2018-07-20

Rruga e arratisjes se shqiptarëve në kohën e Enver Hoxhës

CIA ka treguar detaje se si arratiseshin shqiptarët gjatë regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar thuhet se kishte arratisje drejt Greqisë, por asnjë nuk u zinte besë grekëve. Po ashtu ka dhënë detaje mbi agjentët e Sigurimit në Juglindje të vendit.


Gusht 1952



Marrje në pyetje e refugjatëve

Më 1 qershor 1952 Safet Nazarka, bir i të ndjerëve Muharrem e Fatime, arriti në selinë e Greqisë. Ai ka lindur në 1914 në fshatin Helmes të Kolonjës. Kaloi kufirin në 16 prill 1952. Subjekti ka qenë i burgosur nga viti 1945 deri në 1950 si anti-komunist Nazarka bëri deklaratën e mëposhtme për gjendjen në Shqipëri:

Situata politike

Banorët në Kolonjë kanë shpresë për çlirim të Komitetit i Shqipërisë së Lirë. Populli ka simpati për fuqitë perëndimore, veçanërisht për Britaninë dhe SHBA, nga të cilat presin çlirim e tyre prej zgjedhës komuniste. Në lidhje me Greqinë, njerëzit i tremben pretendimeve të saj territoriale dhe nuk i zënë besë hapjeve miqësore të Athinës. Njerëzit në përgjithësi i urrejnë rusët dhe i konsiderojnë si burrin e vuajtjeve të tyre ekonomike. Italia nuk merret në konsideratë për çlirimin e ardhshëm të Shqipërisë. Populli shqiptar dëshiron një qeveri demokratike ku secili të jetojë pa u shfrytëzuar.

Rezistenca

Familjet e besuara në Kolonjë janë: në fshatin Helmes, Arif Koçi, Nesim Nazarko, në fshatin Qafzez, Haki Nuri, Safet Avdyli Avdyl Hisa e Sadik Shabani. Në fshatin Kozel janë Xhevat Bakiu, Maliq Estrefi, Ilmi Bakiu, Hamit Hamiti, Bejce Boshanji. Në fshatin Psari i Ri, Zylfo Estrefi. Kohët e fundit janë përhapur fjalë se Qafzezi dhe Faik Bato janë arrestuar në spital. autoritetet kanë përhapur fjalë se Vaiti ka hubur dhe se një oficer ka gjetur një kokë dhe një krah njeriu në pyjet e fshatit Vakush. Në shtator 1952 gjatë kalimit nga Korça në malin Qari, gjeta disa pako me gazetën e Komitetit Shqipëria e Lirë, “Shqipëria”. Unë i mora ato dhe kur arrita në fshat ua shpërndava miqve që u besoja. Gazetat ishin hedhur nga avionët. Informatorët e Sigurimit në zonë janë Skënder Ismaili sekretari i organizatës bazë në Helmes, postieri Azem Bajrami, sekretari i partisë Tefik Sabri, dhe sekretari i këshillit të fshatit Qafzez, Vangjo Miti. Në Kolonjë komandanti i Sigurimit është kapiteni Arif Selenica ndërsa kreu i policisë Marko Tasi nga Korça (ish-drejtor i burgut të Korçës dhe i kampit të përqendrimit të Vlloçishtit). Në lidhje me ushtrinë, Ilmi Baki më ka thënë se në Korçë ka një divizion prej 30 000 ushtarësh (shënim i agjentit: Shifër me siguri i gabuar). Ilmiu më ka thënë gjithashtu se ushtra në Korçë po ngre fortifikime në malin e Moravës dhe të Boboshticës.

Rruga e arratisjes

Më 16 prill 1952 në mesditë u nisa nga shtëpia në fshatin Helmes duke ecur përgjatë lumit Kozeli dhe ndalova në pyllin e këtij fshati deri në ora 9 të darkës. Më pas eca në drejtim të lumit Has në fshatin e Shtikës, drejt Kubellës e Gramozit dhe kalova linjën e kufirit në mesnatë. Eca përgjatë lumit Gramoz derinë fshatin grek të Janotope, ku në mëngjesin tjetër u dorëzova te autoritetet ushtarake greke. Ata më shoqëruan në Manaq, ku qëndrova tre ditë dhe më pas më çuan në Kolloqith. Aty qëndrova rreth 10 do të e më pas më çuan në Kostur dhe më tej më dërguan ën Selanik, ku u mora në pyetje nga amerikanët. Dy javë më vonë erdha në kampin e refugjatëve në Lavrion.

Ibrahim Rushani

Subjekti nga Korça, është marrë në pyetje nga dega jonë në Athinë dhe dyshohet si agjent komunist. Mes të tjerave i ka dhënë informacionin e mëposhtëm: Shifrat e publikuara nga komunistët për realizimin e planeve ekonomike janë të rreme pasi punonjësit asnjëherë nuk i plotësojnë normat. Kur Rushani në ndërmarrjen e ndërtimit, u fliste punëtorëve për rëndësinë e plotësimit të normës. Një ditë kandidati i partisë Vangjel Vangjeli e pyeti: “Shoku Ibrahim, sipas urdhrave që vijnë nga lart, ju insistoni për realizimin e normës dhe të planit, por si mund të plotësojmë planin pa mbushur më parë barkun? A nuk e shikoni se nuk mund ta plotësojmë plani? Nuk është se nuk duam të punojmë por duam edhe të hamë. Pastaj të punojmë sipas kushtetutës për 8 orë dhe jo 10 orë e me kaq norma të larta”. Gratë lejohen të punojnë në regjimin komunist por zyrtarët komunistë ofendojnë nderin e tyre. Për shembull zyrtari i tregtisë në Korçë, Raqi Katro kërcënon gratë dhe vajzat duke i shkarkuar nga puna ose duke i rritur në përgjegjësi, sipas dëshirës. Kreu i zyrës së punës në Korçë, Qani Nevruzi nuk merr në punë asnjë grua apo vajzë nëse nuk ka interes personal, dhe si rezultat i kësaj zyra në fjalë është kthyer në një qendër imoraliteti. Mijëra punëtorë në Shqipëri janë në spitale me tuberkuloz.

Lavrion, 12 qershor 1952

Më poshtë kemi disa deklarata të përgjithshme të bëra nga refugjatët e sapoardhur në kamp: Safet Nazarko nga fshati Holmes i Kolonjës deklaron se në qershor të vitit të kaluar Baba Ilmi Shembërdheja u dënua me 15 vjet burg por tashmë ka vdekur prej keqtrajtimeve. Ai ishte një nga nacionalistët kryesorë të klerit bektashi në zonën e Elbasanit, njihej pë ndjenjat anti-komuniste si gjatë luftës ashtu dhe pas ardhjes së tyre në pushtet. Qani Pepellashi, një refugjat shqiptar aktualisht në kampin e Lavrionit, ka marrë një letër nga Mynevere Orhani që jeton në SHBA, e cila brenda i kishte vendosur një letër nga babai i saj Mehmet Rapo nga fshati Holmes i Kolonjës. Në letër thuhej: “Vere, nuk jemi mirë ekonomikisht, nuk kemi bukë”. Në një tjetër fjali shkruhej: “Nuk duam shumë, një gjysmë dollari në ditë nga ty”. Mehmet Rapo është një nacionalist që ka qenë në kampin famëkeq të Vlloçishtit dhe disa vjet në burgun e Korçës. Familja e tij ka më shumë se 20 anëtarë. Muftar Godo deklaron se në 1951 ministria e drejtësisë prej mungesës së stafit, thirri në Tiranë, Anastas Karane, avokat nga Berati, dhe i ofroi post në ministri. Ai fillimish pranoi prej frikës por më vonë nisi të dyshonte, dhe më pas vrau veten. Para se të vdiste në spital i kishte thënë doktorëve se posti në ministri e njolloste dhe se fëmijët e tij nuk duhet të mendonin se kishte tradhtuar atdheun duke i shërbyer Stalinit dhe shërbëtorëve të tij.



Lëvizjet

Në 1951 Liri Belishova shkoi në Fier për të mbajtur një fjalim në lidhje me gjykatat e popullit. Kur dretuesit kuptuan se askush nuk do të shkonte në mbledhje, ata informuan punonjësit se dot pushoheshin nëse nuk shkonin në takim. Fëmijët e shkollave gjithashtu u detyruan të merrnin pjesë. Në lidhje me takimin një punëtor i tha kolegut: “Nuk ke turp që i çon fëmijët në shkollë me këpucë druri?” Tjetri iu përgjigj: “E ke gabim, për të arritur socializmin, sipas urdhrave të partisë dhe Stalinit, unë duhet t’i heq këpucët, edhe kur janë prej druri. Ibrahim Rushani, ish-rreshter artilerie në Durrës jep informacionin e mëposhtëm në lidhje me rekrutimin dhe trajtimin e ushtarëve. Të gjithë shqiptarët që mbushin 20 vjeç thirren për shërbimin ushtarak, pa dallim edhe në rast kur lënë familjen pa një mashkull për t’u kujdesur. Kur ata thirren nga zyra lokale e rekrutimit qëndrojnë atje për tre ditë dhe më pas dërgohen në njësi të tjera, sipas planit të mobilizimit të ministrisë së mbrojtjes. Rekrutët qëndrojnë rreth pesë ditë në njësi të përkohshme dhe gjatë kësaj kohe nuk kujdeset askush për akomodimin, por u japin vetëm nga një copë bukë. Elementët me biografi të mirë mbetet në qendrat e instruktimit. Ata që kanë qenë bij familjesh të pasura ose anti-komunistë, dërgohen qëllimisht në zona sa më të largëta ku të mos mund të takohen me të afërmit. Para nisjes për në njësitë e tyre ushtarët marrin uniformat. Elementët besnikë marrin uniforma të reja kurse ish-të pasurit i marrin të përdorura. Organizatat e partisë mbajnë shënim elementët e dyshimtë për t’i mbajtur në mbikëqyrje. Në çdo njësi rreth 35 për qind e ushtarëve i përkasin kësaj kategorie. Në gusht 1950 komanda e artilerisë bregdetare të Durrësit dërgoi 22 njerëz në batalionin e punës. Ibrahim Rushani deklaron se i shoqëroi këta ushtarë dhe gjatë rrugës kishte mundësi të fliste me ta. Ata shprehën pakënaqësinë e tyre, veçanërisht me Pandi Xhoxhin nga Korça të cilin e njihte dhe folën hapur. Ai tha se Sigurimi i kishte kërkuar që të bashkëpunonte për të spiunuar për shokët e tij, por ai kishte refuzuar dhe tani duhet të vuajë pasojat. Brigada bregdetare dërgonte 7-8 njerëz në batalionin e punës çdo muaj. Në korrik 1950 një ushtar nga Fieri, për arsye të pakënaqësisë ndaj regjimit i vuri zjarrin pyllit në ishullin e Sazanit me shpresën që të shpërthenin depot e municionit në ishull. Por zjarri u shua dhe ushtari përgjegjës u burgos. Në nëntor 1949 në Sazan, një grup i vogël ushtarësh formuan një rreth dhe nisën të shkruanin slogane kundër Enver Hoxhës dhe partisë. Këta elementë po organizoheshin me qëllim të eliminonin rojet dhe të arratiseshin drejt Italisë, por u zbuluan dhe u arrestuan. Iniciatori i kësaj ishte rreshter Prenk Ndue Gjergji nga Shkodra i cili mori burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët u dënuan nga 7 deri në 22 vjet burgim.

Ushtria

Në ushtri, trajtimi nuk është i njëjtë për të gjithë, veçanërisht doktorët komunistë nuk e vrasin mendjen për ushtarët që nuk janë anëtarë të partisë. Për shembull një rreshter u sëmur rëndë, por doktor Bilbili nuk u interesua fare për të dhe ushtari vdiq. Doktori shkon në familjet e oficerëve për të bërë vizita private dhe ka besimin e partisë, prandaj nuk e vret mendjen për detyrën. Duke qenë komunist, ai nuk ka fare ndjenja njerëzore. Ushtarët që nuk kanë njerëz që mund t’i ndihmojnë e kanë shumë të vështirë. Për shembull ushtari Rexhep Haruni nga një fshat i Fierit, i cili po shërbente në brigadën bregdetare në Durrës, la në shtëpi 6 anëtarë të familjes në gjendje të vështirë. E shoqja i shkroi se ishin detyruar të shisnin 2 qetë që kishin për të plotësuar taksat e shtetit dhe për të ushqyer fëmijët. Raste si këto ka me qindra e mijëra në Shqipëri. Përveç vuajtjeve morale e fizike, ushtarët kur lirohen u merren rrobat dhe duhet të shkojnë në shtëpi thuajse zhveshur e zbathur. Në dimrin e vitit 1950 disa ushtarë nga Elbasani u liruan nga shërbimi në Leskovik. Duke ecur për në shtëpi, në malin e Qarrës pranë Kolonjës, dy prej tyre vdiqën të shqyer nga ujqërit, dhe një tjetër vdiq nga moti i keq. Ushtarët gjithashtu duhet të marrin pjesë në kurse të përditshme politike që mbahen në çdo njësi, në të cilat ofendohen politikat anglo-amerikane dhe aktivitete e tjera të huaja.

Informacion biografik mbi kapitenin Pashko Vodice

Come Pashko Vodice 42 vjeç, është nga Vodice e Kolonjës, nip i kryepeshkopit Paisi Vodice, kushëri i zv. ministrit Josif Pashko. Ai ka kryer shkollën elementare katër-vjeçcare në qytetin e lindjes Vodice, ka qenë spiun në Ersekë, dhe ka kaluar kohë me këpucarin Cale Pashko, si dhe me Jorgji Nico në Shtike të Kolonjës. Ai konsiderohet nga të gjithë në qytezë si imoral dhe hajdut. Është kapur disa duke vjedhur pula e rroba nga shtëpitë e fshatarëve. Autoritetet e xhandarmërisë në kohën e Italisë e mbanin në vëzhgim si kriminel e vagabond. Gjatë pushtimit fashist ai dhe miku i tij Jorgji Nico bashkëpunonin me një kaporal të Guardia di Financa të Ersekës, kërcënonin e merrnin ryshfet nga fshatarët, duke u gënjyer atyre se pas rindërtimit do të shpërbleheshin nga italianët. Kushëriri tij Josif Pashko është përpjekur të përmirësojë kushtet në këtë fshat gjatë kohës komuniste, por pa sukses, për arsye se gjatë luftës nuk kishte luftuar kundër pushtuesve. Kur erdhi regjimi komunist, Come Vodice u emërua kryetar komiteti i Kolonjës dhe mori gradën major. Qëndroi në këtë post deri në 1948 kur u transferua në Berat si njeri i Koçi Xoxe. Në 1945 ai u zgjodh si prokurori i gjyqit ushtarak në Kolonjë dhe me kërkesë të tij 55 njerëz në Kolonjë u dënuan me vdekje, ndërsa rreth 150 u dënuan me burgime të ndryshme. Gjatë seancave gjyqësore, me urdhër të Josif Pashkos ai parandaloi shumë njerëz që të paraqiteshin si dëshmitarë të mbrojtjes. Për shembull në rastin e Naim Shasho, një 70 vjeçar që u burgos pasi nuk pati provat e duhura nga dëshmitarët. Me mbështetjen e agjentëve të tij, Serafin Kristo nga Rehova, Cale Pashko nga Vodice dhe Jani Shalsi nga Shala, ai ka marrë qindra monedha ari nga familjet fshatare të të dënuarve, me premtime të rreme se do i shpëtonte nga vdekja ose burgu. Është e pamundur të harrosh padrejtësinë që i ka bërë një familjeje tregtare, të cilës i mori 375 paund ari për të shpëtuar jetën e një tregtari të arrestuar, por në vend që ta lironte ai bëri që të ekzekutohej. Përveç të tjerave ai tani mban ende orën e tregtarit të vdekur. Vodice ka urdhëruar gjithashtu se pas ekzekutimeve trupat të mos varrosen thellë, siç ka ndodhur me patriotët Qani Tarjo, Burim Qemali, 20 vjeçarin Riza Gostivishti dhe shumë të tjerë, gjymtyrët e të cuëlve zbuloheshin nga qentë në rrugët e Kolonjës. Një vajzë e re gjeti krahun e babait të saj të vdekur dhe i kërkoi autoriteteve të varrosej thellë, por Vodice refuzoi. Në 1949 Vodice u transferua përsëri në Kolonjë, deri në shkurt 1951, kur u nis në shkollën ushtarake në Moskë. U kthye pas një viti dhe tani punon me ministrinë e Brendshme.

Përveç tre agjentëve të përmendur më sipër, rrjeti i spiunëve u shtua dhe me Shasho Kodrasi, Hasan Selenica, Xhafer Hasimi dhe Bektash Sulo. Vodice i përdorte këta njerëz për të dëmtuar njerëzit e ndershëm dhe patriotët e zonës. Të gjithë autoritetet lokale mbikëqyreshin dhe emëroheshin prej tij. Të gjitha paratë e vjedhura e të marra nga ryshfetet, ai i ndante me Josif Pashkon dhe Paisi Vodice që është xhaxhai i tij. Lavrion 27 qershor, 1952

Tetor 1953

Grupi prej pesë agjentësh Fig arriti në Athinë në 23 tetor pasi ishin detyruar të largoheshin nga Shqipëria në 19 dhe 21 tetor. Ata erdhën me moral të lartë por në gjendje të dobët fizike. Aktualisht po mbahen në zonën lokale deri në vlerësimin e operacionit të tyre. Agjenti Airborne ka pësuar një plagë plumbi në krah poshtë bërrylit, pa thyerje. Pritet të rikuperohet shpejt. Airuise ka pësuar një prerje në dorën e djathtë kur u detyrua të hidhen gjatë grackës. Ai ka gjithashtu probleme serioze me këmbën e djathtë e cila është carë dhe infektuar gjatë largimit. Edhe ai ka marrë pjekim dhe është drejt rikuperimit. Agjentët e tjerë kanë vetëm probleme me stomakun prej ushqimit të papërshtatshëm dhej po marrin mjekime. Agjenti Airbred nuk tregon shenja problemesh nga misioni. Kujtojmë se është fizikisht gjigant dhe i aftë të durojë shumë vështirësi.

Infiltrimi:

Grupi Fig kaloi kufirin në pikën N2513 natën e 7-8 shtatorit. Grupi nisi lëvizjen më 9 shtator, teksa të fshehur në një fushë misri u pikasën nga një dy burra të cilët u dorëzuan pa të shtëna armësh. Dy personat ishin Nise Koço Polena pronar i arës dhe Vasil Koço polena, roja i fshatit, grupi zhveshi Nisen dhe rrobat e tij i veshi agjenti Airborne, i cili shoqëroi Vasilin në detyrat e zakonshme të fushës. Pjesa tjetër e grupit pushoi. Rezultoi se dy personat ishin shumë bashkëpunues. Ata informuan grupin se javën e parë të gushtit ishte zhvilluar një betejë me armë mes forcave komuniste dhe reaksionarëve, por nuk dini mbi përfundimin e betejës apo të pjesëmarrësve. Më 11 shtator grupi lëvizi drejt Malit të Gorrës, ku kaloi, por nuk vuri re asgjë të veçantë. Ata qëndruan aty deri në ku u shlodhën dhe bënë planet për kontaktimin e miqve të tyre. Më 14 shtator agjentët e koduar Airëise dhe Airbred u ndanë nga grupi dhe shkuan në takimin me Rapush Agollin, i cili u dha ushqim dhe informacion të raportuar në radio në mesazhin e 3-të. Më 15 shtator dy agjentët u ribashkuan me grupin. Një ditë më vonë grupi kontaktoi me Elmas Ramanin, i cili i dha grupit ushqim dhe informacionin e raportit mbi “burgjet”. Më 18 shtator grupi la agjentin Airbrake në shtëpinë e Bektash Demir Zhbogi, pasi ishte sëmurë dhe nuk mund të qëndronte me grupin. Më 21 shtator grupi kontaktoi me Elmas Sokalarin dhe i kërkoi që të shkonte në Korçë për të mbledhur informacion e të merrte leje për shkuar në Tiranë. Ai e bëri këtë dhe autoritetet i thanë se për të qëndruar një kohë të shkurtër nuk kishte nevojë për leje, or vetëm nëse do të vendosej aty për të punuar. Më 22 shtator Fig kontaktoi me Dilaver Ali Zvarishti, i cili furnizoi grupin me ushqim dhe informacion. Zvarishti informoi se popullata në përgjithësi ishte shumë e demoralizuar. Burimi tha se nga maji deri në gusht të gjithë ishin bërë gati për veprim, për arsye se nuk ndodhi asgjë, njerëzit janë bërë hezitues. Për periudhën nga 22 shtatori deti në 11 tetor grupi ka shkatërruar shënimet prandaj nuk do të mbulohet me aktivitete e çdo dite. Grupi veproi në përgjithësi në zonën e Tresovës dhe rinovuan disa kontakte të vjetra nga operacioni i vitit 1952.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...