2018-07-14

Gjykata hedh poshtë aktakuzën ndaj zyrtarëve të lartë të IPK-së



Fitim Shishani, Valbona Osmani e Jetullah Aliu

Në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të IPK-së Fitim Shishanit, drejtoreshës për Hetime Speciale në IPK ,Valbona Osmani, si dhe drejtorit të Departamentit të hetimeve në këtë institucion, Jetullah Aliut, gjykata e ka hedhur aktakuzën e ngritur nga prokuroria.

Që të tre janë akuzuar nga Prokuroria se e kanë privuar në mënyrë të kundërligjshme nga liria kolegun e tyre për të cilin kishin marrë informacionin se ka qenë në një motel së bashku me një femër për të cilën është dyshuar se ka qenë e mitur.

Pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar në mars të këtij viti, palët kanë pasur mundësi për t’i paraqitur propozimet dhe kundërshtimet e tyre sa i përket aktakuzës së ngritur nga ana e prokurorisë.

Gjyqtarja e vetme gjykuese, Fatime Dërmaku, duke vepruar sipas kundërshtimeve të të pandehurve si dhe mbrojtësve të tyre pas shikimit të të gjitha shkresave të lëndës ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale në bashkëkryerje privim i kundërligjshëm i lirisë si dhe po në bashkëkryerje edhe veprën penale fotografim apo incizime të paautorizuara, andaj në mungesë të provave të mjaftueshme është hedhur poshtë aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Fitim Shishani, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani në asnjë rrethanë nuk është vërtetuar se përtej dyshimit të bazuar në kohën e përshkruar në aktakuzë, kanë ndërmarrë veprime konkrete për të privuar nga liria në mënyrë të kundërligjshme të dëmtuarin Q.V.

Sipas aktakuzës i dëmtuari Q.V në korrik të vitit 2013 ka qenë së bashku me një femër për të cilën është dyshuar se është e mitur, në një motel afër Ferizajt.

Në aktakuzë thuhet se këtë informatë e kishin pranuar të akuzuarit, Jetullah Aliu, Valbona Osmani të cilat sipas udhëzimeve të të akuzuarit tjetër Fitim Shishani kanë dalë në vendngjarje për ta verifikuar këtë informatë, me ç’rast pasi që kanë hasur në atë vend në të dëmtuarin nga ai janë marrë disniktivi dhe arma zyrtare dhe pas kësaj është njoftuar Policia e Kosovës.

Tutje thuhet se pas pranimit të informacionit, Policia e Kosovës kanë dalë në vendngjarje dhe pasi që kanë ndërmarrë veprimet hetimore në veturën e tyre kanë marrë atë femrën me të cilën kishte qenë i dëmtuari, për ta intervistuar në Stacionin Policor ndërsa i dëmtuari së bashku me të akuzuarit Jetullah Aliu e Valbona Osmani me veturën e tyre zyrtare po ashtu kanë shkuar në Stacionin Policor në Ferizaj për të intervistuar të dëmtuarin Q.V, në cilësinë e të dyshuarit.



Por sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore, fakti se të pandehurit Jetullah Aliu e Valbona Osmani e as Fitim Shishani nuk e kanë privuar nga liria në mënyrë të kundërligjshme të dëmtuarin mund të vërtetohet nga procesverbali për seancën e marrjes së deklaratës në procedurë paraprake, ku i dëmtuari Q.V në cilësinë e të dyshuarit ka dhënë deklaratë në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj.

Sipas gjyqtares Fatime Dërmaku, fakti se i dëmtuari ka qëndruar në objektin e Inspektoratit Policor në Hajvali nuk mund të konsiderohet si privim i kundërligjshëm nga liria, pasi që të njëjtit atë natë i është përgatitur vendimi për suspendim.

Sipas këtij aktvendimi nga provat e lartcekura rezulton se në rastin konkret në veprimet e të pandehurve Fitim Shishani, Jetullah Aliu e Valbona Osmani nuk përmbushen elementet e veprës penale privim i kundërligjshëm i lirisë, pasi që të pandehurit nuk e kanë penguar të dëmtuarin që të lëvizë lirshëm.



Sipas gjyqtares së vetme gjykuese, provat e elaboruara nuk i inkriminojnë të pandehurit dhe se nuk e mbështesin as dyshimin e bazuar mirë për të proceduar me këtë çështje.

Po ashtu gjyqtarja Dërmaku ka vlerësuar se ky proces penal ndaj të pandehurve është zhvilluar në kundërshtim me dispozitat ligjore, ndër të tjera gjyqtarja në aktvendim përmend fatin se nga shkresat e lëndës, shihet se kallëzimi penal është paraqitur me datë 04 shkurt të vitit 2014 në Prokurorinë Speciale të Kosovës, e cila mëse 10 muaj nuk ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve ndonëse Prokurori i kësaj prokuroria ka marrë deklaratat nga dëshmitaret.



*****




Pse u suspendua inspektorja më e mirë në IPK Valbona Osmani


Lajmi për suspendimin e saj ishte  konfirmuar nga vet Valbona  Osmani e cila nuk ka pranuar të flasë për arsyet e suspendimit.

Në mesin e zyrtarëve të lartë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) të cilët janë suspenduar nga puna ishte  edhe Valbona Osmani, drejtoreshë e Departamentit të Analizës.


Ajo ka thënë se deri në fundin e hetimeve i është ndaluar të flasë rreth rastit.

Mediet  më herët raportoi edhe për suspendimin e drejtorit të Hetimeve në Inspektoratin e Policisë së Kosovës, Jetullah Aliu.

Suspendimi i dy zyrtarëve të lartë të IPK-së është kryer pas një njoftimi nga ana e Prokurorisë së Shtetit e cila e ka marrë vendim për fillimin e hetimeve për dy zyrtarët e lartë.

Arbër Beka, zëdhënës i IPK-së, i pyetur për këtë çështje ka thënë se çdo gjë rreth rastit është sqaruar në një njoftim të cilin IPK e ka publikuar .



Pse u suspendua Shefi i Hetimeve në IPK


Kohë më parë ishte  suspenduar drejtori i hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës Jetullah Aliu.

Suspendimi i Aliut, njërit nga eprorët më të lartë të IPK-së u bë  me vendim të drejtorit të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Sipas një njoftimi të IPK-së suspendimi ka ndodhur për shkak të një hetimi të cilin policia e ka nisur ndaj Aliut dhe një zyrtari tjetër të Inspektoratit.

Lajmin për suspendimin për media e ka konfirmuar vetë  Jetullah Aliu, i cili nuk ka dashur të tregojë arsyet dhe rastin, për shkak të hetimeve që janë duke u zhvilluar.

“Po kam marrë një letër me të cilën jam njoftuar se suspendohem deri në përfundim të hetimeve të rastit,” pat thënë Jetullah Aliu për media.

Ai nuk ka dashur të japë detaje të tjera për personin tjetër të suspenduar.

“Çdo gjë rreth rastit është një vendim administrativ i IPK-së dhe me hetimet e rastit është duke u marrë Prokuroria e Shtetit,” patë thënë  Arbër Beka .

Drejtori i hetimeve të IPK-së është në mesin e personave më të rëndësishëm në hierarkinë e Inspektoratit Policor.

Ky organ ka mandat të hetojë veprimet kundërligjore të policëve të Kosovës.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...