AGRON TUFA FTON POETË E SHKRIMTARË TË LEXOJNË NESËR POEZI TË POETËVE MARTIRË GENC LEKA E VILSON BLLOSHMI. FIRMA E DIANA ÇULIT PËR PUSHKATIMIT E TYRE
Të dashur vëllëzër/motra poetë e shkrimtarë shqiptarë,
ju që keni shkruar, shkruani e do të shkruani;
Të dashur vëllezër/motra lexues,
ju që keni lexuar, lexoni e do të lexoni,
Ju, të gjithë, që e doni artin, letërsinë, dhe e doni atë të pandotur, që keni ndjere dhimbje për pushkatimin në moshë të re të sivëllezërve tuaj, poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi, ju ftoj të gjithëve për një qëndrim, parimor, moral, njerëzor, ku të shprehim dinjitetin tonë, duke lexuar poezi të poetëve martirë Genc Leka e Vilson Blloshmi, pikërisht nesër, pikërish në orën 18.00, pikërisht në kafe “You, me & Bukowski”, sepse pikërisht aty nesër, në të njëjtën orë mbahet në kuadrin e projekteve leximore “Letërsia dhe Qyteti” (sponsorizuar nga M. Kulturës) Mbrëmja letrare me shkrimtaren Diana Çuli, e cila, rastësisht (?!) ka luajtur një rol fatal në pushkatimin e poetit Genc Leka, rastësisht ngarkohet me një barrë të papërballueshme respekti, rastësisht vihet në krye të Jurive për çmime të ndryshme EUROPA, etj, etj. ...Meqenëse ta ngresh zërin për dinjitet njerëzor ta zënë për të madhe dhe të kujtojnë të Drejtën e Fjalës në një Botë të Lirë, a nuk kemi pra dhe ne, miq, po kaq të drejtë, sa të lexojmë me zë të lartë lirikat e mrekullueshme të poetëve të vrarë, pikërisht në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, në të njëjtin vend me vrasësen e tyre?!
Ta shohim se kush mblidhet më shumë dhe kush do të tërhiqet… Kjo mbetet në NDERIN tonë.
Mirupafshim nesër në në kafe “You, me & Bukowski”, ora 18.00, e premte, 3 mars 20..., që të tregojmë se Genc Leka dhe Vilson Blloshmi nuk kanë vdekur.
Genc LEKA
POEZIA E FUNDIT
O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi?
……..
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar
Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.
(Shkruar në gusht 1976, pak ditë para arrestimit që i mori jetën)