Me gjithë dezinsektimin hapësinorë që i është bërë Prishtinës që tri faza, nga fillimi i pranverës, qytetarët po ankohen për mungesë të efektit.
Ata thonë se sivjet si asnjëherë më parë në vitet e pasluftës, në kqreqytet ka prezencë të madhe të insekteve, sidomos të fluturave dhe mizave, por edhe të mushkonjave që po shfaqen më së shumti në periudhën e mbrëmjes.
E pos qytetarëve, dyndjen e qytetit nga insektet e konfirmojnë edhe ekspertë të fushën së zoologjisë duke thënë se një ndër shkaqet e kësaj është dezinsektimi jo adekuat. Zyrtarët e Drejtorisë për projektin e dezinsektimit hapësinorë në Komunën e Prishtinës pohojnë se nuk po shohin askund miza e flutura.
Por Bekim Sallahu nga Prishtina, ka thënë se është hera e parë që nga paslufta kur mëhalla përgjatë rrugës “Muarat Gjaka” mbulohet e tëra nga insektet, vemas nga fluturat. Ai ka thënë se qytetarët nuk kanë haber se cilat mund të jenë arsyet për këtë.
“Konsideroj se dezinsektimi nuk ka pasur efektet e dëshiruara”, ka thënë Sallahu. Ai pastaj ka pohuar se në krejt lagjen është e njëjta situatë.
“Kjo mund të vërtetohet shumë lehtë, pasi që si të bjerë terri dritat brenda shtëpisë nuk guxojmë t’i ndezim për shkak se menjëherë vijnë insektet e panumërta”, ka pohuar ai.
Sallahu ka potencuar se nuk e di që dikush e ka adresuar këtë ështje në Komunë, mirëpo e ka përmendur se është në dijeni se tri herë gjatë kësaj vere kompania dezinsektuese ka shpërndarë preparate nëpër qytet, porse efekti ka qenë minimal.
“Kjo është një situatë shumë e bezdisshme për neve. Ndonëse une nuk jam ekspert për të vlerësuar se farë preparatësh janë përdorur, por në krahasim me vitet e kaluara, situata është shumë e keqe”, ka thënë Sallahu.
Dr.epidemiolog Lulzim Katanolli, pronar i kompanisë “Doctor Extraminator”,nga Prishtina e cila e ka fituar tenderin në Komunën e Prishtinës për dezinsektimin hapësinor, nuk ka pranuar të komentojë rreth ankesave të qytetarëve.
Ai ka deklaruar përmes celularit se “jam rrugës, jam në Shqipëri”.
E pas insitimit për të parë nëse në kompani është dikush tjetër që do të mund të jepte ndonjë përgjigje, ai ka thënë se “mundeni me folë me drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi të Komunës”. Valbon Krasniqi, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ka thënë se dezinsektimi hapësinor kryhet me procedura adekuate, në mënyrë profesionale dhe sipas kontratës.
Krasniqi madje në vend të përgjigjeve rreth shqetësimit të qytetarëve ka shtruar pyetje, duke thënë se “cilin qytet e kemi më të pastërt dhe me më pak mushkonja dhe miza sesa Prishtina, amë tregoni cili”.
Ndërsa duke mohuar ankesat e qytetarëve, ai ka thënë se “parmbrëmë kam qenë në Gërmi dhe nuk kam parë mushkonja në numër dhe as insekte të tjera”.
Krasniqi në fund e ka hequr nga vetja barrën e përgjegjësisë rreth këtij projekti duke thënë se “në Drejtorinë tonë vetëm e parashohim këtë si projekt dhe sigurojmë buxhetin për të, por nuk jemi përgjegjës për zbatimin e tij”.
Megjithatë, ai sërish ka potencuar se dezinsektimi hapësinorë i Prishtinës bëhet sipas kushteve dhe standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe me preparate që licencohen nga Ministria e Bujqësisë, e pastaj caktohet një komision nga Komuna që e mbikqyr realizimin sipas kontratës.
Krasniqi ka bërë të ditur se menaxher i mbikëqyrjes për finalizimin e këtij projekti është caktuar nga Komuna Nexhmedin Hoti, epidemiolog. Por kontakti me të të martën ka qenë i pamundur.
Ndërkaq Ferdije Zhushi, profesoreshëe lëndës së zoologjisë dhe entomologjisë në UP, ka thënë se sivjet në Prishtinë nuk janë vërejtur fare efektet e spërkatjes kundër insekteve. Ajo ka saktësuar se për të bërë dezinsektimin adekuat në radhë të parë duhet të dihet ekologjia, cikli jetësorë i insekteve dhe më pas merren masa për eliminimin e tyre në stade të caktuara të zhvillimit.
“Nuk mjafton që ata të shihen në dy tri të Prishtinës duke spërkatur, sepse dezinsektimi duhet të bëhet në një hapësirë më të madhe, pasi që insektet kanë krah dhe vijnë nga distanca të ndryshme”, është shprehur Zhushi.
Sipas saj, ështje tjetër është fakti se shumë insekte kanë cikël të shkurtër të zhvillimit, dhe tek to nuk mjafton që stërpikja të bëhet vetëm një herë për shkak se vazhdimisht paraqiten gjenerata të tjera.
Zhushi ka thënë se është në dijeni se dezinsektimi bëhet në tri faza, por sipas saj, kompania që e kryen këtë punë duhet të përcjellë edhe kushtet klimatike, meqë zhvillimi i insekteve varet shumë nga temperaturat dhe lagështia e ajrit që, sipas saj, këtë vit kanë qenë shumë të volitshme për shumimin e insekteve.
Fluturat “vërshojnë” shtëpitë e prishtinasve gjatë mbrëmjes
“Komuna duhet të konsultohet me ekspertë të fushave rreth këtyre problemeve, e jo me përsona që kanë të tjera profesione, si janë mjekët”, ka pohuar Zhushi. Ajo ka potencuar se sivjet ka shumë më tepër insekte dhe se dy prej shkaqeve kryesore kanë qenë dimri i volitshëm dhe mosmarrja adekuate e masave, shkruan Koha Ditore.
“duhet shikuar se me ka po spërkaten, sepse duhet që lloji i caktuar i insektit të trajtohet me pesticid adekuat. Sot ka shumë pesticide në treg, prej atyre kimike deri tek ato biologjike, që mund të përdoren duke mos dëmtuar shëndetin e njeriut”, ka thënë ajo.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës fazën e katërt të dezinsektimit, e ka bërë nga 24 gushti i 2014 -tës, meqë tri fazat e para kanë përfunduar këtë vit.
Lexoni edhe ketë:
No comments:
Post a Comment