në Bohemi, aty ku redaktoi Kujtimet e tij që u botuan pas vdekjes. Nuk ia kalonte shumë keq: kishte ende përdorimin ekskluziv të një apartamenti në një kështjellë fisnikësh dhe mund të ankohej ende për shërbimin. Dhe ishte i shoqëruar nga femra.
Xhakomo Kazanova ndërroi jetë në 4 qershor 1798. Dy ditë më herët, admirueses së tij të fundit, Elise von der Recke që kërkonte një takim i përgjigjej me edukatë dhe ironi, duke firmosur në fund “Kazanova që po vdes”: “Nuk e kam më të mundur, hyjneshë Elisa, që të rezistoj përtej lutjeve të tua këmbëngulëse. Nëse nuk mund të të takoj, duhet që të paktën të justifikohem. Kam siguruar të gjithë pasaportat spirituale të nevojshme për një të krishterë, për të hyrë, pas kësaj jete tokësore, në vendbanimin e të pavdekshmëve të bekuar: por nuk do të doja që rrethana qesharake të prishnin këtë udhëtim të rëndësishëm”.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...