Faik Konica: Ja karakteri i shqiptarëve
Shqiptarët – çelësat për të kuptuar jetën dhe natyrën e tyre
Për të kuptuar historinë e një populli është e nevojshme të studiohet natyra e tij, por një studim i paanshëm është i vështirë, për shkak se dëshmitari mund të ketë ose një qëndrim të keq, ose një simpati të pambështetur, sipas përvojës vetjake që ka. Prandaj unë do të përpiqem të jap një vështrim të shkurtër për këtë çështje të veçantë, duke e parë nga disa kënde.
I
Së pari, ka shumë rëndësi të dihet se fyerja më e rëndë në Shqipëri është ta quash dikë të pabesë, pra që nuk është besnik. Shumë nga rastet e gjakmarrjeve kanë pasur si pikënisje akuzën për pabesi. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se në Shqipëri nuk ka njerëz që tradhtojnë, por na tregon pa u gabuar cila është kërkesa themelore për sjelljen, idealin që synohet. Anasjelltas, ka interes të vëmë në dukje se në Greqinë e sotme fyerja më e rëndë për një njeri është ta quash analfabet dhe të trashë, pra ideali i fqinjëve jugorë të Shqipërisë është zgjuarsia në vend të karakterit të fortë. Siç e thotë një fjalë e urtë, që përmendet shpesh kudo në Shqipëri, shqiptari për një plesht djeg jorganin, që do të thotë se është i padurueshëm dhe i krisur. Fjala e urtë ndoshta e ka prejardhjen nga ndonjë këshillë e pamenduar që e ka dhënë ndonjë prijës, për të mos u ngutur që të fillohet një përleshje e kushtueshme për ndonjë gjë fare të kotë. Një rregull tjetër shumë i bukur për sjelljen është thënia se “koka e falur nuk pritet”, që do të thotë se kur armiku kapet ose nënshtrohet, nuk ka pse të vritet. Historiani bizantin Nikifor Gregoras, për të cilin mund të thuhet pa dyshim se nuk ka qenë proshqiptar, na pohon faktin se shqiptarët as nuk i vrasin e as nuk i kthejnë në skllevër armiqtë e mundur.
Është e vërtetë që Gregorasi shton edhe emrat e disa popujve të tjerë të Perandorisë Bizantine që kanë po këtë etikë të luftës, por në kronikat bizantine mund të gjenden shumë shembuj të kundërt me këtë. Sidoqoftë, në kohët e reja ndër të gjitha kombësitë e Evropës Juglindore vetëm shqiptarët njihen se i kanë mbetur besnikë traditës kalorësiake për ta kursyer armikun e mundur.
Ka një rregull shqiptar të njohur botërisht e të provuar në jetë: gruaja është e paprekshme. Edhe në gjakmarrjen dhe në luftërat më të egra gratë nuk janë qëlluar. Kur dikush ka armiq që i gjuajnë për t’i marrë hakun dhe e ka ngushtuar nevoja për të bërë një rrugëtim, ndodh që ai, për ta bërë rrugën i sigurt, merr me vete një grua, ndonëse një veprim i tillë quhet paburrëri. Madje edhe cubat e rrugës së madhe e respektojnë këtë rregull.
Nja dyzet vjet më parë gjithë shtypi i botës u mbush një ditë me lajmin për një bëmë trimërore: një tren ndërkombëtar që shkonte nga Parisi në Stamboll, u ndal nga banditët në Traki. Të gjithë udhëtarët burra i detyruan të zbrisnin nga treni me plaçkat në dorë dhe ua rropën të gjitha gjërat e çmueshme, kurse kryetari i bandës u tha grave të qëndronin nëpër vende dhe disa herë u kërkoi të falur për shqetësimin që u shkaktuan. Nga urdhrat që ai u jepte shokëve të vet në gjuhën shqipe, u bë e njohur kombësia e banditëve.
Kur flasin me vetëdije për veten e tyre, shqiptarët krenohen se kanë shumë veti e virtyte. Kjo është një dobësi e gjithë popujve dhe mendime të tilla nuk kanë ndonjë vlerë. Përkundrazi, shprehjet e thëniet popullore janë gjykime të vetvetishme, si të thuash, në to një popull është kapur në çastin kur flet pa e pasur mendjen. Ne do të vazhdojmë gjurmimin në këtë drejtim dhe do të përpiqemi të zbulojmë mendimet e popujve të tjerë për shqiptarët.
Veçanërisht me interes është mendimi i turqve, sepse ata kanë qenë me shqiptarët për pesë shekuj. Të gjithë historianët turq flasin për kokëfortësinë e shqiptarëve. Arnaud-innud (shqiptarët kokëngjeshur), është një shprehje e ngulitur në kronikat e vjetra. Veç kësaj turqit mendojnë se shqiptarët janë kokëshkretë.
“Ka një damar shqiptari” është një thënie e zakonshme e turqve. Zoti Xhejms Redhauz (James Redhouse), i cili e ka përfshirë këtë thënie në Fjalorin e tij monumental turqisht-anglisht, jep këtë përkufizim në botimin e ri, të vitit 1921: “Arnautligi tuttu” i kërceu damari shqiptarit, ka folur ose ka vepruar siç bën zakonisht një shqiptar, me dhunë impulsive”. Sipas mendimit të komandantëve të vjetër turq të ushtrisë, shqiptari është një luftëtar shumë trim dhe i shkëlqyer për të sulmuar armikun ose për të marrë një vend me sulm, por është indiferent kur vjen puna që rrethanat kërkojnë një taktikë mbrojtëse. Sipas vlerësimit të turqve, shqiptari është i zgjuar. Megjithatë, një historian turk i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Ibrahim Peçevi, nuk është i këtij mendimi. Duke folur për vezirin e madh, Peçevi thotë se “Ajaz Pasha i përkiste kombësisë shqiptare, e megjithatë ishte jashtëzakonisht i zgjuar”.
Sipas turqve, një tipar tjetër karakteristik i shqiptarëve është dashuria për paratë; ata janë gjithnjë të gatshëm t’u hyjnë aventurave më të rrezikshme, po të jetë se e shohin që del fitim. Në kohët e Perandorisë Turke të vjetër, ata tregonin një histori: “E pyetën shqiptarin: a do të shkosh në ferr?” Ai u përgjigj: “Sa të paguajnë atje?”.
Në gjuhën e sotme greke ka dy shprehje të lidhura me shqiptarët: kokë shqiptari që do të thotë njeri kokëngjeshur, i patundur; kur dikush ka halle dhe miqtë duan ta ngushëllojnë, ata i kujtojnë se zoti nuk është shqiptar, pra zoti është i mëshirshëm. Nënkuptimi i mosmëshirës është i shpjegueshëm në dritën e historisë. Për mjaft shekuj grekët e kanë njohur shqiptarin vetëm si sulmues, si pirat që grabit qytetet bregdetare, si ushtar të dërguar në ishujt e Greqisë për ekspeditat ndëshkimore, si xhandar ose si taksambledhës. Ana fisnike e shqiptarit është e panjohur për grekun.
***
Hobhauzit, mikut të Bajronit e që u quajt më pas lord Brauton, i kishte bërë shumë përshtypje ndjenja kombëtare si një tipar i shqiptarëve.
“Këtu ka, thotë ai, – një shpirt pavarësie dhe dashuri për atdheun nga gjithë populli e kjo në një masë të madhe e mënjanon dallimin e thellë që vihet re në pjesët e tjera të Turqisë ndërmjet pasuesve të dy feve. Kështu, kur banorët e viseve të tjera i pyet se çfarë janë,a ta përgjigjen: “Jemi turq” ose “Jemi të krishterë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “Jam shqiptar”… Ndjenja kombëtare bie fort në sy në karakterin e tyre. Nëse ndonjë prej tyre largohet nga vendi dhe duke rrugëtuar merr vesh se një bashkatdhetar i tij banon në një fshat pranë të cilit mund të kalojë, ndonëse nuk e ka parë e as nuk ka dëgjuar ndonjëherë për të, ai ndërron rrugë dhe shkon për ta takuar. Disa herë kam qenë dëshmitar i gëzimit që ata shprehin kur takohen kështu rastësisht, e shfaqin më haptas sesa i tregojnë ndjenjat dy anglezë miq në këto rasa. E gjithë mënyra e sjelljes së tyre është e përzemërt dhe kur, pas një mungesë të shkurtër, ndodh që një shqiptar ndesh një të njohur, i jep dorën e djathtë dhe e puth në faqe dhe po kështu bëjnë kur ndahen, ndërsa po të jenë takuar në rrugë, kur largohen ca njëri nga tjetri, qëllojnë me pistoletë ose me pushkë.”
Hobhauzi vë re se shqiptarët “nuk janë me shpirt të keq dhe kur bëhen të pamëshirshëm, kjo nuk vjen aq nga parimi i hakmarrjes sesa nga pasioni i çastit. Tradhtia është një ves që zor se e gjen ndërmjet tyre”.
Por vëzhgimet më të mira në studimin e thelluar të Hobhauzit janë për dëshirën e shqiptarëve për argëtim.
Kënaqësia e tij më e madhe, – shkruan Hobhauzi, – kur nuk është i zënë me luftë, është të ngrohet në diell, të pijë duhan, të hajë, të pijë raki, të dremisë ose të vijë rrotull në kopshtin rreth kasolles së vet, duke i rënë lahutës me një melodi të vetme. Ndonëse është i ngeshëm, përsëri ai është i padurueshëm dhe i gatshëm të rrëmbejë pushkën e të fshihet në pyll me thirrjen e parë të prijësit të vet.
Siç thotë Taciti, natyra e njeriut është çuditërisht e paqëndrueshme, kur po ata njerëz janë sa përtacë, aq edhe të pakënaqur që prehen… Por ngathtësia ose më mirë urrejtja për punën, që vërehet te ky popull, në asnjë mënyrë nuk shoqërohet me atë pamje rëndësie e dembellëku që e sheh përgjithësisht tek turqit. Përkundrazi, shqiptarët janë të gjallë, madje edhe lozonjarë; ndonëse lojërat e tyre popullore nuk janë shumë aktive, përsëri ata kur lozin tavëll dhe lojëra të tjera ulur, e tregojnë kënaqësinë me shpërthime të forta të qeshurash ose me shenja të tjera gëzimi fëmijëror. Gjithashtu kanë shfaqje shumë të forta kur shprehin pëlqimin ose mospëlqimin e tyre dhe meqë fare pak e zotërojnë veten, si dhe gjithmonë parapëlqejnë forcën kundrejt dredhisë, ata nuk kujdesen për t’i fshehur pasionet e tyre”
Libri i Hobhauzit e bëri Bajronin që të mos shkruante shumë gjatë për Shqipërinë. Poeti na e thotë vetë kështu: “Për Shqipërinë dhe banorët e saj nuk kam dëshirë të zgjatem shumë, sepse këtë do ta bëjë shumë mirë bashkudhëtari im në një libër, që ka shumë mundësi të dalë nga shtypi përpara këtij (“Çajld Haroldit”), e prandaj as dua ta ndjek atë, as t’i dal përpara.”
Pastaj Bajroni bën disa vërejtje kureshtare për shqiptarët dhe malësorët skocezë: “Arnautët ose shqiptarët më kanë bërë përshtypje të fortë me ngjashmërinë që kanë me malësorët e Skocisë nga veshja, shtati dhe mënyra e jetesës. Edhe malet e tyre dukeshin si të Kaledonisë, vetëm me një klimë më të butë. Fustanella e tyre, ndonëse e bardhë, ndryshe nga kilti, shtati i thatë e i gjallë, e folmja e tyre që tingëllon si keltishtja dhe zakonet e tyre të rënda, që të gjitha më kujtonin Morvenin”.
Nënës së vet Bajroni i shkruante: “Mua më pëlqejnë shqiptarët” dhe letrat e tij dërguar nënës nga Shqipëria janë plot me hollësi piktorike.
Po në atë periudhë të Likut, Hobhauzit dhe Bajronit, Shqipërinë e vizitoi dhe një klerik i kishës së Anglisë, hirësia T.S.Hjuz, i cili në dy vëllimet e udhëtimeve ka këto shënime të ngjeshura për natyrën e shqiptarit.
“Nga temperamenti shqiptarët janë pak grindavecë dhe rrallë ta falin goditjen; pa asnjë dyshim nuk u mungon talenti e mprehtësia dhe është një fakt i shënuar që tre burrat më të mëdhenj që ka nxjerrë Turqia në këtë shekull, që të gjithë e kanë prejardhjen nga Shqipëria.”
II
E vlen të vihet në pah se askush në këtë galeri vëzhguesish, me sa duket, nuk e ka gjetur karakteristikën më kryesore të shqiptarëve e pikërisht atë, pa njohjen e së cilës historia e tyre do të mbetej një mister, pra individualizmin e tyre.
Një studiues gjerman, dr.Herbert Luis, i cili, siç e kemi thënë tashmë, u ngarkua nga qeveria shqiptare për të studiuar topografinë e vendit, pohon se në Shqipëri nuk ekziston një dukuri e tillë si turma.
“Një nga përshtypjet më të forta, – thotë dr. Luisi, – që më ka lënë kontakti i gjatë me popullsinë shqiptare, është me siguri kjo: që te çdo shqiptar ka një njeri me vetëbesim. Çdo individ, qoftë i zgjuar ose budalla, ka një aftësi të habitshme për të vendosur vetë dhe e vë në kartë pasurinë e gjakun e tij në një mënyrë prej biznesmeni. Në një situatë të paqartë, kushdo pa asnjë kufizim, qoftë i madh ose i vogël gjykimi i tij, merr pjesë në mënyrë të ndjeshme e ndërkaq secili është gati të marrë një nismë të fuqishme. Shkurt, nuk ka masa indiferente në Shqipëri.”
Mungesa e kësaj fryme të kopesë mund të jetë interesante, po ajo ka pasur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë. Për shkakun se shqiptari gjithmonë ka dashur të marrë pjesë personalisht, drejtpërdrejt, madje edhe pa ndërmjetësinë e delegatëve, për diskutimin e çështjeve të gjithë shoqërisë, ideja e tij për qeverinë nuk i ka kapërcyer kufijtë e qytetit ose të malit të tij. Ashtu si për grekët e lashtë dhe italianët e mesjetës, ideali i shqiptarit ka qenë qyteti-shtet. Dhe kur një nevojë kombëtare kërkonte unitetin e veprimit, vetëm pas bisedimesh pa fund arrihej të vendoseshin masat e përbashkëta që do të merreshin ndonjëherë tepër vonë. Sa herë që në të kaluarën është pushtuar Shqipëria, gjithmonë kjo ka ndodhur për shkak se ka munguar një qëndresë e bashkërenduar. Jo shumë larg, në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë autorët anglezë e francezë flasin për Shqipërinë si konglomerat i një numri të madh republikash të vockla dhe njësish gjysmëfeudale, nganjëherë të lidhura në grupe, nganjëherë krejt të veçuara e të mënjanuara, që e njihnin sulltanin si një sundimtar të largët e të papërcaktuar, i cili nuk ndërhynte në qeverisjen lokale. Është interesante të krahasohen dy sundimtarë të Shqipërisë në vitet e fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë: Ali Pashë Tepelena në Jug dhe Karamahmud Pashë Bushatlliu në Veri. Që të dy kanë qenë shqiptarë dhe që të dy kanë pasur sukses. Por Ali Pashën e urrenin, sepse me gjithë padijen dhe krimet e tij, ai e kishte nocionin e një bashkimi të disiplinuar dhe me dorë të përgjakur i shtrëngoi t’i bindeshin një autoriteti qendror, duke i shpartalluar pa mëshirë ata që do të kundërshtonin, ndërsa Karamahmudin e donin, sepse ai kishte konceptin tradicional për një qeveri që nuk ndërhyn dhe ruan tolerancën patriarkale kundrejt mosmarrëveshjeve lokale.
***
Një veçanti tjetër e shqiptarëve është neveria e përgjithshme ndaj dënimit. Meqë ndërhyrja e një autoriteti qendror në liritë lokale e individuale ndihet si uzurpim i pushtetit, ligjet e vëna nga një autoritet i tillë quhen në thelb të padrejta dhe zbatimi i tyre, sado e rëndë që të ketë qenë shkelja, vështrohet thjesht si një veprim i paligjshëm. Për më tepër, njëfarë ndjenje patriarkale bën që të shmangen masat e rënda ndëshkuese. Dënimi me vdekje përgjithësisht quhet diçka e tmerrshme, ndërsa është një fakt i shënuar që sot, ashtu si dhe në shekujt e kaluar, nuk mund të gjesh njeri në Shqipëri që të pranojë detyrën e xhelatit për të varur. Për të ekzekutuar vendimet me vdekje të dhëna nga gjyqet, policia është e detyruar të gjejë evgjitë, të cilët kundërshtojnë me të madhe e megjithatë e kryejnë këtë ceremoni të tmerrshme dhe, natyrisht, në një mënyrë amatorësh, që ia zgjat vuajtjet viktimës.
***
Një tipar pa dyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët dhe ka një listë të shkurtër të dëshmorëve për lirinë kombëtare. Akte të trimërisë e të devotshmërisë, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund ta bënin të dukej i rremë pretendimi im për mungesën e idealizmit. Por besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni qibar për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht.
Është folur shumë për mikpritjen e shqiptarëve dhe kjo është fare e vërtetë. Kjo frymë mikpritjeje deri në njëfarë shkalle kufizohet nga një prirje për të pasur dyshime tek të huajt. Nuk ka njeri më të druajtur dhe më të rrudhur sesa një shqiptar që ballafaqohet me të porsaardhurit. Në breznitë e mëparshme vizitorët e huaj, me përjashtim të rasteve kur paraqiteshin si duhet prej dikujt, dyshoheshin se ishin spiunë, që kishin ardhur për të bërë hartat e vendit dhe për të mbajtur shënimet e nevojshme për ndonjë pushtim të planifikuar. Tozeri na rrëfen për vështirësitë që ndeshi njëherë, kur u përpoq të vizitonte një kullë të vjetër. Ai dhe bashkudhëtari me të “… e nisën sulmin kundër kullës duke përdorur një gur të madh, meqë mungonte trakullorja, sepse derën e kishin shuluar fort dhe ne dëgjonim të zotin që lëvizte lart në katin e sipërm. Në fillim ai bëri sikur nuk na dëgjonte dhe, kur më në fund zbriti, nisi një dërdëllisje para se të na pranonin brenda; siç i tha përkthyesit tonë fshehurazi, ai nuk mund ta kuptonte pse nuk donim ta shihnim këtë vend, nëse nuk kishim ndër mend që të vinim më pas si pushtues”.
Sot dihet fare mirë se ndjenjat e dyshimit kundër të huajve janë zhdukur krejtësisht lidhur me vizitorët që nuk vijnë nga Evropa Juglindore, Zonjusha Durham, që ka shëtitur gjithandej në Shqipërinë e Veriut në fillim të këtij shekulli, na jep si shembull të mikpritjes shqiptare një vizitë që ka bërë në një kasolle prej balte, ku i zoti i rreckosur me një mirësjellje të zgjedhur i ftoi të rrinin: “Ne jemi të varfër, – u tha ai. – Bukë kripë e zemër, kjo është gjithçka që mund t’ju ofrojmë, por ju jeni të mirëpritur dhe mund të qëndroni sa të doni.”
Një tipar tjetër i karakterit të shqiptarëve, që është vënë në dukje shpesh nga vëzhguesit, është ndershmëria e tyre e rreptë.
Standardi etik i shqiptarëve është besa, pra, fjala e dhënë. Pavarësisht nga rrethanat, kur një shqiptar jep fjalën, ajo nuk mund të shkelet dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj marrëveshjeje të shkruar. Si pasojë, kuptimi i fjalës “i pabesë” është shkelja e fjalës së dhënë dhe pabesia, për të cilën tashmë kemi folur.
Në një varg hartash tregtare shoqëruar me tekst, të botuara më 1886 nga ministria franceze e Tregtisë, fashikulli kushtuar Shqipërisë i njofton eksportuesit se nuk ka nevojë për marrëveshje të shkruara për shqiptarët, sepse fjala e tyre e thënë ka mjaft peshë dhe nuk njihet asnjë rast që ta kenë shkelur”.
Henri N. Breilsford, në librin e tij të njohur për Maqedoninë, ka këtë anekdotë:
“Gjëja më kuptimplote nga të gjitha ishte pyetja lakonike me të cilën iu përgjigj kërkesës sime një peshkop bullgar. “A i besoni atij?” – e pyeta unë. – “Ai është shqiptar. Apo nuk është?” – ishte përgjigjja. – Për shekuj me radhë sllavët dhe shqiptarët kanë qenë në armiqësi të pandërprerë për vdekje. Dhe ja, ky është komenti i një armiku për karakterin e tjetrit”.
Madje, edhe pas ankthit të Luftës Botërore, kur Shqipëria u bë kundër dëshirës fushë beteje për disa kombe dhe dëshmitare e shfaqjeve të përditshme të pandershmërisë lakuriqe (ushtarët e huaj i paraqisnin kuponat për cigare si kartëmonedha dhe ua jepnin bujqve të paditur, që nuk dyshonin se për t’u blerë mallra oficerët mashtronin popullin dhe njëri-tjetrin ose shisnin mallrat e vjedhura nga depot ushtarake e kështu me radhë), përgjithësisht me sa duket, ndershmëria shqiptare doli e paprekur, ndonëse pak e tronditur.
III
Le të vazhdojmë ende në disa drejtime të tjera për të parë çelësat e tjerë që kanë të bëjnë me karakterin e popullit shqiptar.
Shqiptarët nuk janë aq të prirur për fjalë të shumta. Autori francez, Hiasint Hekar (Hyacinthe Hecquard), i cili ka qenë konsull i Francës në Shqipëri për shumë vjet dhe e njihte mirë Shqipërinë e Veriut, vë në dukje shkurtësinë me dinjitet të fjalimeve në kuvendet popullore. Megjithatë kjo heshtje me dinjitet nuk është e dukshme për brezin më të ri të shqiptarëve, që kanë studiuar në universitetet e Italisë, Francës, Austrisë dhe të vendeve të tjera.
Në një komb që ka shpirtin e aventurës, do të ketë edhe ca vend për bixhoz. Shqiptarët janë humbës të mirë. Kur kam qenë fëmijë, kam dëgjuar për një hanxhi, i cili u ul me disa klientë për një lojë bixhozi, i humbi të gjitha paratë dhe pasuritë e luajtshme dhe më në fund e vuri në bixhoz edhe hanin dhe e humbi. Atëherë thirri një noter, ia kaloi pasurinë fituesit, u përshëndosh me të gjithë dhe çau e iku pa asnjë ankesë. Të burgosurit shqiptarë kanë shpikur një tip me të vërtetë origjinal për bixhozin. Meqë nuk u lejohej të mbanin as letra dhe as zare, atëherë një ditë filluan këtë lojë: gjatë kohës së pushimit ulen rreth dhe presin mizat, atij që i vjen të parit një mizë, fiton një pikë. Kjo shpikje gjeniale i përket kohës së sundimit osman.
Një e metë që zakonisht nuk gjendet në karakterin e shqiptarit, është provokimi. Megjithatë në të kaluarën ka pasur një tip ngaci të përbuzur, i cili kishte kënaqësi të provokonte përleshje vetëm për hir të qejfit. Tipa të tillë hynin në kafene ose në ndonjë vend tjetër me shumë njerëz dhe e lëshonin një cep të brezit që të zvarritej për tokë pas tyre. Dhe sapo dikush pa e parë e shkelte cepin e brezit (dhe kjo ishte një gjë që doemos do të ndodhte), ata ktheheshin, nxirrnin jataganin dhe i kërkonin shkelësit që të nxirrte edhe ai jataganin e të ndesheshin. Mbretërimit të këtyre provokimeve i dha fund më shumë hyrja e pistoletës sesa trysnia e policisë.
Unë besoj se dihet gjithkund që shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe, ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë, ku nuk ka pasur luftëra fetare. Për këtë arsye disa kanë folur shpesh për “skepticizmin” shqiptar.(Shkëputur nga nga libri “Faik Konica Vepra 2”)
Po kush ishte Faik bej Konica ?
Nga Flori Bruqi
Faik bej Konica (Konicë, 15 mars 1875 - Uashington, 15 dhjetor 1942) qe propagandues i çështjes kombëtare, studjues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar.
Lindi në Konicë, në oxhakun e bejlerëve të njohur si Zenelbejllinjtë, i biri i Shahin beut dhe Lalia hanëm Delvinës,i treti ndër katër djemtë, Mehmeti, Rustemi dhe Hilmiu.
Sipas studjuesit Agron Alibali muaji i lindjes figuron i dokumentuar më pas në prill - ndryshim që ndofta lidhet me ndryshimet në kalendaret e zbatuara në atë kohë dhe më pas.
Ndoqi Kolegjën Saveriane të Jezuitëve në dy vite shkollore 1883-1885 ku ndoqi lëndë në italisht, latinisht, frëngjisht dhe gjermanisht.
Kthehet në vendlindje për ndoshta një vit dhe më pas vijoi shkollimin në Liceun Perandorak të Gallatasarajit në Stamboll gjatë viteve 1886-1887.
Filloi studimet universitare më 1890 në Collège de Lisieux, (Normandie); më 1893 ai shkoi në Lycée de Carcassonne (jugu i Francës) ku studioi deri më 1894, duke u përqëndruar në studimet klasike, letërsi dhe filozofi.
Konica me bashkëpunëtorët e tij, në Boston, 1927
Më 1893, gjatë “Année du Rhétorique” doli studenti i parë i kursit në lëndën e Kompozicionit në frëngjisht dhe në përkthimet latine.
Përfundoi studimet universitare me diplomën of Bachelier de l’Enseignement Secondaire Classique (Lettres – Philosophie) në Fakultetin e Letërsisë të Dizhonit (Université de France) në 16 Nëntor 1895, ku u pagëzua i krishterë katolik me emrin Domenik, që e ka përdorur edhe në një letërkëmbim "beg Faik - Dominik Koniza".
Në vitin 1895-1896 Konica filloi studimet pas-universitare tek Collège de France në Paris, ku u përqëndruar në “letërsinë mesjetare frënge, dhe letërsi romake”.
Më 1897 shkoi në Bruksel ku themeloi revistën e përkohshme të quajtur “Albania”, me ndihmën e autoriteteve austro-hungareze.Sipas dokumenteve belge, gjatë kohës që jetoi në Francë, Konica kish njohur një grua të quajtur Sophie Annette Hygon, me të cilën më 1897 pati një djalë të quajtur
Henrik
Më 1903 u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik. Në Londër jetoi pesë vjet dhe studjoi dokumentet shtetërore veneciane që lidheshin me Shqipërinë si dhe me dorëshkrime të tjera, disa prej të cilave i botoi tek “Albania”.
Më 22 tetor 1909 mori në dorëzim prej Fan Nolit redaksinë e gazetës "Dielli", që ishte botim javor i Shoqërisë "Besa-Besë". Konica punoi si kryeredaktor i Diellit deri më 18 mars 1910, për t’u kthyer sërish me 6 maj deri me 1 korrik 1910, dhe mandej prej 1 gushtit 1912 deri më 8 korrik 1913.
Përpjekjet e mbarë patriotëve shqiptare, përfshirë Konicën, arritën kulmin me themelimin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, The Hearth, me 28 prill 1912.
Mbledhja e themelimit u zhvilluar në Kishën e Shën Gjergjit që atëhere ndodhej në 227 Tremont Street, Boston. VATRA bashkoi shoqëritë Besa-Besën, Flamuri i Krujës,
Një Pleqësi e përkohëshme u zgjodh për të drejtuar organizatën e re. Sekretar i saj u zgjodh Fan Noli. Konica dhe Floqi u ngarkuan me ngritjen e degëve të reja të organizatës në Masaçusets dhe shtete të tjera. Pas përfundimit të stinës së provimeve për Faikun nuk do të kishte më asnjë ditë pushimi të lirë. Përreth një muaj rrjesht, nga 19 maj 1912 deri në 16 qershor 1912 Konica do të udhëtonte pa rreshtur në mbarë Anglinë e Re duke ngritur dhe organizuar degë të reja të Vatrës në Worcester, MA, Lynn, MA, Manchester, N.H., Central Falls, R.I. and Southbridge, MA.
Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor. Në arkivin e tij privat më 13 mars 2006 iu gjet Kërkesa për Punësim, përmes së cilës mëtonte të punësohej si “pedagog në kolegj, shkollë normale ose shkollë tetëvjeçare; në lëndët: gjuhë romanse, kryesisht frengjisht dhe italisht”.
Pyetjes se në cilat pjesë të SH.B.A. dëshironte të punonte ai iu përgjigj: “Më 1912-1913, në rrethinat e Cambridge-it; në vitet e mëpasme kudo”.
Sipas studjuesit Alibali synimi i tij për të mos u larguar nga Bostoni në një periudhë kritike të lëvizjes shqiptare në Amerikë përkon edhe me veprimtarinë e ethshme të Konicës e Nolit gjatë këtyre dy vieteve në kuadrin e Vatrës.
Fakti që formulari i punësimit është gjetur në arkivën private të Faikut, dhe jo në Arkivën e Universitetit tregon se Konica nuk e dorëzoi atë tek zyra përkatëse.
Sipas Kastratit, Konicës iu ofrua në fund të studimeve një vend pune si pedagog i anglishtes në Universitin e Pekinit në Kinë.
Me efektin domino të shpejtë të ngjarjeve të gjysmës së dytë së 1912 dhe shpërthimin e Luftës Ballkanike, Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Vatrës i 16 shkurtit 1913 vendosi të dërgonte Faik Konicën si delegat në Kongresin e Triestes.
Kongresi filloi me 1 mars 1913 nën kryesinë e Faik Konicës. Ai zgjati tri ditë dhe më të moren pjesë përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare, të cilët moren vendime të rëndësishme dhe miratuan një rezolutë në mbështetje të Qeverisë së Përkohshme dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë.
Në gusht u kthye në Shqipëri, ku pasi e kishtequajtur "njeri të papërgjegjshëm, ambicioz dhe më të urryerin nga shqiptarët" në Vjenë, iu bashkua tarafit të Esad pashë Toptanit, në tetor ndihu në formimin e Pleqësisë së Shqipniës Mesme. Më 3 nëntor në rrugët e Durrësit u shit numri i parë i gazetës së Pleqësisë, Ushtimi i Krojës, që drejtohej nga Konica.
Pas diskutimeve për ardhjen e princit, Konica pati një zënkë me Toptanin. Më 7 mars 1914 priti Princ Vidin i veshur me fustanellë të bardhë deri te gjunjët, xhokën e zezë krahëve dhe këpucë allafrënga.
Gjatë një qëndrimi dyvjeçar në Vjenë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, u takua me Ahmet bej Zogollin të internuar nga austro-hungarezët dhe u bënë miq. Së bashku u takuan sërish në Itali, ku Konica ishte përfaqësues jo shumë aktiv si delegat i Vatrës dhe kish refuzuar një ofertë për t'u emëruar përfaqësues diplomatik i qeverisë shqiptare në Romë.
Në shtator të 1921, Faiku u kthye nga Napoli në Boston me ftesë të Vatrës për t'u bërë kryetar i saj. Konica nisi të kritikonte Zogun kur u emërua kryeministër më 1922 me pendën e tij të vrerosur.
Më 1923 u takua në Boston me 20 vjeçarin Gjon Mili, të cilit do t'i ofronte miqësinë e tij. Pas takimit me mikun e vjetër Fazlli Frashëri më 1925, Konica ndërroi qasje kundrejt Zogut duke u shprehur gjithnjë e më tepër si edukator përmes publicistikës së tij. Më 13 korrik 1926 dorëzoi letrat kredenciale si Ministër Fuqiplotë i Republikës në Departamentin e Shtetit Amerikan.
Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga Qeveria Amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe.
Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian. Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar.
“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë.
Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, thuhet në testamentin e Konicës.
Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Maleshova) nuk mund të bënin asgjë.
Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës.
Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vet tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri.
Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare” , “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare. Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti, tekanjozi – Faik Konica.
Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.
Tituj të veprave
Ç’është liria
Dr. Gjilpëra
Shqipëria si m'u duk
Përalla e tregtarit dhe e xhindit
Lopa dhe bajganmb
****
Se Faik Konica ishte intelektual i papërsëritshëm shqiptar, dëshmi janë edhe thëniet e mëposhtme, që u mblodhën, u përkthyen dhe u përgatitën për botim nga Fotaq Andrea.
1. Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin (Albania 4, 1906).
2. Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (Albania 1, 1897).
3. Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897).
4. E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2, 1897).
5. Ka qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur (Albania 2, 1897).
6. Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë. (Albania 2, 1897).
7. Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit (Albania 2, 1897).
8. Gazetarët janë njerëz spiritualë dhe të dashur (Albania 5, 1897).
9. Xhelat je se të pëlqen të jesh (Albania 8, 1897).
10. Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme (Albania 9, 1898).
11. Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. A bon entendeur, salut! (Kush të dojë, le ta kuptojë) (Albania 9, 1898).
12. Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon (Albania 11, 1898).
13. Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij (Albania 11, 1898).
14. Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia (Albania 11, 1898).
15. Popujt që ushqehen me perime e produkte qumështi kanë përgjithësisht zakone shumë të buta. (Albania 11, 1898).
16. Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
17. Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
18. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
19. Sharjet e kundërshtarit të nderojnë (Albania 16,15-31 korrik 1889).
20. Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra. (Albania 16,15-31 korrik 1898).
21. Ai që i bën vërejtje dikujt si i edukuar keq, tregon nga ana e tij një edukim të paktën po aq të keq. (Albania 16,15-31 korrik 1898).
22. Mund të jesh njeri vulgar e të thuash do gjëra të arsyeshme (Albania 16,15-31 korrik 1898).
23. Më mirë të jesh një i egër i ndershëm, se sa një i qytetëruar i poshtër (Albania 16,15-31 korrik 1898).
24. Të gjitha vendet kanë tradhtarët e tyre të ndyrë (Albania 24, 15-28 shkurt 1898).
25. Lëvdata shpesh e ka brenda prapamendimin. (Albania 26, suplement 4, 5-30 prill 1899).
26. Pakorrigjueshmëria e një alkooliku është simptoma më e njohur e një çrregullimi mendor (Albania, 15-30 qershor 1899).
27. Ka shpesh personazhe vlera e të cilëve, zmadhuar nga larg, shfaqet më e vogël tek shihet nga afër. (Albania, 10 shtator 1900).
28. Nuk mund të gjykohet për tokën para se të mbjellësh ( domethënë: toka e mirë njihet kur hedh farën (Albania, 31 maj 1901).
29. Shumë broçkulla edhe u falen politikanëve, por pa kaluar kufijtë (Albania 20 qershor 1901).
30. Sa më shumë të mbahen fjalime parlamentare aq më i paktë është zotimi (Albania 20 qershor 1901).
31. Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm (Albania, 10 korrik 1901).
32. Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit (Albania, 15 shtator 1901).
33. E sa ia vlen të vazhdosh një diskutim të rëndomtë përpara një qëndrimi kokëfortë? (Albania, 15 tetor 1901).
34. Është krim të trazosh lumturinë e budallait (Albania, 9janar 1902 f. 24 G).
35. Kush jeton me fjalë dhe përkundet me ninulla fjalësh, s’ka pse ankohet e të na lëshojë britmat e veta të zakonta prej palloi (Albania, prill-maj 1902, G, f. 113).
36. Popujt e Ballkanit janë të gjithë me mentalitet të kufizuar (Albania, shkurt 1903).
37. Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar (Albania 2, 1904).
38. Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e roiti (Albania, nr.2, 1902).
39. Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre. (Albania 1, 1909).
40. Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja, e ashtu u prishet më shpejt organizmi (Albania 5, 1899).
41. Ka njerëz që shitën nër guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një guvernë për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë (Albania 2, 1899).
42. Kur e nget një njeri, s’ke të drejtë t’i thuash pse më nget (Albania 2, 1899).
43. Frika të bën të thuash broçkulla (Albania 4, 25 qershor 1897).
44. Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë (Albania 3, 1904).
45. Kur nuk ka vepra konkrete, ka retorikë (Albania, 4 prill 1904).
46. Atje ku nuk ka as forcë të brendshme në lëvizje, as interesa të jashtme në lojë, thashethemet e disa gazetarëve të huaj nuk mund ta çojnë përpara as edhe një jota zgjidhjen e një problemi politik (Albania 5, 1905).
47. Frikacaku i ka tërë karakteristikat, dhe kryesisht këtë: hakmerret ndaj përbuzjes së tjetrit nëpërmjet sharjes. I pafuqishëm, veç flet keq e shan poshtërsisht të tjerët (Albania 5, 1905).
48. Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve (Albania 5, 1905).
49. Padurimi shoqërohet gjithnjë nga dështimi (Albania 5, 1905).
50. Më mirë shtrëngo rripin denjësisht, se sa të pëllasësh nga uria (Albania 5, 1905).
51. Kur tinzarinë e përdor si diplomaci, poshtërsinë si shkathtësi, harbutërinë si forcë, domosdo të duket vetja i papërballueshëm. Por betohem për kamxhikun e Skënderbeut se në rastin më të parë do të bëj të ndërrosh mendim! (Albania 5, 1905).
52. Rrallë mund të jesh profet i keq po qe se parathua vetëm gjëra me shumë gjasa (Albania 6, 1905).
53. Gjërat tepër qesharake zbavitin edhe më budallain (Albania 6, 1905).
54. Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë. Por për mendjet e matura, të etura për të studiuar seriozisht një vend e një popull, nuk ka dhe nuk do të ketë veçse dy metoda në përdorim, jashtë së cilave gjithçka tjetër nuk është veçse mashtrim: metoda e parë ka të bëjë me ndërmarrjen e udhëtimeve për të bërë anketime të hollësishme e sistematike drejtpërdrejt në vend; e dyta, me leximin sa më shumë që të jetë e mundur të broshurave e librave të lidhura me çështjen konkrete, me qëllim që të arrihet nëpërmjet induksionit – përmes një morie dokumentesh, faktesh dhe pohimesh kontradiktore – të veçohet e vërteta dhe të koordinohet një tërësi pikëpamjesh të qarta e objektive (Albania 6, 1905).
55. Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, mosinteresimi dhe butësia (Albana 4, 1906).
56. Besimi është aritmetika e idealistëve, që i bën të besojnë se gjashtë egoizma të forta janë baras me një bujari të plotë (Albana 4, 1906).
57. Çlirim i një populli nuk do të thotë liri e tij duke skllavëruar një tjetër (Albania 11,1907).
58. Nuk mund të lexohet nëpër rreshta ajo çka nuk ekziston (Albania 11, 1907).
59. Pa dyshim, çdo parti ka të drejtën, madje dhe detyrën të shtojë radhët e veta në dëm të atyre që i kundërvihen (Albania 5, 1907).
60.Nuk mund të pretendosh të përfitosh nga tërë dobitë e lirisë, duke ruajtur njëkohësisht tërë privilegjet e tiranisë. Për të pasur institucione të lira, duhen luftuar mendimet nëpërmjet mendimeve (Albania 5, 1907).
61. Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime (Albania 5, 1907).
62. Koncepti i turqve për qytetërimin kufizohet thjesht në përdorim pomadash dhe në spërdredhje çupëlinash (Albania 12, 1909).
63. Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë (Albania 12, 1909).
64. Fjala e urtë e njohur : “gjithkush sipas shijes së vet”, mbetet përjetësisht e vërtetë (Albania 7, 1905).
65. “Patriotët” e aty-këtushëm janë duke e bërë qesharak patriotizmin me lloj-lloj maskarallëqesh e lloj-lloj teprimesh të shpëlara (Albania 1, 1905).
66. Botëkuptimi i një patrioti të vërtetë : të ngjallësh tek kombit tënd – me shijen e mendimit intelektual dhe me ndjenjë të fuqishme dinjiteti kombëtar – dëshirën e zjarrtë për përparimin e shoqërisë në kuptimin e plotë të fjalës. Ksenofobia, as që ishte pjesë e natyrës së patriotit. Ashpërsia dhe poshtërsia s’kanë si të jenë detyra patriotike. E megjithatë, gjithkush është i lirë të dojë a të urrejë, ose thjesht të jetë moskokëçarës (Albania 1, 1905).
67. Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe është rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve (Albania 5, 1905).
68. Përsosuria absolute nuk ekziston në një gjuhë që vetëm flitet; u takon shkrimtarëve për ta përpunuar (Albania 5, 1905).
69. Guximi i tepruar shkon gjer në krim (Albania 6, 1905).
70. Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle (Albania 6, 1905).
71. Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë (Albania 6, 1905).
72. Nëse shfaqem se mbaj ndonjë rezervë, do thosha se të mbash rezerva në disa raste, do të thotë gjithashtu edhe të lëvdosh. Ndaj një shkrimtari me nivel intelektual dhe talent, paanshmëria është një formë epërsie e nderimit (Albania 4, 1906).
73. Për mungese kulture, besimet, ashtu si dhe idetë, vdesin(Albania 4, 1906).
74. Respekti ndaj pronës private është një virtyt i vështirë, zbatimi i të cilit gjithmonë ka kërkuar ndërhyrjen dhe ndihmën e mirëmbajtësit të rregullit (Albania 4, 1906).
75. Turqit janë një popull oriental e teokratik, nomadë dhe pushtues. Brenda këtij karakteri të katërfishtë ndodhet çelësi i krejt historisë së tyre (Albania 4, 1906).
76. Nuk ka despotizëm më të keq se sa njëfarë idealizmi dogmatik, që përbuz si përvojën, si faktet dhe gjithçka tjetër që prish simetrinë e thjeshtë të koncepteve a priori (Albania 4, 1906).
77. Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, shpërfillja dhe butësia (Albania 4, 1906).
78. Të lehtësosh mjerimin e kundërshtarëve tanë është një veprim i meritueshëm. Të mbështetësh pretendimet e tyre politike është të bëhesh bashkëfajtor i një pabarazie. Të nxitësh lëvizjen tonë është të ndihmosh për një vepër nga më fisniket: çlirim i një populli nuk do të thotë liri e tij duke skllavëruar një tjetër (Albania, vëll XI, 1907).
79. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar (Albania 4, 1907).
80. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm (Albania 2, 1907).
81. Çdo aleancë duhet të bëhet mbi bazën e parimit do ut des (më jep, të të jap) (Albania 2, 1907).
82. Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë (Albania 12, 1909).
83. Shkenca e edukimit është shkenca e së ardhmes, e para nga të gjitha, duke qenë se është motori i krejt të tjerave (Ese për edukimin hyrje ).
84. Individë të dënuar me sëmundje të pashërueshme, të çfarëdo natyre qofshin, nuk ka si ta shohin veten të zhveshur nga një epsh që ndez instinkti (Ese për edukimin).
85. Fëmija qan dhe bërtet për dy arsye: herë ngaqë ka gjumë a vuan, dhe vihet re kollaj duke përdorur këtë apo atë ilaç që i përshtatet, herë ngaqë nuk bën gjë tjetër – falë një instinkti të mrekullueshëm – veçse ushtron zërin e tij. Dhe në këtë rast të fundit duhet lënë të vazhdojë në punë të vet.
86. Një nga detyrat më të vështira të edukimit ka të bëjë me atë që unë do ta quaja pa frikë kundër-trashëgimia. Ashtu sikurse ka kundërhelme, ka në fakt edhe një trajtim psikik për të zbutur apo zhdukur – sipas shkallës së qëndresës që shfaqin– të metat, pasionet apo veset e trashëguara. (Ese për edukimin).
87. Mendimi i lirë nuk i nënshtrohet asnjë sektarizmi; pasioni antifetar, më shumë nga ateizëm, nuk është veçse një devotshmëri zvetënuese. Ateizmi është asnjanësia. (Ese për edukimin).
88. Zotërimi i shumë gjuhëve është për një të njeri të shkretë një armë e mirë dhe municion shumë i mirë… Gjuha njihet vetëm kur mund të mendohet nëpërmjet saj. (Ese mbi edukimin).
89. Edukimi është shkencë, shkenca e parimeve më të përgjithshme për zhvillimin e plotë të mendimit njerëzor. (Ese për edukimin).
90. Qartësia apo paqartësia, saktësia apo pasaktësia e ideve dhe e mendimeve, qëndrimi ndaj veprimeve të jetës varen shpesh nga metoda e mirë apo e keqe e të menduarit, ose thjesht, nga mungesa e çdo lloj metode. Edukimi, me një fjalë, s’është gjë tjetër veçse si t’i mësohet fëmijës të veprojë në jetë vetëm pasi të mendojë, të mendojë vetëm pasi të arsyetojë dhe të arsyetojë vetëm metodikisht dhe nëpërmjet një metode të mirë, domethënë shkencore. (Ese për edukimin).
91. Qeni tund bishtin, kurse njeriu duartroket. Është, si tek njëri dhe tek tjetri, një mënyrë për ta bërë të dukshme kënaqësinë që ndjejnë. (Skice metode për t’u duartrokitur).
92. Moda, sot, është drejt artificiales. (Ese për gjuhët artificiale).
93. Gjuha përfaqëson, me një besnikëri të përkryer, metodën mendore të një populli, mënyrën e tij të zakontë për të përcjellë idetë. (Ese për gjuhët artificiale).
94. Tek harrojnë të djeshmen, tek përbuzin të ardhmen, bohemët jetojnë të përditshmen dhe vetëm e tashmja u intereson. (Ese për gjuhët artificiale).
95. Jeta e njeriut nuk është veçse një vijimësi mendimesh dhe veprimesh, të drejtuara qoftë mendimet, qoftë veprimet në një mënyrë të caktuar. (Ese për gjuhët artificiale).
96. Gjuha është një tregues i sigurt i gjendjes qytetëruese të një populli… sa më shumë përgjithësohen tek një popull mirësjellja, takti dhe ai qëndrim i përmbajtur për të respektuar rregullat e vendosura në një shoqëri të zhvilluar, aq më shumë pasthirrmat priren drejt zhdukjes. Si të tilla, tek formonin fjalorin e njeriut të egër primitiv, teksa i shohim në përdorim aq të dendur midis popullatave të Afrikës moderne, teksa ende çmohen në letërsinë e racave të ngrohta dhe komunikuese të Jugut, pasthirrmat nuk janë më veç një kujtim disi qesharak ndër shkrimtarët gjithë elegancë të shumicës së vendeve të Veriut. (Ese për gjuhët artificiale).
97. Detyra parësore, detyra e vetme e përkthyesit është të ketë një dije dhe një ndjeshmëri të tillë sa të mund të shohë e të ndjejë krejt mprehtësitë dhe ngjyrimet e tekstit origjinal, të shohë e të ndjejë idenë e autorit, as më lart e as më poshtë, si dhe ta japë përkthimin në mënyrë të tillë që të veprojë në trurin dhe nervat e lexuesit në masë të njëtrajtshme. (Ese për gjuhët artificiale).
98. Arti për të depërtuar në ndjeshmërinë e lexuesit është stili. (Ese për gjuhët artificiale).
99. Ironia, kjo bimë me aromë të këndshme e të lehtë. (Ese për gjuhët artificiale).
100. Ritmi ndihmon më shumë se gjithçka për t’i dhënë stilit shfaqjen e lëvizjes dhe të jetës. Është qarkullimi i gjakut dhe rrahja e zemrës. Andaj dhe është karakteristika më vendimtare e shkrimtarit të vërtetë