FATOS TARIFA është Drejtor i Institutit të Studimeve Sociale dhe të Politikave në Universitetin Europian të Tiranës nga viti 2008. Ai ka fituar gradat Master of Arts dhe PhD në sociologji nga Universiteti i Karolinës së Veriut në Chapel Hill (SHBA), si edhe gradën Doktor në shkencën politike nga Universitetit i Tiranës.
Tarifa ka mbajtur një sërë pozicionesh akademike në disa universitete perëndimore si: The Institute of Social Studies (Hagë, 1993-1994), The University of North Carolina (Chapel Hill, 1995-1998), Campbell University (1996-1998), Webster University (1999-2001) dhe Eastern Michigan University (2006-2008).
Në UET, Tarifa është titullar i një sërë lëndësh në fushën e sociologjisë dhe të marrëdhënieve
ndërkombëtare si, “Hyrje në Sociologji”, “Teoritë sociologjike klasike” dhe “Mendimi sociologjik
bashkëkohor” (progami Bachelor), “Sociologjia politike”, “Gjeopolitika e shekullit XXI” dhe “Marrëdhëniet transatlantike” (programi Master Shkencor) dhe “Teoritë sociale” (programi Doktoral).
Tarifa është autor i 33 librave (shumë prej të cilëve të botuar në anglisht jashtë vendit), si Vengeance is Mine (2008), Europe Adrift on the Wine Dark Sea (2007), Acrimonies of Transition (2007), To Albania, with Love (2007), Social Problems of Transition (2003), The Balkans: A Mission neither Accomplished nor Impossible (2002), The Quest for Legitimacy and the Withering Away of Utopia (2001) etj. Ai është, gjithashtu, autor i më shumë se 50 artikujve studimorë të botuar në revista akademike ndërkombëtare të indeksuara si, Social Forces, Policy Review, Studies in Comparative International Development, Development and Change, Journal of Applied Sociology, Modern Age, International Review of Education, Societies without Borders, Mediterranean Quarterly, East European Politics and Societies, Communist and Post-Communist Studies, Higher Education in Europe, Childhood, etj.
Tarifa është themelues (në vitin 1998) dhe kryeredaktor i revistës ndërkombëtare Sociological Analysis dhe kryeredaktor i revistës Academe, organi zyrtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Ai është, gjithashtu, anëtar i bordeve editoriale të revistave ndërkombëtare Journal of Social Sciences (nga viti 1997) dhe Journal of Applied Social Science (nga viti 2006).
Fatos Tarifa është një ndër anëtarët themelues të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe të Shkencave
(2011), anëtar i Shoqatës Sociologjike Amerikane (nga viti 1992), anëtar i Akademisë së Shkencave
Politike me qendër në Nju Jork (nga viti 1995) dhe i shumë organizatave të tjera profesionale amerikane e ndërkombëtare.
Ai është fitues i shumë granteve, fellowshipeve, çmimeve dhe medaljeve, përfshirë “The 2011
Distinguished Researcher President’s Prize” (UET), “Award for Outstanding Service” (Eastern MichiganUniversity, 2008); Global Family Advocate Award (2004), “The Hattie Harris Good Spirits Club International Award for Encouragement of World Peace” (2004); Sociology Departmental Award(University of North Carolina at Chapel Hill, 1996), Senior Research Fellowship (Dutch Foreign Ministry,1993-1994), Fulbright Senior Research Fellowship (1992), Medalja “Naim Frashëri” e klasit III për kontribut të shquar në fushën e mësimdhënies në Universitetin e Tiranës (1987) dhe Medalja “Naim Frashëri” e klasit III për kontribut në fushën e botimeve shkencore (1987).
Fatos Tarifa ka qenë ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës (1998-2001) dhe në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës (2001-2005).
Floripress(Flori Bruqi)
– Profesor Tarifa, ju jeni shprehur publikisht në mënyrë të vazhdueshme për reformimin e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri. Ndërkohë, këto ditë është ndezur sërish një debat i nxehtë mbi gjendjen e Akademisë së Shkencave dhe të ardhmen e saj. Cilin krah mbani ju në këtë debat?
– Debati për Akademinë e Shkencave ka të paktën një dhjetëvjeçar që ka nisur, nga koha kur qeveria e atëhershme, e drejtuar nga z. Berisha, nisur nga motive ekstra-akademike, e “reformoi” Akademinë për ta shkatërruar atë. Ajo reformë nuk prodhoi gjë tjetër veç një karikaturë të Akademisë së dikurshme të Shkencave, siç e kemi njohur dhe e kujtojmë atë kur u krijua, nga një elitë e shquar shkencore e kulturore, që këtij vendi sot i mungon. Kërkimi shkencor në vendin tonë sot përjeton një krizë të rendë ekzistenciale, dhe kjo Akademi është jo vetëm pjesë e kësaj krize, por edhe një nga shkaqet kryesore të saj.
Ju më pyesni se cilin krah mbaj unë në këtë debat. Pra, cili është qendrimi im për çështjen në fjalë. Qëndrimet më të artikuluara këto ditë kanë qenë dy, qëndrimi i Prof. Artan Fugës, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe qëndrimi i Prof. Xhevat Lloshit, anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Është shprehur edhe ndonjë qëndrim tjetër, si ai i Prof. Paskal Milos, që nuk bën pjesë në asnjërën nga dy akademitë tona, por, dy qëndrimet kryesore janë ai i Fugës dhe i Lloshit.
Pa u marrë gjatë me pikëpamjet që kanë shprehur këta dy akademikë të nderuar, mjaftohem të them këtë: Unë kam qenë dhe jam tërësisht kundër pikëpamjeve që ka shprehur vitet e fundit kolegu im Artan Fuga lidhur me reformimin e arsimit të lartë në vendin tonë, me të cilin është i lidhur ngushtë edhe reformimi i kërkimit shkencor. Ndërsa ai e ka kundërshtuar reformën në arsimin e lartë, unë e kam mbështetur atë. Por, e mbështes tërësisht z. Fuga në shqetësimin që shpreh ai për gjendjen e Akademisë së Shkencave dhe në kërkesat e tij për një ndërhyrje urgjente e të vendosur nga ana e qeverisë. Në këtë pikë ndaj të njëjtin qëndrim me të. Z. Fuga bën një diagnozë shumë të saktë të gjendjes së pashëndetshme të kësaj Akademie sot, por nuk thotë se cila është anamneza e saj, ndërsa kura apo trajtimi që ai propozon nuk garanton prognozën e dëshiruar. Për më tepër, qëndrimin e tij e komprometon rëndë mbështetja që ka marrë publikisht së fundmi për këtë çështje nga z. Berisha, i cili është njëri ndër përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendjeje mjerane të Akademisë së Shkencave.
Nga ana tjetër, qëndrimi i Prof. Lloshit është më radikal dhe, për mua, më i saktë. Unë mbështes më shumë këtë të fundit. Thelbi i çështjes nuk është thjesht që, për humanizëm, t’i zgjasim jetën një të sëmuri të pashpresë, por t’i japim jetë dhe shpresë një nevoje të domosdoshme për zhvillimin e shkencës, të ekonomisë e të kulturës në këtë vend. Prof. Lloshi këtë propozon: kjo akademi “nuk bën më”, thotë ai, ajo “ka falimentuar”. Unë mendoj se, në vend që të kërkojmë e të shpresojmë reformimin e saj, qoftë edhe një ndryshim rrënjësor, me qëllim përmirësimin e saj, duke vazhduar të njëjtën rrugë pa krye si tërë këto 25 vite, çështjes i duhet gjetur një zgjidhe e re, e paprovuar deri më sot.
– A mendoni se zgjedhjet e javës së ardhshme për kryesinë e re të Akademisë nuk duhen zhvilluar, siç është shprehur publikisht Prof. Fuga dhe siç i ka kërkuar kryeministrit Rama me anë të një letre të hapur?
– Po, mendoj se kështu duhet të ndodhë. Jo sepse këtë e ka kërkuar z, Fuga, i cili e ka argumentuar bindshëm farsën që po luhet me këto zgjedhje, por sepse ato zgjedhje, siç janë parashikuar dhe organizuar, nuk mund të ndryshojnë asgjë. Asgjë për mirë, veçse do ta zgjasin edhe më tej agoninë e Akademisë së Shkencave. Shihni ç’ndodhi pak ditë më parë me Qendrën e Studimeve Albanologjike, e cila ka mbledhur nën çatinë e saj disa nga qendrat më të rëndësishme të Akademisë së dikurshme të Shkencave, kur, me një urdhër ad absurdum të një ministreje po aq ad absurdum, u bënë zgjedhje të ngjashme si këto që mendohet të bëhen në Akademinë e Shkencave javën e ardhshme. E njëjta farsë. E njëjta dritëshkurtësi. E njëjta hipokrizi akademike.
– Çfarë e ka çuar Akademinë e Shkencave në këtë gjendje të mjerueshme për mendimin tuaj?
– Akademia e Shkencave i është nënshtruar disa proceseve “reformuese” gjatë këtij një çerek shekulli të fundit, por “reforma” që përfundimisht e solli këtë akademi në gjendjen pa shpëtim që është sot dhe që e asfiksoi shkencën shqiptare në tërësi ishte ajo e viteve 2006-2007. Duke i shkëputur të gjitha institucionet kërkimore nga Akademia, ajo “reformë” i a thau rrënjët kërkimit shkencor dhe e shndërroi Akademinë në një trung që vetëm atrofizohej dhe kalbej për shkak të mungesës së ushqimit jetik i japin shkencës faktet, metodat dhe mendimi racional. Këto të gjitha u ndanë nga pema diturake e Akademisë. Për më tepër, me përbërjen e saj, kjo akademi nuk u shndërrua as në një institucion honorifik, që të nderonte përfaqësuesit më të shquar të shkencës e të kulturës së këtij vendi, siç janë sot shumë ndër akademitë më të njohura në shumë vende të botës.
Një tjetër faktor që e solli këtë akademi në gjendjen e sotme ishte krijimi i një sistemi strukturor të saj me katër kategori anëtarësh: të rregullt, të asociuar, të përhershëm dhe në pension (!). Mosha: 75 vjeç! Ndërsa dy kategoritë e para edhe mund të bëjnë kuptim, “përhershmëria” dhe “pensioni” nuk janë kategori shkencore, as kanë të bëjnë me parimin aq të rëndësishëm të meritokracisë, as në shkencë, as në arsimin e lartë. Një ndarje e tillë diskriminuese mund të ketë pasur vetëm një qëllim: eliminimin e disa prej anëtarëve të Akademisë (për shkak të “moshës”) dhe uzurpimin e saj nga individë të tjerë, politikisht më “reliable”, edhe pse asnjëri prej tyre, deri më sot, nuk ka krijuar staturën e Çabejit, të Budës, të Kostallarit, të Domit, të Kuneshkës, të Paparistos, të Uçit, të Xholit ose të Omarit.
U gjend edhe një “zgjidhje” tjetër origjinale, ala shqiptare, një rrogë mujore jo e papërfillshme për standardet e vendit, që u jepet të gjithë anëtarëve të rregullt dhe atyre në pension, nga një grant shtetëror, për të “inkurajuar” veprimtarinë e tyre kërkimore. Kjo skemë financiare ka qenë dhe është e gabuar, pasi një bonus të tillë e merr kushdo, edhe ai “akademik” që nuk ka prodhuar e nuk prodhon as një gram “shkencë”. Një skemë e tillë e gabuar dhe e dështuar ka ushqyer, në fakt, jo kërkimin shkencor, por dembelizmin shkencor. Nëse ka nga ata, që mund të thonë se një pohim i tillë është i pasaktë, ose i tepruar, mjafton të shohësh se ç’kanë krijuar anëtarët e kësaj akademie në këta 10 vite, ç’studime kanë bërë, ç’të reja kanë sjellë, si i kanë pasuruar arritjet e shkencës shqiptare, sa i kanë kontribuar ekonomisë dhe rritjes së GDP-së, sa përpara e kanë çuar dijen tonë, për të mos thënë sa ndikim kanë pasur punimet e tyre në shkencën në përgjithësi. Një e dhënë fare e thjeshtë është numri tejet i vogël i artikujve shkencorë të botuar në revista akademike me faktor impakti. Me shumë pak përjashtime, artikuj të tillë, që do të konsideroheshin me vlerë shkencore, nuk gjen nga akademikët tanë.
Por, kjo skemë financiare polli edhe një të keqe tjetër. Paraja, bonusi, paga (quajeni si të doni), dhe po kështu pensioni pas moshës së caktuar, u bënë një motiv i rëndësishëm për anëtarësimin në Akademinë e Shkencave. Dinjiteti shkencor dhe respekti shoqëror, tashmë, në ekonominë e tregut, nuk kishin më atë rëndësi që mori dhe ka paraja. Këtë para të fituar jo me punë shkencore e me djersë, që është para e taksapaguesve, shteti vazhdon ta planifikojë në buxhetin e vet për të paguar çdo vit miliona lekë për punë që nuk bëhen, ose për punë që janë pa fryte, ose, edhe nëse kanë, janë punë që raportohen e paguhen dy herë, siç me të drejtë konstaton Prof. Fuga.
– Ju vetë jeni një ndër anëtarët themelues të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Pse u krijua kjo akademi e re dhe nga dallon ajo nga Akademia e Shkencave?
– Për këtë çështje kam shkruar e jam intervistuar (edhe në këtë gazetë) disa herë, prandaj nuk dëshiroj të zgjatem. Por, mund të them këtë, sido që të tingëllojë për ju ose për lexuesin: I vetmi rezultat pozitiv dhe logjik që prodhoi kriza institucionale e Akademisë së Shkencave dhe e kërkimit shkencor në këto dy dekada e gjysmë ishte krijimi, 6 vite më parë, i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, si një akademi alternative. Në gazetën tuaj, dje, ju i krahasuat këto dy akademi shqiptare si dy modele të ndryshme institucionesh që synojnë të njëjtën gjë, edhe pse nuk kanë të njëjtin status zyrtar dhe as të njëjtat resurse materiale.
Akademi Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, në përbërje të së cilës bëjnë pjesë disa prej personaliteteve më të njohura të shkencës, të artit e të kulturës shqiptare, jo vetëm ne vendin tone, por edhe jashtë saj (prandaj kjo akademi edhe quhet “shqiptare” dhe “e arteve dhe shkencave”, pra jo vetëm e Shqipërisë dhe jo vetëm e shkencave), i ka dhënë më shumë permbajtje, më shumë vlera, larmi, risi dhe dinamizëm jetës kulturore e shkencore në vend. Për veprimtaritë dhe botimet e saj të shumta kam shkruar edhe më parë.
Kjo Akademi nuk është një institucion shtetëror, si Akademia e Shkencave, por një komunitet dhe një organizim vullnetar artistësh, studiuesish, shkencëtarësh dhe shkrimtarësh shqiptarë, që jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në diasporën shqiptare këtej e përtej Atlantikut. Ajo u krijua nën shembullin dhe sipas modelit të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave (American Academy of Arts and Sciences) dhe adoptoi jo vetëm emrin dhe misionin e saj, por edhe filozofinë, normat dhe rregullat demokratike të organizimit, të funksionimit e të zgjedhjes së anëtarëve të rinj e të drejtuesve të akademisë në bazë rotacioni, të cilat janë krejt të ndryshme – më të drejta e më demokratike – se ato që e kanë sjellë Akademinë e Shkencave në gjendjen e sotme. Kjo Akademi “e re” nuk ka asnjë lidhje varësie me shtetin, nuk ka marrë deri më sot asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit dhe nuk ka njohur grindje e fraksione si ato që kemi parë e shohim edhe këto ditë në Akademinë “e vjetër”.
– Nëse ju bëj sot të njëjtën pyetje që u kam bërë edhe disa kohë më parë, se ç’mund të bëhet në kushtet e sotme, cila do të ishte përgjigjja juaj?
– Besoj se do t’ju jepja të njëjtën përgjigje, pasi qendrimi im nuk ka ndryshuar: Shkenca nuk është e nuk mund të jetë monopol i një Akademie Shkencash, askund dhe asnjëherë. Ekzistenca e dy akademive sot në Shqipëri është një realitet që s’e mohon dot kush, edhe pse thuasje gjithnjë flitet e shkruhet për akademinë “e vjetër”. Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, si një institucion akademik i mirëfilltë, tërësisht legjitim, me një profil të spikatur perëndimor dhe si një ndër aktorët më të informuar e më të interesuar për reformimin e sistemit të kërkimit shkencor duhet të ketë vendin e saj në çdo tryezë debati akademik e shtetëror mbi këtë çështje.
Me ndryshimin e peizazhit akademik në vend, pra në kushtet kur në Shqipëri ekzistojnë e veprojnë jo një, por dy akademi shkencash, si dhe në kushtet kur Akademia e Shkencave nuk ka më nën “çatinë” e saj institucionet kërkimore të dikurshme dhe ato të sotme, ka ardhur koha që, për t’u dhënë fund formave parazitare të përfitimit nga buxheti publik dhe për të stimuluar kërkimin e njëmendtë shkencor, të dyja akademitë dhe çdo institucion tjetër kërkimor, publik ose privat, të vihen në kushte pariteti dhe konkurrence të ndershme vlerash, të cilat të maten e të gjykohen nga produktet e tyre shkencore e kulturore. Kjo do të thotë që grupe studimore, ose anëtarë të veçantë të secilit institucion, të konkurrojnë me projektet e tyre për financime publike, përmes grantesh kërkimore. Veprimtaria kërkimore e tyre (mbi bazën e prioriteteve kombëtare për fusha kërkimore dhe të meritave), do të duhej të mbështetej financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), e cila është krijuar pikërisht për këtë qëllim.
– Nga sa thatë në këtë intervistë, kuptoj se nuk jeni dakord plorësisht as me mendimin e Prof. Lloshit, anëtar i së njëjtës Akademi me ju, për mbylljen përfundimtare të Akdemisë së Shkencave.
– Unë u shpreha qartë se, për mua, mendimi i kolegut tim shumë të nderuar, Prof. Lloshi, është më i saktë se ai që ka shprehur Prof. Fuga, dhe unë mbështes mendimin e tij. Unë ndaj me z. Lloshi mendimin se kjo akademi “nuk bën më”, dhe se, për shkak se ajo “ka falimentuar”, mbyllja e saj, ashtu si ajo e një “ndërmarrjeje të falimentuar”, mund të ishte një zgjidhje. Por, ndërsa për Prof. Lloshin mbyllja e Akademisë është e vetmja zgjidhje e arsyeshme, unë mendoj se mund të gjenden edhe zgjidhje të tjera që nuk janë provuar ndonjëherë nga ne deri më sot. Si të tillë propozoj pikërisht atë që artikulova më sipër: të dyja akademitë dhe çdo institucion tjetër kërkimor, duhet të vihen në kushte pariteti dhe konkurrence të ndershme vlerash, të cilat të maten e të gjykohen nga produktet e tyre. Ky do të duhej të ishte testi për suksesin dhe vazhdimësinë e një akademie shkencash dhe të çdo institucioni shkencor.
Intervistoi Xhevdet Shehu
No comments:
Post a Comment