Av. Serxhio Mazreku
Askush nuk mund ta mohojë se këto njëzet e tre vjet, që kur nisi gara e lirisë dhe pluralizmit, politika ka treguar “gjuhën e dhëmbëve”, madje gjatë kohëve të fundit kjo psikologji sjellje është thelluar më tej, është pasuar me kërcënime në Parlmanet e jashtë tij, me rrahje deputetësh me rrip, me sharje rrugëçërore e me libër shtëpie nga të dy kampet për njëri-tjetrin etj. Kjo psikozë frenetike përcillet nga piramida në bazë, në të dy kampet politike, me tension të lartë, dhunë e përjashtim, duke e konsideruar kundërshjtarin si armik në instikamin përballë. Shoqëria shqiptare ndodhet sot e mbërthyer në ngërçin e një pjese të politikës që vazhdon tentativat e dëshpëruara të sajimit të “armiqve”, në kampin përballë apo dhe brenda të njëjtës “llogore”. Në vend të dialogut politik, të shpalimit të alternativave, po përdoret “gjuha e dhëmbëve”, “dhëmb për dhëmb”, pa lëshuar asnjë centimetër në istikamin ku është vendosur kjo politikë inatçore dhe agresive.
Është fakt më se i njohur se politika duhet të prodhojë ide, konsensus, iniciativë dhe veprim demokratik, konkurencë vlerash, platformash, ideshë dhe, në analizë të fundit, një standard të ri demokratik të vetë shoqërisë. Por, në këto njëzet e tre vjet, për fat të keq, krahas këtyre vlerave që nuk kanë qenë në shkallën e duhur të shfaqjes dhe veprimit të tyre, politika ka prodhuar dhe urrejtje, përjashtim, ndasi, parcelizim e konflikte, që kanë mbajtur peng zhvillimin dhe progresin e kësaj shoqërie.
Në strukturat e pushtetit vendor kjo politikë ka prodhuar kundërvënie, taraf nepotik e deri bajraktarizëm të fiseve e dyerve të ndryshme, duke e kthyer konkurencën në një start “lufte” për më të fortët. Ende pa nisur mirë fushatat elektorale, kur sapo fillojnë shpalimet e garës së kandidatëve në komuna e bashki, gjatë gjithë këtyre viteve është manifestuar kompleksi i dhunës dhe forcës, që ushqehet nga fanatikët, një realitet që frymëzohet e vihet në veprim nga një fantazi e sëmurë e një politike dritëshkurtër dhe inkoherente. Njëra palë e llogores politike ka vënë përballë palës tjetër një arsenal të tërë mjetesh e praktikash dhune, që nga fjalori i dhunshëm, deri te kërcënimet dhe dhuna fizike. Jo më pak agresive kanë qenë palët në zgjedhjet legjislative, ku ka ndodhur në disa fushta elektorale që palët politike, të egërsuara e të stresuara nga ethet e fitoreve apo humbjeve të supozuara, janë hedhur në sulm ndaj njëra tjetrës, pa llogaritur koston morale të këtyre akteve anakronike, gati mesjetare.
Ka pasur dhe vazhdon të ketë një tentativë të dëshpëruar dhe të gjithëkohëshme, për ta zhvendosur fushatën nga një fushatë për sovranin, në një fushatë politike, për më tepër në një fushatë të tensionuar politike, çfarë ka mbartur e mbart me vete dredhinë e shmnagies nga përgjegjësia e qeverisjes vendore apo kombëtare të një partie qoftë opozitare apo në pushtet, parti, individë përfaqësues të së cilave, kuptohet, para se të kërkojnë votën e qytetarëve duhet të tregojnë se çfarë kanë bërë gjatë mandatit qeverisës në njësitë vendore përkatëse dhe në zonat e mandatuara të legjislativit, së dyti, çfarë kanë ndërjmend të bëjnë në katër vitet e ardhshme për njësinë qeverisëse dhe banorët e saj.
Një pjesë e tejndezur nga paradigm folklorike dhe sindromike që tanimë është vërsulur me bomba e tritol, real apo simbolik, duket se është e interesuar që ta mbajë të ndezur situatën, duke tentuar të krijojë artificialisht dhe me çmim të rëndë psikozën e shthurjes. Pasi kanë traumatizuar peizazhin elektoral me zhurmënajën e zënieve, grindjeve, mërive, sherrnajave, vringëllimës së pisqollave, plagosjeve dhe tentativave për vrasje, këta “ustallarë” kërkojnë të gjejnë alibitë e humbjes, ndërkohë që pjesa tjetër kërkon të justifikojë tamburet e fitores. Ish mazhoranca që nuk don ta pranojë faktin kokëfortë se është në opozitë, në vend që të reflektojë për të mësuar nga gabimet e fajet e të ngrejë struktura të hapura dhe efektive, vijon të tregojë “dhëmbët”, duke bërë presion mbi ata që i konsideron fajtorë për humbjen e thellë.
Ka një psikologji mbajtje pengu dhe sulmi deri në privatësi ndaj individëve, që nuk pajtohen me këtë soj politike. Në zgjedhjet e vitit 2009, vetëm katër muaj para tyre, Ilir Kuta, ish aktivist i PD-së dhe kryetar komisioni i kësaj partie nga themelimi i saj deri në zgjedhjet 2009, do të pozicionohej pro PS-së, pasi po shikonte se nepotizmi ia kishte marrë frymën selisë blu. Pasi ai intervistohet në Konventën e PS, ku denancon klinetelizmin në oborrin e PD-së, fill pas kësaj, fillojnë ndaj tij presionet, kërcënimet deri dhe dhuna fizike, me pasoja për jetën e tij. Kjo “nxjerrje dhëmbësh” do të vazdonte ndaj tij nga njerëz të paidentifikuar, por që veprojnë në emër të disa segmenteve të PD-së, që nuk mund ta kuptojnë se të jeshë në opozitë është pjesë e rrotacionit dhe rregullave të sistemit demokratik. Po kështu ndodh dhe në kampin tjetër, në selinë socialiste, bëhet presion ndaj atyre që dalin nga rreshti rozë, në mjaft raste nuk zbatohet fryma e kolegjialitetit, por vetëm ajo e unit të lidreshipit.
Politika agresive, me provokim të hapur, ka synuar gjatë gjithë kësaj kohe ta tensionojë situatën, me qëllim që të anashkalohet përgjegjësia e humbjes (për njërën palë) dhe ajo e mosefikasitetit të reformave në shkallën e duhur (për palën tjetër). Nuk janë një e dy por disa raste që po vijnë duke u pasuar çdo ditë nga të tjerë, ku fanatikët e “djathtë” apo të “majtë” godasin, provokojnë, qëllojnë me armë, plagosin dhe kryejnë akte të tjera dhune ndaj rivalëve konkurentë dhe përkrahësve të tyre. Militantët e sëmurë partiakë, në disa fushata elektorale, që kanë pasuar njëra tjetrën kanë rrahur, plagosur, marrë peng e vrarë militantë të krahut tjetër politik dhe asnjëherë nuk ka mbajtur përgjegjësi ligjore e morale, duke u distancuar nga psikologjia e krimit dhe terrorit politik.
Nuk do shumë mend dhe arsyetim për të kuptuar se përgjegjësitë penale janë indivdiuale për persona që manifestojnë gjuhën e urrejtjes, dhunës e të gjakderdhjes, por motivimi është nga lartë-poshtë, vjen duke u përshkallëzuar nga piramida në bazë. Kjo ndodh pasi lidershipi politik i dy partive kryesore në çdo prononcim publik, mediatik apo tribunal, nuk lënë rast pa kërcënuar politikën përballë, me një gjuhë që bie erë dhunë dhe terror politik.
Prapavija e këtyre ngjarjeve të trishta gjendet në kompleksin e faktorëve politikë e moralë të ngjarjeve dramatike të 21 janarit 2011, të cilat kanë mbetur pezull dhe nuk iu është vënë pika mbi “i”. Këto ngjarje kurrësesi nuk duhet të konsiderohen si një zhvillim spontan, për shkak të mos menaxhimit të protestës apo për shkak të disa “huliganëve”, që gjoja paskan penetruar në turmën e organizuar; problemi është më i thellë se kaq dhe ka të bëjë me psikologjinë e lidreshipit politik të të dy krahëve politikë.
Deformimi i analizës së shkaqeve të kësaj traume nuk shërben për gjë tjetër, përveçse për rritjen e agresivitetit politik, duke fshehur krizën reale të lidershipit politik rozë e blu, si dhe vonon përgjegjshmërinë dhe angazhimin për zgjidhjen e kësaj krize. Nga ana tjetër, mos distancimi nga 21 janari fatal, përkundrazi thellimi dhe avragimi më tej i gjuhës së dhunës politike, tentativa për ta tensionuar artificialisht situatën, me qëllim që të krijohet një klimë kolektive mosbesimi, krize e paniku, janë përllogaritur, ndonëse gabim, për të prishur imazhin e çdo reforme që synon krijimin e një klime të shëndetshme stabiliteti të gjithëanshëm.
No comments:
Post a Comment