2018-07-15

Cikël poetik nga poeti durrësak Agim Bajrami

Image result for agim bajrami nga durresi


Veprat e Poetit Agim Bajrami



Romancat e Muzgut(poezi) 2003
Arratisje pulëbardhe(poezi) 2005
Mbrëmje të puthura(poezi) 2009
Kohë që s’dashuron(poezi) 2015
Ditaret e mjegullës(poezi) 1016
Kthimi i gjeneralit(publicistikë dhe esse) 1014
Gomari me rrota(fabula) 1003
Pse kanguri s’paska xhep?(gjë e gjëza)
Ndodhitë e Xhulias(poezi dhe fabula për fëmijë)
Aventurat e Salamonit kureshtar(poema humoristike)
Grindavecët(poemë humoristike për fëmijë)
Gjëegjëzat e mëngjezit(gjëegjëza)
Shtegëtime letrare(esse dhe vëzhgime)
Ylbere pa lamtumirë(poezi) 2016
Etj.


Borë në Durrës



Ajo na erdhi krejt papritur

Si mike e mirë këtë mëngjez

Fëmijët buzëqeshen të mahnitur,

Amvisat punët lanë në mes.



Të bardhë, qielli edhe toka

E bardhë kjo ditë dimërore

Peisazhi kapën vë tek koka

Dhe shkon të pijë një çaj dëborë.



Mbas tij dhe unë i lumturuar

Vrapoj mes rrugëve si fëmijë

E prisja shumë këtë të uruar

Se mjaft na mbyti ngjyra gri.



Jam bërë një trazovaç pa emër

Që s’e mban vendi në kuzhinë,

Ju vajza mos më shihni vëngër

Nëse ndonjë top ” hani ” mbi shpinë.



Krejt ndryshe valët sot më duken

Dhe rëra rërë, nuk ngjaka fare

Aty ku mbrëmë çiftet u puthën,

Sot puthen fjollat lozonjare.



Ajo na erdhi pa njoftuar

(Se miqte e bardhë vijnë pa njoftim)

Pak bardhësi të na vërë në duar

Dhe brenda nesh, kaq ngazëllim.



Pamje të mërzitshme



Ka disa pamje të mërzitshme

Që shpesh më nervozojnë shumë keq

P.sh kjo lulishte e prishur

Ku s’lozin më fëmijë dhe pleq.



E qara e një gjimnazisteje

Që me të dashurin ka bërë fjalë

Një varkë e ndryshkur nëpër vite

Që ëndërron të puthë një valë.



Kafeja gri që nuk më ngjiti

Bashkë me cigaren që tymon

Ky plak me pamje neoliti

Që vdekjes së tij shpesh i këndon.



Hajduti i vogël i marketit

Që vjedh me turp një çokollatë

Për pak pa frymë nga rrahja mbeti

Dhe sot e çuan në gjykatë.



Ky procesion që çon drejt varrit

Një nënë të gjorë të masakruar

Nga çmenduritë e një të marri

Dhe askush s ‘ndal për ta nderuar.



Ka disa pamje të mërzitshme

Që shfaqen para nesh çdo orë

Ty natyrisht s’të bëjnë përshtypje,

Por mua më brejnë, si një tumor.



Gjyshja s’është më



Gjyshja s’është më!

Në valixhen e ikjes e futi vështrimin

Nuk deshi të merrte me vete asgjë

Ta kish më të lehtë udhëtimin.



S’do flasë më me shpirtrat në orët e gjata

Dhe vdekjes të vijë e ta marrë

Në varrezën e qiellit me pllaka të kaltra

Do ketë dhe ajo sot një varr.



Ç’ kish mbetur prej jetës nga vetja e flaku

Përveç një dore kockash të thata

Mbi trupin e mardhur braktisur nga gjaku

Tani mërmërin vetëm nata.



Nga balli i qivurit shikoj dy tre lotë

Për njerëz si ti kush nuk qan?

Të ndihesh si gjyshe s’është pak në këtë botë

Me shpirt kaq të madh, oqean.



E paskam të rëndë të pranoj këtë ikje

Ca thika me shpojnë në çdo vend

Se brenda meje ka kaq vite

Që mbajnë patjetër emrin tënd.



Zvarritet mesdita kërrusur nga dhimbjet

(Gjithë lulet janë tharë në mëhallë

Në botën e përtejme s’pranohen kujtimet

Ndaj kthehen tek unë si një mall.



” Makiato” mëngjezi



Makiato e ftohtë me ca re prej mëngjezi

(Ta pij i vetmuar kam frikë )

E di që dhe sot përgjysmë do më mbesi,

Si gur do më kthehet në grykë.



Ca krisma pranë meje do ndiej me patjetër

Më pas një viktimë që rënkon

Gjithçka do të zgjidhet me “stilin” e vjetër

Dy plumba mbas kokës dhe …shkon.



Makiato e ftohtë me sheqer diabeti

Kllounë dhe mashtrues rreth e qark

Në kthetra prej ujqërish pa frymë dergjet shteti

Mjerimi ngado bën “konak “.



Makiato e verbër me shkumë politike

Premtime me thes dhe gënjeshtra

E sotmja bën ” selfie “me pamje komike

Të rrosh a mos rrosh, kjo është çështja.



Makiato cinike që s’më lë kurrfarë shije

Mushkëritë po m’i çan smogu mbytës

Në ajër ngado vjen një erë kalbësije

Nga plehrat, kryefjala e ditës.

Makiato!



Libër i grisur në rrugë



Libër i grisur në mes trotuarit

Nën këmbë kalimtarësh të vonë

Më duket se shoh rropullitë e shkrimtarit

Dhe vdekjen e tij që rënkon.



Me fletët zverdhur, zhubravitur

Ca gërma qajnë me zë plot droje

Nga sytë e tyre unë jam rritur

Ndaj më vjen turp, mbi to të shkoj.



Një jetë të tërë në gjoks të mbajta

Me ty harroja çdo trishtim

Çdo fletë e jotja ish një flatër

Të dilja jashtë burg – ankthit tim.



S’ mendoja kurrë që të shihja

Të shtrirë pa jetë, në këtë vend

Të zhveshur keq nga shenjtëria

Nga ky absurd që po na çmend.



S’e njoh atë që të ka grisur

Por pamja jote ma rrëfen

Inkuzitorët drejt nesh janë nisur

Disa nga ta mes nesh i gjen.



Libër i flakur me neveri,

Me baltë dhe llum keqas përlyer

Nuk më vjen keq më shumë për ty,

Por për heronjtë e tu të fyer.



Mbërritja e trenit serb në kufi



Ata u shfaqën përsëri,

Ata s’lënë rast t’ju ikë për dore

Jo më me tanke dhe hordhi,

Por me një tren, si gjarpër bore.



Kaq vjet që ngjanin të urtuar

Me kokë të ulur dhe me frikë

Tani papritur qenkan zgjuar

Me sy tinzarë dhe cirilikë.



Kështu përherë me ta ka ndodhur,

Përherë me ta kështu ka ngjarë,

Ata kur shtiren dhe të ngordhur

Bëjnë gati helmin për të vrarë



Ky tren s’ka plaçka, udhëtarë

Paçka se pamja të mashtron

Lëviz nën tokë, jo mbi binarë

Atë veç djalli e drejton.



Në trup të tij me makth mbuluar

Mbart mijëra gjarpërinj të tjerë,

Të gatshëm veç për të kafshuar,

T’na mbjellin vdekjen prapë në derë.



Dhe pse në ballë mban kryqe Zoti,

Dhe qan për paqen pambaruar,

Ky gjarpër – tren vrau Lakoontin,

Ky vetëm pamjen ka ndërruar.



Ata po shfaqen prapë kësaj ane

( Nga ta dhe ajri klith me frikë )

Mbështjellë me kurthe nacertanie

Dhe helm prej djalli ballkanik.



Stacioni i vjetër i kuajve romakë buzë rrugës Egnatia në Bradashesh



Fragmente muresh gjysmë tretur

Dhe ca frerë kuajsh të harruar,

Karvanët s’dihet ku kanë mbetur

Kalorësit s’duket nga kanë shkuar.



Të rënda tullat kuqerreme

Mbi njëra – tjetrën vënë në shekuj

Si palimpsest i një poeme

Mbështjellë me pluhur dhe me mjegull.



Sa shumë ushtarë perandorakë

Me shpata dhune nëpër duar

Kanë shplodhur kockat nëpër natë,

Pastaj janë zhdukur të harruar.



I kanë përpirë patjetër udhët,

Kështjellat me bedenë prej guri,

Unë ende shoh ca fjalë struktur

Dhe dhjetëra gjuhë poshtë këtij muri.



Çdo natë kuajt hingëllinin

Nën drita yjesh majë kodrine,

Në ç’fate vallë udhët i shpinin,

Në ç’kurth enigmash bizantine?



Stacion karvanesh i braktisur

Një portë e rëndë me dru e hekur,

Tek unë pak hingëllimë ke ngjizur

Dhe pak, perandori të vdekur.



Ngricë



Masive bore bërë kapica

Një erë si qen që të kafshon

Çdo trup i mbushur me mornica

Më kot nën xhup veten mbulon.



Tablo e bardhë të ndjek çdo metër,

Një copëz ankth të mbjell në sy

M’u bënë kaq ditë që ndiej mes vetes

Pak Antarktidë dhe Siberi.



Prej saj gjithë zogjtë tmerruar ikën

Me krahë të ngrirë gjysmë ulok,

Cinizmi i saj më kujton shtrigën

Dhe gjithë tiranët e botës tok.



Ia dhashë një lypsi këtë mëngjez,

Të vetmin shall me thekë të vjetër

Unë e di mirë që ai po vdes

Por, le ta ketë për botën tjetër.



Do desha sot një diell lodër

Ta tremb këtë ngricë si farmak

Ta bëj të qeshë këtë pemë mbi kodër

T’i kthej prapë puthjet në çdo park.



Por është vështirë, tmerrësisht vështirë,

Rreth nesh veç era uturin

Kjo borë e bardhë me sy të ngrirë

Tashmë dhe mua, po më ngrin.



Masive bore bërë kapicë

Një erë që klith si qen nën derë

Tashmë jam bërë një burrë prej ngrice

Dhe s’di kur do të shkrij ndonjëherë?



Meditim pranë “Syrit të kaltër”, Sarandë



Valëvitja e ujit nis më tej

Peisazhi befas ndërron lëkurë,

Çdo valëz krifën ngjyen me diej

Ta kthejë vetveten në pikturë.



Padashur nxjerr një klithmë habie

Që tretet lehtë nëpër erë

Përballë gjithë kësaj bukurie

Nuk jam veç një detaj pa vlerë.



Qerpikët e kaltër pulit uji

Me pakëz dridhje lehtë – lehtë,

Si sy i kaltër i një nimfe

Që rri këtu miliona vjet.



Dhe mua nuk më mbetet tjetër

Përveç të hesht dhe të sodis,

Siç bën gjithmonë një sy i etur

Përballë magjisë së bukurisë.



Valëvitja e ujit shkrin dhe gurët

Dhe brenda nesh pak mister lë,

Unë i pëlqej pa masë pikturat,

Po këtë s’e ndërroj me asnjëgjë.



Kohë malli



Vështrimi ngrin mes hapësirash

Me pemët vjeshta veten zhvesh,

Seç ka një pikëllim prej shirash

Kjo kohë malli midis nesh.



Urbanët shkojnë e vijnë pareshtur

Me pluhur gri periferik,

Të gjithë nxitojnë diku të derdhen,

Veç ti ke mbetur në trafik.



Ku dhe me ajrin mund të zihesh

Me padurimin që të vish,

E marr me mend sa keq që ndihesh

Mes kaq makinash dhe boorish.



Ndaj i urrej gjithë semaforët

Që ndizen, shuhen mes përtesës,

Në ka një orë që i shaj orët,

Janë orët e tua të vonesës.



Vështrimi ngrin mes hapësirash,

Akrepi i kohës veten vret,

Unë veten shpall kalorës prej shirash

Dhe vij tek ty, në këtë qytet.



Atyre që më janë mërzitur



Ndodh shpesh që ti mërzis të tjerët,

Ndaj kanë të drejtë të mbajnë mëri,

Vendlindja që e lashë kaq herët

Dhe rrallë, shumë rrallë kthehem aty.



Çatia që s’e kam ndërruar

(Që veç çati nuk quhet më),

Një lypës pa këmbë edhe pa duar

Që asnjëherë, asgjë s’i lë.



Hardhia që s’i flas me emër

Dhe s’i them kurrë mirëmëngjez,

Dy vajzat që i bëj me zemër

Kur iki larg dhe pa adresë.



Një shok që e lashë të priste gjatë

Dhe ende ndjesë s’i kam kërkuar

Pulëbardha që më lut çdo natë

Një fjalë nga unë për t’u fejuar.



Babai që më sheh pak hidhur

Dhe nuk mbyll sy pa ardhur unë,

Këpucët që harroj pa lidhur,

E premtja që i them: e shtunë.



Të gjithë, të gjithë më janë mërzitur

Me sy të vëngërt inatçorë,

Unë kam kaq kohë me mendje ngritur,

Që nga janari, në dhjetor.



Prandaj zë qesh kur ju më shani

Dhe kur më quani hutaq

Të rrosh çdo çast nën sy shejtani

Është mirë dhe kaq!



Trishtimi i një dege ulliri



Degë ulliri në një stol dashurie

Që me vetveten flet e flet

Në sy i rri një re mërzie

Një lot i akullt, që rrëshket.



Ka ditë që çifti i preferuar

S’po shkon pranë saj si dhe me parë

Ajo, një bjonde flokë lëshuar

Ai, një brun me trup lastar.



-Ku janë tani, ku do kenë shkuar?

Pyetjet rrjedhin si ujëvarë

Mos vallë do jenë të zemëruar

Apo më keq, mund të jenë ndarë?



Larg qoftë, ,larg qoftë, zë flet me vete

Dhe shkund me dorë një paranojë

Ata e donin njëri – tjetrin,

Një dashuri s’mund të jetë lojë!



Në qoftë kështu, ç’me duhet jeta

Pa ta do jem një degë në erë

Më vjen ti flak gjethet që çela

Veç ti shoh prapë, bashkë dhe një herë.



Pellgje !



Pellgje të bardhë edhe të zinj

Me ujë të ndotur dhe me erë

Mjafton të bjerë një kovë shi

Dhe mbushni vendin menjëherë.



Në udhë, në sheshe dhe rrugica

Në mbikalime, nënkalim

Ju vetëm shtohëni si mizat

Të ftohtë, të ndyrë dhe anonym.



Pranë jush sa herë që kam kaluar

Bëj shumë kujdes që mos t’ju shkel

S’më pëlqen pamja e turbulluar

Prej gjurmësh vrugu që nuk del.



Mjafton veç pak ë rrish pranë jush

Nga pas të ngjiteni si bisht,

Në trup, në rroba dhe lëkurë

Por dhe në tru njëkohësisht.



Dhe kurrë nuk ngopi duke ndotur

Për asnjeri s’jeni të huaj

Në ekran, në parlament dhe rrotull

Do gjesh diçka nga era juaj.



Pellgje të zinj, të mugëtirtë,

Simbiozë tragjike pa mbarim,

Në ajrin tonë jeni të shkrirë

Ndaj asnjëherë s’po gjejmë shpëtim.








VJESHTA E NJë GRUAJE



Ti thua shpesh se erdhi vjeshta
Ndonëse ende s’janë zverdhur parqet
Psherëtin për gjërat më të thjeshta
A për një thinjë që fshehtas shfaqet


Dhe befasë gjërat përreth teje
Zënë marrin trajtën e mërzisë
S’ka gjë se shiu fle mbas një reje
Dhe duhet kohë ende të nisë

Tashmë më rrallë të shoh në shesh
Qirinjtë mbi tortë janë fikur
Pasqyrën më se ke mikesh
Por send që s’duhej shpikur

Por unë më ty buzëqesh pareshtur
Gjithçka më ngjanë pa shkak
Ti ke diçka nga verë e vjetër
Që rri harruar nën banak

Mjafton prej saj të pish një gotë
(Ajo ta pish s’të lut)
Të ndez kaq gjëra në aortë
S’të ngop as me një but

Planetin vete ta kthen në zemër
Dhe ajrit i humb peshën
Në qoftë kështu vjeshtë e një femër
Ok. Unë po zgjedh vjeshtë.






NJERËZ TË LIGJ
(Disa njerëzve hije)

Më lini të qetë, më lini të qetë
Ju njerëz hije, të paemër,
Gjithçka e juaj sytë m’i vret
Dhe një Golgotë më ngre në zemër.

Më lini të qetë, më lini të qetë
Ju vështrim zbehtë, si mure kishe,
Ju që me fjalë mbysni një det
Dhe djallin vetë mbyllni në shishe.

Më lini të qetë, më lini të qetë
Mjaft kam në gjoks kaq llohë dëbore,
Unë miqtë e mi i kam të shenjtë
Dhe dashuroj, veç një shenjtore.

Më lini të qetë, më lini të qetë
(Ne jemi larg me vite drite,)
Në vargun tim ndrin një kometë
Tek ju një hënë hermafrodite.

Më lini të qetë, më lini të qetë
Asnjë këshillë nga ju nuk dua,
Unë vëlla me qiellin jam në jetë
(S’e shihni vallë sa më ngjan mua?)

Më lini të qetë, më lini të qetë
Me mëkatarë ditën s’e ndaj,
Këtë botë me daltë e gdhenda vetë
Pak ndihmë për këtë, më dha babai.

Më lini të qetë, më lini të qetë
Se unë s’kam gen prej Don Kishoti,
S’kam ardhur nga ju në këtë jetë
Por me urdhëresë, e vulë nga Zoti.

Më lini të qetë, më lini të qetë
Ju ujq, me dhëmbë gjysmë të rëna,
Ta puth lirinë siç dua vetë
(Dy buzë për këtë, m’i ka bërë nëna).

Më lini të qetë, më lini të qetë
Ju verdhacuqë prej zërash vaji,
Përndryshe do t’ thërras rrufetë
Dhe s’dihet më, se ç’mund t’ju ngjajë?

ELEGJI PA LAMTUMIRË
(Kushtuar poetit të madh disident çam, Bilal Xhaferri)

Ullinjtë prej kokrrash janë rënduar
Po prap seç kanë një pikëllim,
Askush s’është gjallë ,t’i mbledhë me duar
Poeti im, vëllai im.

Asgjë s’lëviz, veçse ulkonjat
Që diellin shajnë me ulërimë,
Janë vrarë ylberet dhe shqiponjat
Poeti im, vëllai im.

Ti na shikon përtej një reje
Si lot që bie në rrokullim,
Kalorës prej drite dhe rrufeje
Poeti im, vëllai im.

Mbi sup të ngrin një lamtumirë
Mbi shpinë një mal me pikëllim,
Lirisht e kuqe, prap është nxirë
Poeti im, vëllai im.

Gjithçka të ngjan si atëherë
Kur Çamërinë e lamë nën tym,
Me përshëndetje pa ylberë
Poeti im, vëllai im.

Shqipërinë ti zgjodhe këngën tënde
Çamërinë një hymn me psherëtimë,
Me dy Atdhe në shpirt e mendje
Poeti im, vëllai im.

Çapitej koha këmbëzvarrë
Mbi tela gjëmbash dhe rrethim,
Andej në flakë, këndej në zjarr
Poeti im, vëllai im.

Demoni klithte i xhindosur
Me gaz dege, kërcënim,
Në darkë i lirë, ditën prangosur
Poeti im, vëllai im.

Por burrërisë, s’i shkojnë lotët
(Një burrë prej lotësh është mallkim),
Atdheun s’e bëjnë kurrë Don Kishotët
Poeti im, vëllai im.

Prandaj heronjtë ngjallje nga dheu
Me varg na dhe pak ngushëllim,
Berati ra, por jo atdheu
Poeti im, vëllai im.

Çdo çast na flet pa lamtumirë
S’ka gjë se plumbat s’ndërrojnë drejtim,
Ullinjtë janë plakur, prerë dhe nxirë
Na presin ne, të shkojmë nxitim
Poeti ynë, heroi im.

Shënim : “Lirishta e kuqe” dhe “Berati ra”, janë dy nga veprat
më të rëndësishme të Bilal Xhaferrit.
Durrës, 5. 9. 2015

DUHET NJË KRISHT

Ne bëjmë çdo orë ndaj vetes faje
Si farisejtë ndaj zotit Krisht,
Kërkojmë ndjesë, por s’lypim falje
“Dëshpërimisht, dëshpërimisht.”

Dhe njëri-tjetrin çdo ditë hamë
Ia presim bishtin, në ka bisht,
Kur s’kemi thikë përdorim kamë
“Heroikisht, heroikisht.”

Çdo çast ne thithim erë fekale
Na bredhin minjtë nën shtrat lirisht,
Se bëjmë pallate, por s’bëjmë hale
“Qytetarisht, qytetarisht.”

Çdo javë ne ndërrojmë dyzetë kollare
Azil kërkojmë familjarisht,
Atdheun shajmë dhe s’pyesim fare
“Triumfalisht, triumfalisht.”

Me xhepat bosh por me X-pesa
Dhe smogun përmbi tru dy-gisht,
E shtypim gjyshen me gjithë mbesa
“Shumë njerëzisht, shumë njerëzisht.”

Se jemi trima dhe bohemë
I rrisim mjekrat arabisht,
Hashashin kemi bërë emblemë
“Shqiptarisht, shqiptarisht.”

Në udhëkryq dhe zgrip gjithmonë
Pak diell kërkojmë me sy të trishtë,
Rrëzojmë një djall, ngrejmë një demon
“Partishmërisht, partishmërisht.”

E mbajmë veten për të zgjuar
Po kthesat presim gabimisht,
Çdo vit në gropë na gjen rrëzuar
Fatkeqësisht, fatkeqësisht.

Ne bëjmë çdo çast, faje gjithfarë
Dhe mend s’vëmë kurrë, sigurisht,
Pa sens, pa busull, pa kandar:
Duhet një Krisht, duhet një Krisht!

GRUA QË GATUAN MAKARONA

Grua që gatuan makarona
Dhe me bukuri tundon dhe xhindet
Që qëndron pa gjumë në orët e vona
Mbi një metaforë që nuk të bindet.

Prapë në këmbë të zuri ky mëngjez
Një pikë djersë të shfaqet si rubin
Me një dorë shtron pjatat në tryezë
Dhe me dorën tjetër poezinë.

Po të thinjen flokët ditë për ditë
Mbi qerpikë ka ngrirë një qiell gri
Burri që t’i thithi mrekullitë
Tashmë të vështron me qesëndi.

T’i atij i fale gjithçka kishe
Puthje, dritë dhe djema si lastarë
Në këtë kohë që çirret me zë bishe
Në këtë dhomë me ajër gënjeshtar.

Por ti s’qahesh, s’erresh në fytyrë
Vargjet i bën diell t’i kesh për vete
Është vështirë tek ne, tmerrësisht vështirë
Që të jesh dhe grua, dhe poete.

Netëve një ishull bën me mend
Dhe nga gjoksi i burrit fluturon
Dorë për dore me poetin tënd
Që të do kaq shumë dhe ti s’guxon.

Grua me vështrim si një Venerë
Netëve vij të puth, e shkoj pastaj
Ta ndërroj pak këtë ajër që mban erë
Erë prej makaronash, edhe vaj.

MISION I PAMUNDUR

Unë s’isha për ty njeriu i duhur
Një hënë s’e prek dot kurrë një yll
Aventura të tilla, janë mision i pamundur
Por kisha qejf ta bëj një trill.

S’mbaj mend ç’më the, me gjysma fjale
Qyteti im është zhurmanjos
Veç pashë që diellin ti ma ndale
Dhe kupë e qiellit, u tendos.

Një pemë në rrugë më pa hutuar
Ai çast në shpirt kaq shumë më dhemb
Kaq vonë, kaq vonë e kam kuptuar
I kisha hyrë detit në këmbë.

Gënjeja veten kot së koti
Siç mund të bëjë dikush pa mend
Unë s’jam dhe notar i zoti
Të mposhtja dallgët e syrit tënd.

Ti ishe një krijesë prej xhindi
Herë hënë e plotë, herë natë e gjatë
Në gjoksin tënd s’hyn as Kupidi
Sado që ka shigjetë të artë.

Dhe unë patjetër s’mund të hyja
Çdo aventurë sjell një pasojë
Por më dha urdhër dashuria
Që unë s’kam forcë ta kundërshtoj.



Skulptori i veprave monumentale të Durrësit ka vendosur t’i bëjë një dhuratë poetit të mirënjohur, Agim Bajramit, të cilit i përshtaten fare mirë thënia e Gorkit për poetin rus Esenin, se “organizmi i tij ishte krijuar vetëm për të shkruar poezi”



Të flasësh për poetin Agim Bajrami është e tepërt. Mjafton që gjithkujt t’i japësh të lexojë vargjet e tij. Dhe s’mund të mos dashurohesh me të. Dhe është pikërisht kjo arsyeja që një nga skulptorët ka vendosur që të punojë një medaljon bronzi për të. Medaljoni ndodhet në një anë të ateliesë së skulptorit të talentuar Idriz Balani. Idrizi thotë se e ka bërë para disa kohësh, por nuk ia ka treguar Agimit. I kërkova leje Idrizit që ta fotografonim dhe mendova që t’ia botoja në këtë numër të gazetës “Dita” në dakordësi me shumë dashamirës të poezisë së tij, i bindur se ai e meriton këtë medalje të bronztë të derdhur nga skulptori i veprave monumentale të Durrësit, Idriz Balani. Në kohën kur poetët nuk marrin asnjë shpërblim, mirënjohja morale është dhurata më e madhe për ta.

Ndërkohë, mbrëmë Bajrami u kthye nga Kosova. Si pjesëmarrës në manifestimin “Flaka e janarit 2013” e zhvilluar në Kosovë, poeti durrsak zuri vendin e tretë në poezi, me poezinë “Varreza e braktisur në Çamëri”, poezi e librit më të fundit të tij, “Mbrëmje të puthura”. Ky libër një risi të re poetike të shkrimtarit të njohur durrsak, Agim Bajrami, që nuk kaloi pa u ndier në rrethet intelektuale të Durrësit.

Një libër në dukje modest, por që përmban brenda vargjeve, shumica të lindura nga impulse frymëzimesh spontane, një prush të vërtetë poetik për t’ia pasur zili. Një libër që si i tillë nuk gjendet më në libraritë e qytetit, librari të cilat janë në të shumtën e rasteve bankoprova të vërteta të talenteve, pasi lexuesi durrsak është nga të rrallët lexues mjaft selektiv me shumë intuitë dhe kulturë, që dinë të zgjedhin gjëra me shije. Në shoqërimin e këtyre vargjeve të birit të Çamërisë Agim Bajrami, duke i referuar shënimeve te miku i tij, Shpendi Topollaj, ka shkruar mes të tjerave se Agimi në këtë përmbledhje poetike ka përdorur si përherë dhuntinë e tij si poet i lindur. Një thënie që të kujton shkrimin e Gorkit për poetin e madh rus Sergei Esenin kur shprehet se “organizmi i tij ishte krijuar vetëm për të krijuar poezi”. Në një poezi mbase që edhe mund të lihet jashtë vëmendjes kaq e thjeshtë është në të gjen hiret e Hirushes së folklorit tonë.

Poezia titullohet “Liqenore” dhe kur poeti shkruan:



Pranvera veten ka krijuar,

Te ky liqen që ndrin si syri,

Oh, ç’heshtje qelqesh të praruar,

Hapësirë që digjet prej floriri,



Në strofën e fundit të saj poeti i mahnitur nga kjo bukuri do të braktisë gjithçka dhe të rrijë pranë brigjeve liqenore, duke kërkuar që të zhdukë atje në thellësi hallet e jetës së përditshme që s’janë vetëm të tijat, por të shumë vetëve si ai.



Mëngjesi shkruhet mbi një letër,

Mbi kuj dallgësh ngjyre blu,

Në qoftë kështu parajsë e vjetër,

Më lini miq të mbes këtu.



Nuk është kërkesë për vetëvrasje. Është thjesht një dashuri idilike me diçka të bukur që po vdes nën peisazhet e industrializuara tip Tec Portoromanoje që janë në projekte…

Kushdo që lexon poezitë e librit të dalë në treg e të shitur tashmë, bindet se Agim Bajrami është edhe ai një organizëm i tillë në krijimin e poezisë lirike shqiptare. Edhe pse në të ka mjaft tema të lëvruara nga të tjerë, Bajrami në këtë libër i koncepton poezitë nën opsionin e vet plot individualitet dhe bukuri që të bën të mos i lëshosh vargjet nga dora. Madje dhe shumë të tilla të lind kërkesa për t’i nënvizuar, sidomos kur ai “qan” në vargje Çamërinë, vargje që të kujtojnë gjëmat e veriut. Kur lexon ato, ndjen se nuk po lexon më rima, por gure që rrokullisen në hone të thella shpirtërore, që nga majat e larta të dhimbjes për humbjen e viseve të vendlindjes me një bukuri biblike. Fatmir Minguli thotë për të se “Agim Bajrami shkon më tej në guximin lirik, sepse e shtjellon atë në disa trajta, që nga fati i stërmunduar i poetit e deri në rrënjët e lisit poetik, të lëshuara drejt thellësive të poetikës”.

Poeti Agim Bajrami në jetën e përditshme është një njeri më se i zakonshëm, me hallet e përditshme të një njeriu që ekonomia e tregut e ka futur në mengenenë e vështirësive të mëdha të ekzistencës për të përballuar jetesën, të cilat nuk kalojnë pa u cekur në vargjet e spikatura e mjaft gjurmë lënëse në ndërgjegjen e atij që i lexon. Ai jeton përditë drama të vogla të cilat shpesh kërkon t’i mbysë edhe me ndonjë gotë rakie të mirë me miqtë e vet të pafuqishëm për ta ndihmuar në zgjidhje praktike të halleve të përditshme, siç është problemi i së bijës të cilën megjithëse ka mbaruar me nota të shkëlqyera universitetin, nuk ia gjejnë një vend në arsim për të punuar si mesuese, madje ka qenë e tillë, por e kanë larguar nga një shkollë në Sukth, pasi i ka rënë shkurtimi dhe ajo tashmë qëndron në shtëpi duke redaktuar poezitë e miqve të shumtë e poetëve të varfër që rrethojnë babanë e saj.

Dhe mbase poezitë e bukura të tij janë përftuar nga kërkesa instinktive e shpirtit të tij të fuqishëm prej poeti për t’i larguar paksa këto halle. Dhe ai thjesht nuk merret me to, por i drejtohet tek “Violinistja” së bukurës:



Ta kërkoj fytyrën,

Po s’ta dalloj dot,

Shkrirë mbi valle notash,

Tingujsh magjiplotë!



Stinët ndërrojnë vendet,

Si në një magji,

Vallë ç’do ish kjo mbrëmje,

Po të mos ishe ti?!



Po përsëri, megjithëse kërkon që t’i shmanget problemeve prozaike të jetës me flakë frymëzimesh që shpërthejnë si petale lulëkuqesh mbi fletët e librit të tij, ai e ka të vështirë që të ndiejë braktisjen nga miqtë e vet, qoftë edhe të “këqij” ndonjëherë:



“S’më erdhi askush për ditëlindje,

Dhe pse sot mbusha dyzet e tetë,

Qiriu në tortë pikon me dhimbje,

Dhe hedh ca pika mbi tapet!”



Këtu poeti krijon si një regjisor para xhirimit, një skenë të trishtë, madje tepër të trishtueshme. Është tepër e rëndë për këdo që në një periudhë jete kur shumëkush ka arritur kulmet e ambicieve të veta, ai në këtë rast protagonist i regjisurës poetike të Agim Bajramit, të mbetet vetëm për vetëm me tortën, dëshirë për të ëmbëlsuar shpresat e parealizuara, por edhe kjo tashmë është tepër e hidhur për të dhe poeti shpërthen qetë e plot dhimbje:



S’më erdhi askush për ditëlindje,

Mëngjesi i festës ngriu në qelq.

Qiriu i tortës qau me dhimbje,

Dhe unë vërtet u ndjeva keq.



Kaq. Pa ulërima. Po ama mëngjesi i festës nga miqtë e këqij është bërë tashmë kurban mbi qelq, ku dhe kamera e tij e talentuar e “ngrin” dhimbjen si një insekt në qelibarin e qelqtë. Një dhimbje që gjithsekush nga ne lexuesit e ka ndjerë në moment të vështira që na janë shfaqur në jetë. Dhe që na i zgjon artistikisht kjo poezi që nga skutat e moskujtesës ku jemi përpjekur për t’i “burgosur” ato së bashku me miqte plëngprishës që na kanë shoqëruar dhe më pas braktisur, mbase në momentet kur na janë dashur më shumë…

Dhe mbase pas ditëlindjes lexuesi shikon se si ai derdh vargje bronzi edhe një “ditë vdekje”. Është fjala për një poezi që Agimi ia ka kushtuar varrimit të ish-fqinjës së vet Drita Çomos.



“Rënkon një karro në të qarë,

Dhe dridhet nga mërzia,

Dy vetë po çojnë një vajzë

në varr,

E ëma dhe hafija”



Pasi ke lexuar këto vargje, të cilat përmbajnë brenda tyre mijëra faqe leksioni për një epokë të luftës së klasave të përmbysur tashmë, të lind dëshira vetëm të heshtësh. Të heshtësh mbase edhe në shenjë nderimi për përcjelljen poetike të shpirtit të një vajze të brishtë që po largohej nga kjo botë e dhunuar nga një realitet i ashpër…



Çamëria dhe poezia e Agim Bajramit

Çamëria është një kujtesë dhe mbase një poezi për Agimin. Është një poezi e zezë, e mbuluar me vellon e misterit dhe të vdekjes. Po nëse Bajrami në poezitë e tjera bën kompromis, kur vjen puna për Çamërinë ai është ashpërsisht radikal në kujtime dhe në poezi. Është e vetmi lajtmotiv ku ai është ushtar dhe jo poet, ose ku është poet i mobilizuar ushtar. Po një ushtar i ashpër që të kujton ushtarët e Termopileve, që nuk fal asnjë pëllëmbë tokë. Dhe para se të dalim tek poezitë e Çamërisë, është mirë mbase për t’u hedhur një sy poezive të Athinës, ndaj së cilës poeti ka një mllef që s’e fsheh dot, madje shpërthen ashpër ndaj saj në poezinë “Një çam në Athinë”



“Mbi Athinë rigojnë shira të kalbur,

Me një shije gri si krip’ e detit.

Ky qytet asnjëherë s’më ka dashur,

Mua, me të bukurin e planetit.



Për çfare bukurie bën fjalë poeti vallë? Mos e ka fjalën për përshtypjet e Bajronit i cili i shkruan nënës së vet se shqiptarët janë raca më e bukur në botë? Që e simbolizon me vetveten dhe i mburret urrejtjes nacionaliste të Athinës e cila ende nuk ka hequr ligjin e luftës dhe nuk njeh të drejtat çame? Kushedi! Poetët që zakonisht janë thjeshtësisht të kuptueshëm, ndonjëherë janë edhe enigmatikë e të pashpjegueshëm…

Po vetëm për pak kohë se Bajrami në poezinë “Erë e Shenjtë Epirote” (kushtuar Çamërisë sime të pafat) siç e thekson ai, shkruan duke përshkruar masakrën greke mbi popullsinë civile që e skalit me pendë të gjakosur mbi faqen historike të kësaj poezie:



Sy e shpirt të llahtaruar,

Sa dhe gurit i pikoka,

Diellin tonë të përdhunuar,

Një nëpërkë e shpon te koka!



Një nëpërkë me kryq mbi krye,

Helm e vdekje skaj më skaj,

Skotë junanësh pabesie,

Rracë katilësh, djaj mbi djaj.



Padashur ndërsa lexon këto vargje në libër të shkon mendja se sa mirë do të bënte edhe politika që të lexonte ndonjëherë poezi. Sepse sikur pjesëtarët e delegacionit shqiptar që negociuan faljen e ujërave territoriale të Shqipërisë për pazare të pista politike të momentit do të kishin lexuar qoftë edhe disa prej këtyre vargjeve, mbase do ta kishin pasur më të vështirë që të shkelnin mbi dinjitetin e tyre kombëtar…

Kjo poezi e fuqishme, ky apel për të mos e harruar tokën e grabitur të të parëve ka pas edhe një mesazh lehtësisht të deshifrueshëm të poetit çam Agim Bajrami. Apel që vjen përmes 4 vargjeve:



“Vallë ma pe Paramithinë,

Artën ar që fle mbi det,

Gjyshen plakë me djep mbi shpine,

Varrin tim që ende pret?”



Mbase është poezia më domethënëse e këtij vëllimi. Poetin çam e pret varri në vendin e vet. Varri është i hapur. Atë do ta çojnë të gjallët atje kur të vdesë… Të gjallët nga Shqipëria!(BRUNO MARKU)



Durrësi në shënjestrën poetike të Bajramit

Durrësi në krijimtarinë e Bajramit zë një vend të veçantë. Ka shumë poezi të shkruara në momente të ndryshme për të, në të cilat duken luhatjet shpirtërore, pasi kush e njeh nga afër Agimin, e di që ai ka një botë shpirtërore të brishtë që tronditet në moment. Dhe për Durrësin në moment të ndryshme ai ka bërë poezi të ndryshme gjithsesi shumë të bukura, ndër të cilat do të veçoja poezinë “Në këtë qytet ia vlen të jetosh” (Kushtuar Durrësit tim të dashur) siç shkruan ai dhe që na sjell nje kumt se në këtë qytet poetik plot diell dhe det ai është furrsakëzuar tashmë, pasi është i përfshirë në jetën intelektuale të tij. Ai këtu ka emetuar poetikisht 3 vëllime poetike. Ai shkruan:



“Në këtë qytet,

Ia vlen të jetosh,

Dhe pse pa shokë mbetesh përherë,

Dhe pse në kafe një kodosh,

Për ty pareshtur nxirrka vrer.



Poezi kjo që të rikujton Eseninin me trishtimin e tij dhe poezinë “Nga Moska ika sepse duhej ikur…”. Me sa duket Durrësi është një qytet magjik që e ka mahnitur poetin, por ndonjëherë e ka zhgënjyer edhe keqazi, por ai është poet i ndjeshëm dhe si i tillë di të falë, prandaj dhe i thur ditiramb atij:



“Në këtë qytet ia vlen të jetosh,

(Ta ndjesh vetveten zot prej valësh)

Mjafton veç pak të dashurosh,

Por dhe të duhet shpesh të falësh.”


*****

Shija e një arti poetik elitar(Hyqmet Hasko)

Rreth përmbledhjes poetike “Mbrëmje të puthura” të poetit Agim Bajrami

Ballafaqimi me poezinë e vërtetë dhe nëntekstet që ajo mbart, që nga vetëdija e poetit deri tek ajo e lexuesit, sidomos e atij të kualifikuar dhe të përgatitur estetikisht për ta shijuar plotësisht këtë poezi, të çon në kërkimin e rrënjëve të identitetit poetik, tek ato shtresa dhe nënshtresa, të cilat profilizojnë dhe përcaktojnë veçantinë dhe sharmin që e mban në këmbë dhe në truallin e vet secilin autor. Mesazhet që burojnë nga leximi i një poezie të tillë, të shpien në një përkim të vërtetash midis shpirtit poetik të poetit dhe botës së lexuesit, duke unifikuar shijen e artit poetik që sendërton realitete të thyera të përditshmërisë sonë, të kujtesave dhe vetë ëndrrave që mbartin vizionet e së ardhmes.

Përgjatë një ballafaqimi të tillë, poezia e poetit të njohur çam, me banim në Durrës, Agim Bajrami, të intrigon t’i qasesh në këndvështrime dhe prerje të ndryshme, vertikale, horizontale, duke përftuar atë shije të bukur që të jep leximi dhe komunikimi me të bukurën e ngritur mjeshtërisht në art, në vargje të ndjera, të ngrohta dhe me një tepmoritëm sa të natyrshëm e spontan, aq dhe befasues.

Tek përmbledhja e tij e fundit “Mbrëmje të puthura”, Agim Bajrami na përcjell një frymë të ëmbël dhe të trishtë njëherësh jete, ku ngërthehet në një karusel lëkundës, malli, ankthi, dashuria, pritja, gruaja, e dashura, ëndrra e vonë, stinët, dëshirat e trazuara, cunami i ndjenjave dhe përjetimeve të dyzuara, guximi për t’i shkuar gjer në fund aventurës së kurmit dhe shpirtit të mikes, pamundësia për të qenë një Promete, që në vend të zjarrit, t’u dhurojë të tjerëve paqe dhe dashuri njerëzore.

Në optikën e poetit lëviz një botë e larmishme peizazhesh dhe ngjyrash, grimca të eterta që shfaqen e ikin me ngut, dëshira që marrin krahë e fluturojnë në qiej pasionesh, miq që e mbajnë gjallë kërkimin e poetit në epiqendër të bukurive të fjetura, por që ai rreket t’i zbulojë e të na i sjellë para syve me një këmbëngulje për t’u admiruar.

Agim Bajrami, vështron përtej asaj që duket nga të gjithë, vështron në shpirtin e gjërave që e rrethojnë, duke i bërë një autopsi poetike, me një lirizëm të hollë e fin, asaj që quhet “lënda e parë” poetike, të cilën ai e përpunon mjeshtërisht, për të na e dhënë në figura të gjalla e të skalitura në mënyrë mjeshtërore.

Poeti operon me figura të gjetura, kryesisht metafora, të cilat i shërbejnë për të ndërtuar imazhe dhe trajta të larmishme, sa fotografike aq dhe të thyera në projeksionin e mesazheve dhe nënteksteve që kërkon të na bëjë me dije. Falë një shpirti të pasur e të begatë, ku duket se sundon mirësia, fisnikëria, dashuria për njerëzit dhe minibotën që e rrethon, Bajrami vizaton me dorë të lirë gjendje dhe imazhe, duke i shkrirë ato në një kulm, ku rrëzëllen një shpirt i bukur prej kërkimtari, një adhurues i bukurisë dhe vlerave, një filozof I zbulimit të thesareve të shpellave të instinktit dhe transcendencave të nënkuptuara.

Poezia e Agim Bajramit është një endje në tezgjahun e ndjesive të njohura, por të cilat ai i shpirtëzon dhe madhëron me frymën e tij lirike, një kërkim në kujtesën e gjërave, në atë rendje ku ndjesitë dhe impresionet e tij kanë gjetur konkordanca dhe pika takimi me ëndrrën e kulluar, objektin poezisë së tij. Freskia dhe spontaniteti i gjetjeve poetike, vëzhgimet e holla dhe fine, lirizmi spontan, sharmi dhe befasimi i figurave, larmia tematike dhe e gjendjeve emocionale që na paraqet etj., janë vetëm disa nga pamje të ajsbergut të tij poetik.

Agim Bajrami është një poet i guximshëm dhe guximi i buron jo vetëm nga një talent i spikatur, por dhe nga çiltërsia e karakterit, nga kuraja qytetare për t’u ballafaquar me vetveten, me të tjerët, me dukuritë me të cilat ndeshet, me minibotën që e rrethon dhe të cilën e dëshiron të përsosur, jo për hir të një manie përsosmërie, por për të qenë në unison me shpirtin e bukur të natyrës dhe të shpirtit njerëzor, të genit fisnik, i cili mban gjallë ëndrrat më të bukura njerëzore, pasionet dhe dashuritë e rruzullimit.

Shtresimet poetike të poezisë së Agim Bajramit rrokin një gamë të gjerë problematikash bashkëkohore, ku ai me një penel të shumëngjyrtë, të shtruar si një rrjedhë piktoreske ujëvare, pikturon fate dhe shpresa, herë me anë të unit të tij poetik, herë duke iu referuar fatit të të tjerëve.

“Mëngjesi shkruhet mbi një letër,

Mbi kuaj dallgësh ngjyrë blu,

Në qoftë kështu parajsë e vjetër,

Më lini, miq, të mbes këtu”.

Kjo strofë nga poezia “Liqenore” profilizon një poet, që e thyen dhe e grimcon objektin poetik, duke e rikrijuar atë mbi bazën e një përjetimi vetjak, ku tonet lirike dhe metafora, si kryefigura e gjithë aktit të tij krijues, shndërrohen në kode për zbërthimin e tekstit dhe nëntekstit, që rrjedhin nga leximi i këtyre vargjeve.

Kamera poetike e poetit rreket të hyjë thellë në analet e historisë, duke kërkuar në “humbjen e parë të Skënderbeut në Berat”, por depërton dhe në të fshehtat e skulpturës, në magjinë e vajzave korçare, në kufirin e ri që ai ka vënë mes tij dhe miqve të rremë, për të vijuar më tej në misterin e “njeriut me makinë të zezë”, tragjedia që i ther për fëmijët e vrarë në Gërdec, tek letra e një ish të dënuari dërguar hetuesit të tij (kushtuar Ylber Merdanit, njeriut të mirë, që u persekutua nga Diktatura) etj.

Poeti nuk rreket të zbulojë gjëra të bujshme dhe që buçasin në zhurmën e fjalës retorike dhe pankartave të çngjyrosura nga keqpërdorimi, me të cilat është mbushur dëng poezia mediokre dhe në shërbim të politikave të ditës. Ai qëmton gjëra, në dukje të vogla, por që kanë, një thelb, universal, siç është ndjenja e miqësisë së vërtetë, shijimi i një peizazhi të mrekullueshëm, dyzimi dhe brenga e një pendimi në jetë, fëshfërima e muzgjeve të fshehtë me puthje e mall, dridhja e qirinjve që ndizen në mbrëmjet e vona, për të kujtuar dashuritë e ikura etj.

Agim Bajrami të befason me çdo varg e strofë, të mrekullon me çdo poezi, të sugjestionon me fuqinë dhe magjinë e figurës, me lirshmërinë e paraqitjes së situatave poetike, me saktësinë dhe origjinalitetin e gjetjeve, me rezonancën e fortë që përçojnë mesazhet dhe filozofia e artit të tij poetik.

Tek poezia “Shejtani dhe ti”, pasi bën një “apoteozë” të një marrëdhënieje dashurore, plot thyerje dhe kontrapunte të goditura, autori shpërthen:

“Dhe s’kam nevojë të pyes ku gjendesh,

Ne njëri-tjetrin gjejmë me buzë,

Unë ty të dua dhe kur grindesh,

Ndaj gjithë shejtanët i përbuz”

Përmbledhja poetike “Mbrëmje të puthura” e poetit Agim Bajrami është një ngritje cilësore në kuotën e artit poetik të këtij poeti të njohur, një thellim i kërkimeve të tij në shpirtin njerëzor, një thellim i tendencave më të mira të poezisë sonë të re, të çliruar nga jashtësitë dhe dogmat, ku ai gjen veten dhe ndihet i plotë dhe i përmbushur. Vëllime të tilla të bëjnë të meditosh për fuqinë e artit poetik, si një mundësi në njohjen e bukurive të fjetura të botës shpirtërore dhe si një start për konkurrimin e vlerave poetike serioze.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...